Përpunimi i të dhënave personale bëhet duke respektuar dhe garantuar të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut, në veçanti jetën private


Miratohet Ligji "për mbrojtjen e të dhënave personale"


Kuvendi ka miratuar dje, me shumicë votash, projektligjin "për mbrojtjen e të dhënave personale". Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, tha gjatë seancës plenare se projektligji trajton në mënyrë të detajuar të gjitha procedurat e mbrojtjes së të dhënave personale, duke theksuar se një ligj i tillë është i implementuar në shumë vende të rëndësishme të Europës dhe ka patur rezultate pozitive. Gjithashtu, Alibeaj theksoi se Ligji i ri "për mbrojtjen e të dhënave personale" është i domosdoshëm dhe se qeveria është e detyruar që të ngrejë një institucion të pavarur për respektimin e tij. Ndër të tjera, ai theksoi se të dhënat personale shqyrtohen si nga institucionet private, ashtu edhe ato publike. Në të njëjtën linjë, edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, bëri të ditur dje se drafti ligjor për të dhënat personale është shqyrtuar hollësisht në Komisionin e Ligjeve, duke marrë konsensusin e të gjitha palëve. Në këtë kuadër, gjatë votimit të neneve të këtij ligji nuk ka patur kontestime. Beja theksoi se ky draft ka për objekt përcaktimin e rregullave për mbrojtjen dhe përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale. Ndër të tjera, ai theksoi se ligji i ri konsiston në rregullimin e mbrojtjes së të dhënave për shtetasit shqiptarë, ku, sipas parimit të përgjithshëm të këtij drafti ligjor, përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale bëhet duke respektuar dhe garantuar të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut, në veçanti të drejtën e ruajtjes së jetës private. Ligji i ri rregullon mënyrën e mbrojtjes së të dhënave sensitive, përpunimi i të cilave bëhet vetëm në rastet kur subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin, që mund të revokohet në çdo çast dhe e bën të paligjshëm përpunimin e mëtejshëm të të dhënave apo është në interesin jetik të subjektit të të dhënave ose të një personi tjetër, dhe subjekti i të dhënave është, fizikisht ose mendërisht, i paaftë për të dhënë pëlqimin e vet. Po kështu, përcaktohen edhe disa raste ku mund të lejohet përpunimi i të dhënave. Përpunimi i të dhënave personale dhe të dhënave sensitive, të përcaktuara në kuadër të veprimtarisë së parandalimit dhe të ndjekjes penale, për kryerjen e një vepre penale kundër rendit publik dhe për kryerjen e veprave të tjera në fushën e të drejtës penale, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, kryhet nga autoritetet zyrtare të përcaktuara në ligj. Në lidhje me përpunimin e të dhënave sensitive, në rrethana të tjera nga ato të përcaktuara më parë, përcaktohet, me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm për qëllime të interesave të rëndësishme publike, nën masa të përshtatshme mbrojtëse. Transferimi ndërkombëtar i të dhënave personale kryhet, me marrës, nga shtete me një nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes të së dhënave personale. Niveli i mbrojtjes së të dhënave personale për një shtet përcaktohet duke vlerësuar të gjitha rrethanat lidhur me përpunimin, natyrën, qëllimin dhe kohëzgjatjen e tij, shtetin e origjinës dhe destinacionin përfundimtar, aktet ligjore dhe standardet e sigurisë në fuqi në shtetin marrës. Shtetet që kanë nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


Autoriteti përgjegjës, i detyruar të ruajë konfidencialitetin


Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale është autoriteti përgjegjës që mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin, mbrojtjen e të dhënave personale, duke respektuar e garantuar të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut. Ai është person juridik publik dhe ka buxhet të veçantë, të cilin e administron vetë. Po kështu, komisioneri është i pavarur në ushtrimin e detyrës dhe është ? detyruar të ruajë konfidencialitetin e të dhënave, edhe pas mbarimit të detyrës. Komisioneri ka të drejta si kryerja e hetimit administrativ dhe ka të drejtën e aksesit në përpunimet e të dhënave personale, si dhe të drejtë të mbledhë të gjithë informacionin e nevojshëm për përmbushjen e detyrave të mbikëqyrjes, urdhëron bllokimin, fshirjen, shkatërrimin ose pezullon përpunimin e paligjshëm të të dhënave personale, jep udhëzime përpara se përpunimet të kryhen si dhe siguron publikimin e tyre. Komisioneri, në rast shkeljesh serioze, të përsëritura ose të qëllimshme, të ligjit nga një përpunues, veçanërisht në rastet e përsëritura të moszbatimit të rekomandimeve të tij, e denoncon publikisht ose e raporton çështjen në Kuvend dhe në Këshillin e Ministrave. Komisioneri është përgjegjës për dhënien e mendimeve për aktet ligjore dhe nënligjore, që kanë të bëjnë me të dhënat personale, dhënien e autorizimit, në raste të veçanta, për përdorimin e të dhënave personale, për qëllime jo të përcaktuara në grumbullimin e tyre, duke respektuar parimet e këtij ligji. Komisioneri paraqet raport vjetor përpara Kuvendit dhe raporton përpara tij sa herë i kërkohet. Gjithashtu, mund t'i kërkojë Kuvendit të dëgjohet për çështje, që ai i çmon të rëndësishme. Institucionet, publike dhe private, bashkëpunojnë me komisionerin, duke i siguruar të gjithë informacionin që ai kërkon për përmbushjen e detyrave. Komisioneri ka akses në sistemin e kompjuterave, në sistemet e arkivimit që kryejnë përpunimin e të dhënave personale dhe në të gjithë dokumentacionin që lidhet me përpunimin dhe transferimin e tyre, për ushtrimin e të drejtave dhe të detyrave, që ? janë ngarkuar me ligj. Funksioni i komisionerit është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër shtetëror, me anëtarësimin në partitë politike dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, si dhe me çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies. Komisioneri mund të shkarkohet nga Kuvendi për shkelje të dispozitave të këtij ligji apo akteve të tjera ligjore, kur kryen veprimtari që krijon konflikt interesash ose kur zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij. Komisioneri bashkëpunon për përgatitjen e kodeve të etikës, në zbatim të këtij ligji, duke patur parasysh veçoritë e sektorëve të ndryshëm. Kontrolluesit ose përpunuesit që nuk marrin masat e sigurisë së të dhënave, dënohen nga 10 000 deri në 15 000 lekë. Gjobat vendosen nga komisioneri, kur vërehet se janë shkelur detyrimet e përcaktuara në ligj.

Transferimi, brenda parametrave të sigurisë


Transferimi ndërkombëtar i të dhënave personale me një shtet që nuk ka nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave personale, mund të bëhet nëse autorizohet nga akte ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, dhe që janë të zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë apo subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin për transferim ndërkombëtar. Shkëmbimi i të dhënave personale me përfaqësitë diplomatike të qeverive të huaja ose institucionet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë vlerësohet transferim ndërkombëtar. Transferimi ndërkombëtar i të dhënave personale me një shtet që nuk ka nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave, në raste të tjera, bëhet me autorizim të komisionerit, i cili, pasi bën vlerësimin, mund të japë autorizimin për transferimin e të dhënave personale në shtetin marrës, duke përcaktuar kushte dhe detyrime.


Përpunimi i të dhënave, përmes mjeteve automatike


Përpunimi i të dhënave ka të bëjë me çdo veprim që kryhet, plotësisht ose jo, me mjete automatike, me të dhënat personale si, grumbullimi, regjistrimi, ruajtja, renditja, përshtatja, ndreqja, këshillimi, shfrytëzimi, përdorimi, bllokimi, fshirja ose shkatërrimi ose çfarëdo veprimi tjetër si dhe transmetimi i të dhënave. Ky ligj zbatohet për përpunimin e të dhënave personale, plotësisht ose pjesërisht, nëpërmjet mjeteve automatike si dhe në përpunimin, me mjete të tjera të të dhënave personale që mbahen në një sistem arkivimi, por, nga ana tjetër, ky ligj nuk zbatohet për përpunimin e të dhënave nga një person fizik për qëllime thjesht personale ose familjare. Ky ligj zbatohet për përpunimin e të dhënave personale nga kontrollues të vendosur në Shqipëri, misionet diplomatike ose zyrat konsullore të shtetit shqiptar si dhe kontrollues, të cilët nuk janë të vendosur në Shqipëri, por që e ushtrojnë veprimtarinë nëpërmjet përdorimit të çdo mjeti që ndodhet në Shqipëri. Në rastin e kësaj të fundit, kontrolluesi cakton një përfaqësues, i cili duhet të jetë i vendosur në Shqipëri. Parashikimet e këtij ligji që zbatohen nga kontrolluesit, zbatohen edhe për përfaqësuesit e tyre. Mbrojtja e të dhënave personale bazohet në parime si, përpunimi në mënyrë të ndershme, të drejtë dhe të ligjshme, grumbullimi për qëllime specifike, të përcaktuara qartë e legjitime, dhe në përpunimin në përputhje me këto qëllime. Po kështu, mbrojtja e të dhënave bazohet edhe mbi parimin se të dhënat duhet të jenë të mjaftueshme, të lidhen me qëllimin e përpunimit dhe të mos e tejkalojnë këtë qëllim. Kontrolluesi është përgjegjës për zbatimin e këtyre parimeve në të gjitha përpunimet, automatike ose me mjete të tjera të të dhënave. Të dhënat personale përpunohen vetëm nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin ose përpunohen për hartimin dhe përmbushjen e kontratave, në të cilat subjekti i të dhënave personale është palë.


http://newballkan.forumn.net/tema-e-...ale-t45.htm#96