
Postuar më parë nga
vagabondo_nyc
POLITIKA “MERCENARE” E TIRANES
Nga Stavri Marko
Disa ditë më parë, Kryeministri Berisha deklaroi se “në Samitin e ardhshëm të NATO-s më 2008, Shqipëria do të paguajë çdo çmim për t’u përfshirë në aleancën euroatlanike, duke u shprehur se jemi të gatshëm të çojmë trupa paqeruajtëse në Liban”.Po ashtu, vendi tjetër i Kartës së Adriatikut cili nuk u përfshi si edhe Shqipëria, Maqedonia, tregoi të njëjta simptoma moskënaqësie me vendimin e Presidentit Amerikan Bush, që të përfshihej në Rigë vetëm kërkesa e Kroacisë për anëtarësim në këtë organizatë edhe pse rreth 30% e popullatës në Kroaci nuk mbështet këtë vendim. Ndërkaq N/Sekterarja amerikane Rozmari Di Karlo, deshte të ngushëllonte Shkupin për progresin e pamjaftueshëm drejt reformave të kërkuara, ashtu si dhe Tirana, megjithë përpjekjet e saj për të bindur politikanët e atij vendi në vizitën e fundit në Maqedoni.
Por vendimi i Tiranës i ka bërë përshtypje njëkohësisht shumë agjenci të huaja lajmesh, të cilat e kanë fokusuar këtë eveniment si surprizë e një vendi të çuditshëm me shumë probleme, duke etiketuar këtë kërkesë si ofertë e një vendi që predominohet nga muslimanë pas vendimit që edhe Turqia, vend musliman do të dërgoi trupa në Liban. (Agjencia Amerikane AP)
Ajo çfarë më shtyn të bëj këtë analizë është vendosmëria e lidershipit shqiptar për të gjykuar ndërmjet interesave pushtet mbajtëse dhe moralit “inter patriotik” që kërkon të vetë përfaqësohet Tirana, në një formë zelli dhe servilizmi të pashembullt, për të treguar një gatishmëri që nuk e meriton si të tillë, pasi përfaqëson një vend “demokratik” por me politika konfliktuale të brendshme duke përdorur shpesh trukun ndërkombëtar si “vend musliman”, për të cilën ka nevojë të dëgjohen edhe qytetarët e tjerë ashtu si në Kroaci, pa çka se arroganca e pushtetit nuk ka kufij. Është i çuditshëm fakti që për të tilla vendime, edhe opozita hesht, pasi kur ishte në pushtet i ka shfrytëzuar beretat e gjelbra shqiptare si instrument për ta patur mirë me “vëllain e madh amerikan”. Tashmë, e dinë të gjithë që për ta patur sa më gjatë pushtetin, dërgo trupa me mercenarë dhe mandej për Shqipërinë, nuk e vret njeri veshin për të.
Më kujtohet Marsi i 97-ës, kur Shqipëria ishte nën Kërcënimin e Luftës Civile, një kronikë televizive e RTSH-së tregonte me krenari ndër të tjerash se “kontingjenti i ushtarëve paqeruajtës shqiptarë në Bosnjë, do të vazhdonte misionin e saj pavarësisht ngjarjeve në atdhe”. Ky kontingjent u kthyen në vendlindje që të merrte nën ruajtje institucionet kryesore shtetërore, pasi ushtria thuajse ishte shkatërruar ndërsa oficerë dhe ushtarë nuk u afroheshin depove të braktisura.
Paradoksialisht vërehet një tendencë tepër serioze e një politikani lider me një prapavijë të qartë që “për hatër të pushtetit personal, mund të shesw gjithçka, vetëm të tregohet pragmatist në sytë e botës (Uashingtonit)”. Kjo duket qartë kur Presidenti amerikan Bush, nuk përkrahu Tiranën në Samitin e ardhshëm të NATO-s në Rigë për tu anëtarësuar politikisht në këtë organizatë. Themi politikisht sepse kërkesat ndaj Tiranës janë thellësisht politike, ndërsa qeveria nga ana tjetër ja kthen me monedhë ushtarake, duke dashur tu bëjë qejfin amerikanëve duke parë interesimin e tyre për trupa ushtarësh në vende konfliktuale që lenë diskutime të hapura në të ardhmen madje edhe brenda aleancës ushtarake por edhe ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit.
Ndërsa krahasoja Shqipërinë në flakë të 97-ës dhe ironinë e trupave jashtë atdheut të vetë, ajo vërehet edhe sot me një tjetër formë por me përmbajtje të njëjtë. Sot ushtria jonë po reformohet deri në “palcë” e cila nënkupton një ndryshim rrënjësor të koncepteve primare politike dhe pastaj teknike. Ushtria shqiptare thuajse është e zhveshur nga armatimet e vjetruara, duke shërbyer në formën e rekrutimit të strukturave të sigurisë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të NATO-s duke thyer njëkohësisht një mit legjendar të krijuar nga koha e diktaturës sikur “kemi pasur një ushtri të fortë me tanke, aeroplanë, anije dhe nëndetëse, paçka se nuk kemi luftuar asnjëherë ose së paku të tregonim se dinim ti përdornim këto armë”. Ato tashmë janë një relike, historia e të cilave po shfrytëzohet edhe mediatikisht nga të përditshmet shqiptare për të patur sado pak ndikim elektoral.
Ky paradoks është shndërruar në pragmatizëm për të përdorur beretat e gjelbra shqiptare, në misione “paqeruajtëse” jashtë vendit, kur njëkohësisht siguria e Shqipërisë është vënë në pikëpyetje nga vetë ekspertët e NATO-s. Ky paradoks vazhdon të ketë jehonë të pamoralshëm në opinion, në një kohë që kufijtë e Shqipërisë thuajse kontrollohen rreptë dhe financohen prej Brukselit, si pjesë e një rajoni të rrezikshëm të gatshëm për të shpërthyer në konflikte etnike si dhe në shënjestër nga terroristët që vijnë nga lindja. Për më tepër, ky paradoks bëhet gjithmonë dhe më interesant kur ndërmjet Shqipërisë dhe vetë Libanit, ekzistojnë shumë të përbashkëta gjeopolitike, ose si një shëmbëlltyrë që Tirana në aspektet e stabilitetit politik është më afër modelit Libanez.
Dhe megjithatë mësojmë lajmin se “Tirana është e Gatshme të dërgojë të tjerë trupa paqeruajtësish, pra të tjerë nizamë apo mercenarë “Made in Albania” nën koston e madhë të taksapaguesve shqiptarë. Dhe pse bëhet kjo, vetëm për një sfidë “ta kemi mirë me vëllain e madh, domethënë ta ketë lidershipi ynë, ndërsa Uashingtonit i duhen trupa shtesë në çdo cep të botës. Ky paradoks vazhdon kur dëgjon se vetë Britania e Madhe, vendosi të tërheqë trupat e saj prej Iraku. Mos vallë Tirana në këtë rast duhet të zëvendësojë Londrën për partneritet të ngushtë, kur vetë propozon trupa të gjelbra në Liban?
Megjithëse nuk do të më pëlqente, por duke parë numrin e madh të rekrutëve mercenarë kryesisht nga vende të botës së tretë, që sot rekrutohen nga vende potencialisht të tilla si SHBA, Francë dhe Britani e Madhe dhe dërgohen në misionet ndërkombëtare kostoja e të cilëve përballohen nga po ato shtete, çdo kush mund të pyeste; “A kini nevojë për shqiptarë se ndoshta mund të shtohen mijëra helmeta të gjelbra për tju ndihmuar? Atëherë paguajini dhe hapni kazermat për rekrutë dhe dërgojnë me uniformat e mësipërme!” .
Dhe kështu ndoshta marrim pak atë “famë të humbur, se kemi qenë ndër shekuj luftëtarë, por jo në Shqipëri, jashtë saj, si mercenarë të Turqisë apo Italisë fashiste”. Fjala e kryeministrit Berisha për “çdo çmim të hyjmë në NATO”, qofshin këta mercenarët shqiptarë, duhet përkthyer ndryshe: ky është një pragmatizëm i pamoralshëm, që lidershipi kërkon ta shfrytëzojë për demagogjinë e pushtetit, Përpara se të bëhet një thirrje e tillë, vetë lideri i vendit duhet të shprehet se ku është me kërkesat politike të NATO-s ndaj Tiranës, në respektimi e të drejtave dhe lirive të njeriut, në ngritjen ekonomike të mirëqenies në Shqipëri, të sigurisë së kufijve dhe kërkesat e vazhdueshme ndaj kërcënimit të terrorizmit, të respektimit të shtypit të lirë, të pronësisë dhe mbi të gjitha të procesit të rregullt dhe të pa kontestueshëm elektoral, të sigurisë së votës nëpërmjet pajisjes me kartën e identitetit dhe sigurimin e vazhdueshëm të institucioneve të pavarura.
gazeta SOT
Krijoni Kontakt