Alarmi i agjencive të OKB-së. Cilësohet si “epidemi”. 4000 raste diagnostikohen çdo vit, pjesa më e madhe e tyre nuk mund të kurohen, për shkak se zbulohen shumë vonë
Kanceri po përhapet frikshëm në Shqipëri. 4000 raste të prekur nga kjo sëmundje diagnostikohen çdo vit dhe dy e treta e tyre zbulohen shumë vonë dhe nuk mund të kurohen. Kjo gjendje ka ngjallur shqetësimin e dy agjencive të OKB-së, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, IAEA. Këto dy agjenci kanë bashkuar forcat për t’i ardhur në ndihmë shtetit shqiptar në këtë situatë vërtet shqetësuese. Raportet e të dhënave për numrin e të prekurve nga kanceri dhe përhapjes së tij vit pas viti, janë me të vërtetë drastike për një popullsi si ajo e Shqipërisë. Sipas një raporti të botuar në faqen e Agjencisë së Energjisë Atomike, ku publikohen këto të dhëna, sqarohet se për një popullsi aq të vogël sa vendi ynë, prej afro 3.6 milionë banorësh, shkak i shtimit të rasteve të kancerit është ndryshimi i mënyrës së të jetuarit që pas regjimit të izoluar komunist. Sipas studimeve të bëra nga këto dy organizata, tashmë sëmundja e kancerit ka nisur të përhapet për shkak të ushqimeve, pirjes së duhanit, ndotjes së mjedisit, aktivitetit fizik, stresit, si dhe shumë faktorëve të tjerë që po ndihmojnë në përparimin galopant të kësaj sëmundjeje. Po sipas këtyre studimeve, që pas vitit 1990 kanceri në Shqipëri është bërë vrasësi i dytë pas sëmundjeve të zemrës. Organizata e Kombeve të Bashkuara nëpërmjet agjencive të saj, ka vendosur kontakte me mjekët shqiptarë të Institutit të Onkologjisë, për të ndihmuar në parandalimin e vdekshmërisë nga kjo sëmundje. Janë marrë disa masa për parandalimin e mëtejshëm të kancerit nga agjencitë e OKB-së. Sipas raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, programi i agjencisë së Energjisë Atomike të OKB-së që merret me terapinë e kancerit në bashkëpunim me OBSH-në, ka ndihmuar Shqipërinë të përpilojë një draft për kontrollin kombëtar të kancerit. Sipas këtyre agjencive, ata po e ndihmojnë Shqipërinë edhe me asistencë teknike, si me makineri dhe pajisje, por edhe me trajnime në sektorin e onkologjisë rrezatuese. Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kancerit në Shqipëri, ekspertët e shëndetësisë sugjerojnë një fushatë sensibilizimi për parandalim dhe diagnostikim të përhershëm. Por mjekët shqiptarë të pafuqishëm për ta ndryshuar situatën aktuale të krijuar në ambientet spitalore, kërkojnë ndihmë nga këto organizma ndërkombëtare, për të ndihmuar me ekspertizë dhe pajisje, në mënyrë që të parandalohen vuajtjet e kancerit.
Krijoni Kontakt