1 GUSHT 1919, Një datë enigmatike në një flamur



23/03/2008 - Gazeta Shqiptare
Frederik Stamati


Një nga vitet me më shumë ngarkesë emocionale për Shqipërinë ka qenë viti 1919. Atëhere do të vendosej fati i kufijëve të saj mbas përfundimit të Luftës së pare botërore. Në fillim të vitit 1919 u mblodh në Paris Konferenca e Paqes për të sistemuar interesat e fitimtarëve të luftës. Në këtë conference Shqipëria përfaqësohej nga delegacioni i saj, i kryesuar nga Turhan pashë Përmeti.
Çështja shqiptare u paraqit në Komisionin për çështjet greke
nga SHBA, Anglia, Franca dhe Italia.” Në lidhje me kufirin jugor,-shkruan V. Duka,-pikëpamjet e katër fuqive të mëdha nuk ishin të njëjta. Italia ishte për kufijtë e 1913-s në Jug, Anglia dhe Franca ishin për dhënien e Korçës dhe Gjirokastrës, Greqisë, ndërsa SHBA-ja e quante të mjaftueshme për Italinë Vlorën; për Gjirokastrën mendote t’i ipej Greqisë…”
Me 12 shkurt 1919 delegacioni ynë i paraqiti Konferencës së Parisit memorandumin e parë,ku parashtronte pikëpamjet e veta, me 24 shkurt të dytin..
Me 7 mars Turhan Pasha i shkroi kryeministrit francez, Klemansoit, që SHBA-së t’i ipej mandati nga Lidhja e Kombeve për të administruar distriktet e diskutuara të hapësirës shqiptare.
Me 14 prill u protestua përsëri me dy memorandume.
Së bashku me delegacionin protestonin edhe përfaqësuesit e shqipëtarëve të Amerikës, të Kosovës, të Rumanisë, të Turqisë,etj. Me 16 prill protestonte edhe Esat Pasha, që e konsideronte veten si kryetar të qeverisë shqiptare në mëgrim.
Në Raportin e Komisionit të ekspertëve, që u paraqit në atë kohë Italia u shpreh për kufirin e vitit 1913. Franca ra dakort që Shqipëria e Jugut t’i kalonte Greqisë. Të njëjtin mendim kishte edhe Anglia. Po kështu edhe Amerika.
Italia e kundërshtoi këtë mendim. Ajo u bazua në broshurën e vitit 1915 mbi Shqipërinë dhe Malin e Zi të botuar nga Komisioni Gjeografik i Shërbimit Gjeografik të Ushtrisë, të Ministrisë së Luftës së Francës, ku thuhej se banorët me etni greke formonin vetëm dy grupe të vogla në afërsi të Gjirokastrës dhe Delvinës.
Çështja shqiptare u ngatarrua keq.
Ndërkohë në Shqipëri filloi një lëvizje e madhe patriotike.
Në Shkodër, në Durrës, në Gjirokastër, që nga veriu në jug, patriotizmi përjetoi ngritjen me flatra. Apogjeu i kësaj ngritje ishin klubet patriotike “Vllaznia “. Programi tyre ishte kulturor, por në të vërtetë veprimtaria e tyre ishte politike. Në to u bashkuan shqipëtarët.
Një klub i tillë u krijua edhe në Durrës në 1919. Historiani Sali Hidri, duke çfletuar arkivin e Muzeut të Durrësit, boton këtë shënim të Ali Riza Kosovës, drejtor i atëhershëm i Doganës së qytetit të Durrësit; “Në vitin 1919 me të ndjerin Kasem Durrësi, hapëm në Durrës klubin “Vllaznia” me frymë patriotike kundër pretendimeve të Italisë”. Bashkëkohës të A.R. Kosovës e quajn atë klubi “ Shpëtimi”. A nuk ishte ky ideali i vërtetë i vitit 1919?
Me 29 korrik Tittoni dhe Venizellosi, ministrat e jashtëm të Italisë dhe Greqisë, hodhën në Paris firmat në një marrëveshje sipas së cilës Italia do të mbështeste në konferencë kërkesën greke për aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës, kurse Greqia do të përkrahte idenë e mandatit Italian mbi Shqipërinë. Kishte edhe gjëra të tjera që lidheshin me Sarandën dhe Kanalin e Korfuzit.
Me 30 korrik kryeministri i Italisë Nitti, i telegrafonte Tittonit në Paris: “Edhe në qoftë se zërat e përhapur se shqipëtarët pregatisin një lëvizje të armatosur kundër italianëve për të kundërshtuar mandatin që konferenca mund t’i ipte Italisë janë të rreme ose të tepruara, nga shumë shenja të tjera është e qartë se gjëndja tonë në Shqipëri është e keqe, mbi të gjitha gjëndja morale. Atje ka sot ethe të një shqiptarizmi kaq të nxehtë sa i ka bërë edhe më të rënda pasojat e botimit të Traktatit të Londrës…”
***
Në këto ethe shqiptarizmi u krijua ky flamur. ¨shtë flakë i kuq, me një të kuqe të ndezur, si zjarr. Ai përmban një thirrmë: RROFT SHQIPNIJA! Dhe poshtë saj: 1 GUSHT 1919. ªfarë ndodhi me 1 gusht 1919? Asnjë libër historie nuk e përmend. Askush nuk e mban mend, askush nuk e trashëgon në kujtime. Kjo datë enigmatike, si qelizë fosforeshente e jetës shqiptare të vitit 1919, duhet të ndriçohet për të përshkënditur me rrezatimin e saj, si mijëra, e mijëra ngjarje të tjera, sfondin e kuq të historisë.
Flamuri është i gjatë 156 cm dhe i gjërë 90cm. Për ta realizuar janë qepur njëra mbi tjetrën dy pëlhura mëndafshi të një cilësie shumë të lartë. Në buzina varen xhufka të vogla kuq e zi; katër prej tyre, në të katër qoshet, janë më të mëdha. Në të dy anët ka të njëjtën pamje. Në mes është pikturuar me tempera shqiponja, e nën të thirrja dhe data. Shqiponja ndryshon nga ajo zyrtare. Në atë kohë akoma nuk kishte një ligj, që të përcaktonte formën e simboleve.
Në se do ta shikojmë me kujdes do të vërejmë se në këtë flamur nuk ka vend për të futur shtizën, as litarin. A mos vallë ka qenë një si pano, apo banderolë manifestimi? Ku pra, ku është përdorur?
I një mendimi tjetër është historiani Shyqyri Vlashi. Ai, duke u bazuar në botimin e Sejfi Vllamasit, i a atribon këtë flamur shoqërisë “ Drita “ të krijuar në Tiranë nga Osman Myderzi, shoqëri patriotike, “ e cila me përpjekjet e saj të mëdha, i ka bërë shërbime të mëdha çështjes kombëtare me luftrat e saj kundër politikës proteksioniste të Qeverisë së Durrësit dhe për mbledhjen e Kongresit të Lushnjes”. Këtë mendim, në të cilin këmbëngul ende Sh. Vlashi ma çfaqi gjatë një bisede personale.
Një ditë Sali Hidri më pyeti: “ Si shkruan, rroft , apo rrnoft? Se Durrësi përdorte fjalën rrnoft”.
Ndërsa historiani Muhin ªami më thonte se data 1 gusht 1919 në flamur, nuk mund të jetë jehonë e një ngjarje kaq të pranëshme si marrëveshja Tittoni-Venizellos, e cila dë të merrej vesh më vonë.
I kujt pra ka qenë ky flamur?
Ndërsa hamendësimet vazhdojnë të pluskojnë mbi oqeanin e dijeve, le të thomi se është flamur i patriotizmit shqiptar të vitit 1919, derisa burimet arkivore të japin një autorësi.
* * *
Ky flamur ruhet në fondin etnografik të Institutit të Kulturës Popullore. ¨shtë bërë pjesë e tij në vitin 1946, kur u dorëzua për ruajtje në Institutin e Shkencave. Studiuesi Jaho Brahaj mendon se ka qenë pjesë e koleksionit të famshëm të Eqerem Bej Vlorës. Dhjetë vjet më parë, mbas një inondate, pësoi nga myku dhe lagështia. Ah, çfar kemi hequr atëhere! Ndërhyrjet e menjëherëshme laboratorike e shpëtuan dhe sot ai ruhet mirë. Veçse boja tempera, me të cilën është realizuar shqiponja dhe shkrimi, është plasaritur prej kohësh.