Pista e prokurorisë: Katastrofë e qëllimshme
Hen, 17 Mars 2008
Flamur Vezaj
Kryeprokurorja bën publike 4 pistat e hetimit, për tragjedinë e Gërdecit. Dyshime edhe për akt terrorist
Ina Rama: Dyshime për një veprim kriminal të kryer me dashje, për të fshehur gjurmët e vjedhjeve
TIRANË- Hetime për një katastrofë të qëllimshme. Hetime për vjedhje të municioneve. Hetime për konkurrencë të pandershme dhe shpërdorim detyre. Hetime për një gabim njerëzor, prej ndonjë pakujdesie apo fërkimi të hekurave të predhës. Të gjitha pistat e mësipërme janë artikuluar dje nga prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, gjatë një konference për shtyp mbi katastrofën e Gradecit. Pasditen e djeshme, Rama doli para mediave, e shoqëruar nga dy drejtuesit e grupit hetimor të tragjedisë, prokurorët Gent Xholi dhe Genci Qano. Sipas kryeprokurores Rama, grupi hetimor ka filluar verifikimet dhe ka ngritur rreth pesë pista hetimi, të cilat po verifikohen dhe hetohen në terren. "Pas hetimeve paraprake, grupi hetimor po heton konkretisht në disa pista hetimi, ndër to, mbi dyshimet nëse e gjithë ngjarja është pasojë e një veprimi kriminal të kryer me dashje",-sqaroi Rama para medias, duke lënë të kuptohet se ekzistojnë dyshimet edhe të kryerjes së një akti-terrorist, për të fshehur gjurmët e ndonjë vjedhjeje të mundshme të barutit, bronzit, bakrit e çelikut, të grumbulluar nga çmontimet e punëtorëve të kësaj fabrike. Në fjalën e saj, prokurorja Rama nënvizoi edhe pistat e tjera të hetimit, si shpërdorimet e detyrës apo konkurrencën e pandershme.
***
"Ndër pistat dyshuese të ngritura nga grupi hetimor është edhe shpërdorimi i detyrës prej ndonjë funksionari të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, apo konkurrenca e pandershme mes firmave, si shkak që mund të ketë shkaktuar ardhjen e pasojës së rëndë. Po verifikohet se sa janë zbatuar rregullat për administrimin dhe ruajtjen e lëndëve plasëse nga të gjitha subjektet që janë aktorë të këtij procesi, duke filluar nga firma shtetërore që merret me shitjen dhe demontimin e municioneve, MEICO, firma amerikane "Southern Ammunition Company" dhe tek firma "Alb-demil" me president Mihal Delijorgjin dhe drejtor kunatin e tij, Dritan Minxholi. Sa janë zbatuar rregullat për ruajtjen fizike të objektit, që ishte marrë përsipër nga firma private e sigurimeve "Vrana Security" si dhe sa janë zbatuar rregullat nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me përzgjedhjen e vendit ku është kryer ky proces"-tha në fjalën e saj prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.
***
Në fjalën e saj, kryeprokurorja nuk harroi të përmendë edhe veprimet e kryera nga grupi hetimor që nga momenti i shpërthimit të rreth 3 mijë tonëve eksplozivë deri në daljen e saj publike para mediave. "Sapo prokuroria u vu në dijeni për ngjarjen, grupi hetimor tentoi nëpërmjet prokurorëve të tij të afrohet në vendin e ngjarjes, gjë që rezultoi e pamundur për shkak te rrethanave tashmë të njohura",-tha Rama. Ndërkaq, grupi hetimor, sipas burimeve pranë akuzës, duke parë rrezikshmërinë e zonës ku kishte ndodhur ngjarja, janë tërhequr për t'iu drejtuar dyerve të Spitalit Ushtarak dhe atij të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT-së) në kryeqytet për të marrë dëshmitë e banorëve të zonës dhe punëtorëve të kësaj fabrike që po merrnin mjekimet e nevojshme në këto qendra Spitalore.
Hetimet në Durrës
Në qytetin e Durrësit, prokurori i rrethit, Ardian Ndoja, bashkë me një grup prokurorësh e oficerësh të këtij qyteti, deri në orën 2:00 të natës së shtunë duke u gdhirë e diela kanë marrë në pyetje rreth 44 persona në cilësinë e deklaruesve. "Grupi hetimor, i drejtuar nga dy drejtuesit e prokurorisë së Tiranës, menjëherë pas ngjarjes kanë filluar të kryejnë veprimet e para hetimore si në identifikimin e kufomave që gjendeshin në morgun e spitalit ushtarak dhe atij të QSUT-së "Nënë Tereza" prej oficereve të policisë gjyqësore. Pyetjen e rreth 30 personave që kane dijeni për rrethanat e ngjarjes, ku kontakti me ta ka qenë shume i vështire, sepse gjendeshin të shpërndarë nëpër vende të ndryshme dhe ishin shumë të traumatizuar nga ngjarja. Janë sekuestruar një pjesë e konsiderueshme e dokumentacionit në Ministrinë e Mbrojtjes, firmës "Alb-Demil" dhe kontrata mes firmës së fundit dhe kompanisë private të sigurimeve "Vrana Security"-tha prokurorja Rama.
Hetimet paraprake zbulojnë shkelje të sigurisë dhe kushteve teknike të demontimit
Hetimi: Shkelje penale për sigurinë në punë
TIRANË- "Gjatë hetimeve paraprake janë evidentuar shkelje penale, pasi është vërejtur një mungesë e kushteve të punës, një siguri shumë e ulët në kushtet e punës dhe rekrutimin e punëtorëve dhe mbikëqyrjes së këtij reparti ushtarak të privatizuar". Ky është konkluzioni paraprak i nxjerrë nga grupi hetimor i tragjedisë së tre ditëve më parë, por që nuk preferojnë të identifikohen, pasi drejtuesja e Prokurorisë së Përgjithshme, Ina Rama nuk bëri publike asnjë nga detajet e arritura të hetimit duke u mjaftuar vetëm me renditjen e pistave. Sipas këtyre burimeve mësohet se gjatë mbledhjes së dëshmive të të mbijetuarve që punonin në fabrikë kanë treguar kushtet shumë të këqija të sigurisë në punë, e deri të mungesa e kualifikimit të punëtorëve që kryenin çmontimin e predhave dhe fishekëve të armëve të rënda. "Janë kryer disa verifikime të dëshmisë dhe rezulton se ka elementë të veprës penale, "shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë" që parashikon dënimin jo më pak se pesë vjet burg e deri në dhjetë vjet. Gjithashtu, në këto konstatime të kryer nga prokuroria ka rezultuar se ka shkelje edhe në punësimin e paligjshëm të punëtorëve të pasiguruar, që edhe në këtë rast mbështet nga prokuroria në bazën ligjore të nenit 170a ku parashikohet një dënim nga gjoba prej 100 mijë lekë deri në 2 vjet burg. "Janë konstatuar shkelje të sigurisë teknike në punë, mungesës së sigurisë fizike, mungesës së kushteve të ruajtjes së lëndëve shpërthyese dhe marrjen në punë të punëtorëve poshtë moshës 18 vjeç",-thuhet nga burimet e prokurorisë. "Deri tani nuk kemi evidentuar ndonjë minoren të punësuar",-tha dje Ina Rama,gjë që bie ndesh me denoncimet e banorëve të cilët kanë pohuar punësimin e fëmijëve në këtë fabrikë. Gjithashtu, është vërejtur nga grupi hetimor se siguria brenda objektit ka qenë shumë i dobët, pasi reparti ishte rrethuar me llamarina të holla dhe ruajtur me roje private. Po këto burime, konfirmuan se janë evidentuar se ekziston një kontratë mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane, por që kjo e fundit e ka mbaruar kontratën në dhjetor të vitit që lamë pas, duke nënkontraktuar kompaninë shqiptare "Albdemil", të cilët kanë vazhduar punën, duke paguar jo ekspertë, por punëtorë krahu e nxënës që punonin me normë dite nga 500 lekë deri në 1500 lekë.
Shkon në 44, numri i dëshmive të marra nga prokurorët. Merret në pyetje edhe Pinari i MEICO
Delijorgji në prokurori: Nuk merresha me punëtorët
TIRANË- Grupi hetimor, i drejtuar nga drejtuesit e prokurorisë së Tiranës dhe Durrësit deri në orët e vona të natës së kaluar kanë marrë në pyetje mbi 44 persona, në cilësinë e deklaruesve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen. Në mes të të pyeturve, sipas kryeprokurores Ina Rama, janë drejtues të kompanisë shtetërore të MECIO-s, që merren me shitjen dhe blerjen e armëve pranë Ministrisë së Mbrojtjes, drejtues të firmës "Alb-demil", drejtuesit e kompanisë së sigurimeve fizike "Vrana Security" dhe shumë dëshmitarë dhe punëtorë të tjerë. "Janë pyetur drejtuesit teknikë të firmës "Albdemil", Mihal Delijorgji e Dritan Minxholi si dhe specialistë, të cilët me nën kontraktim kanë marrë përsipër procesin e çmontimit të këtyre municioneve",-tha Rama. Ndërkohë, burimet kanë sqaruar se Delijorgji ka shpjeguar të gjitha detajet e kontratës deri në marrjen e punëtorëve në punë, për të cilët është shprehur se nuk ka dijeni që të jenë marrë minorenë në punë, duke shtuar gjithashtu se: "nuk merrej ai me marrjen e punëtorëve në punë". Gjithashtu, nga grupi hetimor janë pyetur edhe drejtuesit e firmës "Vrana Security", e cila kishte marrë përsipër ruajtjen fizike të objektit në të cilin kryhet çmontimi, të cilët kanë shpjeguar se me çfarë masash e ruanin barutin, bronzin, bakrin e çelikun dhe kishte kontroll të punëtorëve në hyrje të fabrikës. Ndërkaq, pasditen e djeshme janë marrë në pyetje drejtuesit dhe specialistët e firmës shtetërore "MEICO", e cila funksion si strukturë pranë Ministrisë së Mbrojtjes. "Është marrë në pyetje edhe drejtori i MEICO-së, Ylli Pinari i cili ka pranuar të japë shpjegime në lidhje me kontratën e firmosur mes tij dhe drejtuesve të kompanisë amerikane, ku ka mohuar të ketë një marrëveshje mes institucionit të MEICO-së dhe firmës "Albdemilit".
MINISTRI
Ramaund të kërkojmë dëshminë e Mediut
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, gjatë konferencës së mbrëmshme për shtyp nuk përjashtoi mundësinë e marrjes në pyetje edhe të ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pyetjes së çfarë përgjegjësie ka ministri i Mbrojtjes në të gjithë këtë histori që solli tragjedinë e dhjetëra të vdekurve e të humburve, kryeprokurorja Rama u shpreh se: "nëse gjatë fazës së hetimeve rezulton se është e nevojshme marrja në pyetje e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. ne do kërkojmë pyetjen e tij duke përdorur të gjitha mundësitë që na jep ligji. Ndërsa, sa i përket përgjegjësisë, është herët të drejtojmë gishtin dhe të nxjerrim personat përgjegjës për këtë tragjedi",-tha Rama në mbyllje të fjalës së tij rreth 20 minuta para mediave. F.Vezaj
Neni 289
Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë
Shkaktimi i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në ligj, në aktet e Këshillit të Ministrave apo në rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike, të mbrojtjes në punë, të higjienës dhe sigurimit nga zjarri prej personave të ngarkuar me respektimin e rregullave dhe marrjen e masave në zbatim të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet.
Neni 170/a
Punësimi i paligjshëm
(Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2) Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 47)
Punësimi pa regjistrim në organet kompetente ose pa garantuar sigurimin e të punësuarit sipas rregullave, kur është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 10 mijë lekë për çdo rast ose me burgim deri në 1 vit.
Moskryerja me dashje ose mbulimi i shkeljeve lidhur me punësimin dhe sigurimin social nga persona të ngarkuar me zbatimin dhe kontrollin e dispozitave përkatëse, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë ose me burgim deri në 2 vjet.
Krijoni Kontakt