Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 22
  1. #1
    Gone!
    Anëtarësuar
    02-03-2006
    Vendndodhja
    Larg nga ketu!
    Postime
    2,871

    Logjika e një çmendurie

    Logjika e një çmendurie

    Arbën Xhaferi

    Sot, kur e shkruaj këtë tekst, është ditë e enjte, 21 shkurt 2008. Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, në minierën e Stantërgut u ngujuan minatorët e turnit të tretë, me qëllime të qarta politike. Ata thjeshtë refuzuan të dalin nga thellësitë e tokës, duke dërguar mesazhin se janë roje të themeleve, të shqiptarësisë së Kosovës që donte t’i lëvizë regjimi i ri serb, i drejtuar nga Millosheviqi. Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, nacionalizmi serb kishte arritur kulmin e forcës. Mbaheshin mitingje që ishin prelud për fushatat e ardhshme politike që synonin t’i detronizojnë, mënjanojnë udhëheqësitë politike legale të njësive të tjera federative që ende ishin besnikë të parimeve politike jugosllave. Në atë kohë, popujt e tjerë të Jugosllavisë ishin të heshtur, të ndruajtur dhe prisnin të lemerisur se çka do të ndodhë. Pandehnin, ç’është e vërteta, parapëlqenin që oreksi nacionalist serb të kënaqet me kafshatën e Kosovës, mirëpo Kutia e Pandorës pandalshëm hapej. Minatorët e Stantërgut, me karakterin e tyre burrëror, paralajmëruan se kosovarët do të jenë një kafshatë e pa kapërdishme për nacionalistët serbë. Këtë cilësi të parët e kuptuan sllovenët, të cilët nga tubimi në Cankarjev Dom (Shtëpinë e Cankarit) dërguan mesazhin e solidarizimit të tyre me kërkesat e minatorëve. Politikanët serbë kërcënoheshin me ndërhyrje të policisë, por asnjë kërcënim nuk i luhati minatorët, që u bënë simbol të një rezistence të gjatë të shqiptarëve. Shumë analistë mendojnë se, nga aspekti kohor, shpërbërja e Jugosllavisë filloi pikërisht në Stantërg dhe përfundoi me 17 shkurt 2008 , me mëvetësimin e Kosovës.


    Sot, kur përkujtojmë aktin burrëror të minatorëve të Stantërgut, në Beograd, pinjollët e nacionalistëve serbë të formatit millosheviqian, mbajnë një miting të madh me të njëjtën ikonografi, argumente dhe retorikë si para 19 vjetësh. Slogani i tyre kryesor është “Kosova është Serbi”. Të gjithë folësit klithnin se Kosovën nuk do ta japin. Sa më shumë që e përdorin këtë slogan, aq më shumë e humbin Kosovën. Politikanët serbë tashmë aq thellë janë zhytur në kënetën e cinizmit saqë nuk hetojnë atë që të tjerët e shohin me qartësi të madhe: aftësinë e tyre delirante për vetëmashtrim.

    Prijës i këtij cinizmi që arrin t’i detyrojë edhe politikanët tjerë të veprojnë si ai, është kryeministri aktual i Serbisë, V.Koshtunica. Ai në vazhdimësi harton kushtetuta, ligje, deklarata, rezoluta për ta mbrojtur Kosovën nga shqiptarët. Si alkimistët dikur, ai ka krijuar një laborator ku bën eksperimente të kota. Sa më shumë që dështon, aq më neurotik bëhet. A duhet të brengosemi nga lajthitjet, neurozat e një individi? Natyrisht, jo, nëse ato janë individuale, por siç shihet ato, ashtu si pritej janë kolektive. Pas humbjes së të gjitha betejave, duke mos pasur shpresa reale, duke mos kuptuar faktin elementar se problemi që është krijuar me një metodë nuk mund të zgjidhet pa e ndryshuar atë, popullit serb nuk i ka mbetur rrugëdalje tjetër, pos të besojë në mrekulli, në premtimet e alkimistit. Dhe alkimisti s’ndalet së premtuari. Një ditë i shkrepi mendja që nëse përmes referendumit miratohet Kushtetuta më e re e Serbisë, ku me të zezë në të bardhë shkruan se Kosova i takon Serbisë, atëherë ashtu edhe do të bëhet. Votimi në këtë referendum zgjati dy ditë. Megjithatë, populli serb, si çdo popull i botës, tregoi shenjat e lodhjes.

    Paraardhësi i alkimistit të shushatur, dr.Koshtunicës, Millosheviqi vepronte njësoj si pasardhësi i tij. Kur faktori ndërkombëtar ofroi që problemi i Kosovës të zgjidhej me ndërmjetësimin e kryeministrit spanjoll, Gonzales, Millosheviqi refuzoi me arrogancë tipike serbe dhe shpalli referendumin, ku grigja e tij votoi që të mos pranohen ndërmjetësues për zgjidhjen e çështjeve të brendshme të Serbisë. Këto taktizime nuk ishin në favor të interesave të popullit serb, por ishin në funksion të mbrojtjes së imazhit të Millosheviqit, prijësit të fortë, politikanit që nuk e çan kokën për presionet e Evropës dekadente. Mirëpo, presidenti jodekadent i fuqishëm serb, Millosheviqi, që sot është varrosur në oborrin e shtëpisë së gruas së tij, meqë vend tjetër nuk pati për të, dy muaj më vonë lejoi ardhjen e 2 mijë verifikuesve, 2 mijë gonzalësave që filluan t’i skenojnë jo vetëm ngjarjet, por edhe terrenin. Siç dihet, pas tërheqjes së tyre filluan bombardimet që e thyen kurrizin e ushtrisë së mbetur jugosllave.

    Pra, udhëheqësit politikë serbë përdorin një retorikë, përmes së cilës ata vetveten e paraqesin si prijës të fuqishëm, për ta fshehur faktin dëshpërues se ata nuk janë në gjendje të marrin vendime të rënda historike, që do t’i lironin vetë serbët nga doktrinat anakronike, jorealiste, që një kohë të gjatë funksionojnë si bllokues të perspektivave të tyre. Me këtë politikë jorealiste, megalomane, refraktare, bllokuese ata shpeshherë e sillnin popullin e vet në buzë të greminës. Shkaktuan dy luftëra botërore dhe sërish përpiqen që t’i nxisin antagonizmat globale, herë ndërmjet SHBA-ve dhe EU-së, herë ndërmjet shteteve perëndimore me Rusinë, Kinën dhe Indinë, herë ndërmjet katolicizmit dhe ortodoksisë, herë krishterimit dhe islamit. Por, megjithatë në këtë marrëzi ka një logjikë, ka një sistem: të paaftë, të pafuqishëm që t’i denoncojnë botëkuptimet e tyre si të shpifura, të pranojnë se kanë dështuar, në vend që të kërkojnë falje për vlerësimet e gabueshme, ata vazhdojnë me të njëjtën dinakëri, logjikë çmendurake: e detyrojnë faktorin ndërkombëtar që, në vend të tyre, të marrë përgjegjësinë, vendimin për zgjidhjen e problemit të krijuar nga politika e tyre e gabuar. Në këtë mënyrë ata, me vetëdije e bëjnë bartjen, transferin e përgjegjësisë. Në vend të tyre, armiku i jashtëm i ka fajet, prandaj sot në Beograd digjen ambasadat e “fajtorëve”. Të “pafajshmit” , pastaj shkojnë në kishën qendrore dhe i luten Zotit që ta shpëtojë marrëzinë e tyre.


    Këtë truk, këtë shpikje djallëzore, përmes së cilës e gjithë bota bëhet fajtore e zbulon në mënyrë shumë të qartë edhe ambasadori Hollburk, i cili pak kohë para fillimit të sulmeve të NATO-s kërkon nga Millosheviqi që të zmbrapset, mirëpo ai, për ta ruajtur fytyrën, filozofinë e tij politike, premtimet e dhëna e refuzon në mënyrë qyqare propozimin e diplomatit amerikan. Pikërisht në këtë mënyrë u sollën edhe politikanët e sotëm serbë që refuzuan seriozisht të impenjohen, zhvillojnë dialog me z.Ahtisaari, ashtu si paraprakisht në Konferencën e Rambujesë. Në këtë mënyrë ata i ikin fajit dhe njëkohësisht fitojnë të drejtën e kritikës. Të gjitha projektet e kësaj gjenerate të politikanëve serbë, të cilësuar si anti-millosheviqistë, por në fakt epigonë të tij, Tadiç, Koshtunica, Nikoliç të hartuara për mbrojte të Kosovës, përfundimisht, më 17 Shkurt 2008 dështuan.

    Një antagonizëm ndërmjet jetës, realitetit, të vërtetës me mitologjinë morbide, me të shpifurën përfundoi në favor të së parës. U pa qartë se argumentet shqiptare ishin më të rënda, më bindëse në krahasim me ato serbë, që nuk arrinin të bindnin askënd që mendon paanshëm. Nuk duhet harruar se vlerësimin e bënë faktorët më demokratikë, më qytetërues, më të zhvilluar të botës, pikërisht ata që në fillim të shekullit XX ishin në krah të Serbisë.

    Politikanët serbë, në vend që të japin llogari për dështimin e tyre, ata e bëjnë të kundërtën: e radikalizojnë retorikën, diskursin demagogjik dhe cinik për Kosovën duke arritur në këtë mënyrë që përgjegjësinë ta bartin nga vetja te shqiptarët dhe te faktori ndërkombëtar. Populli serb, i shushatur nga retorika mjeshtërore dhe gjithëpërfshirëse nuk arrin të parashtrojë pyetjen se si u bë që Kosova, më në fund, nuk u mbrojt, por u mëvetësua. Pyetjeve të këtilla të vështira politikanët e vegjël serbë që nuk kanë kapacitete morale për ta kumtuar të vërtetën, sillen njësoj si klerikët e parë të besimeve monoteiste, që në fillim të paraqitjes së tyre e bindnin popullin se, po qe se do të pranonin këtë apo atë besim, mjerimi i tyre do të shndërrohet në lumturi të pafundme, bota e tyre do të shndërrohet në parajsë. Në dallim nga klerikët që parajsën e transferuan, e bartën në botën tjetër, politikanët serbë realizimin e parajsës serbë, ose thënë më konkretisht mbrojtjen e Kosovës së humbur e bartin në të ardhmen, kur konstelacioni i faktorëve ndërkombëtarë do të jetë në favor të tyre, kur Rusia do të forcohet dhe Amerika bashkë me Evropën e “degjeneruar” do të kolapsojnë. Kjo metodë e bartjes së realizimit të premtimeve në një kohë të padefinuar, në të ardhmen përdoret shpeshherë në debatet politike: ai që premtimin nuk e mban dhe që s’ka guximin të pranojë se ka dështuar, shërbehen me këtë teknikë. Shpeshherë edhe nga shqiptarët dëgjohet argumenti se në Evropën e Bashkuar do të bashkohen edhe shqiptarët.


    Me 17 shkurt 2008, Serbia u zbua nga Kosova, mirëpo serbët dhe doktrinat e tyre ende janë të gjalla. Është gabim të mendohet se Millosheviqi ishte ai që e devijoi politikën serbe që për pasojë pati shpërbërjen e Jugosllavisë dhe humbjen e pozitës hegjemoniste, që pa të drejtë ishte rezervuar për faktorin serb në këtë pjesë të Evropës Juglindore. E vërteta është e kundërt: doktrina nacionaliste serbe e prodhoi Millosheviqin dhe modalitetet e ndryshme të tija, qofshin ata paraardhës apo pasues të tij. Pra, politikanët serbë burojnë nga doktrinat romantike, mitologjike serbë dhe jo e kundërta. Karakteristika kryesore e kësaj doktrine është ekstra-temporaliteti, jashtëkohësia e mitit të tyre, si çdo mit tjetër. Rrëfimet, personazhet, ngjarjet, relacionet shfaqen si kategori jashtëkohore, të pandryshueshëm, aktuale deri në amshim. Ngjarjet e Mesjetës trajtohen sikur të kishin ndodhur tani dhe ato përmenden si modele për zgjidhjen e problemeve të sotme.

    Shqiptarët, faktori ndërkombëtar, por edhe vetë serbët do të kenë probleme të mëdha me këto bindje mitologjike, ekstratemporale (jashtë kohore) serbe. Këto bindje tashmë janë bërë pjesë e identitetit serb. Patriarkët e këtij nacionalizmi, e këtij irracionalizmi, që prodhon vazhdimisht kriza përmasash botërore janë shkrimtarë (D.Obradoviç), etnologë (Vuk Karaxhiç), historianë (Jovan Rahiç), hartografë (Savo Tekelija), gjeografë (Jovan Cvihiç) etj., të cilët prodhonin fakte të sajuara, që kanë luajtur rol të madh në ndërtimin e memories (mbamendjes) kolektive të serbëve. Këta ideologë, që nga fillimi e përhapnin idenë se të gjithë sllavët e jugut, pos sllovenëve dhe bullgarëve janë në fakt serbë, ose siç pohonte historiani Rahiç se krahas Serbisë, edhe Bosnja edhe Dalmacia pastaj Sllovenia janë toka serbe. Këtë përkufizim të përkatësisë nacionale të territoreve të ndryshme hartografi Tekelija e stampoi në hartën e tij për tokat serbe. Këta ishin shpikësit e ambicieve megalomane serbe, të eskatonit nacionalist serb. Pas tyre vinin elaboratet zbatuese, duke filluar nga Garashanini e deri te Çubrilloviqi dhe Akademia Serbe.

    Sa për ta ilustruar pikënisjen e këtij procesi megaloman, hegjemonist, do të përmendja Vuk Karaxhiçin, librin e tij “Kovcezic iz istorije, jezik i obicaje srba sva tri zakona” (“Arkëza e historisë, gjuha dhe ritet serbe të të tre besimeve”), botuar në Vienë, më 1849, ku ai e shpall dialektin e shtokavishtes së re si gjuhë serbe me çka arrin që pjesën dërmuese të kroatëve t’i trajtojë si serbë, ndërkaq me tezën mbi identitetin serb të tre konfesioneve, përforcon argumentin për serbizim, për asimilim të kroatëve katolikë, të boshnjakëve myslimanë apo të malazezëve, vllehëve, maqedonasve ortodoksë. Me këtë rast ai merr shembull traditën shqiptare; “arnautët kanë të njëjtin identitet pa marrë parasysh përkatësinë fetare”.


    Etnologu Karaxhiq përdor skemën përvetësuese që në gjuhën latine përkufizohet si “Quius lingua eius regio” (“E kujt gjuha, e tij toka”) ose “Quius religio eius regio” (“E kujt feja, e tij toka”). Mbi këto parime ngrihet projekti i ekspansionizmit serb.

    Në dallim nga epigonët e tij fanatikë, Vuk Karaxhiqi ishte pragmatik, ai hartoi metodën, shpiku mënyrën se si mund të zgjerohet një popull dhe territori i tij. Ai vetë, sipas burimeve kishtare vjeneze ishte konvertuar në katolik. Pasuesit e tij, të fanatizuar nga miti, prijës apo pasues, sot në konferenca a tubime klithin: “Kosova është shpirt i serbëve. A mund të jetojë një popull pa shpirtin e tij?”. Përgjigjen e serbëve e dimë. E imja është pak ironike: ashtu si keni jetuar pa shpirt, të paktën 500 vjet gjatë sundimit osman, do të jetoni edhe më tutje, derisa nuk kuptoni se shpirti i njeriut është brenda tij dhe jo në objekte

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    15-02-2008
    Vendndodhja
    Uskana Ilire
    Postime
    781
    Z. Arbër Xhaferri, ju e shtjelluat gjithë këtë shkrim të "Logjikës së çmendurisë " sërbe.

    Jam i mendimit, se topi nuk e luan. Megjithatë zhvillimi i njëjtë është bërë edhe nga ana e maqedonasve dhe millosheviqëve të saj. Bile ata me projektet e stratofisë makosllave dali ma eksteremë.

    Bie fjala, krimineli Millosheviq nuk i fitoj votat e shqiptarëve të Kosovës kurrë. Por, nuk u vesh me tesha luftarake t'i sulmojë në Kosovë. Ndërsa ai Borisi, edhe pse i fitoj, sipas apelit që e bëtë ju, u vesh me tesha, e festoi edhe vitin e ri 2001 me Luben, dhe dha urdhër të shkatërrohen me granata, që nag Kumanova e deri në Gostivar ! Nuk u fajsojmë juve përse kaurroshkinia nuk kanë fjalë ! Edhe Branko Zhugani i mori votat e shqiptarëve me ndihmën e Aliut të Dilallarëve !, duke angazhuar ai edhe partizanët që mbushnin kutitët me vota të vjedhura, por Branko vret e pret si ma zi !

    Tashti, në këtë pasqyrim përse Ju nuk kujtoheni se shqiptarëve ua sjellni vonesën në Pavarësi. Ku e keni guximin që , njësoj si shqiptarët e Kosovës , nga i njëjti skenar u gjuajtëm në poligonin përndjekës, dhe Ju, i trajtoni këto tema, megjithatë i mbyllni duke trumbetuar se shqiptarët e Pollog Pellagonisë duhet të mbesin në karikatinën Maqedoni ?

    Për këtë, dhe për shkrimin se , shqiptarët e kanë idealin të jenë shtetformues në Maqedoni, pësoni në drejtëpeshim ! Kujdes ! Një ditë, do të shpallet Pavarsia edhe për shqiptarët e okupuar nga Makosllavia, por Borisët dhe Brankot ku do t'u mbesin me shkëlqimin vëllazëror ?!

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,459
    Postimet në Bllog
    23
    Me sa duket edhe Arbër Xhaferin e paskan zënë ethet e "triumfalizmit fatal" dhe e shikon konfliktin e Kosovës në kuadrin e raporteve serbo-shqiptare dhe jo në kuadrin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe si kjo shpërbërje është përjetuar nga të gjithë popujt e federatës jugosllave.

    Nuk ishte populli serb që nxorri nga gjiri i vetë Milloshevic, ishte Milloshevic që mori peng popullin serb pasi në këto 2 dekadat e fundit Milloshevici e gjeti veten jo pak herë përpara qindra mijëra demonstruesve serbë në rrugët e Beogradit që protestonin kundër tij dhe rregjimit të tij diktatorial-komunisto-mafioz.

    Kriza e identitetit serb është një krizë e dyfishtë dhe nuk ka të bëjë fare me Kosovën, Kosova është thjeshtë një nga rrugët se si ata e shfryjnë pakënaqësinë e akumuluar nga dy dekadat e një jete në krizë. Kriza e parë është përjetimi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe jeta pa "identitetin jugosllav" që mori fund me rënien e Murit të Berlinit. Nga kjo krizë vuajnë të gjithë popujt ish-jugosllavë përfshi edhe Arbër Xhaferin dhe gjithë shqiptarët nën jugosllavi. Kriza e dytë është përzgjatja e krizës ideologjike, kalimit nga një ideologji komuniste në një ideologji demokratike. Milloshevicit iu desh të bënte luftëra në Bosnjë Hercegovinë e Kosovë që të largonte vëmendjen e popullit serb nga kriza e gjithanshme që kish pushtuar vendin; si dhe për të konsoliduar pushtetin e tij diktatorial e mafioz mbi cdo instance të jetës së vendit.

    Rënia nga shkëlqimi i "identitetit të privilegjuar jugosllav" dhe përqafimi i "identitetit të mbetur nacional" përbën në vetvete burimin e destabilitetit të gjithë rajonit. Dhe shpresa e madhe është që populli serb, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe mbylljes përfundimtare të kapitullit të shpërbërjes së Jugosllavisë, do të mund të ndërgjegjësohet në atë shkallë që klasa e vetë politike dhe shteti mafioz që ata kanë krijuar po mbajnë peng jo vetëm të ardhmen e një Kosove për të cilën ata mësojnë në ekranet e televizioneve dhe librat e historisë, por po mbajnë peng edhe të ardhmen e 10 milion serbëve që jetojnë në Serbi.

    Dhe një nga shumë arsyet se përse serbët nuk kanë shprehur atë entuziazmin e duhur për idenë e "Evropës së Bashkuar" pasi ata sapo u dogjën nga ideja fatale franko-britanike e "Sllavëve të Jugut të Bashkuar".

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 25-02-2008 më 18:41

  4. #4
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393
    Citim Postuar më parë nga Albo Lexo Postimin
    Nuk ishte populli serb që nxorri nga gjiri i vetë Milloshevic, ishte Milloshevic që mori peng popullin serb pasi në këto 2 dekadat e fundit Milloshevici e gjeti veten jo pak herë përpara qindra mijëra demonstruesve serbë në rrugët e Beogradit që protestonin kundër tij dhe rregjimit të tij diktatorial-komunisto-mafioz.
    Albo
    Gabim e ke. Problemi qendron te mentaliteti serb. Pse Koshtunica, Tadiq, Sheshel, Nikoliq, te duken me te mire se Millosheviqi ty? Qe te gjithe keta, po te kene mundesine tani, brenda dites do shfaronin gjithe shqiptaret. Dmth. nuk eshte problemi te nje individ si Millosheviqi, por tek populli serb, sepse vetem njerez te tille ka nxjerre nga gjiri i vet, te pakten kete qindvjecarin e fundit duke filluar me Pashiqin, Garashaninin, Qubrilloviqin, Rankoviqin, Millosheviqin, e deri te Koshtunica, Nikoliqi, Shesheli, etj. te diteve te sotme.
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Stendhal
    Anëtarësuar
    19-02-2008
    Postime
    52
    Citim Postuar më parë nga Albo Lexo Postimin
    Me sa duket edhe Arbër Xhaferin e paskan zënë ethet e "triumfalizmit fatal" dhe e shikon konfliktin e Kosovës në kuadrin e raporteve serbo-shqiptare dhe jo në kuadrin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe si kjo shpërbërje është përjetuar nga të gjithë popujt e federatës jugosllave.
    Pershendetje,

    Arber Xhaferri eshte person qe i ka perjetuar ngjarjet ne Jugosllavi, keshtu qe mendoj se eshte e gabuar te quhet njeri me "ethe". Mund te themi se eshte i ndikuar nga ajo qe ka ndodhur, por sidoqotejete ai nga politikanet shqiptare ne Maqedoni eshte ndoshta me i maturi dhe do shtoja se nuk ka asnje interes politik me, per shkak te semundjes se tij.

    Nuk ishte populli serb që nxorri nga gjiri i vetë Milloshevic, ishte Milloshevic që mori peng popullin serb pasi në këto 2 dekadat e fundit Milloshevici e gjeti veten jo pak herë përpara qindra mijëra demonstruesve serbë në rrugët e Beogradit që protestonin kundër tij dhe rregjimit të tij diktatorial-komunisto-mafioz.
    E njejta gje mund te thuhet dhe per Hitlerin, qe ishte ai qe morri peng Gjermanet, por ja qe Gjermanet mbasi Hitleri u zhduk, nuk menduan t'i hidhen ne fyt Frances, Amerikes, Rusise dhe gjith botes se perse e ndane ne 4 cope, por ju futen punes kokeulur dhe arriten ta bashkojne perseri Gjermanine dhe me ane te punes te fitojne rrespektin nderkombetar dhe ta harrojne nje here e pergjithmone Hitlerin. Populli Serb po ben te kunderten, dhe kjo eshte kunderproduktive jo vetem per ta, por per gjithe rrajonin. Plus qe argumentimi im qendron nese qendron argumentimi juaj se Miloshevici e mori peng popullin, dhe jo sepse ky popull ne kohen e Mbreterise Jugosllave kishte nxjerrur dhe mbeshtetur Nacertanien per te shkaterruar elementin shqiptar.

    Kriza e identitetit serb është një krizë e dyfishtë dhe nuk ka të bëjë fare me Kosovën, Kosova është thjeshtë një nga rrugët se si ata e shfryjnë pakënaqësinë e akumuluar nga dy dekadat e një jete në krizë. Kriza e parë është përjetimi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe jeta pa "identitetin jugosllav" që mori fund me rënien e Murit të Berlinit. Nga kjo krizë vuajnë të gjithë popujt ish-jugosllavë përfshi edhe Arbër Xhaferin dhe gjithë shqiptarët nën jugosllavi. Kriza e dytë është përzgjatja e krizës ideologjike, kalimit nga një ideologji komuniste në një ideologji demokratike. Milloshevicit iu desh të bënte luftëra në Bosnjë Hercegovinë e Kosovë që të largonte vëmendjen e popullit serb nga kriza e gjithanshme që kish pushtuar vendin; si dhe për të konsoliduar pushtetin e tij diktatorial e mafioz mbi cdo instance të jetës së vendit.
    Shume dakort deri diku, por Serbia nuk ka patur kurre kalim ne Demokraci. Tadici edhe nese eshte i tille nuk komandon gje, ndersa Koshtunica eshte gati gati kriminel lufte. Demokracia ne Serbi nuk ekziston dhe kjo eshte e keqja.

    Rënia nga shkëlqimi i "identitetit të privilegjuar jugosllav" dhe përqafimi i "identitetit të mbetur nacional" përbën në vetvete burimin e destabilitetit të gjithë rajonit. Dhe shpresa e madhe është që populli serb, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe mbylljes përfundimtare të kapitullit të shpërbërjes së Jugosllavisë, do të mund të ndërgjegjësohet në atë shkallë që klasa e vetë politike dhe shteti mafioz që ata kanë krijuar po mbajnë peng jo vetëm të ardhmen e një Kosove për të cilën ata mësojnë në ekranet e televizioneve dhe librat e historisë, por po mbajnë peng edhe të ardhmen e 10 milion serbëve që jetojnë në Serbi.
    Shpresojme te ndergjegjesohen.

    Dhe një nga shumë arsyet se përse serbët nuk kanë shprehur atë entuziazmin e duhur për idenë e "Evropës së Bashkuar" pasi ata sapo u dogjën nga ideja fatale franko-britanike e "Sllavëve të Jugut të Bashkuar".

    Albo

    Me duket se nuk qe ideja franko-britanike per Sllavet e Jugut te Bashkuar, por ideja e vete sllaveve me mbeshtetjen e Rusise(dhe presionin e Rusise ndaj botes perendimore) duke patur nga mbrapa manifestin e Karl Marksit dhe Leninit dhe jo veprat e Adam Smith-it. Harruat valle qe dhe Shqiperia ishte gati te beheshe pjese e "Sllaveve te Jugut te Bashkuar" ? Franko-Britania nuk beri ate qe beri kur vendosi te futet ne Kosove ushtarakisht 100 vjet me vone, sepse rrethanat historike te atehereshme qene te tjera.
    "It is difficult to escape from the prevailing disease of one’s generation."
    - Marie Henri Beyle

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,459
    Postimet në Bllog
    23
    Arber Xhaferri eshte person qe i ka perjetuar ngjarjet ne Jugosllavi, keshtu qe mendoj se eshte e gabuar te quhet njeri me "ethe". Mund te themi se eshte i ndikuar nga ajo qe ka ndodhur, por sidoqotejete ai nga politikanet shqiptare ne Maqedoni eshte ndoshta me i maturi dhe do shtoja se nuk ka asnje interes politik me, per shkak te semundjes se tij.
    Ti përjetosh transformimet nga afër, të jesh brenda tyre dhe pjesë e tyre, nuk është një ndihmë por një pengesë për ta vendosur atë që ndodhi në prizmin e duhur historik, pasi traumat dhe emocionet nganjëherë të paralizojnë gjykimin.

    Ballkani nga Kosova dhe Ballkani nga Amerika shihet me sy tjetër.

    E njejta gje mund te thuhet dhe per Hitlerin, qe ishte ai qe morri peng Gjermanet, por ja qe Gjermanet mbasi Hitleri u zhduk, nuk menduan t'i hidhen ne fyt Frances, Amerikes, Rusise dhe gjith botes se perse e ndane ne 4 cope, por ju futen punes kokeulur dhe arriten ta bashkojne perseri Gjermanine dhe me ane te punes te fitojne rrespektin nderkombetar dhe ta harrojne nje here e pergjithmone Hitlerin. Populli Serb po ben te kunderten, dhe kjo eshte kunderproduktive jo vetem per ta, por per gjithe rrajonin. Plus qe argumentimi im qendron nese qendron argumentimi juaj se Miloshevici e mori peng popullin, dhe jo sepse ky popull ne kohen e Mbreterise Jugosllave kishte nxjerrur dhe mbeshtetur Nacertanien per te shkaterruar elementin shqiptar.
    Të njëjtën gjë mund të thuash edhe për Enver Hoxhën dhe popullin shqiptar. Të njëjtën frymë të trashëguar të konfrontimit me fqinjët e hasëm edhe në 5-6 vitet e para pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Lexo sot retorikën e kryeministrit Berisha dhe presidentit Topi mbi zhvillimet në Ballkan që të kuptosh se sa shumë ka evoluar me kohën botëkuptimi i tyre jo vetëm si burra shteti por edhe si njerëz të lirë.

    Po do shembuj të tjerë, shiko kryeministrin aktual të Kosovës. 9 vjet më parë ishte drejtues i një ushtrie guerrilase që si mision të vetë kish të bënte luftë me ushtrinë serbe në mbrojtje të popullsisë shqiptare. Sot e gjen duke u dhënë traktorë falas minoritetit serb në Kosovë, duke i vizituar në shtëpitë e tyre dhe duke u folur serbisht, në mënyrë që të qetësojë frikën e tyre dhe tu japi mesazhin e bashkëjetesës dhe integrimit në jetën e një shteti të ri demokratik në Kosovë. Po të të thosh njeri në 1999 që Thaci do të bënte një gjë të tillë 9 vjet më pas, do të të tingëllonte e pabesueshme apo jo?!

    Me duket se nuk qe ideja franko-britanike per Sllavet e Jugut te Bashkuar, por ideja e vete sllaveve me mbeshtetjen e Rusise(dhe presionin e Rusise ndaj botes perendimore) duke patur nga mbrapa manifestin e Karl Marksit dhe Leninit dhe jo veprat e Adam Smith-it. Harruat valle qe dhe Shqiperia ishte gati te beheshe pjese e "Sllaveve te Jugut te Bashkuar" ? Franko-Britania nuk beri ate qe beri kur vendosi te futet ne Kosove ushtarakisht 100 vjet me vone, sepse rrethanat historike te atehereshme qene te tjera.
    E thashe ate me lart per te theksuar dy pika:

    - Ideja e federates se sllaveve te jugut nuk lindi si nje ide nga vendet e rajonit, erdhi si ide e importuar nga jashte.
    - Pasojat e eksperimentit jugosllav i vuajten te gjithe popujt e ish-jugosllavise, kush me shume e kush me pak.

    Prandaj SHBA pavarësinë e Kosovës nuk e shikon në kuadrin e konfliktit shqiptaro-serb por ne kuadrin e shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe kjo është perspektiva e duhur historike.

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 26-02-2008 më 11:37

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e BaBa
    Anëtarësuar
    12-03-2006
    Vendndodhja
    Facebook.com/BabaAlbanian
    Postime
    4,061
    Te ishte dhe kosova shtet i fuqishem ashtu do tja bente USA, sic po ja ben serbis
    Dhe kau i mirë po s'e ngacmove, s'tërheq në brazdë.

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Stendhal
    Anëtarësuar
    19-02-2008
    Postime
    52
    Citim Postuar më parë nga Albo Lexo Postimin
    Ti përjetosh transformimet nga afër, të jesh brenda tyre dhe pjesë e tyre, nuk është një ndihmë por një pengesë për ta vendosur atë që ndodhi në prizmin e duhur historik, pasi traumat dhe emocionet nganjëherë të paralizojnë gjykimin.

    Ballkani nga Kosova dhe Ballkani nga Amerika shihet me sy tjetër.
    Pershendetje,

    Shume dakort, por dhe ju ne Amerike jeni me duket jo ne Kosove. Sic thashe dhe une Arber Xhaferri mund te jete i ndikuar, por nga ana tjeter eshte e pamohueshme qe semundja e tij nuk i jep ndonje interes te vecante ne jeten politike ne vend. Mendoj se duke barazpeshuar se cfare ka ndodhur shqiptareve ne Maqedoni dhe menyres se si ka folur Xhaferri ne vite eshte dicka per te qene krenar. Mendoj se shqiptaret e Maqedonise do degjonin Xhaferrin perpara Albos ose dikujt tjeter apo jo ?
    Un them se ka patur rrol konstruktiv brenda kornizes ku ka vepruar.


    Të njëjtën gjë mund të thuash edhe për Enver Hoxhën dhe popullin shqiptar. Të njëjtën frymë të trashëguar të konfrontimit me fqinjët e hasëm edhe në 5-6 vitet e para pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Lexo sot retorikën e kryeministrit Berisha dhe presidentit Topi mbi zhvillimet në Ballkan që të kuptosh se sa shumë ka evoluar me kohën botëkuptimi i tyre jo vetëm si burra shteti por edhe si njerëz të lirë.
    Me vjen keq por Enver Hoxha nuk vrau Serbe ose Maqedonas apo Greke. Enver Hoxha vrau shqiptare kjo eshte dhe me e bukura. Jo vetem kaq po Enver Hoxha hypi ne pushtet me ndihmen e Jugosllavise. Keto jane te shkruara ne dokumenta dhe dihen.

    Po do shembuj të tjerë, shiko kryeministrin aktual të Kosovës. 9 vjet më parë ishte drejtues i një ushtrie guerrilase që si mision të vetë kish të bënte luftë me ushtrinë serbe në mbrojtje të popullsisë shqiptare. Sot e gjen duke u dhënë traktorë falas minoritetit serb në Kosovë, duke i vizituar në shtëpitë e tyre dhe duke u folur serbisht, në mënyrë që të qetësojë frikën e tyre dhe tu japi mesazhin e bashkëjetesës dhe integrimit në jetën e një shteti të ri demokratik në Kosovë. Po të të thosh njeri në 1999 që Thaci do të bënte një gjë të tillë 9 vjet më pas, do të të tingëllonte e pabesueshme apo jo?!
    Shume dakort, sepse Thaci po tregohet njeri qe ka maturuar ne nje menyre te habitshme qe nga kohet kur Allbright ishte "babysitter"-i i tij do thoja sepse ai dhe ne Rambuje u tregua rrebel ne shume ceshtje. Nuk e kane hypur kot atje me 200 organizata qe kontrollojne njera tjetren.


    E thashe ate me lart per te theksuar dy pika:

    - Ideja e federates se sllaveve te jugut nuk lindi si nje ide nga vendet e rajonit, erdhi si ide e importuar nga jashte.
    - Pasojat e eksperimentit jugosllav i vuajten te gjithe popujt e ish-jugosllavise, kush me shume e kush me pak.

    Prandaj SHBA pavarësinë e Kosovës nuk e shikon në kuadrin e konfliktit shqiptaro-serb por ne kuadrin e shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe kjo është perspektiva e duhur historike.

    Albo
    Shume dakort me pjesen e fundit. E kam shprehur dhe une ne nje teme tjeter. Ishte e paevitueshme por perseri mendoj se ideja e Federates se Sllaveve te Jugut nuk eshte fare franko-britanike por ka patur si platforme komunizmin qe morri hov ne Rusi dhe ide te pansllavizmit qe u futen me vone dhe u perdoren si platforma shkaterruese per kedo josllav.(Nacertania e famshme psh)
    "It is difficult to escape from the prevailing disease of one’s generation."
    - Marie Henri Beyle

  9. #9
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-01-2008
    Vendndodhja
    Orion Spur
    Postime
    43
    Citim Postuar më parë nga Albo Lexo Postimin
    Nuk ishte populli serb që nxorri nga gjiri i vetë Milloshevic, ishte Milloshevic që mori peng popullin serb pasi në këto 2 dekadat e fundit Milloshevici e gjeti veten jo pak herë përpara qindra mijëra demonstruesve serbë në rrugët e Beogradit që protestonin kundër tij dhe rregjimit të tij diktatorial-komunisto-mafioz.


    Albo
    Nuk e njeh problemin. Shqiptaret dhe serbet nuk kane problem vetem nga krijimi i jugosllavise apo sic thua ti dy dekadat e fundit. Nuk jane as dy shekuj! Me shume.

    Nuk ishte Millosheviqi gjalle me 1912 kur shqiptaret masakroheshin me keq se kafshet.

  10. #10
    Ikon-thyes Maska e Qafir Arnaut
    Anëtarësuar
    27-07-2002
    Vendndodhja
    Shum po shndrit aj Diell, e pak po nxeh
    Postime
    1,542
    Albo, popullin serb e ka marre 'peng' ortodoksia! Nuk i quajm kot 'SHKIzmatike'
    Adresat e faqeve personale mund ti vendosesh ne profil por jo ne firme. Stafi i Forumit

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Cila eshte logjika e juaj jetesore qe u ben te zgjidhni ....
    Nga Gostivari_usa në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 19-02-2007, 09:53
  2. Ti, Harasani, udhehiqesh nga logjika e shtetit hajdut
    Nga Lexuesja në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 21-06-2006, 16:26
  3. Pse Islami
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 07-06-2006, 16:05
  4. Logjika historike dhe përmasa tejhistorike
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-12-2004, 16:40
  5. Duhet logjika.....
    Nga Otello në forumin Humor shqiptar
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 27-03-2003, 13:53

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •