Klinika dentare pa licencë e si pasojë konkurrencë e pandershme. Jo pak, por rreth 300 klinika stomatologjike, pas verifikimeve të ministrisë, kanë rezultuar të palicencuara. Të ndodhur përballë kësaj situate, kryetarja e Shoqatës së Stomatologëve, Rozarka Budina thekson se kemi të bëjmë me një konkurrencë të pandershme mes klinikave që punojnë në të zezë. Ndërkohë ajo bëri thirrje që të gjitha klinikat të licencohen pasi tashmë këto procedura janë thjeshtuar së tepërmi. Ndërkohë, burime pranë ministrisë pohojnë se nuk do të ri-licencohen klinikat që punojnë në katet e sipërme të pallateve dhe se po përgatitet harta e shpërndarjes së tyre.
Klinikat
Ministra e Shëndetësisë ka identifikuar rreth 300 klinika stomatologjike të palicencuara në Tiranë. Ky fenomen sipas Shoqatës së Stomatologëve duhet të marrë fund, pasi kemi të bëjmë me një konkurrencë të pandershme mes atyre stomatologëve që janë në rregull me ligjin dhe atyre që nuk i përfillin këto ligje. Kështu, pa dashur të japë shifra të sakta, kryetarja e kësaj shoqate e pranoi këtë problem dhe shton se tashmë procedurat e licencimit janë thjeshtuar por ajo që konkurron është cilësia e shërbimit.
"Ekzakt nuk e di numrin pasi është dikush tjetër që merret me këtë, por flitet që ka edhe klinika të palicencuara por tashmë nuk ka vend që të punojnë në të zezë. Një licencim ka kushte të lehtësuara shumë, pastaj, normal që duhet të japësh vlerat e tua, në mënyrë që të marrësh ri-licencimin",- pohon Budina duke shtuar se arsyetimi për të punuar pa licencë është shumë i vjetruar.
Ministria
Sipas të dhënave nga Sektori i Stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë, rreth 300 klinika nuk figurojnë në listën e ri-licencimeve. "Ministra e Shëndetësisë vendosi të mos ri-licencojë klinikat stomatologjike në katet e sipërme të pallateve dhe tashmë është duke ndërtuar hartën e shpërndarjes së tyre",- pohojnë burime të ministrisë, duke shtuar se ndaj këtij sektori do të ketë inspektime dhe rregulla korrekte. Ndërkohë stomatologët që punojnë me licenca të rregullta dhe derdhin taksat, kërkojnë që të merren masa ndaj stomatologëve që punojnë në të zezë, pasi po iu bëjnë konkurrencë të pandershme.
MSH: Mos bllokoni pa arsye linjën falas të Urgjencës
Përdorimi i linjës falas të Urgjencës nga njerëz të papërgjegjshëm, duke rrezikuar jetën e atyre që kanë nevojë, ka nxitur dikasterin e Shëndetësisë t'u bëjë thirrje qytetarëve që të mos e përdorin pa arsye këtë linjë. "Çdo qytetar që ka nevojë për një kujdes të shpejtë mjekësor, që kërkon ndihmë mjekësore ose që dëshiroj t'ju vijnë në ndihmë personave të tjerë në nevojë për kujdes emergjent shëndetësor, mund të telefonojë falas në numrin 127",- pohojnë burime pranë MASH, duke iu bërë thirrje qytetarëve që për shkak të rëndësisë që ka Urgjenca Shëndetësore, të mos bllokojnë linjën dhe thirrjet në numrin 127, pasi probleme të tilla mund të kenë pasoja negative për shëndetin e pacientëve në nevojë emergjente. Sipas tyre, çdo spital dhe Drejtori e Shëndetit Publik, është urdhëruar të publikojë në vende publike numrat e urgjencave të spitaleve rajonale e lokale.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë po hartohen udhëzues të praktikës klinike
Shëndetësi, mjekët, me 5 Udhëzues për të ndihmuar pacientët
Hartimi dhe zbatimi i Udhëzuesve të shkruar të praktikës klinike më të mirë. Bëhet fjalë për tekste të përpiluara në mënyrë periodike, për të ndihmuar mjekët dhe pacientët, në marrjen e vendimeve të sakta në lidhje me shëndetin e tyre në situata të përcaktuara, me synim arritjen e një kujdesi shëndetësor të standardizuar dhe cilësor në vendin tonë. Ky është programi mes Ministrisë së Shëndetësisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore (BB) që kanë nisur krijimin e kësaj platforme. Kjo u bë e ditur dje gjatë Konferencës së Parë Kombëtare për Udhëzuesit e Praktikës Klinike të Bazuar në Evidencë. "Në vendin tonë është planifikuar që të fillojë njëherë përgatitja e 5 Udhëzuesve, si: mjekësia familjare, sëmundjet ishemike të zemrës, hipertensioni, diabeti dhe astma.
Pas përfundimit me këto fusha, puna do të vazhdojë hap pas hapi me patologjitë e tjera",- deklaroi drejtori i Politikave Shëndetësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Edmond Stojku. Sipas tij, ndryshe nga praktikat e deritanishme të hartimit të Udhëzuesve Klinikë që janë kryer përmes spontanitetit të profesionistëve, Ministria e Shëndetësisë po merr për herë të parë përgjegjësitë organizative, koordinative dhe financuese për hartimin e udhëzuesve të tillë në nivel kombëtar. Nga ana tjetër, dikasteri i Shëndetësisë garanton se do të respektojë rigorozisht pacenueshmërinë e pavarësisë profesionale, duke siguruar që përmbajtja teknike, profesionale e rekomandimeve për aspektet konkrete të diagnozës, terapisë dhe riaftësimit, të hartohen nga vetë personeli mjekësor, akademikët dhe specialistët më të mirë.
"Shekulli"
Krijoni Kontakt