Gazeta “Lajm” ka siguruar një xhirim në të cilin shihen shumë persona duke mbushur kutitë e votimit, në njërin nga vendvotimet. Përfaqësues të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) thonë se bëhet fjalë për pjesëtarë të njësitit policorë “Alfat”, të cilët janë xhiruar duke mbushur kutitë në një vendvotim në fshatin Negotinë të Pollogut. Xhirimi është realizuar me telefon celular dhe zgjatë vetëm disa sekonda. Aty shihet se si një grup personash duke shpejtuar fillimisht rrethojnë “partinë e preferuar” në fletat e votimit, e pastaj ato i hedhin në kutitë e votimit. Bëhet fjalë për gjashtë ose shtatë persona të veshur me veshje civile. Njëri prej tyre pasi e vëren “kameramanin” duke bërë xhirime, afrohet dhe e ndërprenë incizimin. Në BDI thonë se ky ëhstë vetëm një nga materialet në dosjet ët cilat i kanë përgatitur dhe të cilat do t’ua dorëzojnë organeve kompetente, e të cilat sipas tyre dëshmojnë vjedhje votash nga ana e aktivistëve të PDSH-së. Në ndërkohë një ngjarje e pa zakontë, ka ndodhur të martën në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT), kur në prani të studentëve policia ka arrestuar profesorin e edukatës fizike, Vullnet Ahmetin. Ahmeti, i cili është edhe kandidat për deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në zonën numër 6 është arrestuar nën dyshimin e armë mbajtjes pa leje.” Personi V. A. është arrestuar për shkak të dyshimeve se në mënyrë jo legale posedon armë zjarri dhe kundrejt tij po vazhdon procedura ligjore”, tha Marjan Josifovski, zëdhënësi i SPB-së në Tetovë. Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku Ahmeti ligjëronte dy lëndët e mundjes, në Fakultetin e Edukatës Fizike, nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me këtë rast. Ashpër ka reaguar BDI-ja, e cila e indinjuar me institucionet e shtetit ka thënë se këta të fundit ne vend që t’i ndjekin penalisht dhunuesit e procesit zgjedhor, po ushtrojnë presion psikologjik dhe arrestojnë kandidatët për deputet të kësaj partie. “Në Tetovë të ,martën është arrestuar kandidati për deputet i BDI-së në njësinë zgjedhore numër 6, Vullnet Ahmeti. Arrestimi i tij është bërë pa kurrfarë sqarimi. Po ashtu të martën është arrestuar aktivisti i BDI-së Idriz Hoxha nga fshati Rashçe, komuna e Sarajit”, tha zëdhënësja Ermira Mehmeti. Në emër të BDI-së, ajo u ka bërë thirrje organeve të rendit që “të ndërmarrin të gjitha masat për të parandaluar shantazhimin dhe frikësimin që po e ushtrojnë militantët e PDSH-së ndaj anëtarëve dhe kryetarëve të komisioneve zgjedhore dhe të krijojnë kushte për mbajtjen e rivotimit në të gjitha vendvotimet e kontestuara”. Ftojmë autoritetet që të angazhohen dhe të ndërmarrin masa për rikthimin e besimit të qytetarëve si parakusht për të siguruar qetësi në vend, tha Mehmeti, duke pohuar se ngjarjet e atilla e, në veçanti arrestimi i kandidatit për deputet Vullnet Ahmeti nuk kontribuon në përpjekjet për të siguruar normalitet në vend.
Lajmpress.com
Krijoni Kontakt