Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se zhdukja e municioneve është jetike për vendin
Bush: Shqipëria arritje të pakrahasueshme në shkatërrimin e municioneve të rrezikshme
"Zhdukja e municioneve të rrezikshme është jetësore për Shqipërisë". Kështu është shprehur Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, në një mesazh ngushëllimi për tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec adresuar Presidentit Bamir Topi. Kreu i Shtëpisë së Bardhë vlerëson se, vendosmëria e Shqipërisë për zhdukjen e municioneve të tepërta e të rrezikshme është për t`u lavdëruar, ndërsa nënvizon se shumë pak vende mund të krahasohen me arritjet e saj. Në këtë mesazh, Xhorxh W. Bush, shpreh ngushëllimet për ngjarjen tragjike të Gërdecit, si dhe solidaritetin e qeverisë dhe mbarë popullit amerikan. "I dashur zoti President, Në emër të popullit amerikan, ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella për tragjedinë që ndodhi në Gërdec si pasojë e së cilës u plagosën dhe humbën jetën shumë qytetarë të pafajshëm. Mendimet dhe lutjet e mia janë për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe për popullin shqiptar gjatë kësaj periudhe të vështirë. Vendosmëria e Shqipërisë për të zhdukur municionet e tepërta të rrezikshme është për t'u lavdëruar dhe shumë pak vende mund të krahasohen me arritjet e saj. Incidenti i Gërdecit, na tregoi se sa jetësore është për Shqipërinë dhe bashkësinë ndërkombëtare, të qenit të përkushtuar ndaj programeve, të cilat në mënyrë të parrezikshme e eliminojnë këtë rrezik ndaj sigurisë publike. Mbështetja dhe vendosmëria juaj vlerësohen shumë", thuhet në mesazhin e Presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush drejtuar Presidentit Topi. Pak kohë më parë, Shqipëria nën programin e Senatorit Lugar shkatërroi një sasi të kosiderueshme të armëve kimike, të cilat përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për vendin. Nëpërmjet këtij programi Shqipëria u bë vendi i parë në botë pa armë kimike, duke dëshmuar në këtë mënyrë një vullnet të pakrahasueshëm në mbështetje të paqes dhe sigurisë kombëtare e ndërkombëtare. Zyrtarë të lartë amerikanë të mbrojtjes, e cilësuan përfundimin e procesit të shkatërrimit të armëve si një përpjekje të suksesshme në drejtim të ndalimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Sipas zyrtarëve amerikanë, shkatërrimi i këtyre armëve krijoi një terren më të sigurtë në Shqipëri, pasi bëhej fjalë për armë të rrezikshme kimike. Më shumë se 2 700 ton municione janë shkatërruar në Shqipëri gjatë kohëve të fundit. Projekti u realizua nën mbikqyrjen e ekspertëve të Fondit të Çarmatimit dhe Shkatërrimit të Armëve të Departamentit të Shtetit.
Krijoni Kontakt