BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE
Dështimet e njëpasnjëshme të shfuqizimit të Rezolutës 1244 me një rezolutë të re të bazuar në Planin e Ahtisaarit në
Këshill të Sigurimit, vetëm sa e përforcuan 1244-shin. Pasi që ky shfuqizim u tregua i pamundshëm për shkak të
refuzimit të Rusisë, Rezoluta u riinterpretua. Sipas këtij riinterpretimi u shpall pavarësia e Kosovës nga institucionet
e vendit. Në këtë shpallje nuk ndërhyri PSSP-ja, gjithnjë për shkak të riinterpretimit. Por kjo nuk e shfuqizoi
Rezolutën 1244. Madje ajo na u fut edhe në deklaratën e pavarësisë, me çrast institucionet e Kosovës e
rikonfirmuan pranimin e Rezolutës.
Ky riinterpretim e largon çështjen e Kosovës nga terreni i të drejtave në terren të forcës. Pra Kosova nuk u bë e
pavarur dhe nuk po njihet si e tillë për shkak se populli i Kosovës ka të drejtë ta përcaktojë i lirë statusin e tij politik,
por për shkak se kështu kanë vendosur shtetet me fuqi në politikën ndërkombëtare. Ky fakt do ta rrisë tutje
servilitetin e politikanëve të Kosovës ndaj çdogjëje dhe çdokujt që vjen nga perëndimi. Ky servilizëm po shihet
qartë që po na kushton dhe do të na kushtojë.
Përderisa Serbia e kundërshton këtë riinterpretim duke konsideruar se Kosova nuk ka të drejtë shkëputjeje, pikërisht
e kundërta është e vërtetë: KOSOVA KA TË DREJTË TË SHKËPUTET NGA SERBIA, DHE GJITHSESI KA TË
DREJTË TË BASHKOHET ME SHQIPËRINË.
Sidoqoftë George W. Bush, në emër të popullit amerikan, e ka njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Të
tillë na njoftën edhe Britania e Madhe, Franca e Gjermania. Tash na mbetet që ta realizojmë këtë njohje. Ndërkohë
që përfaqësuesja e ShBA-ve në Prishtinë Tina Kaidanow dhe ndërhyrjet e saj në makro dhe mikro menaxhimin e
politikës së vendit janë në kundërshtim frapant me njohjen që vjen prej të njëjtës administratë amerikane. Kjo
diplomate amerikane me prejardhje bullgare, e cila po na i maltreton si Kryeministrin ashtu edhe Kryetarin e
ministrat tjerë, prej se është këtu e ka marrë qeverisjen e vendit në duart e saj. Mes tjerash Kaidanow po na e cenon
dhe shkurton pavarësinë faktike përbrenda.
Duke mos qenë në gjendje t’i integrojë serbët në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare në fund u nda në dysh: në
shtetet që e pranojnë Kosovën dhe ato që nuk po e pranojnë (shtoja këtu edhe shtetet të cilat po mendohen).
Fatkeqësisht, deri tash këto të dytat po udhëheqin. Kjo e shndërron Kosovën në peng të zhvillimeve globale për
edhe një kohë të gjatë. Të dyja palëve u janë lënë argumente edhe juridike për të vepruar ashtu siç dëshirojnë për sa
i përket subjektivitetit të Kosovës. Ato që dëshirojnë ta njohin Kosovën e kanë deklaratën e pavarësisë. Të tjerat
Rezolutën 1244. Prandaj edhe do t’i kemi dy misione ICO-në dhe UNMIK-un. Madje edhe ICO/EULEX si bazë
juridike të jashtme e kanë Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e Kosovës.
ICO dhe EULEX nuk po pranohen nga serbët e Kosovës. Kështu ata do të na shiten si shumë të mirë për ne (pasi që
nuk po pranohen nga serbët) dhe do të qeverisin në pjesën shqiptare të Kosovës. UNMIK-u do të mbetet në pjesët e
banuara me serbë, për shkak se ata po e pranojnë vetëm UNMIK-un. Kështu pyetjet që duhen shtruar në këtë
drejtim janë: A do të financohen serbët e Kosovës nga paratë që do t’i ndajë BE-ja PËR Kosovën përkundër
refuzimit të tyre për ta pranuar Kosovën?
Dhe njëkohësisht për institucionet e Kosovës dhe për praninë ndërkombëtare: Çka do të ndodh me vendet të cilat
nuk na njohin, a do t’i njohim ne ato? Për më tepër a do të kenë të drejtë qytetarët e atyre vendeve të marrin pjesë në
misione nëpër Kosovë? Rasti me policët rumun dhe refuzimin e tyre të shkojnë për ta ruajtur rendin dhe qetësinë në
pjesën veriore të Kosovës kur u iu vu flaka vendkalimeve kufitare të Kosovës, tregon qartë që vendet të cilat nuk e
njohin Kosovën do të vazhdojë të veprojnë sipas Rezolutës 1244, gjë që e shndërron automatikisht veprimin e tyre
në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë mbi Kosovë.
Pyetja e ndaluar rreptësisht në Kosovë është ajo më e rëndësishmja: cili është interesi i përbashkët i qytetarëve të
Kosovës dhe cili do të duhej të ishte prioriteti i politikës në Kosovë? Pyetja ndalohet për shkak të përgjegjes që ajo e
ka – interes i përbashkët është INTEGRITETI TERRITORIAL dhe pikërisht ky do të duhej të ishte prioritet i
politikës së Kosovës sot.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Krijoni Kontakt