
Postuar më parë nga
Xhuxhumaku
Eagle,
lexoje pak c'thote ky Komshiu yt ne Boston, sot tek panorama.
Gërdec - të paktën një dorëheqje!
(Vendosur: 17/03/08) Eduard Zaloshnja
Përgjegjësia numër një e çdo qeverie është sigurimi i jetës së subjekteve që qeveris. Vetëm pasi ka bërë këtë gjë dhe vetëm atëherë, ajo mund të mendojë për sigurimin e një jete më të mirë të tyre. Por a e kanë kaluar këtë test qeveritë shqiptare në 17 vjetët e fundit? Fatkeqësisht, jo. Dhe ç'është më e keqja, deri më sot, asnjë kryeministër apo ministër nuk ka dhënë dorëheqjen kur qeveria ka dështuar në përmbushjen e përgjegjësisë numër një të saj. Thënë ndryshe, sukseset kanë pasur shumë baballarë, ndërsa dështimet kanë mbetur jetimë.
Tragjedia e Gërdecit, si dhe ajo e liqenit të Farkës para saj, janë shembujt më të freskët të paaftësisë së qeverisë për sigurimin e jetës së njerëzve. Por në të njëjtën kohë, ato janë edhe një ilustrim i kobshëm i rëndësisë së vogël që ne si shoqëri tregojmë ndaj rregullave më elementare të sigurisë së jetës. Dhe këto dy raste tragjike, për hir të përmasave dhe dramacitetit të tyre, bënë xhiron e botës në televizionet kryesore të globit. Por lajme të tjera mortore, më pak dramatike nga përmasat, mbesin vetëm në qarkun e TV-ve tona. Kështu, për ndjekësit e lajmeve televizive shqiptare, është bërë një ritual i zakonshëm parja e kronikave të aksidenteve automobilistike që ndodhin në rrugët e Shqipërisë. Në fakt, këtë shans të keq ata e kanë pothuajse çdo ditë të vitit. Sepse, sipas statistikave, në Shqipëri, ndodh mesatarisht një aksident në ditë. E përkthyer në një numër të krahasueshëm me vendet e tjera, kjo statistikë do të thotë se në Shqipëri ndodhin 3.5 herë më shumë aksidente për 1000 automjete se në vendet ish-komuniste, e 10 herë më shumë se në Suedi. Dhe ç'është më e keqja, gjysma e aksidenteve automobilistike shqiptare përfundojnë me vdekjen e së paktës një prej viktimave - një rekord i kobshëm evropian ky.
Po pse në Shqipëri ndodhin kaq shumë aksidente? Arsyeja më thelbësore duhet të jetë mentaliteti fatalist që mbizotëron në shoqërinë shqiptare. "Po ta ketë shkruajtur Zoti, si shpëton dot së keqes," - kjo është shprehja pothuaj standarde që dëgjon sa herë i thuhet dikujt që të tregohet i kujdesshëm në ngjarjen e makinës apo kur i sugjerohet të përdorë rripin e sigurisë. Por a i lë jashtë përgjegjësisë qeveritë shqiptare ky mentalitet fatalist i subjekteve që ato qeverisin? Padyshim që jo. Sepse udhëheqësit duhet të jenë të paktën një hap përpara udhëndjekësve, e jo në një hap me ta.
Kështu, ministrit të Mbrojtjes nuk i falej që të ecte në një hap me pronarin e firmës që çaktivizonte predhat në Gërdec. Në qoftë se ky i fundit kishte vënë një bast me veten se nuk do ndodhte aksident në atë fabrikën e tij me kushte minimale sigurie, e fare pranë shtëpive të banuara, ministri i Mbrojtjes, nëpërmjet vartësve të tij, duhej t'ia kishte ndërprerë kontratën për sa kohë që kushtet e sigurisë nuk ishin plotësuar 100%. Dhe pyetja është nëse ky dështim në të udhëhequr i ministrit të Mbrojtjes ka të bëjë me paaftësinë e tij për të prirë, apo me ndonjë aferë korruptive ku mund të jetë përzierë. Në rast se e para është e vërtetë, ai duhet patjetër të japë dorëheqjen. Ndërsa për të dytën, i takon Prokurorisë të flasë. Dhe në fakt, sipas një informacioni konfidencial që kam, asaj, së shpejti, ndoshta do i duhet të flasë.
Informacioni që kam ka të bëjë me një raport investigativ të një gazete shumë të rëndësishme amerikane, i cili pritet të botohet në ditët e ardhshme. Sipas këtij informacioni, raporti do tregojë se ministri i Mbrojtjes Mediu është përzier në një aferë korruptive me pronarin e fabrikës së Gërdecit, aferë që ka të bëjë me një kontratë për municione. Unë s'mund të vë dorën në zjarr për saktësinë absolute të informacionit rreth ekzistencës së raportit, por ama, në qoftë se raporti botohet, mund të vë jo një, por dy duar në zjarr për seriozitetin dhe saktësinë e gazetës që do e botojë atë. Rrallë ka qëlluar që raportet investigative të asaj gazete të kenë qenë gabim, ndërkohë që shpesh ka qëlluar që politikanë të rëndësishëm të kenë dhënë dorëheqjen pas botimit të tyre. Apo më keq akoma, të kenë shkuar në burg.
panorama.
Krijoni Kontakt