Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    12-11-2007
    Vendndodhja
    Francë
    Postime
    4

    Mars i përgjakur, kujtesë e plagosur.

    Katastrofa e Gërdecit me dhjetra të vrarët e tij, të zhdukurit e shumtë, me dëmet e pallogaritshme materiale dhe me traumën e rëndë kolektive përbën aktin e rradhës të tragjedisë së sotme të shoqërisë shqiptare që, edhe pas 17 vjetësh të shkuara nga përshëndoshja me rregjimin komunist, vazhdon të vuajë pasojat e të kaluarës shtypëse.
    Kësaj here, e kaluara u materializua në predha dhe të tjera ngarkesa eksplozive që duar të shkujdesura i kishin grumbulluar pranë një fshati si Gërdeci, pranë një qyteti si Vora me qëllim që duar të tjera të kujdesshme grash dhe fëmijësh t’i kondiciononin, t’i manipulonin, t’i çmontonin – shkurt, t’i shëndrronin në vlera monetare. Nuk mund të harrosh se pikërisht një mars tjetër të vitit 1997, plot 11 vjet më parë, ishin po të njejtat predha dhe armë, e njejta trashëgimi i të kaluarës komuniste, që u grabitën nga depot e ushtrisë popullore të falimentuar dhe u përdorën gjatë orgjisë kolektive për të vrarë me mijra pjesëmarrës të atij « ahengu » që çoi në rrëzimin e demokracisë naive berishjane. E pra, një demokraci berishjane kësaj here e pjekur vazhdon të manipulojë armët dhe municionet jo më për tregun e « brendshëm », por për tregun vrastar të përbotshëm. Kur do të vemë mend dhe të kuptojmë një herë e mirë që armët dhe municionet s’janë lëndë e parë – dhe aq më pak lodra – që mund të lihen në duart e pafajshme të civilëve ?
    Megjithë etiketën e tij demokratike, paradoksalisht, shteti shqiptar dhe qeveritë e tij të njëpasnjëshme blu-rozë-blu s’kanë mundur t’i bëjnë dalje të kaluarës dhe të mbyllin një herë e mirë rregjistrin e tij të trashëgimisë. Nuk dëshiroj aspak të përmend mentalitetin e burrave politikë, të pjekur në furrën e vjetër të PPSH, bile as edhe retorikën partiake që kujton çuditërisht atë të kongreseve të dikurshme. Kësaj rradhe dua të flas për « bazën materiale » të socializmit – atë pasuri kolektive që megjithëse u thye dhe u grabit për vite të tëra mes 1991 dhe 1994 – dhe më pas në 1997, ende vazhdon të tërheqë lakmi të shumta : ato tokat e pazot të vëna në ankand me 1 euro, ato pasuri minerale të shfrytëzuara barbarisht, ato vepra industriale gjysëm të çmontuara, ato grumbuj materialesh ushtarake të demoduara, të cilat vazhdojnë të përbëjë fondin « tregëtar » të demokracisë ku gërmojnë politikanë të paskrupullt, në kërkim të pasurive personale.


    * * *

    I parë veçmas, rasti i Gërdecit është i ngjashëm me shumë të tjerë – çka e dallon janë përmasat e katastrofës si dhe numri i viktimave. Sa raste të tilla kanë kaluar në heshtje – pasi nuk janë marrë vesh - ose janë harruar – pasi kanë shkaktuar « vetëm » një ose dy të vrarë, « vetëm » tre ose katër të plagosur ?
    Dikush, me ngut, e cilësoi këtë katastrofë si « frut të pakujdesisë njerëzore ». Vështirë se mund të përdoret ironi më e hidhur për të justifikuar tragjedinë gjithmonë njerëzore, dhimbjen e familjeve të viktimave. A egziston tjetër shpjegim - përveç « pakujdesisë njerëzore », që mund të shpjegojë gjëma të tilla të natyrës industriale ? Por, cili është elementi « pakujdesi » që shkaktoi Gërdecin : procesi i asgjësimit të ish-ushtrisë popullore shqiptare që i la këto instrumenta të vdekjes në mëshirën e çdo kapteri, përgjegjës depoje ? ideja e krijimit të « MEICO »-s për të ricikluar këto mbetje ushtarake me qëllim pëfitimi monetar ? besimi i armëve dhe i municioneve, të destinuara për të vrarë njerëz, një pseudo-ndërmarrjeje si « Albdemil » ? shëndrrimi i ish-gazermave të ushtrisë pranë Gërdecit në kapanone industriale çmontimi municioni ? rekrutimi nga ana e « Albdemil »-it e grave dhe e të miturve pa asnjë formim profesional për të manipuluar predhat ? Përfundimisht, a ka ndonjë nga këto elementë që angazhon përgjegjësinë e Shtetit dhe të përfaqsuesit të tij, Qeverisë ?
    Si i përgjigjet Qeveria këtyre pyetjeve ? Le të shkojmë në sallën e Kuvendit Popullor dhe të dëgjojmë ligjëratat e Kryeministrit dhe të Ministrit të tij të Mbrojtjes :
    “I quaj të papranueshme me gjithë dijeninë time, vendosjen e çmontimit në zonën ku është vendosur. Dhe ka një vendim shumë të qartë të Këshillit të Ministrave se cila është praktika që duhet të ndiqet. Dhe çdo vendim tjetër dhe mospaqyrim të tij ka përgjegjësitë e veta. Pra në rast se thyhet urdhri i kryeministrit, ai që nuk zbaton urdhrin, ai ka përgjegjësi. Që Gërdeci nuk duhet të ishte e kam thënë dhe e them 100 herë. Ai që vendosi të mbajë përgjegjësi të plotë dhe ju që hetoni, hetoni këto elementë: kush e vendosi! Zotërinj, emrin Gërdec e kam dëgjuar për herë të parë më datën 15 mars”. (S. Berisha – 19 mars 2008)
    “Si Ministër i Mbrojtjes nuk kam marrë as shqetësimin më të vogël nga strukturat përkatëse të forcave të armatosura, apo ato që lidhen me Ministrin e Mbrojtjes në kontrollin e zbatueshmërisë së vendimeve të Ministrit të Mbrojtjes për çështje të sigurisë, trajtimit të personelit dhe as për fakte skandaloze të prezencës së të miturve në mjedise të tilla. Autoritetet më të larta ushtarake e kanë vizituar këtë fabrikë të montimit dhe nuk kam asnjë raportim të tyre për situatën e rrezikshmërisë, apo pasojat që mund të sillnin”. (F. Mediu - 19 mars 2008)
    Ndërkohë që vetë Kryeministri injoron deri edhe emrin Gërdec ; që Ministri i tij i Mbrojtjes – megjithëse e njeh – nuk ka marrë « as shqetësimin më të vogël nga strukturat përkatëse » ; që « autoritetet më të larta ushtarake » nuk kqyrin asgjë të rrezikshme në « këtë fabrikë » ku montohet vdekja ; që autoritetet civile përkatëse (Ministria e Industrisë) nuk e sheh të nevojshme të përzihet, që autoritetet lokale (bashkia e Vorës) nuk ka pipëtirë as edhe fjalën më të ndrojtur ndaj rrezikut – a egziston diku ndonjë sy, në mos i përgjegjshëm, të paktën i ndërgjegjshëm që të kish dalluar diçka që mund të jepte idenë e katastrofës ? një gojë, që në mos e zonja të artikulonte fjalime, të paktën e aftë të lëshonte britmën : « O njerëz, o Gërdecarë, largohuni nga sytë këmbët » ? së fundi, një dorë, në mos e aftë të ndalojë dorën tjetër vrastare, të paktën e zonja t’i japë një shuplakë në fytyrë politikanëve hipokritë ?
    Në prani të kësaj gjendjeje papërgjegjësie të plotë të të gjitha niveleve të pushteteve, në kushtet e « zbrazëtisë integrale » të substancës administrative, ç’vlerë ka ngushëllimi publik i familjeve të viktimave ? Apo, thjesht si vello për të mbuluar pakujdesinë dhe papërgjegjshmërinë ndaj jetës njerëzore ? Eshtë në përgjegjësinë e një Kryeministri si z. Berisha të indinjohet me përfaqsuesit e medias, me ata « mercenaret gazetarë qe duke shkelmuar me menyren me te turpshme mbi moralin njerezor hidhen nga gezimi ne Televizionet e tyre e manipulojne me fatkeqesine e viktimave… keta mercenare [që] non stop bertisnin rrofte vdekja, poshte qeveria”. Do të ishte në nderin e tij, në nderin e mjekut humanist, siç është përpara se të bëhej Kryeministër, të thërriste përpara të gjithëve : « Rroftë jeta – çdo jetë njerëzore. Poshtë vrasësit ». Jam gjithmonë në pritje !
    Çdokush njeh tashmë se sa i dashuruar është ai me mediat, gëzimin e tij që ato jenë te lira si dhe përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes të lirisë së tyre – do të dëshironim që me të njejtin patos ai të shprehte vendosmërinë e tij për mbrojtjen e Ligjit – atij Ligji themelor Kushtetues, që ndonëse nuk mundi ta nënëshkruajë me dorën e vet dikur, e trashëgoi si detyrë. Kjo Kushtetutë, gardian e të cilës është çdo Kryeministër, pohon mes të tjerash se : « … dinjiteti i njeriut, te drejtat dhe lirite e tij, drejtesia shoqerore… jane baza e ketij shteti, i cili ka per detyre t'i respektoje dhe t'i mbrojë (Neni i Tretë, Pjesa e Parë)» përpara se të proklamojë me zë të lartë se « jeta e personit mbrohet me ligj (Neni 21, Kreu i Dytë) ».


    * * *

    Kam bindjen se një situatë e tillë, e krijuar pas ngjarjes së Gërdecit, e « ndotur » nga fëlliqësia mediatiko-politike vendore mund të kjartësohet jo vetëm nëpërmjet kërkimit dhe gjetjes së përgjegjësive përkatëse por në rradhë të parë, nëpërmjet ripërcaktimit të sferave të juridiksionit të çështjes. Me fjalë të tjera, a bëhet fjalë për një « fatalizëm » të llojit industrial apo për një « kazualitet » kriminel, ku problematika ushtarako-politike shkapërderdhet përtej kufijve të saj tradicionalë dhe përmbyt aktivitetin civil, jetën e përditshme ?
    Eshtë e sigurt se, edhe kjo mënyrë e kqyrjes së çështjes, nuk mjafton për të ringjallur viktimat ose për të ngushëlluar familiarët përjetësisht të helmuar – ashtu siç nuk mjafton për të shlyer përgjegjësinë e Qeverisë që sidoqoftë, mbetet i vetmi Autoritet kompetent që kontrollon dhe mbarështron këto dy sfera dhe që për më tepër, administron sigurinë e jetës së nënshtetasve të vet. Shpresoj vetëm që kështu do të mund të vihet diçka më tepër përgjegjësi dhe rregull në këtë botë të mbrapshtë, të përkufizuar si « demokraci », ku edhe jeta - « kapitali më i çmuar » i nënështrohet ligjeve të pamëshirshme të fitimit, ku interesat materiale të një edepsëzi paralli alla-Delijorgji vlejnë më tepër se e ardhmja e dhjetra fëmijëve gërdecarë…
    Lidhur me « kazualitetin »,në një shkrim të mëparshëm, të përgatitur me muaj – për të mos thënë vite – përpara Gërdecit, kam analizuar procesin e dezintegrimit të ish-ushtrisë Popullore, të vënë në jetë nga politikanët dilentantë të epokës Berisha – Meksi, produkti anësor i të cilës është edhe « lënda e parë » vrastare e « Albedemil »-it. Po aty është përmendur edhe aktiviteti i dikurshëm i të sotmes « MEICO », specialiteti kryesor i të cilës me sa duket ka mbetur trafiku i armëve – krahas tregëtisë « së ndershme ». S’ka asnjë dyshim se ky mekanizëm « tranzicionel », i cili parapriu dhe përgatiti dikur Vitin e Mbrapshtë 97’, është në origjinë të fatkeqsisë së sotme. Për fat të keq, askush nuk nxorri mësimet e duhura nga katastrofat, as politikanët përgjegjës as edhe shoqëria civile e viktimizuar. Bile edhe ajo opozita e sotme aq luftarake që kërkon sot dorëheqjen e Qeverisë, ka harruar tashmë që disa vjet më parë – dhe për tetë vjet me rradhë (1997-2005) – i ka patur këto armë dhe këto municione përpara syve dhe përpara hundës, ndërkohë që e vetmja masë që ka mundur të marrë ka qenë pikërisht tregëtia « e ndershme » - gjithmonë nëpërmjet « MEICO »-s dhe filialeve të saj dhe me të njejtët ndërmjetës trafikantë delijorgjë. Përse kjo ish-pozitë socialiste nuk ndërmorri në kohë të vet, asgjësimin metodik dhe të asistuar nga specialistë të huaj, të kësaj trashëgimie vrasëse ? Pasi, ishte më e thjeshtë të « harroje » se sa të veproje, më e thjeshtë dhe më fitimprurëse të shisje se sa të asgjësoje… Dhe së pari, rroftë ai fat që nuk ndodhi ndonjë Gërdec në atë kohë – por i ngeci « zholi » në dorë Berishës dhe demokratëve të tij !
    Sa për « fatalitetin » industrial, kam qenë dëshmitar pasi banor në vendin e ngjarjes në vitin 2001, të një shpërthimi të llahtarshëm që tronditi qytetin e Tuluzës – një lloj tjetër Gërdeci por kësaj rradhe francez. Në jug të qytetit që strehon rreth 600.000 banorë – dhe në skaj të tij, prej dhjetra vjetësh vepronte një zonë e tërë industriale prej 120 hektarësh ku punonin rreth 1.500 vetë, e specializuar në produktet kimike (një uzinë e plehrave azotike – si ajo e Fierit, një tjetër uzinë e prodhimit të karburantit të ngurtë për mbushjen e raketave, një uzinë e tretë farmaceutike, një e katërt e pesticideve bujqësore..). Në 21 shtator 2001 (dhjetë ditë pas sulmit mbi Kullat Binjake të NY), në orën 10 e 17 min, një eksplozion tejet i fuqishëm ndodhi në depon e uzinës kimike AZF që stokonte 400 – 500 tonë nitrat amoni. Bilanci i aksidentit : 30 të vdekur (22 në uzinë), 2.500 të plagosur në të gjithë qytetin, uzina kimike në fjalë u zhduk nga faqja e dheut, uzinat e tjera u bënë pjesërisht të papërdorshme, disa mijra banesa në një rreze prej 1.700 metrash pësuan dëme të ndryshme – shpesh të pariparueshme. Dhe nuk po përmend traumat psikologjike individuale, traumën kolektive që edhe sot e kësaj dite ende peshon mbi popullsinë e qytetit dhe mbi shpatullat e të zgjedhurve vendorë.
    Ekspertiza që zgjati me muaj konstatoi se shpërthimi implikoi një masë nitrat-amoni prej 80 tonësh, ekuivalent i 40 tonëve TNT. Procesi gjyqësor, i angazhuar që në vitin 2001 për të përcaktuar fajtorët si edhe shkallën e përgjegjësisë të tyre, ende nuk ka përfunduar në ditën e sotme, pra 7 vjet më vonë.
    Është tashmë e sigurt – bile edhe pa ndërhyrjen e ekspertizës – që pas shpërthimit të AZF qëndron dora e njeriut – në mos ndërgjegja e tij : ndoshta, dora « e pakujdesshme » e njeriut, që kish përzierë pa dashje nitratin me diçka tjetër ; ndoshta, dora « kriminele » që kish vënë një bombë të vogël për të provokuar bombën e madhe ; pa asnjë dyshim, dora « e fshehur » e industrialistëve të shkujdesur që kishin neglizhuar masat e sigurisë të domosdoshme ; sigurisht, dora « e drojtur » e bashkiakëve të shastisur që kishin lejuar ndërtimin e banesave pranë uzinës së rrezikshme ; po ashtu, dora « e shkujdesur » e njerëzve të zakonshëm të Tuluzës që ishin mësuar me prezencën e një monstre të tillë në jetën e tyre ; dora « e pafuqishme » individuale, e imja dorë « e papërfillshme » që ndonëse i diplomuar në energjetikë dhe i specializuar në rreziqet industriale, banoja bashkë me familjen brenda zonës së aksidentit ; dora « e largët » e qeverisë së Parisit që ende s’kish nxjerrë mësimet e duhura nga katastrofat e mëparshme…
    E pastaj ? A mjaftojnë këto pohime të përgjegjësisë individuale ose kolektive për të rikthyer në jetë viktimat ? A mjaftojnë ato për të parandaluar aksidentet ose së paku për të korrigjuar kujtesën e shkurtër njerëzore ? Mbetem fort skeptik, aq më tepër që pas Sevezos në Itali, ndodhi Bhopali në Indi, më tej Çernobili në Ukrainë, AZF në Francë.. dhe së fundi Gërdeci.
    Ja edhe faqja e fshehur e procesit të ardhshëm të Gërdecit – po qe se do të ketë një të tillë. Jo vetëm të gjenden fajtorët e drejtpërdrejtë dhe të ndëshkohen, jo vetëm të merret përgjegjësia nga ana e politikanëve të korruptuar që nxitën dhe lejuan fatkeqsi të tilla – por në rradhë të parë, që vetë njerëzit, shoqëria civile të përulet përpara viktimave të pafajshme dhe të gëdhendë fytyrat e tyre në kujtesën e saj. Më tej, i takon po asaj të ngrihet më këmbë dhe të thërresë me një zë : « Kurrë më Gërdec » ! Bile është e udhës të përjetësojë këtë emër dhe datën e dhimbshme duke ja dhënë një sheshi të Tiranës, ku njerëzit të mund të mblidhen për t’a përkujtuar – me qëllim që të mos t’a harrojnë.
    Pasi në të kundërt, viktimat e rradhës do të jenë bijtë e saj, fëmijët tanë, të çdokujt.

  2. #2
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    www.Balkanweb.com 29/03/2008 - 10:25

    S’mund te perfitoje askush prej fajit te vet

    Nga Ilir Dhima

    Që kur shprehja e vendosur në këtë titull u afishua, këtu e afro një shekull më parë, në krye të një salle leksionesh të drejtësisë në Universitetin e Jijllit të SHBA-së, ajo ka marrë sot e kësaj dite, atje dhe në të gjithë botën, vlerë aksiomatike.

    Por, gjatë këtyre ditëve marsi të 2008–ës, në Shqipërinë e vogël dhe të varfër po kërkohet të vihet në dyshim një e tillë vlerë. Po tentohet të vihet në pikëpyetje me deklarimet dhe qëndrimet e fundit të Kryeministrit, i cili është realisht aktori kryesor dhe i drejtpërdrejtë i një tragjedie shumëfish të dhimbshme, që mori dhjetëra jetë njerëzish të pafajshëm, plagosi e gjymtoi qindra të tjerë dhe shkatërroi mijëra banesa e biznese në një zonë shumë pranë Kryeqytetit të vendit.

    Pikërisht, kur pritet që ky Kryeministri ynë të pranojë së paku përgjegjësinë morale të tij dhe të japë dorëheqjen nga posti që mban, çuditërisht ai mundohet të fajësojë opozitën dhe këdo që me këtë rast nuk i fërkon më shpinën (madje edhe shtypin ndërkombëtar prestigjioz, të cilin e quajti ‘letra higjienike’), duke i akuzuar se po përdorin fatkeqësinë e Gërdecit për të rritur kredon politike dhe duke i njësuar gati–gati me mafien.

    Prej këtej, ky Kryeministri ynë llogarit me mendjen e vet dhe të ca dallkaukëve që e rrethojnë, se erdhi koha që jo vetëm të frenojë rënien e lirë të reputacionit personal, por mundësisht edhe ta rrisë atë, me gjoja ‘përpjekjet mbinjerëzore’ që po bën qeverisja e drejtuar prej tij, për të zhdukur në një kohë rekord gjurmët e shpërthimit disa kilotonësh.

    Kam përshtypjen, se do të ishte një punë e bezdisshme që edhe në këto radhë të përpiqeshe të parashtroje argumente për t’ia mbushur publikut sa më shumë mendjen (që e ka top edhe pa to) rreth atyre, që në gjuhën e penalistëve quhen ‘dyshime të arsyshme’, mbi përfshirjen e Sali Berishës, djalit të tij dhe ish- Ministrit beniamin të Mbrojtjes në aferat korruptive dhe kontrabandiste të tregtisë së municioneve me përmasa të rrezikshme që i kapërcejnë edhe kufijtë kombëtarë. Ose mbi përlyerjen në mënyrë direkte dhe konkrete të duarve të tyre me gjakun e të vrarëve dhe të plagosurve.

    Ndoshta ia vlen më mirë ‘ta ulim pak pjacën’ dhe të përqendrohemi qoftë edhe te shpërdorimi i detyrës, te mosveprimet që implikojnë ligjërisht, gjithashtu me pasoja dhe përgjegjësi kriminale, Kryeministrin dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes në atë që, tashmë intensivisht dhe çdo orë e më shumë, po thirret si katastrofa tragjike e Gërdecit. Madje, pa i ngrënë kohën lexuesit, nuk ia vlen as që t’ua bashkëngjisim atyre dhe të merremi me Delijorgjin. Sepse, ‘klientë’ të tillë, në përgjithësi, nuk duan t’ia dinë shumë për ‘bukurinë’ e çështjeve të biznesit. Ata duan që kontraktorët t’ua ofrojnë dhe zgjidhin ato në mënyrën më të favorshme, për të përfituar sa më shumë që të jetë e mundur, pa e vrarë shumë mendjen dhe pa u bërë aspak merak për bëmat dhe gjëmat që bien mbi të tjerët. Por, edhe kjo nuk është përherë e vërtetë. Sepse, për sa kohë që edhe në një shtet si ky yni zhvillohet një proces juridik, këto kohë në përshtatje me legjislacionin komunitar europian, marrëveshjet e fëlliqura të palëve janë lënda, nga e cila marrin formë të vërteta të padiskutueshme, si domosdoshmëria dhe detyrimi për hartimin dhe zbatimin e plotë dhe të rreptë të një legjislacioni të hollësishëm. Tek e fundit, e drejta ruan format që janë ngjizur dhe trajtësuar nga nevojat dhe ambiciet periodike të jetës, të jetës së shoqërisë në tërësi dhe jo të individëve të veçantë; ajo nuk ekziston asnjëherë apriori, por bëhet, realizohet, kur mishërohet në akte ligjore dhe nënligjore. Ndryshe, pasojat negative -deri ato më ekstreme– përgjojnë në çdo çast.

    Le të shohim se si është vepruar në rastin tonë. Jo thjesht me kontratat e fundit për demulimin dhe eksportimin e një sasie të madhe të armatimit luftarak, por më gjerë. Në kuadrin e forcimit të pushtetit ekzekutiv (i cili, siç kemi cituar në një artikull të mëparshëm, mund të quhet thelbi i shtetit, vetëm nëse ruhet autonomia legjislative e shtetit)

    Kushtetuta jonë parashikon një pozitë të veçantë për kryeministrin. Ai jo vetëm përfaqëson qeverinë, jo vetëm koncepton e paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për realizimin e saj, por edhe bashkërendon dhe kontrollon punën e ministrive dhe të institucioneve të tjera qendrore të shtetit, duke u bërë kështu strumbullari i pushtetit ekzekutiv nga pikëpamja e përgjegjësive politike përpara gjithë elektoratit vendas dhe përfaqësuesve të tij në organin legjislativ– Kuvendin. Mirëpo, kur vjen puna për të mbajtur përgjegjësi, Kryeministri aktual nuk do t’ia dijë fare, dhe në mos arriftë të gjejë, të ngjisë alibi për ngjarjet e hidhura që shkaktohen prej organeve të larta të qeverisjes së vet, e lëshon atë ku të mundet, madje edhe mbi opozitën që nuk gëzon kurrfarë pushteti ekzekutiv.

    Kështu po ndodh edhe tani, kur bëhet e dukshme dhe e qartë, se miratimi i Ligjit nr.9707 në prill të vitit 2007 “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import–eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave të teknologjive me përdorim të dyfishtë”, u bë me procedura të përshpejtuara dhe vetëm me votat e maxhorancës parlamentare. U miratua kështu, jo sepse kreut të saj, Kryeministrit, si edhe Ministrit të Mbrojtjes, u preu barku për diktimet që bënte në këtë fushë Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit me Bashkimin Europian. Halli paska qenë që të ligjëroheshin për këtë qëllim marrëveshjet e tyre me firma fantazmë dhe aspak të specializuara, për motive korruptive dhe antinjerëzore. Por, nëse ai Ligj hyri në fuqi vetëm dy muaj pas miratimit, efektet e tij nuk mund të shtriheshin në praktikë pa u ngritur Autoriteti Shtetëror i Kontrollit të Eksporteve, i cili siç thuhej, do të niste të funksiononte brenda gjashtë muajve nga 1 qershori i vitit të kaluar. Kjo nënkuptonte pra, që në zbatim të Ligjit të përmendur të plotësohej kuadri ligjor me Vendime Qeverie dhe akte të tjera nënligjore. Por, nëse këto akte nuk janë hartuar ende as sot, nuk mund të mos konsiderohen të jashtëligjshme edhe kontratat e firmës MEICO me firmën amerikane të shitjes së biçikletave “Southern Ammunition Inc” për shitjen e municioneve të kalibrave të ndryshëm. Aq më pak mund të konsiderohet i ligjshëm Urdhri i Ministrit të Mbrojtjes, nr. 550 i vitit të kaluar, për funksionimin e punishtes së vdekjes në mes të një zone të mbipopulluar, shumë pranë Kryeqytetit. Përse nuk u plotësua kuadri ligjor për eksportimin e armatimeve sipas standardeve të kërkuara nëpërmjet MSA–së? Përse u lejua të bëheshin në këtë mënyrë e pa asnjë siguri minimale çmontime dhe eksportime kontrabandë municionesh me bekimin e organeve të larta shtetërore? Apo që të ndodhte ajo që ndodhi, edhe me ndihmën e kontrabandës së ‘armëve’ legjislative?!

    Mund të shtrohen edhe një sërë pyetjesh të tjera. Por, pa u zgjatur me renditjen e tyre, mund të thuhet se, të gjitha përgjigjet nuk mund të mos lidhen me një vështirësi të madhe. Me atë vështirësi që buron, jo vetëm prej korrupsionit evident që ka mbërthyer qeverisjen aktuale, por edhe prej paaftësisë së saj. Më keq akoma, prej mosdëshirës për të dalluar të drejtën nga posti shtetëror, urdhrin e mishëruar në një akt çfarëdo nga parimi juridik, të cilit çdo zyrtar është i detyruar t’i bindet. Ndryshe, le të mbajë dënimin mbi vete!

    ...Sepse askush s’mund të përfitojë prej fajit të vet. I lutem lexuesit të ketë edhe pakëz durim, për të shtjelluar shkurtimisht dhe përkatësisht përmbajtjen e kësaj shprehjeje aksiomatike, sipas ilustrimit të bërë kohë më parë nga një autor i shquar i doktrinave juridike, nëpërmjet çështjes së famshme Riggs v. Palmer, 115 N.Y. 506. Në këtë çështje u vendos që trashëgimarrësi (në rastin tonë– maxhoranca parlamentare), i cili e kishte vrarë trashëgimlënësin (për ne– elektorati shqiptar) nuk do të lejohej nga gjykata që të përfitonte prej testamentit.

    Këtu, parimet e kundërta ndesheshin. Njëri prej tyre, sipas të cilit testamenti, me të cilin disponohej pasuria e trashëgimlënësit, në bazë të ligjit kishte fuqi detyruese. Ky parim i shtyrë deri në logjikën e tij të skajshme dukej se ishte në favor të së drejtës së vrasësit për të trashëguar (në kushtet tona – mandatin e plotë qeverisës). Por, ndërkohë, shtrohej edhe një parim tjetër, që i kishte rrënjët më të thella në ndjenjat universale të drejtësisë, parimi se, askush nuk mund të përfitojë prej fajit të vet. Logjika e këtij parimi mbizotëroi mbi atë të parimeve të tjera.

    Shpresoj që për lexuesin, ky ilustrim të jetë i gjetur. Por, edhe i qartë. Sikurse mësimi i madh i kohëve moderne, sipas të cilit, edhe kur kërkon të varrosësh (bashkë me viktimat – njerëz) format e çdo procesi të pranuar nga të gjithë, siç është ai legjislativ, këto forma të sundojnë dhe të ndëshkojnë që nga varret e tyre.

    Ja, kështu!

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    ilir dhima.. i gazetes shqiptare te alba malltezit se anila bashes beri namin me banden e vet qe ta nxirrnin nga biruca vrasesen imellda tasho.. e ta conin tek kolegu i saje ..serial killeri altin arap.. idoli i kalemxhijve te gazetarise anti-berishe.. dhe ja arriten qellimit..

    as dhima i malltezes se bollinos e as anila basha e edvinit nuk gjeten kurre kohe te ushtrojne ca sekonda gazetari tek shtepia ku ra gjëma.. e kobures se altin arap imelldes.. pra tek shtepia e genc sines se ndjere..

    i poshter eshte mediu qe perpunon armatime.. me gra katunare..
    por shum me te poshter jan kjo armata e gazetareve qe kur ja do puna nuk len bir pa gerrmuar mirpo qe per cudi.. "spaskan ditur asgje mbi punet gerdecore".. e fill mbas gerdecit nga urrejtja pathologjike e gezimi qe u erdh rasti ta bombardojne berishen.. harruan te jene aq te kujdeshem qe te dukeshin se cdo gje gerdecore per ta u be e njohur mbas shperthimit te tmerrshem..
    me qindra bishta u duken qarte se.. ata e njihnin mire gerdecin ( shume muaj me pare se te ndodh shperhimi) ne imtesi.. por nuk e benin qellimisht problem ne mediamafia gaforren e tyre..
    ata kishin pasur filmime se si punojne grat dhe adoleshentet me predha por nuk u ndjene.. per te bere gurgulene.. ne media.. se sa keq e trajton kllasen puntore-fshatare deliu i mediut ..(qe na del dhe i edvinos..por qe dhima i altin edvin arapit nuk e thote) ..
    jo.. e ruanin per nje rast me produktiv.. me rezultativ .. me asgjesus per berishen dhe 3 korrikun historik..
    dhe priten gjate me durimin.. e krimbit te mendafshit.. derisa gerdeci ti plotsoje mire.. ca kushte.. qe.. kur "dikush padashje te ndeze predhat".. te behet aq grope.. aq tmerr..aq zjarr e tym e aq valgodutse.. e te asgjesohen aq njerez sa qe berisha te mos kete me forc konkurruese per mafien e dhimave qe marshon drejt pushtetit..
    pra kjo mafie.. ku militon dhe ky dhima.. meritojne dokuratat me te larta per cinizem e sadizem..ne se ka te tilla dokurata..e levdata..

    bravo dhim.. me shum shok e shoqe


    ilir dhima shum mir e paska mbajtur mend se.. x ligj per armatime qe paska dal vitin e kaluar.. dhume nxitushem qenka kaluar nga qeverria.. ne parlament.. dhe dhima e paska ditur qe..kjo behej per te .. ndihmuar mediun me delijorgjat me shoke per te ujdisur punet korruptive me armatimin..

    thx dhimush.. per informacionet..

    thx dhe ti dujsiv..


    ..

  4. #4
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Panorama 30/03/2008 - 11:30

    Duke pritur Gërdecin tjetër

    Mark Marku

    Gërdeci si provë e aksidentalizmit politik


    Gërdeci nuk është rasti i parë në historinë e tranzicionit shqiptar ku sistemi politik tronditet nga një aksident i rëndë. Ka ndodhur kjo me eksodin masiv të vitit 1991, me trazirat e marsit të vitit 1997, me vrasjen e Azem Hajdarit dhe revoltat që pasuan vrasjen e tij në vitin 1998, me tragjedinë e janarit 2004, dhe së fundi me tragjedinë e Gërdecit në vitin 2008.

    Secili prej këtyre aksidenteve të rënda ka shërbyer si një pikë kulmore e krizave të njëpasnjëshme që ka kaluar sistemi politik shqiptar në këto vite. Më konkretisht eksodi i 1991-it ishte pika kulmore e krizës së përgjithshme të shoqërisë shqiptare të shkaktuar nga rezistenca e elitës së vjetër komuniste për të mos ua dorëzuar pushtetin forcave të reja progresiste që ishin shfaqur atëherë në skenën politike dhe për të mos i hapur rrugë ndryshimit. Kriza e ‘97-ës ishte pika kulmore e krizës së legjitimitetit që e kishte burimin tek manipulimi i zgjedhjeve të ‘96-ës dhe po e tillë ishte edhe kriza e ‘99-ës, pasi edhe socialistët kishin një pushtet jolegjitim për shkak të mënyrës së dhunshme me të cilën ata erdhën në pushtet.

    Sistemi korruptiv i socialistëve, një sistem i mbështetur mbi trafiqet, ekonominë informale dhe korrupsionin e zyrtarëve shtetërorë ishte shndërruar në një problem jo vetëm për zhvillimin e vendit, por edhe për sigurinë e vendeve të tjera. U desh tragjedia e janarit të vitit 2004 me viktimat e saj për ta konkretizuar krizën dhe rreziqet që mbartte ai sistem. E njëjta gjë mund të thuhet për Gërdecin.

    Para se të ndodhte shpërthimi, u krijua përshtypja sikur situata politike po qetësohej, sikur palët politike po binin dakord për disa reforma të rëndësishme si reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore, sikur imazhi i vendit po përmirësohej, sikur qeveria ishte angazhuar në disa projekte zhvillimi me rëndësi për vendin. Gërdeci zbuloi anën tjetër të medaljes: korrupsionin e segmenteve shtetërore me përmasa të mëdha, trafikun e armëve, papërgjegjshmërinë për sigurinë e jetës së qytetarëve, mosfunksionimin e gjithë piramidës së qeverisjes. E pra, korrupsioni dhe trafiqet ekzistonin, institucionet nuk funksiononin edhe më parë, siguria e qytetarëve ishte në shkallën më të ulët, sistemi i qeverisjes e kishte treguar disa herë paaftësinë e tij për t’iu përgjigjur nevojave të zhvillimit.

    Të gjitha këto ekzistonin, por pa shpërthimin e Gërdecit askush nuk do të kujtohej për to. Dhe kështu ka ndodhur edhe me krizat e tjera. Ato kanë ekzistuar, por është dashur një aksident i tmerrshëm për t’i pranuar ato.

    Nevoja për një sistem politik funksional


    Faktet e sjella më sipër, janë të mjaftueshme për të treguar se sistemi politik shqiptar është jofunksional. Për pasojë aksidental. Po të funksiononin mirë sistemi politik dhe sistemi i qeverisjes nuk do të kishim aksidente të tilla. Sistemi politik dhe ai i qeverisjes janë ngritur pikërisht për të parandaluar krizat dhe fatkeqësitë e mëdha dhe parandalimi i tyre është prova e efikasitetit të tyre. Elektorati i zgjedh përfaqësuesit e tyre në partitë politike dhe në parlament pikërisht për të marrë përsipër përgjegjësinë e parandalimit të aksidenteve të tilla, dhe taksapaguesi i paguan agjencitë qeveritare po për të njëjtën gjë.

    Dështimi i sistemit politik shqiptar dhe i aparatit qeverisës është evident, por deri tani asnjë forcë politike nuk ka marrë përsipër reformimin e tyre. Të gjitha palët e marrin funksionimin e tyre si të mirëqenë dhe as nuk e venë në diskutim. Në momentin që ndodh një krizë, gjithçka fokusohet tek forca politike që është në pushtet (dhe kjo është korrekte, madje e domosdoshme nga pikëpamja politike), por kjo nuk sjell as zbulimin e shkaqeve reale dhe as ndonjë zhvillim të mëtejshëm. Fajësimi i kundërshtarit është një gjë shumë e lehtë në kushtet e mundësive të pafundme që të ofron media në epokën moderne, por shpallja e një fajtori nuk do të thotë edhe zgjidhje e problemeve. Francezët në kohën kur bënin ndryshimet e mëdha të kalimit nga monarkizmi në republikanizëm kanë çuar në gijotinë shumë fajtorë, por problemet e sistemit të tyre nuk i kanë zgjidhur ende dhe debatojnë vazhdimisht për to.

    Jemi pra para një bllokazhi të plotë të sistemit politik. Ky sistem nuk u përgjigjet nevojave të zhvillimit të shoqërisë. Madje në shumë raste tregon një shpërfillje vrasëse ndaj këtyre problemeve. Sistemi ynë politik nuk ka zgjidhur ende probleme të mëdha si problemin e pronës, të ligjshmërisë, të urbanizimit, të sigurisë. Në krizë janë arsimi dhe shëndetësia, gjykatat, Prokuroria, rendi, industria, bujqësia, mbrojtja, sistemi energjetik. A i kemi ne mundësitë për të ngritur projekte zhvillimi për gjithë këto fusha? A është e aftë elita politike të përballet me këto probleme, domethënë, të krijojë kushtet politike për gjetjen e zgjidhjeve teknike? Natyrisht deri tani kemi treguar se jo. Por më e keqja është se kemi pandehur të kundërtën. Derisa ka ndodhur një tragjedi që na ka sjellë në realitet.

    Që të mos kemi Gërdec tjetër


    Gjithë këto ditë është zhvilluar një debat i pazakontë rreth Gërdecit. Cili është rezultati? Natyrisht e gjithë kjo e ka një rezultat pozitiv dhe ai mund të përmblidhet në këto fjali: Si asnjëherë tjetër analiza e përgjegjësisë për ngjarjen është fokusuar tek përgjegjësit politikë të ngjarjes, pra tek Qeveria. Kjo ngjarje me shumë kufoma e ka shndërruar vetë maxhorancën në një kufomë politike. Nuk dihet nëse ajo do ta marrë veten, por një gjë është e sigurt: Që kjo të ndodhë duhet një reflektim i thellë nga ana e saj. Megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme për ta përmirësuar situatën.

    Përqendrimi në një proces fajësim-shfajësimi e ka ngushtuar shumë debatin. Ky debat mund të shërbente për të bërë transparente dhe për të futur në axhendën e ditës shumë probleme të tjera. Ose qoftë për të analizuar thellësisht problemin e sigurisë së jetës në Shqipëri dhe rreziqeve që i kërcënohen asaj.

    Për shembull, dihet se të gjitha apartamentet shumëkatëshe duhet të kenë një shkallë rezervë shpëtimi të jashtme. Ajo shërben si mundësi shpëtimi në rast zjarri apo ndaj ndonjë rreziku tjetër. Në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë ku ka mjaft pallate shumëkatëshe, pjesa më e madhe ose thuajse asnjë prej tyre nuk e kanë një të tillë. Në rastin më të parë, një zjarr nate në një nga këto pallate mund të shkaktojë një Gërdec tjetër. Askush nuk flet për këtë.

    Ashtu sikurse nuk flet askush për katastrofën urbane që e bën të pamundur hyrjen e zjarrfikësve në zona të tëra,

    ashtu sikurse nuk flet askush për gropat e pafundme që i janë shtuar autostradës Durrës-Tiranë dhe për gropat dhe rreziqet që të ofrojnë rrugët e Shqipërisë, për pasigurinë e hekurudhave, të spitaleve, të shkollave të depove të tjera të municionit.

    Askush nuk flet për rrezikun që përbëjnë digat e amortizuara të hidrocentraleve edhe pse në zyrat e të gjitha qeverive shqiptare që nga viti 1996 ose që nga viti 1997 është dorëzuar një raport i një grupi ekspertësh zviceranë që e paralajmëron për një katastrofë të mundshme.

    Fakti që këto çështje nuk kanë dalë gjatë këtij superdebati do të thotë se nuk ekziston përgjegjësia publike dhe politike për përballimin dhe parandalimin e tragjedive të tjera. Që mund të ndodhin sot, nesër, në çdo orë. Me një pallat të djegur, me një tren që përfundon në një arë, me një tërmet që mund të shembë të gjitha pallatet e ndërtuara në zona sizmologjike të rrezikshme, me ura që i ndërtojnë konstruktorë amatorë, me tregtarë që shesin mallrat të prishura, me farmaci që shesin ilaçe të skaduara.

    Dhe që kjo të mos ndodhë duhet që opinioni publik të veprojë, që mediat të investigojnë, që qeveria të marrë disa masa që ende s’po e shohim t’i marrë.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    shkrim i mire ky i markut te markajve..

    i qarte e i sakte..

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-01-2008
    Postime
    39
    Shyqyr qe shkruajte me ne fund dicka te sakte e te shkurter bre Brari se kur fillon e zgjatesh e prish muhabetin!

    Marku kur do i ben analizat sic duhet vec ne mos e kapte 5 minuteshi i tij i zakonshem kur fillon e harrohet!

  7. #7
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    a nuk jeni tuj me thenk mue per postimin?

Tema të Ngjashme

  1. Zemra e plagosur nga dashuria: Mbi sëmundjen
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 06-06-2011, 05:15
  2. Incident në Shtime: Një i vdekur dhe disa të plagosur
    Nga ARIANI_TB në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 01-05-2008, 14:51
  3. Kosovë: Një i vrarë e pesë të plagosur
    Nga Arb në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 28-02-2006, 13:00
  4. Zhduket Olldashi, 2 te vrare, 5 te plagosur
    Nga Qerim në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 13-02-2006, 09:32
  5. MAQEDONI, Përplasje bandash në Shkup, 4 viktima e 4 të plagosur
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 09-07-2003, 10:13

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •