Policia nuk ka ende një autor, por ka hedhur poshtë pistën e konfliktit të pronësisë
Policia e Fierit nuk e ka identifikuar ende autorin e ekzekutimit të 31-vjeçarit Muhamet Feleqi, në fshatin Ngjeqar. Sipas nëndrejtorit të Policisë së Qarkut Fier, Artan Cuku, mbi 30 persona janë shoqëruar për t‘u pyetur për rrethanat e ngjarjes, por ende nuk është firmosur një urdhër-arrest për ndonjë prej tyre. Cuku pohon se "mes të shoqëruarve të shumtë ka bashkëfshatarë të 31-vjeçarit, si dhe të afërm të tij, përfshi këtu vëllezër dhe kushërinj". Që në momentin e mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes, menjëherë pas krimit, si dhe gjatë gjithë ditës së djeshme, grupi hetimor ka punuar pa u shkëputur për asnjë moment, me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit të krimit. Burime zyrtare nga Policia e Fierit konfirmojnë faktin se autori i këtij krimi monstruoz dyshohet të jetë pikërisht nga fshati. Këto burime nuk duan të kanalizojnë të dyshuar, por deklarojnë se "grupi hetimor ka mundur të nxjerrë një motiv të saktë për ekzekutimin e Muhamet Feleqit. Motivi është ai i xhelozisë së autorit, pas ndonjë lidhjeje të fshehtë që 31-vjeçari mund të ketë pasur me bashkëshorten e autorit. Të gjithë personat që janë marrë në pyetje, si dhe dëshmitarët nga fshati, kanë pohuar faktin që 31-vjeçari Muhamet Feleqi kishte sjellë shqetësime të shumta mes çifteve bashkëshortore të fshatit, ndoshta edhe brenda familjes së tij". Një ditë pas ngjarjes, si dhe pas dokumentimit të më shumë se 30 dëshmive, policia ka hequr si pistë hetimi atë të konfliktit për pronën, pasi Muhamet Feleqi nuk ka përplasje pronësie me asnjë nga bashkëfshatarët. Pretendimi për mullirin mes vëllezërve apo dhe kushërinjve është ende duke u hetuar, por asgjë nuk ka siguruar policia nga dëshmitë e marra. Dëshmitë kanë faktuar vetëm karakter jo të qëndrueshëm dhe serioz të 31-vjeçarit të vrarë. "Natyra e krimit dhe provat e pakta që janë lënë në vendin e ngjarjes, si dhe mungesa e gjurmëve, ka vështirësuar punën e grupit hetimor. Feleqi nuk ka mbartur asnjë konflikt të vjetër, qoftë edhe nga periudha e shkurtër kur ka qenë emigrant në Greqi, ndërkohë që edhe me aktivitetin e përbashkët me vëllezërit ai nuk ka pasur debate", thonë burimet nga grupi hetimor. Për këtë arsye, hetuesit janë fokusuar te marrëdhëniet që ka pasur i riu me femrat, për të gjetur këtu motivet e krimit të rëndë.
G.Shqip
Krijoni Kontakt