-
Faktorët ndikues në shfaqjen e virozave dhe infeksioneve.
Me ardhjen e stinës së dimrit shtohet rreziku për të kaluar probleme shëndetësore me aparatin e rrugëve të frymëmarrjes.jo gjithmonë simptomat e shfaqura tregojnë për një epidemi gripi. Ato mund të sfaqen si viroza, pra sëmundje stinore, ku simptomat e shfaqura janë të ngjashme me ato gripale. Kjo periudhë është problematike, sidomos për të prekurit nga bronkiti akut dhe ai kronik. Për shkak të lagështirës së përqëndruar në ajër dhe temperaturave të ulëta mbartësit e kësaj patologjie mund të shfaqin komplikacione. Kolla e shfaqur te një i sëmurë është jo vetëm shenjë e ftohjes apo një gjendje gripale, por edhe simptomë tipike e bronkitit kronik. Kjo sëmundje prek bronket dhe ka për shenja kryesore kollën dhe sekrecionet bronkiale, të njohura në gjuhën e përditshme si gëlbazë). Kjo patologji konsiderohet kronike kur për 2 vjet rresht, gjatë 3 muajve të vitit, kryesisht në dimër, shfaqen këto dy shenja.
Faktorët ndikues
Disa nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e bronkitit kronik mund të përmendim duhanin, infeksionet mikrobike, viruset stinore dhe faktorët ambientalë. Faktorë rreziku përbëjnë faktorët ambientalë si: tymi i duhanit, ndotja e ajrit, infeksionet virale në moshë të vogël, faktorët individualë si: raca, seksi, mënyra se si reagojnë ndaj tymit të duhanit apo infeksioneve virale kur janë fëmijë, si dhe deficiti i alfa1-antitripsina e cila është një proteinë që prodhohet nga mëlçia, e pajisur me një efekt të fortë “mbrojtës: mbi strukturat polmonare. Duhani është shkaktari kryesor, sidomos te meshkujt, sepse nëpërmjet pluhurit dhe përbërësve kimikë që përmban, nikotina dëmton mukozën e brendshme të bronkeve, ul imunitetin dhe bën që këta persona të preken më lehtë nga infeksionet mikrobike apo viruset stinore, që janë ndër shkaktarët kryesorë të shfaqjes së bronkitit. Po ashtu edhe lagështia dhe i ftohti rrisin përqendrimin në ajër të lëndëve helmuese dhe toksike për mushkëritë, të cilat ulin imunitetin e organizmit dhe e bëjnë të preket më lehtë nga kjo sëmundje.
Komplikacionet
Bronkiti kronik përkufizohet si ndezja akute e rrugëve të mëdha të frymëmarrjes, bronkeve, e cila shoqërohet me kollë, sekrecion të hundës e temperaturë, si dhe simptoma të tjera të përgjithshme. Kjo sëmundje bën që i prekuri të ketë komplikacione të tjera duke qenë se prek rrugët e frymëmarrjes dhe pengon furnizimin e organizmit me oksigjen. Përveç se ndikon në cilësinë e jetës së pacientit, kjo sëmundje mund të çojë në insuficiencë të rëndë respiratore dhe atë që quhet zemër mushkërore. Kjo është një sëmundje mjaft e rëndë dhe shpesh fatale për pacientin. Ajo zë vendin e pestë në shkaqet vdekshmërisë ndër sëmundjet e përgjithshme.
Diagnostikimi
Diagnoza e bronkitit akut është një nga diagnozat më të shpeshta te mjeku i përgjithshëm edhe pse diagnoza dhe patofiziologjia e bronkitit akut janë shumë të paqarta. Diagnoza më e mirë do të ishte ndezje akute e traktit të frymëmarrjes, sepse rregullisht përveç bronkeve, janë të prekura edhe pjesë të tjera të traktit të frymëmarrjes.
Mjekimi
Pasi pacienti dallon simptomat e para e rëndësishme është që të bëjë një kontroll te mjeku i familjes. Po ashtu rekomandohet të mos pini duhan, sepse është ndër faktorët kryesorë në shfaqjen e këtyre problemeve. Bronkiti kronik nuk është plotësisht i kurueshëm. Me trajtimet që mund të bëhen, kjo sëmundje vetëm mund të përmirësohet.
Simptomat tipike me të cilat shfaqet viroza gripale
- Kollë e fortë
- Bllokim hundësh
- Sekrecione nga hunda
- Dhembje në kraharor
- Dobësi e përgjithshme trupore, debulesë
- Mungesë oreksi
- Dhembje koke
- Dhembje muskujsh dhe kockash
- Temperaturë jo e lartë
Viroza, specialistët ngurrojnë ta quajnë grip
Stina e dimrit edhe në vendin tonë është shoqëruar me shfaqjen e virozave gripale apo sëmundjeve të tjera të aparatit të frymëmarrjes. Në qendrat shëndetësore janë paraqitur mbi 13 000 raste me këto probleme e infeksione, të cilat specialistët e Institutit të Shëndetit Publik nuk janë të sigurt nëse është grip. Janë disa forma të shfaqjes së virozave duke u shoqëruar me simptoma që paraqesin ndryshime, edhe pse jo fort të dukshme. Për këtë, specialistët po analizojnë këto viroza për të gjetur faktorët ndikues dhe viruset që i shkaktojnë. Një formë e virozës shfaqet me kollë të vazhdueshme, një formë tjetër me temperaturë të lartë. Edhe pse moshat më të prekura mbeten fëmijët dhe të moshuarit, nëse kjo virozë është grip, atëherë numri i të prekurve do të jetë edhe më i lartë.
Trashëgimia faktor ndikues tek semundja
Trashëgimia njihet si një ndër faktorët ndikues për shfaqjen e bronkitit kronik. Veçse jo domosdoshmërisht trashëgohet te fëmijët apo te të afërmit e tjerë të pacientit me këtë sëmundje. Ai shfaqet vetëm nëse gjen terren të përshtatshëm për të shpërthyer, pra nëse te një person, përveç bazës gjenetike, ekzistojnë apo ndërhyjnë dhe faktorë të tjerë rreziku. Personat që punojnë në ambiente me pluhur si minierat, fabrikat tekstilet apo me lëndë kimike, e transmetojnë sëmundjen edhe tek fëmijët, apo personat e afërt. Bronkiti kronik vitet e fundit është bërë një patologji mjaft e përhapur. Këtu natyrisht që ka ndikuar rritja e nivelit të ndotjes së ajrit, problemet në infrastrukturën urbane, kushtet e ulëta teknike në ndërtim, etj.
Grupmoshat më të prekura nga bronkiti kronik
Grupmoshat më të prekura nga bronkiti kronik janë të moshuarit dhe fëmijët. Personat që pinë duhan ose qëndrojnë për një kohë të gjatë në ambiente ku pihet duhan janë më të rrezikuar për t’u prekur nga kjo sëmundje. Të predispozuar janë edhe ata persona që kanë nivel të ulët imuniteti, përfshi diabetikët apo personat e prekur nga sëmundje imunologjike. Natyrisht, edhe personat që kanë të afërm apo prindër të prekur nga bronkiti kronik. Meshkujt janë më të predispozuar për t’u sëmurë më tepër se femrat, sepse këto të fundit kanë një faktor imunitar mbrojtës më të fortë se meshkujt, kjo për shkak të hormoneve femërore që luajnë rol mbrojtës. Natyrisht që te meshkujt, përveç kësaj, ndikon edhe pirja e duhanit, punët në ambiente me pluhur etj.
Ndikimi i të ftohtit dhe luhatjes së temperaturës
Periudha më problematike për personat që kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes, veçanërisht të sëmurët me bronkit akut dhe kronik, është dimri. Në këtë periudhë i ftohti dhe luhatjet e theksuara të temperaturave ndikojnë në imunitetin e organizmit dhe krijojë terren për prekjen nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, që më pas gjenerojnë në bronkit. Personat e prekur nga bronkiti duhet të ndjekin disa rregulla të thjeshta, por që mund t’i ndihmojnë në eliminimin e komplikacioneve. Rekomandohet të mos pini duhan, sepse është ndër faktorët kryesorë ndikues për shfaqjen e këtyre problemeve. Në të njëjtën kohë këshillohet mosekspozimi në ambientet e ftohta, apo në publik dhe të shmangen agjentët irritues të sistemit të frymëmarrjes si tymi pasiv, pluhurat dhe ndotja e ambientit.
Tirana Observer
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt