Kostot që duhen për të hyrë dhe operuar në ekonominë ligjore

Procedurat që duhen për kthimin e pronave (nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit në Tiranë)

Sipas llogarive të bëra dhe të prezantuara në raportin e De Sotos, shqiptarëve u kushton shumë kohë dhe mjete monetare njohja, kthimi apo kompensimi i pronave. Një aplikant duhet të kalojë 18 hapa ligjorë, në tre etapa, gjithsej 681 ditë dhe kostoja për këtë llogaritet në 209506 lekë të reja. Aplikantit i duhet të kalojë nga zyra e noterit, Ministria e Punëve Publike (Arkiva qendrore teknike), Drejtoria e Pyjeve, Bashkia (arkiva),Këshilli Rajonal (Zyra për Administrimin dhe Mbrojtjen e Tokës), një topograf i licencuar privat, Agjencinë Rajonale të Kthimit të Pronave dhe në fund në Agjencinë Qendrore të Kthimit të Pronave.


Zona pilot nga Rruga e Durrësit te Unaza e Vogël, si dhe bulevardi "Dëshmorët e Kombit'

Ndërtimet e Tiranës, ato që nuk legalizohen

Ekipi i hartuesve të raportit për ekstralegalitetin ka marrë një zonë pilot në Tiranë, për të treguar përmasat e sistemit joligjor që është ndërtuar në Shqipëri, në fushën e ndërtimeve. Shembulli është Zona Kadastrale Qendrore e Tiranës, e cila jep edhe tipologjitë e ekstralegalitetit në ndërtime. Harta e prezantuar si shembull përfshin një zonë që shkon përballë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", kufizohet në jug nga Unaza e vogël e Tiranës, në veri nga rruga e "Durrësit". Harta me ngjyra është me pak njolla të bardha, që përcaktojnë ndërtimet ligjore dhe në pjesën përballë bulevardit përfaqësohen nga një pjesë e ministrive që janë ndërtuar në vitet '30-të të shekullit të XX-të nga italianët. Harta është e mbushur me njolla të gjelbra, që përfaqësojnë ndërtime të cilat janë të ndaluara të futen në ekonominë legale, njolla të verdha që përfaqësojnë ndërtesa të paautorizuara, viza blu që përfaqësojnë të dhëna të pakonsoliduara, njolla të kuqe që përfaqësojnëndërtime që janë të ndaluara të futen në ekonominë legale, plus ndërtesa të paautorizuara, ndërsa ato më vishnje janë njolla që përfaqësojnë të gërshetuara tipologjitë e mësipërme të ndërtimeve joligjore. Kjo është vetëm një parcelë e Tiranës joligjore, e cila nga 220 mijë banorë që kishte në fund të viteve '80, tani mendohet të ketë rreth 700 mijë banorë.


Problemi bëhet edhe më i komplikuar nga mbivendosja e pronave, pas falsifikimeve që janë bërë nga Zyra e Regjistrimit të Pronave. Pak ditë më parë, pas zbulimit të skandalit të shitjeve të trojeve në Tiranë, nga punonjës të Hipotekës së Tiranës, kundrejt shumave të mëdha monetare, drejtuesit u detyruan të pranojnë se rastet shkojnë deri në 5 mijë mbivendosje pronash. Por, përmasat e abuzimeve me titujt e pronësisë pranohen se janë disa herë më të mëdha. Në periferi të Tiranës, disa drejtues komunash janë dënuar me burgim për abuzime me shitjen e trojeve, ndërsa mendohet se raste të ngjashme janë kudo ku përfaqësues vendorë, të mbështetur nga segmente të qeverisë kanë shitur troje të pronarëve për të lejuar ndërtimet e reja dhe abuzive që rrethojnë kryeqytetin shqiptar.


Raporti: "Legalizimet, një treg 3-4 miliardë dollarë"


Sipas Qeverisë, janë dorëzuar rreth 220 mijë aplikime pranë Njësisë së Legalizimeve të Pushtetit Vendor, dhe ky rrjet i pronave private vlerësohet me rreth 3-4 miliardë dollarë. Përmasat e vlerësuara të ekonomisë informale variojnë nga 30-50 për qind të Produktit të Përgjithshëm Vendës. Evazioni fiskal është vlerësuar në rreth 11 për qind të Produktit të Përgjithshëm Vendës dhe vetëm 30 për qind e njerëzve të punësuar në Shqipëri janë të regjistruar, si dhe paguajnë sigurimet shoqërore. Programi i Qeverisë e pranon se ekonomia informale ka arritur nivele shqetësuese, dhe përbën rrezik për zhvillimin ekonomik. Programi i Qeverisë përfshin akses për hapjen e tregjeve, duke ulur kostot administrative dhe zhvillimin e sektorëve financiar, dhe private. Programi për të luftuar ndërtimet pa leje është pjesë e procesit të reformës së përgjithshme të Qeverisë.


Ekipi u fokusua së pari në zonën Metropolitane të Tiranës – Tiranë, Durrës dhe Fushë- Krujë – zona me zhvillim më të shpejtë në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social të Shqipërisë. Zona të tilla janë edhe Kamza (dhe Bathore) në periferi të Tiranës dhe Këneta (Durrës)– dy nga vendbanimet më të mëdha informale. Puna do të vijonte në Vlorë, Fier, Shkodër, Lezhë, Sarandë, Gjirokastër, Korçë dhe Pogradec

Hernando de Soto, President i Institutit për Liri e Demokraci

"Një ekonomi tregu nuk ka aq rëndësi, sa ndërtimi i marrëdhënieve. Si bashkëpunojmë ne për të pasur mirëqenie? Si i ndihmoni ju njerëzit? Shteti ligjor ju jep vlera, përcakton kush është pronar i çfarë, dhe ku keni siguri. Kjo lejon një ekonomi të begatë."

Por, sa është luftuar ekstralegaliteti në Shqipëri?

"Berisha", dhunë por jo zgjidhje ekonomike

Përmasat e frikshme të ekonomisë dhe bizneseve informale do të donin një grusht të fortë ligjor, por qeveria e djathtë, e drejtuar nga Sali Berisha, ka mbetur pak përtej konstatimeve. Raporti vlerëson punën e Policisë së shtetit, e cila ka goditur shumë prej aktiviteteve të krimit të organizuar, që gjeneronin të ardhura të mëdha ku ishin pjesëmarrëse shtresa të gjera të popullsisë. Me burgosjen apo eliminimin e disa prej eksponentëve të krimit të organizuar, janë "burgosur" asete që prodhonin mjete të konsiderueshme monetare që shërbenin jo vetëm për ekzistencën e përditshme, por ishin një aktor i rëndësishëm në ritmet e rritjes së ekonomive familjare të shumë shqiptarëve. Ato janë nën sekuestro konservative pas urdhrave të drejtësisë, ose janë në rrënim. Frenimi i hyrjes së të ardhurave nga trafiku i drogës, apo njerëzve është reflektuar me ulje të kërkesës për investime në shumë sektorë të ekonomisë, por edhe me uljen e qarkullimit të parasë. Por qeveria nuk ka arritur të zbatojë ato që kishte premtuar në zgjedhjet e vitit 2005, për të rritur mundësitë ekonomike të vendit, për të thithur investimet e huaja, për të hapur vende të reja pune, si dhe për të rritur të ardhurat për frymë.


Raporti vlerëson edhe punën e Ministrisë së Financave, e cila është munduar të rregullojë me anë të një kuadri ligjor, formalizimin e ekonomisë, por ajo, duke u përpjekur të ketë si synim kryesor, shtimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit me anë të tatim-doganave, ka bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh për informalitetin e kamufluar, që është stimuluar nga masat represive të qeverisë ndaj bizneseve, të cilave u duhet të shpenzojnë më shumë kohë dhe mjete monetare për të gjeneruar më pak të ardhura, krahasuar me kohën kur nuk kishin hyrë në fuqi masat shtrënguese nga Ministria e Financave.

"Patatja e nxehtë" e qeverisë: Mijëra tituj pronësie para zgjedhjeve parlamentare për qëllime elektorale


Legalizimi- lojë elektorale, jo zgjidhje për pronën

Raporti final për ekstralegalitetin në Shqipëri, pjesën kryesore të diagnozës në terren ia ka kushtuar ndërtimeve pa leje, që janë shtrirë në territorin e gjithë vendit dhe që është në proces vetëdeklarimi, dhe legalizimi. Legalizimi është "patatja e nxehtë" e qeverisë aktuale dhe nëse sot gjendja është kaotike, është pikësëpari faji i saj. Në lojën e legalizimeve janë ingranuar disa ministri, agjenci dhe gjithçka komandohet nga kryeministri i vendit. Ai ka dhënë me dorën e vet "tapitë" e para për disa ndërtime që morën titullin e pronësisë. Por ligji i dytë i legalizimeve do ta lërë "litarin" jashtë.


Ligji i parë i legalizimeve u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2004. Por ai nuk arriti të jepte asnjë titull pronësie dhe ishte kundërshtuar, sepse motoja e tij "urbanizim pastaj legalizim", nënkuptonte prishjen e ndërtimeve abuzive që pengonin planet urbanistike të zonave informale. Në prill 2006, Kuvendi i sunduar nga shumica e djathtë miratoi një ligj të ri për legalizimet e ndërtimeve pa leje, në variantin e përmbysur, pra "legalizim, pastaj urbanizim".

Sipas ALUIZNI-t, një vit më pas, numëroheshin mbi 270 000 objekte të vetëdeklaruara, nga të cilat vetëm pallatet me leje, me shtesa të ndërtuara pas vitit 93', përbëjnë një sipërfaqe ndërtimore rreth 7 milionë metër katrorë, të llogaritura në më shumë se 80 mijë apartamente dhe mjedise shërbimi, dhe argëtimi. Në procesin e legalizimit kanë hyrë mbi 350 mijë pasuri familjare në të gjithë vendin. Janë përcaktuar mbi 681 zona informale me një sipërfaqe prej rreth 404 mijë hektarë, me shtrirje në të gjithë Shqipërinë. Sipas të dhënave të zyrës, mëse 2/3 e zonave dhe ndërtimeve informale janë në pronën e ndërtuesit ose pronë shtetërore, dhe rreth 1/3 në pronë të ish-pronarëve, dhe sipas llogarive të ALUIZN-it, të ardhurat financiare të përfituara nga formalizimi i të gjithë zonave dhe ndërtimeve informate, do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve të ligjshëm.


Agrari Berisha

Paraditen e 12 shkurtit 2007, vetëm gjashtë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore, Kryeministri Berisha risjell në kujtesën e shqiptarëve "reformën agrare", kësaj radhe për ndërtimet pa leje. Toka nuk i jepet atij që "e punon", por atij që "e zapton". Berisha drejton një ceremoni të organizuar nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të zonave Informale(ALUIZNI), me rastin e dorëzimit të lejeve të para të legalizimit. "Kjo është një ditë e veçantë, një ditë të cilën shqiptarët e pritën për 15 vite rresht. Në vizitën e tij, në pranverën e vitit 91, një burrë i shquar i asaj kohe, sekretari amerikan i shtetit, Xhejms Bejker do të deklaronte, përpara shqiptarëve duke sjellë mesazhin e botës së lirë, se freedom works, pra liria punon. Në rast se ka një komb për të cilin liria punoi më shumë, po të kemi parasysh stadin nga i cili u nis, do të thosha se ky është kombi shqiptar, por në rast se ka liri, të cilat punojnë më shumë se për çdo komb tjetër, sërish liria e lëvizjes, dhe iniciativa e lirë, punuan për shqiptarët, ndofta më shumë se për të tjerët"


Sot më mars 2008, janë me gishta ata shqiptarë që kanë marrë certifikatën e pronësisë, por procesi i nisur me aq bujë është në "siklet". Qeveria shqiptare nuk ka zgjidhur problemet me tokat e ish-pronarëve, të cilëve pas reformës agrare të regjimit komunist në vitin 1946, kanë parë se si po mbijnë qindra mijëra pronarë të rinj të tokave e tyre.


Berisha deklaronte se ishte sugjerimi i zotit De Soto që hipotekimi dhe regjistrimi i pronave duhej bërë nga ALUIZNI.

Stanjacioni

Legalizimi i ndërtimeve pa leje është pjesa më e rëndësishme e luftimit të ekstralegalitetit. Por në një raport të bërë publik më 17 janar 2008, ALUIZNI pranon indirekt se reforma ka mbetur sërish te dokumentacioni. Sipas zyrës është realizuar përfshirja në proces e mbi 150 000 pasurish të vetëdeklaruara, për të cilat po procedohej me përgatitjen e dokumentacionit tekniko- ligjor dhe parashikohej që në përfundim të vitit 2008, numri i pasurive të legalizuara dhe të regjistruara në sistemin e pasurive të paluajtshme të mbërrijë në 200 000. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës ka miratuar 65 zona dhe vendbanime të para informate, dhe po procedohej me 42 zona të tjera. Në këto zona numri i objekteve të vetëdeklaruara ishte 15546, sipërfaqja e parcelave është 974,8 hektarë, ndërsa sipërfaqja ndërtimore është 292,5321 metër katrorë.Objektet informale përdoren kryesisht për banim, të cilat kapin shifrën 14072. 841 dhe janë të destinuara për ushtrimin e aktivitetit social – ekonomik, ndërkohë që 918 kanë destinacion të përzier. Duke iu referuar strukturës ndërtimore, rezulton se 10313 janë objekte informale 1 -katëshe, 3768 janë 2- katëshe dhe 1380 janë objekte 3- katëshe e më shumë.


(Mos)zgjidhja


Raporti vëren me shqetësim se dhënia e titujve të pronësisë nuk është zgjidhja e vërtetë e ligjërimit të këtij tregu informal. Specialistë që janë marrë me procesin e verifikimit në terren dhe mundësitë e formalizimit të këtij tregu, që llogaritet në përmasa të mëdha monetare dhe që do të zgjojë këtë kapital gjigant, duke e futur në ekonominë e tregut, thonë se politika do të jetë sërish fajtore për kaosin ligjor në vend. Qeveria shqiptare parashikohet se do t'i japë titujt e pronësisë për shumë ndërtime që janë në proces legalizimi, por ajo do ta bëjë atë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe do ta bëjë vetëm për qëllime elektorale. Por kjo nuk do ta zgjidhë formalizimin e tregut të ndërtimeve pa leje. Qeveria, do ta lërë pa zgjidhur problemin e pronësisë mbi tokën, sepse ish-pronarët e vërtetë do të mbeten pa u kompensuar për pronat e tyre.Zgjidhja e problemeve të pronësisë ka qenë ngërç për Shqipërinë, prej daljes nga sistemi totalitar. Parlamenti Evropian ka kërkuar prej qeverive që të zgjidhin problemet e pronësisë, që pengojnë investimet e huaja, shit-blerjet dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut.


"Nëse do të zgjidhej problemi i pronësisë mbi tokën, Shqipëria do të bënte një hap gjigant përpara", citohet në një paragraf nga raporti i ekstralegalitetit. Me këtë hap vendi do të afrohej shumë me integrimin evropian, sepse Shqipëria është ndër të vetmet vende që nuk ka zotë ligjorë të pronave. Kjo periudhë ndoshta do të ishte pesë vjet, por me moszgjidhjen që i jep politika, kjo kohë mund të bëhet disa dekada". Se çfarë "surprize" e pakëndshme do të jetë reforma e pronësisë në Shqipëri për BE-në, ku ajo dëshiron të anëtarësohet, specialistët japin shembujt e vendeve të reja anëtare të BE-së, por në aspekte të tjera. P.sh. Rumania dhe Bullgaria, janë anëtare të BE-së, por ato janë të privuara nga anëtarësimi i vërtetë. Ato as nuk mund të jenë anëtare të plota të BE-së dhe as nuk janë të përgatitura që të fusin në përdorim si monedha kombëtare, monedhën e përbashkët të BE-së, euro.