21/03/2008
Operacionet dhe zgjerimi i NATO-s do të jenë midis çështjeve kryesore në axhendën e samitit të Aleancës në Bukuresht në krye të prillit.
(Nine O'clock, Balkan Insight - 21/03/08; Rompres, NATO Review, BBC, AP, AFP, Reuters, VOA, Hotnews.ro, Xinhua - 20/03/08)
photo
[Getty Images]
Zyrtarëtr rumunë shprehën shpresë të enjten (20 mars) se samiti i ardhshëm i NATO-s në Bukuresht do ta shpjerë kontributin e Aleancës ndaj stabilitetit dhe sigurisë një hap më tej si dhe "do të hedhë një dritë të favorshme" mbi vendin e tyre.
"Unë shoh se përgatitjet po përparojnë në drejtimin e duhur dhe niveli i përfshirjes së institucioneve është shumë i mirë," tha kryeministri Kalin Popesku Tarikeanu, përpara një takimi për të shqyrtuar masat organizative për veprimtarinë.
Samiti tre-ditor, që hapet në 2 prill, do të jetë më i madhi në historinë 59-vjeçare të paktit.
Suksesi i tij do të varet nga arritjet e disa objektivave konkretë të tilla si zgjerimi i Aleancës, forcimi i partneritetit evro-atllantik, zgjidhja e çështjes së Kosovës, si edhe çështje të tjera "të nxehta", u tha ministri i jashtëm Adrian Kioroianu gazetarëve të enjten.
Ai shprehu shpresë se samiti do të ndihmojë zgjerimin e marrëdhënieve të NATO-s me vendet e Ballkanit, veçanërisht me Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, të cilat shpresojnë të marrin ftesa për t'u bashkuar me Aleancën, në Bukuresht.
Një masë e tillë do të "forconte krahun jugor të Aleancës, duke zgjeruar sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan," tha Kioroianu.
Ai shprehu gjithashtu shpresë se samiti do të forconte më tej marrëdhëniet e NATO-s me Bosnje dhe Herzegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë.
"Në rastin e Serbisë, ne shpresojmë se samiti në Bukuresht do të lëshojë një mesazh të fortë lidhur me gadishmërinë e Aleancës për të bashkëpunuar me Beogradin, aq shpejt sa autoritetet serbe të jenë të përgatitur," tha ai.
Rumania, së bashku me Kanadanë dhe tetë vende të Evropës lindore, anëtare të Aleancës: Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia, i kanë dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Shefer në mbështetje të ofertave të anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Dhjetë vendet thuhet se kanë kërkuar që dy ish republikave sovjetike t'u ofrohet Plani i Veprimit të Anëtarësimit, një hap përgjatë udhës në Aleancë.
"Rumania është drejtpërsëdrejti e interesuar të shohë Gjeorgjinë dhe Ukrainën të kenë një mbështetje evro-atllantike dhe përkrah qasjet nga të dy shtetet në këtë drejtim," theksoi Kioroianu.
Operacionet e NATO-s, duke përfshirë Kosovën dhe Afganistanin do të jenë një tjetër temë e rëndësishme gjatë samitit.
"Përsa i përket Kosovës, aleatët e kanë bërëtë qartë se KFOR do të mbetet atje në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit në qoftë se Këshilli i Sigurimit nuk vendos ndryshe. KFOR është atje për të garantuar një mjedis të sigurtë e të pacënuar, për të gjithë popullin e Kosovës," shkruante de Hoop Shefer në një shkrim botuar në edicionin e fundit të NATO Review të enjten.
Kioroianu u tha gazetarëve se pjesëmarrësit e samitit priten gjithashtu t'u drejtohen disa sfidave kyçe me të cilat ndeshet sot pakti, të tilla si sulmet në internet dhe sigurimi i infrastrukturave të sektorit energjitik.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Krijoni Kontakt