Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565

    Një shqiptar, më i miri i baletit grek

    Një shqiptar, më i miri i baletit grek

    09/03/2008 - 10:59-gazeta shqiptare

    Kush është Danilo
    • Ai është 30 vjeç dhe vjen nga Tirana. Ka ardhur në Greqi në vitin e trazirave të 1997-ës. Danilo është ndoshta ndër të paktët balerinë të karrierës, i cili baletin megjithëse e kishte shumë pasion, filloi ta mësojë në mënyrë sistematike jo në moshën 5-vjeçare (ashtu si gjithë fëmijët e tjerë), por në shkollën e mesme. Pasi përfundoi Shkollën e Baletit, ai u emërua në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe qëndroi atje për pak kohë. Një ftesë e papritur i vjen në vitin 1997, për në Zvicër, për një specializim ku veç tij ishin zgjedhur edhe tre kolegë të tjerë shqiptarë. Pas dy muaj qëndrimi në Zvicër, ai u rikthye në Tiranë, në momentin kur plasën trazirat e vitit 1997. E ardhmja i dukej e turbullt, ashtu siç u dukej atë vit gjithë shqiptarëve. Kjo vazhdoi deri atë ditë, kur aeroporti i Rinasit u rihap për fluturimet e kufizuara ndërkombëtare të asaj periudhe. Ai mundi t’i hipte avionit të parë që mbërrinte në Greqi, duke pranuar kështu një ftesë që i ishte bërë nga një trupë private baleti. Ishte një periudhë shumë e vështirë për Shqipërinë dhe Danilo pranoi menjëherë, pa e menduar për herë të dytë atë propozim.
      Pas 5 vjet qëndrimi në Greqi, Danilo më në fund u pranua në trupën e baletit në Teatrin e Operas dhe Baletit në Athinë, ku vazhdon të punojë edhe sot, si një ndër balerinët kryesorë të kësaj trupe. Ka interpretuar në vepra si “Karmen”, apo “Zorba”, me kompozitorin grek Miki Theodhoraqis, apo në “Liqeni i mjellmave”, me koreografin e njohur rus, Ilea Zaleski. Ka marrë pjesë në shfaqjet klasike më të rëndësishme të kryeqytetit helen, apo në Evropë si dhe në aktivitete apo festivale ndërkombëtare. Në shtator të vitit 2004, ishte Danilo ai që në Pazarin e Vjetër të Athinës ndezi pishtarin e lojërave paraolimpike. Deri para pak muajsh, imazhi i tij ishte pjesë e një fushate publicitare kombëtare në Greqi. Ai ishte në qendër të reklamave në metronë e Athinës, në vendet publike e në çdo hapësirë tjetër të përdorur për fushatën. Ka kërcyer në të gjitha buzuqet me të gjithë këngëtarët e njohur grekë.



    Janë krenaria e vendit tonë, por edhe e vendit ku ata punojnë dhe jetojnë prej më shumë se dhjetë vjetësh. Janë kërcimtarë të talentuar,
    që për një arsye a tjetrën u detyruan të largohen prej vendit të tyre, Shqipërisë, për të ardhur në Greqi e për të përfaqësuar me dinjitet shkollën nga kishin ardhur.
    Ata u bënë pjesë e rëndësishme e trupës së baletit në Teatrin e Operas dhe Baletit në Athinë, (Liriki Skini) dhe në teatrin “Roes” të Sofia Spiratus. Ata janë dhjetë kërcimtarë dhe mes tyre është dhe Danilo Zeka, i cili këto ditë u shpall si “kërcimtari i parë” në trupën e baletit të Teatrit të Operas dhe Baletit në Athinë. Dhe kjo erdhi si rezultat i një pune këmbëngulëse shumëvjeçare. Ai është një djalë me energji e ëndrra dhe shumë kërkues ndaj vetes.

    Danilo, si e përshkruan ditën e ikjes nga Shqipëria dhe ardhjen në Greqi?
    “Ishte periudhë e vështirë në vendin tim. Pas kthimit nga Zvicra, në të cilën isha për një specializim dhe unë, ishte një eksperiencë shumë e mirë për mua, si nga ana profesionale edhe nga ajo kulturore, jo se vite më parë nuk kishim eksperienca të tilla. Gjatë viteve të shkollës kishim marrë pjesë në shumë turne, si në Francë, Hungari e Serbi. Në vitin 1994, ne fituam dhe çmimin e parë në një festival të organizuar për kërcimin tradicional, midis shumë vendeve të tjera. Për moshën tonë, këto ishin eksperienca të çmuara. Por, specializimi në Zvicër ishte më profesional. Kur u kthyem në Shqipëri, unë dhe një shok tjetër, patëm një tjetër mundësi për të mbyllur një kontratë të re me Gjenevën për një aktivitet atje. Por për fatin tonë të keq, në vitin 1997 u mbyllën ambasadat dhe kështu që humbëm lidhjet. Për fatin tonë të mirë, ne kishim një mësues që kishte ardhur në Greqi më herët, bashkë me familjen e tij, ai quhej Dak Kostuni dhe na bëri një ftesë mua dhe shokut tim për të ardhur këtu. Na dhanë vizë tremujore, e cila për ne ishte rasti që prisnim. Nuk mund të kundërshtonim, sepse kishim ngelur në tako, siç i them ne andej, (pa asnjë dyshkë në xhep). Ardhja në Greqi dhe prezantimi i parë me grekët mund të them se ishte nga përvojat e mia më të mira. Sa panë pasaportat e vizat në aerodrom, na shikuan me një sy tjetër. Për herë të parë në jetën time ndjeva racizmin, nuk e kisha përjetuar ndonjëherë një gjë të tillë. As në vendet e tjera që kishim shkuar më parë. Për të hyrë në tokën greke, që të besonin se ne ishim kërcimtarë, na u desh të bënim një version kërcimi. Ne vendosëm të kërcenim dhe ata po talleshin. Atëherë, të ndjerë të fyer nga qëndrimi i tyre, edhe ne filluam të talleshim me ta në gjuhën shqip, ndërsa ata në gjuhën greke. Ishte një pritje jo e mirë për një vend demokratik. Më vonë erdhi menaxheri të na merrte, ndërkohë që unë isha shumë i nevrikosur me policët për këtë trajtim kaq ofendues. Këto kanë qenë dhe përshtypjet e para për Greqinë”.

    Cilën pëlqeni më shumë, kërcimin në qendrat e argëtimit apo ato me trupën e baletit?
    Unë kam studiuar për kërcimin klasik, por këtu nuk dua të nënvlerësoj punën që bëj në qendrat e argëtimit (buzuqet), sepse ajo është një traditë e këtij vendi dhe një tjetër lloj përvoje edhe për ne, dhe natyrisht një burim më shumë të ardhurash. Unë kam pasur gjithmonë një bashkëpunim të mirë pothuajse me të gjithë këngëtarët në programet e të cilëve jam aktivizuar. Një nga bashkëpunimet më të mirë që do të mund të përmendja, midis shumë prej tyre, ka qenë me Notis Sfakinakis, i cili do të thosha se ka cilësi në programin që jep dhe është tepër i kujdesshëm në punën e tij. Ai është shumë afër nesh dhe shumë i komunikueshëm. Një tjetër bashkëpunim shumë i mirë ka qenë dhe ai që kam pasur me Keti Garbi. Jam aktivizuar gjithashtu edhe në disa shfaqje televizive me koreografin e njohur, Foka. Me trupën e baletit kam pasur fatin e mirë të kem shumë role kryesore. Jam shumë i kënaqur me ato që kam arritur të bëj, sepse dihet që në art, në përgjithësi ka shumë konkurrencë.
    Pas një përpjekjeje kaq të madhe për të arritur këtu ku jeni sot, a e ndjeni veten më të kompletuar, qoftë nga ana shpirtërore ashtu edhe nga ajo profesionale?
    Arti në Greqi nuk vlerësohet aq sa vlerësohet në vende të tjera. Unë vetë në Greqi kam arritur shumë në krahasim me çfarë afrohet. Kam pasur oferta të shkoja në Angli, në trupën e baletit të Teatrit Mbretëror në Londër, si dhe në Amsterdam. Nuk pranova, sepse jam një karakter që dua të jetoj edhe jetën. Në Europë kërkesat profesionale janë të mëdha dhe jeta atje është më monotone se këtu, për faktin e thjeshtë se punon shumë dhe nuk të mbetet aspak kohë për veten. Nga kjo anë, në Greqi ndihem shumë i kënaqur, pasi arrij të argëtohem, të takohem me njerëzit dhe miqtë e mi.

    Për cilën arsye do të falënderoje Shqipërinë për atë që ti e ndjen se e ke fituar atje, dhe çfarë ke përfituar profesionalisht dhe personalisht nga Greqia?
    Siç e përmenda më lart, Shqipëria dhe Greqia ngjajnë, por për atë që unë i jam mirënjohës vendit tim, është shkolla e mirë që ne kishim dhe mësuesit tanë, të cilët më dhuruan një bazë të shëndoshë, jo vetëm nga ana edukative, por na mësuan ta jetonim artin, që të mund të jepnim rezultate të mira në të ardhmen dhe të kapërcenim çdo vështirësi. Vështirësitë që kaluam atje, na bënë të piqemi para kohe. U jam mirënjohës prindërve të mi që më kanë dhënë shumë gjëra, edhe pse mundësitë kanë qenë të kufizuara. Në Greqi, u jam mirënjohës njerëzve për besimin që treguan tek unë. Besoj se po të mos kisha praktikuar ato që kisha mësuar në vendin tim, nuk do të kisha arritur as çerekun e kësaj që kam arritur sot. Në Greqi ndihem i plotësuar.

    Ditët e fundit jeni shpallur “Kërcimtari i parë” i trupës së baletit në Liriki Skini. Si ndiheni për këtë?
    Është e vërtetë dhe ndihem mirë që gazeta jonë, se kështu e quajmë ne “Albania Press”, po e pasqyron këtë temë. Ndihesh shumë mirë kur shikon se një lajm të tillë, përveç shtypit grek, e pasqyron edhe shtypi shqiptar këtu. Nëpërmjet gazetës suaj kam ardhur më afër problemeve të bashkëpatriotëve të mi. Kthehemi te tema, ndihem shumë i kënaqur sepse është arritje shumë e madhe, sidomos për një të huaj.

    A e vizitoni Shqipërinë?
    Shkoj dy herë në vit për të parë prindërit dhe për t’u çmallur me vendin tim, me shokët e mi, ata që vazhdojnë të jetojnë atje ose që kanë ardhur nga vendet ku banojnë. Ndjek me vëmendje zhvillimet në vendin tim, pavarësisht se shpesh ndjehem i zhgënjyer, i mallëngjyer, si çdo shqiptar i cili pret që vendi i tij të jetë sa më mirë. Ajo që më pëlqen më shumë është se artit në vendin tim ka filluar t’i jepet një vend i rëndësishëm si më parë.

    Si e kaloni kohën e lirë?
    Nuk kam dhe shumë kohë të lirë, pasi kemi shumë prova, ose edhe shfaqje. Më pëlqen të argëtohem. Edhe pse mund të jem i lodhur, e gjej kohën për të luajtur bowling apo të shkoj në kinema, e cila më pëlqen shumë.
    A mendoni se shqiptarët janë të integruar në shoqërinë greke?
    Shqiptarët që njoh unë, them se janë integruar shumë mirë dhe jetojnë mirë. Nga bisedat që kam pasur me të afërmit e shokëve të mi, kam dëgjuar se ka shqiptarë të tjerë që kanë probleme të ndryshme. Dhe problemi kryesor vazhdon të jetë dokumentacioni dhe gjendja e vështirë problematike që krijon ai. Pajisja me dokumente u merr shumë kohë dhe të ardhura.
    Në qoftë se do të bëhej një propozim për të kërcyer në Shqipëri, a do të shkoje?
    Po, pa u menduar, sepse më kanë munguar shumë duartrokitjet e vendit tim dhe besoj jo vetëm mua, por të gjithë kërcimtarëve tanë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Dua të them se në Shqipëri, ne nuk na njohin fare, as shtypi, as televizioni nuk është interesuar të merret me ne. Për shembull, më bëhet qejfi që është shkruar për Kledi Kadiun dhe për ato që ai ka arritur në Itali, por ndihem disi i mënjanuar që edhe ne nuk jemi kujtuar nga vendi ynë. Ne kemi arritur edhe më shumë gjëra se kërcimtarë të tjerë shqiptarë në Europë. Mendoj se media duhet të pasqyrojë punën e të gjithëve, në mënyrë që ne të mund të njihnim edhe më mirë njëri-tjetrin dhe të mos ndiheshim kaq të “larguar” nga vendi ynë. Lexova në gazetën tuaj ardhjen e ministrit të Kulturës, i cili vizitoi Greqinë për rikthimin e statujave. Nga njëra anë u gëzova për kthimin e statujave, por nga ana tjetër u ndjeva i mënjanuar. Askush nga ne nuk ishte i ftuar. Besoj se nuk janë të informuar për artistët dhe intelektualët shqiptarë në përgjithësi që ka Greqia. Nuk ka një organizim të mirë si nga ambasada, ashtu edhe nga ne. Besoj se mund të bëhet diçka me ambasadën këtu, që të krijojmë lidhjet me Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, për të pasur aktivitete të përbashkëta të artistëve që ndodhen këtu dhe atyre që ndodhen në Shqipëri.

    Cilat janë shfaqjet që po përgatiteni tani?
    Në muajin prill do të vihet në skenën e teatrit “Roes”, pjesa “Elektra”, në të cilën do të kem rolin e Orestit. Kurse në maj, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit (Liriki Skini) do të vihet pjesa e titulluar “Zhizel”, ku do të kem rolin e Albertit, të dashurit të Zhizelit. Na duhet të bëjmë shumë prova jo vetëm për interpretimin si kërcim, por edhe për interpretimin nga ana e aktrimit që përmban roli, për ta përcjellë sa më mirë te spektatori. Në skenë ndjehem gjithmonë mirë dhe e jetoj atë që bëj.

    Jeni i dashuruar me profesionin tuaj. Po në jetë, a jeni i dashuruar?
    Është e vërtetë që jam shumë i pasionuar me profesionin tim. Në jetë po, jam i dashuruar. Me karakterin që kam do të ishte e pamundur të isha vetëm. Vetmia nuk më pëlqen aspak. Kam pasur fatin e mirë që gjithmonë kam pasur pranë njerëz që më duan dhe i dua.

    (Marrë nga gazeta Albania Press që botohet në Greqi)
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  2. #2
    hajd shyqyr nji lajm i mire. se po i kaloja me rradhe te gjitha

Tema të Ngjashme

  1. Si u grabit ari nga pushteti komunist ne Shqiperi.
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 03-04-2015, 10:52
  2. Ç'mendim keni për nacionalizmin shqiptar?
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 45
    Postimi i Fundit: 25-09-2012, 16:09
  3. Partia Islamike Shqiptare
    Nga Hyllien në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 104
    Postimi i Fundit: 27-03-2004, 12:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •