Mitrovicë: Serbët hyjnë dhunshëm në Gjykatë
enlarge
Mitrovicë
14.03.2008
Arton Konushevci
Rreth 150 protestues serbë kanë arritur sot në mëngjes të depërtojnë dhunshëm në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në Mitrovicë. Njoftohet se protestuesit kanë shfrytëzuar gjashtë autoambulanca për të demoluar dyert në oborrin e kësaj ndërtese, mbi të cilën tash valëvitet flamuri i Serbisë.
Rreth 150 protestues serbë kanë arritur sot në mëngjes të depërtojnë dhunshëm në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe të Qarkut në Mitrovicë. Njoftohet se protestuesit kanë shfrytëzuar gjashtë autoambulanca për të demoluar dyert në oborrin e kësaj ndërtese, mbi të cilën tash valëvitet flamuri i Serbisë.
Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se protestuesit janë përplasur fillimisht me njësitet speciale të policisë, por në vijën e parë të turmës, sipas zotit Hoti, protestuesit kanë vënë kryesisht gratë.
“Një grup protestuesish me pjesëmarrje prej 150 personash, kanë arritur që me forcë të demolojnë dy porta të rrethojave dhe më pas të futen në objektet e Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale në Mitrovicë. Protestuesit e mbështetur nga punëtorët e qendrës spitalore, me së paku gjashtë vetura ambulatore, kanë arritur që fillimisht të demolojnë portën hyrëse që shpie në drejtim të rrugës për në oborrin e këtyre gjykatave. Njësitet e specializuara të policisë së UNMIK-ut kanë bërë përpjekjet e tyre maksimale për t’i ndaluar protestuesit e rebeluar, të cilët në linjë të parë kishin inkuadruar kryesisht gra dhe nga prapavija vazhdimisht po sulmonin forcat policore me mjetet forta të metalit dhe gurë”, bëri të ditur Hoti.
Zëdhënësi i SHPK-së për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka sqaruar se ish-punonjësit serbë të gjykatave, në ndertesën e gjykatës kanë vendosur flamurin serb.
“Një numër i protestuesve që konsiderohen të jenë ish-punëtorë të kësaj gjykate, kanë hyrë në objektet e gjykatave, duke zhvendosur flamurin e Kombeve të Bashkuara. Kjo është e tërë situata që është paraqitur deri në këto momente. Ndërsa, policia ka ftuar edhe përfaqësuesit rajonalë të UNMIK-ut”, tha Hoti.
Nga ana tjetër, Miodrag Raliq, përfaqësues i protestuesve në Mitorvicë thotë se punëtorët serbë të gjykatave nuk kanë pasur kurrfarë kushtesh. Ata, madje, sipas tij, janë përzënë dhe nuk kanë mundur të marrin asnjë lëndë deri më tash, për dallim nga shqiptarët, të cilëve, siç tha zoti Ralic, UNMIK-u dhe komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë të paligjshme, ua ka mundësuar të punojnë gjatë gjithë kohës.
“Ne do të mbetemi këtu dhe do të presim që arkiva e kësaj gjykate të bartet në jug të qytetit dhe që punonjësit serbë të jenë në gjendje të vazhdojnë punën e tyre”, tha Raliq.
Ndryshe, përfaqësuesi rajonal i misionit ndërkombëtar, Gerard Galuci, ka pasur një një takim me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Serb, ku, sipas zëdhënësit të UNMIK-ut për Mitrovicën, Gorgi Kaku, Galuci u ka thënë atyre se nuk e pranon këtë mënyrë të komunikimit dhe se veprimet e tilla janë të patolerueshme.
Ndërsa në një takim të përbashkët në mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut dhe kryeministrit Hashim Thaçi, u diskutua situata në Mitrovicë pas ndërhyrjes së dhunshme të disa personave në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë dhe heqjes së flamurit të OKB-së nga ky objekt.
Ishte kërkesë e përbashkët për PSSP-në, z. Joachim Ruecker, që forcat e sigurisë të Policisë së UNMIK-ut dhe të KFOR-it të reagojnë urgjentisht për nxjerrjen e huliganëve jashtë objektit dhe mbrojtjen e tij të vazhdueshme, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.
Krijoni Kontakt