Konsullata e shqipërisë në New York, ndihmë për tragjedinë e Gërdecit
Mesazhet e shumta të ngushëllimit dhe gatishmëria për të ofruar ndihmë nga ana e shteteve fqinje, sa vjen dhe shtohet për t'iu gjendur afër familjeve të prekura nga tragjedia e Gërdecit. Kështu që Konsullata shqiptare në Nju Jork njofton se, për t'u ardhur në ndihmë banorëve të komunës Gërdec në Vorë, të prekur nga tragjedia e shpërthimit të depove të municionit, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Gruas "Motrat Qiriazi", e cila drejtohet nga Anna Kohen, ka hapur një numër llogarie dhe ka ftuar diasporën shqiptare në SHBA të kontribuojë për të lehtësuar pasojat e kësaj ngjarjeje. Gjithashtu Kryeministri Berisha ka marrë dje mesazhe të shumta ngushëllimi për ngjarjen e Gërdecit, nga personalitete të shteteve të ndryshme. Në këtë kuadër, Kryeministri ka marrë telegrame ngushëllimi nga Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, nga Bashkimi Demokratik Kombëtar në Shkup, nga Partia për Veprim Demokratik, Preshevë, nga Imzot Rrok Mirdita, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga kryetari i Aleancës Kosova e RE, Bexhet Pacolli, nga kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, nga një grup miqsh nga Estonia, deputetë dhe anëtarë të Parlamentit dhe Qeverisë së Estonisë. Gjithashtu Kryeministri ka marrë një telegram ngushëllimi nga Michael Granoff, Fondi Shqiptaro-Amerikan. Në këtë kuadër edhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Alkalaj, i ka dërguar dje një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti Ministrit te Punëve të Jashtme, Lulzim Basha.
Krijoni Kontakt