Fletëthirrje për Tabene dhe Muharrem Hysenajn, të vdekur më 1971 dhe 1999
Një ngjarje e rrallë ka ndodhur dje në Gjykatën e Fierit. Dy të vdekur janë thirrur të dëshmojnë në një gjyq për çështje pronësie. Të vdekurit u thirrën gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar paraditen e djeshme në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier. Gjyqi ka për palë të paditur shtetasin Pasho Hysenaj, banor i fshatit Çyçen të Komunës Aranitas të Rrethit Mallakastër. Ky shtetas, në bazë të dokumenteve, ka fituar një gjyq që i njeh trashëgiminë për 57 hektarë toke dhe 58 hektarë pyll. Këtë sipërfaqe të madhe toke ai e ka fituar edhe nga Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave me dokumente të rregullta. Sipas Pashos dhe kushëririt të tij, Sefedin Hysenaj, në kohën që është bërë gjyqi në qytetin e Ballshit, dëshmitar në favor të pronarëve ka qenë edhe shtetasi Bajram Saliaj.
Por tani, Bajram Saliaj ka hedhur në gjyq Pasho Hysenajn dhe pretendon se edhe ai duhet të përfitojë pjesë nga toka. Saliaj e ka çuar çështjen në gjykatë. Avokati mbrojtës i tij, Andon Beta, pasi është konsultuar, ka marrë edhe emrat e dëshmitarëve që ankuesi mendon se janë të dobishëm për procesin.
Ndër shtatë personat e thirrur në gjykatë, figurojnë edhe emrat e shtetasit Muharrem Hysenaj dhe Tabene Hysenaj, vëllai dhe motra e poseduesit të tokës Pasho Hysenaj.
Me kërkesë të avokatit të palës paditëse, Gjykata e Fierit ka dërguar fletëthirrjet për gjyq në adresat e dhëna për Muharrem dhe Tabene Hysenajn, pa u munduar të verifikojë nëse këta persona janë gjallë apo jo. Në certifikatat e vëna në dispozicion nga Pasho Hysenaj, konfirmohet se një prej të thërriturve në gjykatë, Tabene Hysenaj ka vdekur më 12 korrik të vitit 1971, kurse vëllai i saj, Muharrem Hysenaj, ka vdekur më 27 dhjetor 1999.
Gjatë seancës gjyqësore, paraditen e djeshme, gjyqtari i kësaj çështjeje, Ergys Selami, ka thirrur të dëshmojnë dy të vdekurit Muharrem dhe Tabene Hysenaj. Poseduesi i tokës, Pasho Hysenaj, i ka thënë gjyqtarit të çështjes se: "Kur të ngjallen, do të vijnë që të dëshmojnë". Kaq është dashur dhe në sallë kanë plasur të qeshurat, duke e bërë të pamundur vijimin e seancës gjyqësore.
G.Shqip
Krijoni Kontakt