Fier, u vra në mullirin e familjes, për të cilin u grindën
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Ngjeqar të Komunës Kurjan, 35 km larg qytetit të Fierit. Sipas informacioneve policore dhe atyre nga vendi i ngjarjes, konfirmohet se është gjetur i vrarë me një plumb dhe katër goditje thike 31-vjeçari Muhamet Feleqi. Viktima, beqar, djali i tretë i familjes Feleqi, është gjetur nga babai, në brendësi të një mulliri që ishte pronë e familjes. Trupi i pajetë është gjetur nga Sqafet Feleqi në orën 4:30 të mëngjesit, ndërsa policia është njoftuar në orën 06:10. Pas marrjes së provave në vendngjarje, policia ka nisur hetimet. Burimet zyrtare policore bëjnë të ditur se vrasja e 31-vjeçarit Muhamet Feleqi mund të jetë kryer rreth orës 1:00 pas mesnate. Ai është qëlluar me një plumb pistolete në syrin e majtë, ndërkohë që në trup i janë gjetur edhe plagë thike. Trupi i 31-vjeçarit është transportuar drejt morgut të spitalit Fier, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Policia thotë se Muhamet Feleqi ka gjetur vdekje të menjëhershme pas goditjes me pistoletë. Policia e Fierit deri në orët e pasdites nuk ka mundur të nxjerrë një autor zyrtar të vrasjes që ndodhi orët e para të së premtes. Sipas informacioneve zyrtare, hetimi është përqendruar në dy pista. Një prej pistave është ajo e ndonjë konflikti të viktimës me ndonjë bashkëfshatar për ndonjë shkak banal. Policia ka shoqëruar një bashkëfshatar, të cilin e ka marrë në pyetje, por akoma nuk ka një arrest për të. Sipas informacioneve, i shoqëruari është taksist në linjën Ngjeqar-Fier e anasjelltas, fqinj me viktimën. Gjithashtu policia ka shoqëruar edhe bashkëshorten e taksistit. Ndërsa përgjatë gjithë ditës kanë qenë të shoqëruar për t‘u pyetur edhe 3 vëllezërit e viktimës. Pista tjetër e hetimit është ajo e ndonjë krimi brenda familjes, por akoma policia lokale nuk ka zyrtarizuar provat e kësaj piste hetimi. Ndërsa tre vëllezërit kanë qenë të shoqëruar në mjediset e komisariatit të policisë, vetë kreu i antiterrorit dhe një grup specialistësh kanë marrë në pyetje babain e viktimës, Safet Feleqin, i cili ishte i pari që zbuloi se i biri ishte vrarë. Sipas grupit të ekspertëve që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, mësohet se policia e ka gjetur të atin e viktimës me duar të mbuluara nga gjaku. "Ai kishte lënë gjurmë në trupin e të birit të vrarë. Vetëm ai ka qenë pranë trupit deri në momentin kur shkuam ne, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk është gjetur gëzhoja", thonë burimet nga grupi i hetimit. Policia dyshon se mund të jetë një krim brenda familjes, pas marrjes së dëshmisë së familjarëve se mes vëllezërve ka pasur konflikt dhe pretendime lidhur me pronësinë e mullirit. Ndërkohë, një banor i zonës, i quajtur Muço Hasantare, tregoi dje se mes 31-vjeçarit Muhamet Feleqi dhe fshatarëve të tjerë ka pasur shpesh debate. Ndërkohë që të afërmit e viktimës, nëna, katër motrat dhe të tjerë, kanë dashur të shmangin deklaratat në lidhje me autorët e krimit.
G.Shqip
Krijoni Kontakt