Adriatik 3", angazhim i përbashkët për anëtarësim në NATO - Gjatë një takimi të ministrit të mbrojtjes Majko, në konferencën e Mynihut -
TIRANE, 9 Shkurt/ATSH/.- Iniciativa "Adriatik 3", që përfshin bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë në përpjekjet për anëtarësim në NATO, ishte në qendër të një takimi të përbashkët të zhvilluar sot (e Dielë) në Mynih, mes Ministrit të Mbrojtjes Pandeli Majko, senatorit republikan amerikan Mc Cain, senatorit demokrat amerikan Libermann, Ministrit të Brendshëm të Maqedonisë, si dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë, Milanoviç. Zëdhënësja e Ministrit të Mbrojtjes, bëri të ditur se ky takim u zhvillua gjatë seancave të ditës së dytë të Konferencës 39-të Ndërkombëtare për "Politikën e Sigurimit", në Mynih të Gjermanisë. Gjatë këtij takimi, u theksua angazhimi i përbashkët i tre vendeve Ballkanike, si pjesmarrëse aktive në të gjitha iniciativat e SHBA-së dhe NATO-s, në dobi të sigurisë, paqes dhe lirisë së popujve, rreshtimi në luftën kundër një rreziku global, sikurse është rasti i qëndrimit ndaj Irakut. Senatori amerikan Mc Cain, vlerësoi reformat e sukseshme të ndërmarra në Forcat e Armatosura shqiptare dhe shprehu besimin në shanset e mira të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në NATO në samitin e radhës. /xh.c/en.ko/
2003-02-09
Krijoni Kontakt