Nëpër teoritë serbe të krimit
Wednesday, 19 March 2008-gazeta Sot
Nga Agim SHEHU
Beogradi në vitet ’90 hapi njëra pas tjetrës 4 luftëra Ballkanike që nga segmentet e shtrirjes dhe dendësia e krimit kishin përmasat në nisje të një Lufte Botërore.Nëse nuk u kthye e tillë (si në Luftën I-rë më 1914), kjo ndodhi ngaqë forcat e arsyeshme të botës qenë më të shumta se ato me dëshirë lufte. Edhe përballë kësaj kasaphane kaq të përgjakshme Beogradi nuk ka kërkuar ende asnjë falje, në të kundërt e barazon veten me viktimat. Vazhdon me kokëfortësi shkëndija lufte si ato në Mitrovicë. Kjo do të thotë se Serbia shtetërore jo vetëm nuk është çliruar nga psikologjia e krimit të së kaluarës, por atë psikologji e ruan ende për të ardhmen që të goditë me të gjitha mënyrat Kosovën e Pavarur. Shenjat nuk mungojnë, edhe pse kemi dëshirë që të pushojnë, tanimë si gjë e kotë për të keqen e tyre. Në pritje për të ulur armët duke i ndërprerë shpifjet e teorizimet luftënxitëse, detyrohemi si shqiptarë që përballë zhurmës së tyre të themi gjykimin tonë. Krimet e tyre mbi shqiptarët qenë aq të egra e të pandërprera me shekuj, ngaqë u mbështetën prej një prapavijë të fuqishme teorike, ashtu si predhat fuqinë e marrin nga baroti shtytës brenda tyre.
Laboratorë përpunimi të saj janë si qelitë e manastireve dhe zyrat e akademive. Sllavëve në trojet shqiptare u mungojnë rrënjët e lashtësisë. Në dorë si dëshmi kanë vetëm degë të vona historie dhe këto degë, kur vihen t’i tundin u pikojnë gjak shqiptarësh. Ahere detyrohen që këtë boshësi historike ta mbushin me teori të shpifura. Grykësia tej mase e grabitjes dhe vrasjes i shtynte që trillimet t’i bëjnë gjer tek e pabesueshmja. Megjithatë kjo s’i shqetëson pasi e kanë të tyre filozofinë e Hitlerit te vepra «Lufta ime»: «Kombet bien më lehtë viktimë nga një mashtrim i madh se nga një mashtrim i vogël». Vepra «Kurora e Maleve» e sllavit Njegoshi frymëzohet nga një masakër mbi myslimanët të cilën populli e njeh si «vigjilja e Krishtlindjeve» ose «zhdukja e turqve». Studiuesi Zhak le Goff te vepra «Qytetërimi i Perëndimit» tregon porosinë që nëna sllave i thotë të birit: «Nëse dëshiron të arrish një fitore, shkatërro gjithçka kanë ndërtuar të tjerët dhe tërë popullit që ke mundur merrja shpirtin»! Si duket këndej vjen thënia-proverb e sllavit maqedon: «shqiptari është i mirë kur është i vdekur».
Me një oreks të tillë ujku njerëzimi ka të bëjë me ujqër në pamje njeriu, aq më tepër kur dhe bandat i emërtojnë «ujqër»…Nuk është e rastit, pra që ujkun e kanë simbol të herët të tyre, ku dhe mitologjinë e kthejnë në teori krimi. Filozofi Reinard Lauer në studimin mbresëlënës «Krijesat mitologjike dhe zjarrvënësit» shkruan mes të tjerash: «Sidomos te serbët edhe më parë janë vërejtur prirje që traditat e vjetra mitologjike të ringjallen. Tanimë ata kanë zëvendësuar nderin dhe tërë virtytet e tjera që këndon poezia, me shpjegim të ri të kushteve të reja». E më poshtë: «Te serbët miti i urryer i ujkut i ka të thella rrënjët. Gjatë krishterimit ai u shkri me kultin e Shën Savës, bir i Stefan Njemajës, peshkop i parë serb dhe themelues i kishës kombëtare serbe. Te sllavët shfaqet dëshira për t’u kthyer në ujk, e kjo ka rrënjë të thella. Gjatë kristianizmit kjo etje u shkri me kultin për Shën Savën, dhe kjo çoi në shkrirjen e bishës me shenjtorin në një gjë të vetme». Fryma e miteve-ujqër ka frymëzuar një tregim përmbledhur nga Stanisllav Krstiç (1984), siç shpjegon R. Lauer: një hajduk «takon në bjeshkë një çift të sapomartuar; i lidh për drunj ku i lë sa të vdesin.
Po ashtu u grabit prindërve fëmijën dhe e detyron babain ta pjekë në zjarr, ndërkohë motra duhet të këndojë, kurse nëna duhet ta hajë fëmijën e vet»! (legjenda zbatohet në jetë me egërsi të shtuar. Përmendim për kureshtje bindëse publicistin austro-izraelit Leo Frojndrih. Në veprën «Libri i Akuzave» jep dëshmitë rënqethëse të para me sy më 1913 ku barbarizmi mbi shqiptarët është aq i ngjashëm me legjendën e tyre. Citojmë sadopak dëshminë treguar autorit prej banditëve si mburrje: «...Për fëmijët përdornim bajonetat që të kursenim plumbat. Katër burra i futëm gjallë në gropë e i pushkatuam nga lart...Kur nëna aty pa të birin që nuk lëvizte më, i ra në këmbë ushtarit serb me lutje që ta vriste dhe atë. Ai e lidhi në një pemë sa u tret ; pastaj u ul e ballë të vdekurës hante bukën që i kish marrë...» Shkrimtari Gjojko Gjogo në një tregim për ujkun thotë: «Ulërima e ujqërve të malit do jetë gjuha e përbashkët e botës». Shpirtëzimi i ujkut me sllavin lexohet dhe te autorja franceze Ana Yelen kur përshkruan (si në hartime nxënësish fillestarë) serbët në Betejën e Kosovës: «…hipur mbi kuaj drite të luftës…pastaj i zuri gjumi në gjakun e tyre pasi luftuan si ujqër » (amatorja «Yeleni» mund të lexohet dhe «Legeni»). (Na del përpara Ulqini ynë mijravjeçar, i shpjeguar së shumti me fjalën «Ujk». Shpjegimi i saktë është në të drejtën e historianëve linguistë, pa u kufizuar në prejardhje fonetike. Ujkun shqiptarët e kanë vetëm ligësi e mallkim. «Ujkuuu!...(të hëngërt) i thuhet njeriut të keq; apo «ik, mor hej-ujku (ngrënie ujku)! Duhen përmendur dhe dëshmi të tjera që Ulqinin shqiptar e largojnë nga ujku sllav. Studiuesi anglez Hobhauz te Kujtimet (14) shkruan për Ulqinin: «Qenë 6000 trima deti që trashëgojnë zakonin e ilirëve të lashtë, po nga ai liman që në lashtësi thirrej Oleinium…Janë thjeshtë shqiptarë, me aftësi të drejtojnë anije e t’u bien deteve anembanë, pa pyetur asgjë përpara». Dr. Sabine Fabijanec shton: «Giovani Batista Giustiniano më 1553 shpjegon se emri latin i Ulqinit ishte Olchynum», por kjo është temë tjetër). Në psikologjinë sllavo-greke ujqërit zënë njerëzit. Te shqiptarët njerëzit zënë ujqërit.
Do ketë një histori më vete që sunduesi i Gjirokastrës i sh. 14, Zënëbisha ka një mbiemër të tillë, - Zënës bishash (grekët e shqiptojnë «Zene-vizas»)! Qe koha kur mbyllej sundimi i Stefan Dushanit në Shqipëri. Sunduesi i Artës, Gjin Bua Shpata mbante emërtimin e Buallit pranë Shpatës. Kaonia (Labëria e sotme) emërtohej me emrin e kaut si shenjtor. Plutarku tregon se para betejës së fundit falltori i tha Pirros së Epirit se ai do vdiste po të shihej në fall që ujku lufton me buallin (kaun). U therën si flijim qetë, e kokat e prera të qeve nxirrnin gjuhën e lëpinin gjakun e tyre. Në luftë Pirrua u vra. Malsorët tanë përshëndetin: «A je burrë - (Pirro), dhe jo «a je Ujk») ! Dora D’Istria te «Gratë e Lindjes» për të dhënë madhështinë prej Perëndie të Aleksandrit të Madh, shpjegon : « Nëna e Aleksandrit, shqiptarja Olimbi, e stërvitur në misteret e Sabas ku gjarpëri shfaqet gjithandej, duke dashur t’i japë të birit një prejardhje mbinjerëzore, rrëfehej se ajo ishte vizituar në shtrat nga një gjarpër hyjnor...në përrallat shqiptare shohim ende një princ të bukur fshehur në lëkurë gjarpëri» (vajzës së bukur i themi «vitore», siç e këndon populli në këngë – «Vitori, t’u bëftë nëna...»).…Kali i famshëm i Aleksandrit të Madh quhej Bukefall (Kokë-Bualli) e kur ai iu vra në Lindje, Aleksandri e varrosi me vajtim e nderime dhe ngriti një qytet me emrin e tij. Te «Metamorfozat» Horaci pëllumbave u vë epitet shqiptar «Pëllumbat e Kaonisë» (Labërisë).
Në kultin e tij shqiptari afron kafshët me mirësi njerëzore. Kjo botë e ndritur shqiptarësh ka pasur pranë kaq gjatë përrallat e murgjve sllavo-grekë të bashkuara me fantazitë e shkrimtarëve dhe manifestet e akademikëve. Të tria bashkë kalojnë në teoritë e shtetit. Pas dokumentesh të tilla që janë shpallur botërisht, krimi sllav jo vetëm nuk fshihet dot, por citimet dëshmojnë se krimi i tyre nuk është rastësi. Platforma e krimit u zyrtarizua si teori e shtetit serb që më 1844 me „Naçertanien“ (Projekti) e Garashaninit, në bashkësi me Megaliidhenë (Ideja e Madhe) greke të Jani Koletit. Serbia e Madhe dhe Greqia e Madhe puqeshin në Shkumbin. Më 1877 në fushatën e hapur kundër trojeve shqiptare princi Milan dha udhëzimin: „Sa më tepër shqiptarë të shpërngulni me forcë, aq më të mëdha janë meritat tuaja para atdheut“. Princi serb Mihajllo Obrenoviç më 2 mars 1878 firmosi „Ligjin mbi kolonizimin e të huajve“. Më 3 janar 1880 nën drejtimin e princit Milan Obrenoviç shtohej ligji „Për kolonizimin e viseve të reja“. Më 20 shkurt 1914 Pjetri I Karagjergjoviç nxjerr Urdhëresën e re „Për kolonizimin e viseve të bashkuara Serbisë“. Serbi Jovan Vasiljeviç në „Albanska Liga“ më 1909 teorizon shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit: „Pas vendimeve të Kongresit të Berlinin, tërë trojet e shqiptarëve t’i kthehen Serbisë, e lufta e saj në të ardhmen të kthehet nga Kosova...atje të shtrohet paqja dhe autoriteti serb...Shpërngulja t’u bëhet me forcat ushtarake“.
Pas kësaj teorie kthyer në grabitje Shqipërie serbët marshonin të dehur me thikë në gojë duke kënduar me histeri këngën: „Përpara, përpara, më pret Prizreni/; është imi, te vatra ime do vemi“! Më 1937 te programi i tij „Shpërngulja e Shqiptarëve” emërziu Çubriloviq shpall: „Që nga 1918 ka qenë detyrë e shtetit tonë ta fshijë Trekëndëshin shqiptar. Shteti ynë s’e ka arritur këtë. E vetmja rrugë dhe i vetmi mjet për ta kryer ka qënë dhe mbetet forca e dhunshme e shtetit të organizuar“ (autori akademik vazhdoi si ministër i plotfuqishëm në qeverinë e Titos). Që më shtator 1944 (duke pasur dhe brigadat partizane shqiptare në krah) ai përforcoi „Zgjidhjen e çështjes së minoriteteve në Jugosllavi“ e dha profecinë e vet zyrtare: „Jugosllavia mund të arrijë paqe e të sigurojë zhvillim nëse bëhet etnikisht e pastër. Ushtria duhet të spastrojë me rrënjë e pa mëshirë minoritetet në zonat që duam të kolonizojmë me racën tonë kombëtare“ (Komisari i Divizionit III partizan nga Shqipëria, Ramiz Alia, e kreu mirë detyrën që i dha Beogradi, veçanërisht me 8 mijë djemtë kosovarë vrarë pabesisht në Masakrën e Manastirit). Çubriloviq shton në pikën 4: „Kjo punë do kryer shpejt që Europa të vihet para faktit të kryer“ (këtë bëri Milosheviç). Pika 7: „Shqiptarët e krahinave kompakte buzë kufirit me Shqipërinë paraqesin rrezik të veçantë.“. 8: „Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë qendra strategjike të Ballkanit ndaj shqiptarët duhen dëbuar pa mëshirë nga ato troje, si dhe nga Pollogu, në mënyrë që Serbia e Vjetër dhe Maqedonia të pastrohen nga shqiptarët duke e ndryshuar etnikisht me rrënjë këtë hapsirë“ e më tej udhëzon: „Por është e pamundur që shqiptarët të zmbrapsen vetëm me anë të kolonizimit shkallë-shkallë...Luftërat janë çasti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtyre shqetësimeve. Ajo që në kohë paqeje kërkon dhjetëvjeçarë a shekuj, me luftë kryhet brënda muajsh a vitesh...Këtë duhet ta zgjidhim tani që është lufta!
Ndryshe, mund të mos na krijohet më një rast i tillë“ (nëntor 1944). Në zinxhirin kishë-shkencë-shtet u duhej hapur udha dhe banditëve „ujqër“. Më 21 nëntor 1944 Kryesia e AVNOJ-it fali gjithë çetnikët me të cilët pajtoheshin në çdukjen e shqiptarëve, e ata vunë yllin e kuq mbi shenjën e mbretit! Në janar 1945 Akademiku-ministër shpall teorinë më tej „çdukja e shqiptarëve, gjermanëve e hungarezëve“, ku theksonte: „Dëbimi i shqiptarëve duhet bërë me taktikën e mënçurinë më të madhe sesa dëbimi i gjermanëve e hungarezëve“! Në këto qëllime murgjit kishin manastiret; shkrimtarët – sallonet; akademikët – klubet. I tillë qe klubi serb i Kulturës në Beograd, 1937-39. Aty shkëmbeheshin teoritë si të zhdukeshin më shpejt e më rrënjësisht shqiptarët. Citojmë diçka nga diskutimet e tyre thënë botërisht. Dr. B. Panjevac, sekretar i Përgjithshëm i Statistikës Shtetërore, mes të tjerash tha: „Rreziku më i madh yni është një hapësirë (shqiptare) në Kosovë... Kjo pakicë gjuhësore mund të bëhet shumë vepruese, e rrezikshme nëse nuk marrim me kohë aksion largpamës“. Gjenerali Çemerikiq : „Shpërngulja dhe kolonizimi mund dhe duhen zbatuar vetëm me forcën ushtarake“, plotësim i mendimit të një gjenerali europian përserb, Herri (apo Horri!): - Ka vetëm një zgjidhje të problemit shqiptar – Shqipëri pa shqiptarë! -). Orestie Krstiq: „ Mjedisi njëngjyrësh shqiptar mund të thyhet me trysni ekonomike kolonizimi, dhe e përkrah mendimin për shpërnguljen e tyre në vise të tjera të vendit e në botën e jashtme duke ua marrë tokat me dhunë.
Për këtë, të krijohet Instituti për shpërbërjen e mjediseve të ngjeshura shqiptare dhe krijimin e fondeve agrare për t’u blerë tokat të cilat, nga ngushtimi ekonomik do detyrohen t’i shesin...Ai që do zgjidhte me sukses këtë çështje do bënte veprën e pavdekshme për popullin tonë sllav“. Studiuesi tjetër i tyre, Gjeorge Krstiç: „Reforma agrare e kolonizimi kanë ndihur mjaft që të ndërrohet struktura e popullsisë në humbje të shqiptarëve“. Më tej një Gjoka Perina: „Ky qëllim kolonizimi mund të arrihet vetëm me 470 mijë kolonë serbë duke dëbuar 300 mijë shqiptarë. Si gjë e huaj për ne, këta paraqesin sot rrezik nacional e politik; janë shumë në numër, të fortë e të ngjeshur...E tërë kjo popullsi mbështetet në Shqipërinë (e mbretit Zog) e cila ka ndikim politik dhe zgjon dëshirat tek ata“. Pashiç luftonte t’i mbushte mendjen botës, e në gazetën franceze „Le Temps“ shkruante: „Shqiptarët nuk kanë as letërsi e as Abece për gjuhën e vet, pra nuk mund të formojnë një mbretëri njerëzore. Për këtë, Shqipëria të ndahet mes Greqisë e Serbisë“! Studjuesi Protiçiç plotëson: „Ata kurrë nuk janë ngritur gjer në shkallën e një tërësie kombëtare...Në Shqipëri nuk ka asnjë lloj gjurme qytetërimi kombëtar“. Tërë këto teori të përgjakshme janë vazhdimësi e babait racist të tyre, V. Gjeorgjeviç. Te „Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha“ (publikuar jo rastësisht para Konferencës së Londrës) ai shpalli: „Shqiptarët nuk janë një komb por një përzierje fisesh pa gen të përbashkët, pa gjuhë të njësuar, pa histori, pa atdhe. Ata s’mund të quhen komb se kombi është një rrjedhim politik, ndërsa shqiptarët janë ende në një shkallë kulture parahistorike, që nuk kanë as në karakter as në cilësitë e tyre aftësi për t’u ngritur në element përbërës shteti...Për këtë, pavarësia e Shqipërisë apo formimi i një shteti shqiptar më vete është jo vetëm i pamundur por dhe i rrezikshëm për Ballkanin e për Europën“ (Fletorja e Lidhjes së Kombeve botuar në Gjenevë më 1922 vlerësoi të kundërtën për Shqipërinë, kur po e njihte Konferenca e Paqes: „Jo vetëm që kombi shqiptar ekziston, por qenia e tij është e nevojshme nga pikëpamja ndërkombëtare“). Nuk është e rastit që tezave sllave në Veri u përgjigjeshin, si dy pika të ngjashme helmi të njëjtat teza greke në Jug.
Në prag të Kongresit të Berlinit më 1878 (siç e boton Jani Vreto në „Apologjinë për Abdyl Frashërin“), gazeta greke Neologos në Stamboll botonte me firmë anonim – Një Epirotas: „Çdo popull, që t’i merren parasysh kërkesat duhet të ketë një të kaluar e të japë dëshmi, të paktën për të ardhmen! Por të tillë janë ata popuj që kanë një histori, qenësi politike, letërsi dhe gjithë ato që rrjedhin prej këtyre, të cilat i mungojnë popullit shqiptar ardhur nga Kaukazi“. Vazhdon e njëjta frymë greke me gazetën „Estia“ më 8 Nëntor 1934: „...një shtet që u krijua vetëm për arsye diplomatike e që gjer sot nuk ka mundur as moralisht të përligjë qenien e tij“. U përgjigjet mes të tjerësh studiuesi i njohur italian A. Baldaci te vepra „Albania..“: „Vlerësimin e pakundërshtueshëm të Shqipërisë si komb më vete mund ta mohojnë vetëm ata që kanë interesa për copëtimin e saj“. E më tej dijetari francez Ropbert D’Anzheli te „Enigma e Zgjidhur“: „Përvoja e tashme e shtetit shqiptar përgënjeshtron plotësisht teoritë serbe të cilat u mohojnë shqiptarëve ndjenjat atdhetare dhe krejt unitetin kombëtar“. Gjeorgjeviçi teorisë së tij raciste i jepte dhe dinamikë vrasëse: „Sa më e përgjithshme të jetë përplasja mes krerëve të tyre (shqiptarë) aq më afër i jemi arritjes së qëllimit tonë“. E vazhdon Ivo Andriçi shkrimtar, i cili citon dhe teorinë e Pashiçit shtetëror: „Ne e duam një Shqipëri të pavarur, por një Shqipëri të dobët e të paformuar. Veç koha ka treguar se kjo nuk mund të bëhet. Shqipëria e dobët dhe e paqëndrueshme ka qenë e detyruar të kërkojë ndihma dhe mbrojtje kudo që mund të gjente...Me marrjen e Shqipërisë do zhdukej qendra nxitëse për pakicën shqiptare në Kosovë e cila në të ardhmen do tretej lehtë...Pavarësia e një vendi ndaj vendeve të tjera ka gjithnjë një kuptim relativ. Vetiu qenia e një shteti shqiptar të pavarur është e pranueshme për ne, por ky shtet duhet të mbetet gjithmonë i dobët e në shpërbërje“.
Që më 1937 Çubriloviq i zgjaste më praktikisht metastazat e teorisë: „Kjo punë në Tiranë do ecë me vështirësi se këtu do pengojë Italia, por të hollat bëjnë shumë punë! Me anë të fijeve të fshehta mund të vihen në lëvizje njerëzit tanë kyç në Tiranë, që të mos e kundërshtojnë këtë punë“. Socialisti i dikurshëm serb, Dimitri Tucoviq te vepra „Serbia e shqiptarët“ thotë se s’do ketë vend si Shqipëria ku të lëvrijnë kaq agjentë të huaj! (gjendja e treguar hapur nga serbët është qartësisht e lexueshme në gjendjen e sotme të Shqipërisë, sipas parashikimeve të tyre). Një Klub serb i vitit 1937 shpalli një konkurs të çuditshëm për dëbimin e shqiptarëve: „Ai që do zgjidhë me sukses këtë shqetësim do bënte veprën më të pavdekshme për popullin tonë“. Fituesi ndër më të çmuarit mori shpërblimin: Dr. Milan Obradoviq, bir koloni serb në Kosovë, merr dekoratë të veçantë për reformat agrare mes dy luftërave Botërore; për shpërnguljen e 255.878 shqiptarëve të Kosovës. Në zyrat serbe janë në përgatitje dekorata të reja, për fat të keq dhe për shqiptarë’“! Me teori të tilla Serbia ngushtoi shqiptarët dhe zgjeroi veten. Studjuesi sllav Joavan Haxhivasillaq e pohonte hapur më 1909 për dëbimin e shqiptarëve nga Nishi, Prekuplja, Kurshumlia, Leskovci, Vranja, Toplica, se kjo u bë „që të krijohej nga Serbia një shtet kombëtar i kulluar serb, që të pastrohet vendi nga ata të cilët nuk janë të krishterë, që aksioni i Serbisë të kthehej pastaj në drejtim të Kosovës e që me rrugë të përdhunët të zhdukej popullsia shqiptare“. Në zbatim të këtyre teorive, Serbia me ligjin e 2 marsit 1878 „Për kolonizimin e të huajve“ në tri ditë pushtoi 648 vendbanime shqiptarësh në Sanxhakun e Nishit, dhe siç e pohon studiuesi sllav M. Dj. Miliçeviq, „Serbia fitoi një trevë prej 10.972 km. katrorë“. Në vitin 1939 statistika zyrtare serbe dha 900 mijë shqiptarë në Kosovë. Më 1948 dha 498 mijë. Ku humbën mbi 400 mijë njerëz në 9 vjet, kur popullsia e Kosovës ka lindjen më të madhe në Europë e kur vetë serbët qahen se po na mund gruaja kosovare duke na „gjuajtur“ me lindjet e saj të pandërprera!?
I përmendim këto dëshmi, në të vërtetë thërrime karshi zhurmës së vazhdueshme sllave që paraqiten engjëj në të „drejtën“ e tyre(!), vetëm që ata të kontrollojnë sadopak mëndtë nëse u kanë mbetur mënd nga histeria shovene. Nuk është vonë ta kuptojnë se vetëm fqinjësia europiane me Kosovën do t’i bëjë europianë.
Krijoni Kontakt