Mirë kishat, po xhamitë përse nuk i vjedhin?
E grabitën dhe një kishë të martën. Diku andej nga Fieri, pranë Libofshës, në një fshat me emrin Agim. E lexova në gazetë. Si gjithnjë andej nga faqet më pak të rëndësishme. Sepse vjedhja e kishës nuk është më lajm. Ka vite që ndodh dhe njerëzit janë mësuar. Edhe unë jam mësuar. Por dy pikëpyetje të mëdha më rëndojnë ende lidhur me këtë histori. E para, përse vidhen vetëm kishat dhe asnjëherë xhamitë në këtë vend? E dyta, si ka mundësi që autorët e këtij krimi nuk kapen asnjëherë nga policia. Mister… Mister… Mjafton të jeni pak të vëmendshëm kur lexoni këtë lajm në shtyp dhe do më kujtoni për këto që ju them. Ja për shembull, çfarë thoshte lajmi që edhe ju e keni lexuar apo dëgjuar rreth grabitjes së dy kasafortave të kishës në fshatin Agim të Fierit këtë të martë që lamë pas…
“…Pasi kanë thyer xhamin e dritares dhe kanë bërë të mundshme sipërfaqen e nevojshme për të kaluar, kanë hyrë në brendësi të kishës. Hajdutët kanë arritur të marrin dy kasaforta prej hekuri, ku besimtarët hedhin lekët gjatë kryerjes së riteve fetare. Kasafortat mësohet se kanë qenë të mbyllura me kyç. I pari që ka konstatuar vjedhjen ka qenë roja i kishës, i cili ka lajmëruar menjëherë priftin e kishës. Ky i fundit nga ana e tij ka lajmëruar policinë e Fierit. Prifti dhe njerëzit e kishës në denoncimin e tyre kanë konfirmuar se dy kasafortat e grabitura kishin shuma të mëdha lekësh dhe se ato nuk ishin hapur qysh nga dhjetori i vitit 2007, me qëllim përdorimin e këtyre parave për festat e Pashkëve që bëhen pas pak javësh. Policia ka grumbulluar prova të kësaj vjedhje si dhe shenja gishtash që ndoshta korrespondojnë me ato autorëve të këtij krimi. Prej shumë vitesh, shumë kisha në qytete e fshatra të ndryshme të vendit janë vjedhur dhe grabitur, por autorët e tyre kanë mbetur gjithnjë anonimë…”
Ja pra me pak fjalë historia më e fundit, dhe në pothuajse të gjitha rastet e vjedhjes apo grabitjes së institucioneve të kultit, e para ato janë vetëm kisha, e dyta autorët mbeten gjithnjë anonimë. E tmerrshme! Ndoshta, e tmerrshme jo dhe aq. Por interesante po! Shumë interesante! Koincidencë, mund të thotë dikush? Ndoshta. Por le të shohim disa pista të tjera përderisa koincidenca është vetëm njëra prej tyre… Deri sa të zbulojmë të vërtetën që pale se ku fshihet…
Përse vetëm kishat dhe jo xhamitë? Thonë se kishat janë më të pasura, d.m.th., grumbullojnë gjithmonë të ardhura nga besimtarët e tyre. Në fakt nuk di se si e bëjnë myslimanët për të mbajtur dhe mirëmbajtur objektet e tyre fetare. Mesa di e dëgjuar, në xhami nuk hedhin lekë. Dhe nëse është kështu, atëherë nuk ka arsye të vidhen xhamitë. Por edhe në rastet kur nuk vjedhin lekë në kisha, kanë gjithsesi ç’të marrin. Kisha ka gjithnjë objekte dhe sende me vlerë të çmuar. Ndërsa në xhami nuk është se gjen vepra të tilla të cilat mund t’i shesësh e të fitosh para. Mbase myslimanët kanë teqetë për të mbajtur sendet e tyre me vlerë, të paktën kasafortën. Se është e pamundur që teqeja të mos ketë kasafortën e saj. Nuk ka asnjë institucion shtetëror, publik apo fetar që nuk ka kasafortën e vet. Pra edhe teqeja. Por kujdes! As teqeja nuk është vjedhur ndonjëherë! Të paktën nuk e kemi parë ndonjë lajm të tillë. E çuditshme! Pra? Keqbërës të caktuar myslimanë nuk vjedhin asnjëherë në shtëpitë e tyre të kultit, por në shtëpitë e kultit të të tjerëve? Kjo mund të ishte një pistë, pra hipotezë, nëse do të rezultonte e vërtetë, e cila do të na jepte një përgjigje se përse vetëm kishat dhe jo xhamitë apo teqetë.
Por një pistë e dytë do të mund të ishte edhe kjo tjetra, që mund të jenë vetë njerëz të kishës që vjedhin vetë kishën. Nuk është nevoja të përfshijmë dhe priftin në këtë hipotezë, kjo do të ishte e tepërt, por jo e pamundur. Përderisa kemi parë e dëgjuar priftërinj pedofilë, pse jo dhe priftërinj hajdutë. Në fund të fundit, a nuk lahen të gjitha mëkatet në kishë? Po nejse… që t’i rikthehemi edhe njëherë kësaj piste, nuk ju duket dhe ju pak e ekzagjeruar që gjithnjë sa herë vidhet një kishë, roja mbetet shëndoshë e mirë? Jo për ndonjë gjë, por do kishim dëgjuar a lexuar të paktën ndonjë rast, për shembull “…pasi e grabitën dhe e dhunuan kishën, autorët me maska qëlluan me armë dhe rojen, i cili nuk arriti dot gjallë në spital…”. Jo, jo, as që bëhet fjalë. Roja është gjithnjë i pari që e merr vesh grabitjen në mëngjes dhe merr direkt priftin në celular. Në fund të fundit, njeri është dhe roja i natës. I vjen gjumë natën. Janë të lezetshëm rojet. Sidomos këta të kishave…
Mund të ketë dhe një pistë të tretë, si për shembull, grabitja e kishës nga vetë besimtarë të ndryshëm, të cilët, mund të bien papritur në varfëri ekstreme dhe nuk kanë me se të ushqejnë kalamajtë e tyre. Për këta keqbërës amatorë dhe deri diku të pafajshëm, vendi më i mirë për të dalë shpejt e shpejt nga situata e rëndë në të cilën kanë rënë, është të fusin duart atje ku edhe ata kanë hedhur kontributin e tyre. Për më tepër, për këta humanë të dëshpëruar, ato lekë janë të Zotit dhe Zoti di të falë apo jo…
panorama
Krijoni Kontakt