Fëmijët e kromit

23 Mars 2008




Shfrytezimi i te miturve. Një ton krom i mbledhur nga fëmijë, gra, pensionistë dhe invalidë grumbullohet nga firmat fantazmë me 50 mijë lekë të vjetra dhe shitet në tregun e kromit me 300 euro

BULQIZË - Klajdi është vetëm 6 vjeç, por ka duar të vrara e me të çara të zeza. Çdo ditë atë e gjen mbi ndonjë stok kromi, që nuk është vetëm buka e tij, por dhe e familjes. I mituri e njeh mirë tashmë vlerën e kromit dhe e di po aq mirë se, pa mbushur çantën me mineral, askush nuk do t’ia japë lekët me të cilat do të blihet buka për të mbajtur frymën gjallë. Dhe Klajdi nuk është i vetmi fëmijë që shfrytëzohet kafshërisht në mes të ditës nga “firmat fantazmë” që mbledhin krom...

Shfrytëzohen fëmijët

Stoku i kromit mbi lagjen “Gjeologu” ka një histori të gjatë. Ndër vite, mijëra tonë inerte me përmbajtje kromi janë hedhur poshtë galerive. I gjithë masivi është pronë e shtetit. Një vit më parë, Ministria e Ekonomisë publikoi njoftimin për shitjen e mineralit të stokut kryesor mbi qytet. Tenderi nuk u zhvillua. Arsyet ende nuk janë bërë të qarta. Vonesa e shitjes së stokut u dha më shumë zemër “të fortëve” të shtrijnë “zonat e influencës” në pronën e shtetit. Sherri nis pas grumbullimit të kromit, në mënyrë të pavarur nga qytetarë të ndryshëm dhe për kontrollin e zonave të caktuara të stokut. Janë të shumta rastet kur grupet ndeshen keq me njëri-tjetrin. “Kemi frikë shumë”, thanë fëmijë që mblidhnin krom. “Sapo zbresim poshtë, na diktonin ku duhet ta dorëzonim kromin. Disa herë jemi tmerruar, kur grupet rivale kanë përdorur armët për të vendosur ku duhet dorëzuar kromi”. Një ton krom i mbledhur nga fëmijë, gra, pensionistë dhe invalidë grumbullohet nga firmat fantazmë me 50 mijë lekë dhe shitet në tregun e kromit me 300 euro. Diferenca është e qartë. Policia tha ditët e fundit, se pas ngjarjeve tragjike të ndodhura në stoqe, kishte bllokuar aktivitetin e grumbullimit të kromit. Mirëpo, ashtu si dhe më parë, njerëz të shumtë, sidomos gra dhe fëmijë të vegjël që kanë lënë shkollën e shtëpitë për bukën e gojës, ngjiten tek stoku çdo ditë, nga mëngjesi deri në darkë, majë stokut, për të mbledhur krom për shitje. U tha se firmat nuk mund të grumbullonin krom në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që në stoqet e kromit sheh çdo ditë fëmijë të vegjël teksa mbledhin krom. Të befasojnë fëmijët e vegjël, 5-6-vjeçarë të cilët kanë lënë kopshtin e klasën e parë të shkollës dhe i janë ngjitur stokut vdekjeprurës.

Njëri prej tyre...

Kushtet e rënda ekonomike dhe mentaliteti se, që në këtë moshë duhet punuar për të siguruar të holla, i ka detyruar fëmijët e qytetit të ftohtë të lënë mënjanë librat, lodrat, oborret e pallateve, televizionin dhe të mbledhin krom. Klajdi është vetëm 6 vjeç. E gjen në stokun e kromit. Në krah mban një trastë të vogël. Gërmon mbi stok dhe që në këtë moshë njeh mirë gurët e kromit. I hedh një nga një në “çantën” e librave. “Jemi katër veta në shtëpi. As babi, as mami dhe vëllai nuk punojnë”, - thotë i ndrojtur Klajdi. Në fund të stokut e presin të tjerë bashkëmoshatarë. Pas ngjarjeve në stoqe, ku kanë mbetur të vrarë e plagosur disa banorë të këtij qyteti, më të mëdhenjtë bëjnë kujdes, ndërkohë që për fëmijët ende të padjallëzuar duhet thënë vetëm “Zot ruaji, se nuk dinë ç’bëjnë”.

Lufta e kromit

“Breshëri armësh në stokun e kromit në Bulqizë. Fakte të forta abuzivizmi me pasurinë kombëtare. Të fortët sfidojnë shtetin”. Këto ishin disa nga titujt e lajmeve të servirura nga media fundvitin e kaluar. Denoncimet vinin nga banorët e qytetit të minatorëve. Konkurrenca midis “firmave” të paligjshme që grumbullonin kromin e mbledhur në stoqe, solli probleme të shumta për qytetarët e Bulqizës. U denoncuan publikisht të fortët që shfrytëzonin burra, gra, fëmijë, invalidë dhe të papunë për interesat e tyre të ngushta ekonomike. Tonelata krom në stokun e minierës së Bulqizës mbetën në mëshirë të fatit. Tenderi për shitjen e tij dështoi. Në këtë tregti të paligjshme, sipas policisë, ishin përfshirë edhe punonjës të administratës dhe kontraktorë me bashkinë. Në vjeshtën e vitit të kaluar, Drejtoria Rajonale e Policisë së Qarkut Dibër njoftoi se kishte organizuar një aksion të fuqishëm për ndaljen e kësaj tregtie antiligjore dhe të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e bulqizakëve. U shoqëruan 20 persona të akuzuar se merreshin me grumbullimin e shitjen e kromit të stokut të minierës së Bulqizës. 5 persona mbeten në qeli dhe 5 të tjerë u hetuan në gjendje të lirë. Pas pak ditësh të gjithë u lanë të lirë. Të ndaluarit akuzuan policinë se i kishte ndaluar ato pas “porosive” të rivalëve. Hasan Pasha


9 të vdekur në galeri lanë 23 jetimë

Në 14 muaj kanë humbur jetën në minierat e kromit të rrethit Bulqizë 9 minatorë: Avni Duriçi, Besnik Alliu, Zaim Hysa, Hysen Elezi, Medi Jani, Sami Doga, Hekuran Gjata, Njazi Alliu dhe Përparim Haslika. Ndërkohë, në miniera dhe stoqet e kromit janë plagosur dhjetëra minatorë e banorë të Bulqizës. Për shkak të tragjedive në këtë minierë, kanë mbetur jetimë 23 fëmijë.


Gazeta Korrieri