"Kosova e Shqipëria të ‘shkrihen‘ ekonomikisht"
Rekomandimet e ekspertëve: Të fillohet urgjent me bashkëpunim agresiv ekonomik
Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës duhet të lëvizin urgjentisht për të hedhur themelet e një bashkëpunimi agresiv ekonomik, që në këtë pikë është bërë i domosdoshëm për krijimin e një tregu të përbashkët mbarëshqiptar dhe për shpejtimin e rritjes ekonomike të dy vendeve. Është kjo, sipas ekspertëve dhe zyrtarëve të të dyja vendeve, sfida më e madhe me të cilën do të përballen Shqipëria me Kosovën që nga ky moment. Të dyja vendet kanë probleme ekonomike gati të ngjashme me njëra-tjetrën. "Pikërisht, duke qenë se problemet i kemi të përbashkëta, edhe zgjidhjen duhet ta kërkojmë bashkë. Ndaj unë do të propozoja krijimin e një komuniteti ekonomik të përbashkët, ku ministrat e dy qeverive të ulen dhe të gjejnë zgjidhjet", thotë Elinor Bajraktari, zv/drejtor i politikave ekonomike në UNMIK. "Ka akoma barriera mes Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat nuk janë zhdukur me zgjidhjen e pavarësisë", shprehet Shpend Ahmeti nga Instituti për Studime Ekonomike e Politike. Sipas ekspertëve, në fushën e tregtisë mbetet ende shumë për t‘u bërë pavarësisht nga liberalizimi i tarifave doganore. Ata thonë se ka ende shumë barriera jotarifore që pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave. "Procedurat doganore mund të thjeshtohen shumë më tepër. Pala kosovare ka qenë gjithmonë e hapur ndaj idesë së vendosjes të kontrolleve doganore të përbashkëta, që nënkupton vetëm një kontroll doganor me ekip të përbashkët doganieresh. Kjo ul numrin e procedurave, zvogëlon kohën e procedurës doganore, ul mundësinë për korrupsion dhe forcon efikasitetin e administratës doganore", thotë Bajraktari. Në fakt, Kosova dhe Shqipëria kanë dy ekonomi që janë shumë plotësuese të njëra-tjetrës, çka konsiderohet si një avantazh i madh. "Qeveritë duhet të orientojnë ekonomitë në mënyrë të tillë që të mos konkurrojnë njëra-tjetrën, por t‘i plotësojnë ato, e kjo do të sillte përfitime më të mëdha për të dyja vendet", thotë Ermelinda Meksi.
Tregu i përbashkët
Shqipëria dhe Kosova së bashku do të krijonin një treg prej gati 6 milionë banorësh që nuk do të ishte më i parëndësishëm. Kjo, sipas specialistëve, do të zgjonte interesin e kompanive të mëdha për të investuar. "Ne kemi sot shumë mundësi për projekte, por sa herë që bëjmë një tender, kompanitë e mëdha na thonë se zona nuk është e vogël. Për këtë, sektorë strategjik mjaft të rëndësishëm të Shqipërisë sot janë në dorë të investitorëve të dorës së dytë dhe asaj të tretë mbase", thotë Genc Ruli, ministër i Ekonomisë. Por krijimi i një tregu të përbashkët ka hapur një tjetër debat. Normalisht në një treg ka rregulla të njëjta, ligje të njësuara, por dhe taksa të njëjta. "Ne duhet të unifikojmë infrastrukturën ligjore", deklaron Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave të Kosovës. Por në këtë pikë problemi kryesor ka të bëjë me taksat. Kosova dhe Shqipëria kanë dy sisteme tatimore të ndryshme dhe taksat ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. "Harmonizimi i politikave tatimore (TVSH-ja për shembull) do ta ulte presionin për kontrabandë dhe mund ta bënte më të lehtë funksionimin e bizneseve që do të operonin në të dyja anët e kufirit", thotë Bajraktari.
Lëvizja, e vështirë
Por në një kohë që ekziston gjithë ky debat i madh për atë se si Kosova me Shqipërinë duhet të shkrihen në një rajon ekonomik të vetëm, rrjeti rrugor që lidh dy vendet si një element kyç i bashkëpunimit është thuajse inekzistent. "Aktualisht 60 për qind e mallrave që Shqipëria eksporton drejt Kosovës kalojnë përmes Maqedonisë", thotë ish-ministri i Financave, Arben Malaj. Por ky nuk është një problem vetëm për mallrat. Qytetarët shqiptarë e kanë shumë të vështirë të shkojnë sot në Kosovë dhe anasjelltas. Deri në përfundimin e rrugës Durrës-Kukës, rruga e vetme për të udhëtuar në Kosovë mbetet ajo ajrore. Aktualisht ekziston vetëm një shoqëri ajrore që operon në linjën Tiranë-Prishtinë, e cila organizon vetëm dy udhëtime në javë. Numri i udhëtarëve është shumë i vogël, për shkak se çmimet e biletave janë mjaft të larta. "Autoritetet duhet të ndërhyjnë për të lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve", deklaroi Ermelinda Meksi, ish-ministre e Integrimit. Sipas ministrit të Transportit, Sokol Olldashi, çmimet e larta shkaktohen nga tarifat e larta portuale, të cilat për Kosovën përcaktohen nga UNMIK.
Rekomandimet e ekspertëve
- Ekonomitë të orientohen si plotësuese të njëra-tjetrës
- Të lehtësohet lëvizja e shërbimeve dhe mallrave
- Programe të përbashkëta në bujqësi, transport dhe energjetikë
- Harmonizim i politikave tatimore
- Samit mes kryeministrave, çdo vit
- Forum të biznesit mbarëshqiptar
- Krijim të klasterave të biznesit
Krijoni Kontakt