Shkruan:Arbënor Dehari

Që prej vitit 1999 kur administrata ndërkombëtare zbarkoi në Kosovë, rastet e shkeljeve të të drejtave elementare të shqiptarëve janë po thuajse të panumrueshëm. Për ata të cilët me vetëdije apo pa të ende janë optimist karshi politikës së UNMIK-ut më duhet t’u them se avazi i vjetër po vazhdon. Këtë e tregon më së miri padrejtësia e rradhës që u është bërë shqiptarëve nga instancat e administratës së OKB-së në Kosovë. Le të bindën të gjithë vet se sa antishqiptare është UNMIK-u me veprimet e saj konkrete.

Pasi që Serbët e veriut të Kosovës së bashku me vllezërit e tyre të ardhur prej Serbisë ia dolen që ta spastrojnë veriun e Kosovës nga EULEX-i, ata nuk po ndalen në rrugën e tyre për spastrimin e të gjithë burokratëve ndërkombëtar nga veriu i vendit.
Për ditë me rradhë disa dhjetëra Serbë e mbajtën nën kontrollin e tyre ndërtesën e Gjykatës në Mitrovicë. Më në fund forcat ndërkombëtare të sigurisë (KFOR-i dhe Policia e UNMIK-ut) vendosen që të ndërhynë me butësi kundër protestuesve Serbë. Më besoni që nuk do t’i kishin larguar Serbët e revoltuar, po mos të krijohej situata banale, ku policë e ushtarë të shumtë për ditë me rradhë bënin sehir përballë më pak se 100 Serbëve të trazuar. Forcat ndërkombëtare të sigurisë nuk kishin më rrugdalje tjetër dhe më në fund vendosen që të ndërhyn kundër protestuesve Serbë.
Për mënyren e intervenimit kundër Serbëve që realizuan KFOR-i e Policia e UNMIK-ut, flasin shifrat. Pra më pak se njëqind Serbë i plagosen afro 80 policë e ushtarë ndërkombëtar dhe e vranë një pjestar të kontingjentit policor ukrainas. KFOR-i e UNMIK-u ishin aq të mëshirshëm ndaj rebelëve Serbë, sa që Serbët hidhnin granata e shtënin me armë zjarri ndaj tyre (akte këto që dolen të jenë vdekjeprurëse!), hedhnin kokttej-molotovi, ndeznin vetura dhe qef me qef thyenin dritat e tankeve të KFOR-it dhe më në fund edhe pas gjith kësaj dhune nga ana e Serbëve, të gjithë protestuesit e arrestuar pas vizitës kërcnuese të Samarxhiqit, u liruan po atë ditë! Disa Serbë janë të lenduar lehtë, e për të vrarë nuk bëhet fjalë! Nuk po them që detyrimisht është dashur që të vriten Serbë me 17 Mars 2008, po them se detyrimisht ata ende duhej të ishin prapa grilave.

Njerëz që ende kanë simpati ndaj UNMIK-ut mund të flasin me fjalët e zëvendëskryeministrit të Kosovës z.Hajredin Kuçit i cili deklaroi se, protestat na qenkan të lejuara në Kosovë! Mirëpo nëse kthehemi vetëm pak më shumë se një vit prapa në kalendar, saktësisht deri të data 10 Shkurt 2007, konkludojmë që protestat e demonstratat janë të lejuara vetëm për Serbët në Kosovë!
Demonstrata paqësore e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prishtinë më 10 Shkurt të vitit të kaluar u shua me dhunë nga po ajo polici ndërkombëtare, e cila me naivitetin që tregoi gjatë ndërhyrjes tejet të butë ndaj protestueve Serbëve para disa ditëve në veri të Kosovës e humbi një anëtar të vetin!
Asnjë polic ndërkombëtar nuk u lëndua me 10 Shkurt! As nuk u shtie me armë zjarri e as nuk u hodhën granata e koktej-molotovi në drejtim të policisë me 10 Shkurt! Asnjë ndërtesë zyrtare nuk u vu nën kontrollin e demonstruesve dhe asnjë vetureje nuk ju vu flaka me 10 Shkurt! Asnjë dritë e tankut apo autoblindit nuk u thye me 10 Shkurt! Thjesht demonstrata e 10 Shkurtit ishte paqësore, mirëpo policia ndërkombëtare me intervenimin e saj brutal dhe të paskrupult duke i ndjekur demonstruesit shqiptar me gazë lotësjellës, me shkopinjë gome e për më keq edhe me plumba gome, i dha kësaj demonstrate epilogun tashmë të njohur tragjik. Arbeni dhe Moni, dy demonstrues paqësor u vranë, mbi 80 të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve kanë mbetur me pasoja të përjetshme nga plumbat ndërkombëtar dhe qytetarë e aktivistë u arrestuan! Ndërsa sot ende me proces gjyqësor të montuar politik, përballet aktivisti Albin Kurti.

Përfundimisht krahasoni ngjarjet e 10 Shkurtit 2007 dhe ato të 17 Marsit 2008 dhe do të bindeni vet se sa antishqiptar janë zyrtarët ndërkombëtar që ende ndodhen në Kosovë!