RAPORTI 2007/ Korrupsioni dhe transparenca në qeverisje, por edhe gjakmarrja e trafiqet ende mbeten çështje serioze
Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e tij vjetor për situatën në Shqipëri, për vitin 2007, vëren se kthimi i pronave, kushtet e borxheve, liria e mediave, lufta ndaj korrupsionit dhe trafiqeve mbeten ende probleme domethënëse. Në një dokument të gjatë, Departamenti i Shtetit i SHBA bën të ditur arritjet dhe mosarritjet e vendit tonë për vitin 2007 në fushat kryesore, ku të drejtat e njeriut përbëjnë çështjen themelore të trajtimit. Në krye të raportit theksohet se qeveria përgjithësisht i respektoi të drejtat e njeriut të qytetarëve të saj; megjithatë pati probleme në disa fusha, përfshi vrasjet shoqërore prej "gjakmarrjes", abuzim nga forcat e sigurisë ndaj të burgosurve dhe të ndaluarve, kushte të këqija në burgje dhe paraburgim, korrupsion dhe mosndëshkim të policisë, diskriminim kundër grave, fëmijëve dhe pakicave, si dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Pronat
Kthimi i pronës së konfiskuar gjatë regjimit komunist mbeti një problem domethënës. Raporti vjetor i Avokatit të Popullit vërente që në vitin 2006, një total prej 125 ankesash lidheshin me kompensimin e pronës. Nga këto, 107 ishin shqyrtuar plotësisht dhe 19 ishin zgjidhur në favor të pretenduesit. Në vitin 2005, qeveria përcaktoi një fond prej 3.6 milionë dollarësh (300 milionë lekë) për t‘u ofruar kompensim ankuesve.
Sipas drejtorit të Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës, buxheti i përbashkët 2007-‘08, përcaktuar nga qeveria për kompensim të pronës, ishte afërsisht 11 milionë dollarë. Kostoja totale për kompensimin e pronarëve në mbarë vendin vlerësohej në 3.5 miliardë dollarë. Qysh nga viti 1993, qeveria kishte miratuar 50000 vendime mbi tituj të pronësisë. Nga këto, 1000 gëzojnë të drejtën të blejnë objektet e ndërtuara mbi tokën e tyre.
Privimi i jetës
Vrasjet shoqërore vazhduan gjatë vitit si rezultat i akteve vigjiluese (përfshi si vrasjet mes brezash nga "gjakmarrja", ashtu edhe vrasjet për hakmarrje), bandave kriminale dhe krimit të organizuar. Statistikat mbi veprimtarinë e lidhur me gjakmarrjen variojnë. Sipas Ministrisë së Brendshme, nga 96 vrasjet gjatë vitit, dy kishin lidhje me gjakmarrjen, duke shënuar një rënie në vrasjet për gjakmarrje për shkak të rritjes së hetimeve. Megjithatë, Komiteti për Pajtimin Kombëtar, një organizatë joqeveritare (OJQ), vazhdoi të citonte nivele të larta veprimtarie të lidhura me gjakmarrjen, përfshi mbi 1000 familje të burgosura në shtëpitë e tyre nga frika e ndëshkimeve për gjakmarrje kundër tyre. Tradita e gjakmarrjes buron nga një kod nderi tradicional, i cili vazhdon të ndiqet në pak bashkësi të izoluara. Në shkurt Parlamenti miratoi amendamente në Kodin Penal për të kriminalizuar gjakmarrjen dhe për t‘i bërë të ndëshkueshme me dënim 3 vjet. Gjykata e Krimeve të Rënda shqyrtoi çështje të gjakmarrjes. Vrasja me paramendim, kur kryhet për hakmarrje apo gjakmarrje, ndëshkohet me 20 vjet burg, ose burgim të përjetshëm. Kushtet e burgjeve nuk përmbushnin standardet ndërkombëtare. Qeveria lejoi monitorim të pavarur të kushteve të burgjeve nga grupe vendore dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, media, dhe të tjerë. Gjatë një inspektimi në prill, KShH gjeti disa përmirësime, por në përgjithësi kushtet mbetën të këqija dhe nuk përmbushnin standardet e pranuara.
Shteti juridik
Zbatimi i ligjit mbetet i dobët
Paraqitja e gjithanshme e zbatimit të ligjit mbeti e dobët. Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni mbetën pengesa madhore për zhvillimin e një force policore civile të efektshme. Pagat e ulëta dhe korrupsioni i shumëpërhapur në të gjithë shoqërinë e bënin të vështirë luftën kundër korrupsionit në polici. Qeveria ndoqi penalisht zyrtarë të korruptuar dhe menaxhoi ankesat për oficerë policie të korruptuar nëpërmjet Avokatit të Popullit.
Gjatë vitit, Zyra e Kontrollit të Brendshëm paraqiti 159 padi pranë zyrës së prokurorit në lidhje me 221 punonjës të policisë, nga të cilët pesë ishin të lartë, 75 të nivelit të mesëm dhe 141 të gradave më të ulëta. Si rezultat, 85 oficerë policie prisnin të dilnin në gjyq me akuza për korrupsion. Gjatë vitit, Avokati i Popullit mori 274 ankesa të përgjithshme nga qytetarët kundër policisë. Në fund të vitit ishin përpunuar 233 dhe Avokati i Popullit kishte konkluduar në favor të qytetarëve ankues në 82 raste. Këto përfshinin ankesa për keqtrajtim fizik. Në nëntor, Parlamenti rekomandoi për herë të dytë që Presidenti të shkarkonte Prokurorin e Përgjithshëm për paaftësi dhe korrupsion; Presidenti e shkarkoi Prokurorin e Përgjithshëm dhe emëroi një të ri brenda po atij muaji. Pritej një vendim mbi apelin nga prokurori i shkarkuar pranë Gjykatës Kushtetuese. Ashtu si në vitet e kaluara, policia, prokurorët dhe gjyqësori vazhduan të fajësonin njëri-tjetrin për dështimet që lejonin kriminelët të shmangnin burgosjen.
Korrupsioni dhe transparenca në qeverisje, problemet e vitit 2007
Ligji siguron ndëshkime penale për korrupsionin e zyrtarëve. Pavarësisht nga një numër arrestimesh të zyrtarëve të lartë vendorë dhe qendrorë, korrupsioni mbeti një pengesë madhore ndaj reformave domethënëse. Treguesit botërorë të qeverisjes së Bankës Botërore pasqyronin që korrupsioni ishte një problem serioz.
Në dhjetor Parlamenti hoqi imunitetin e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, pas pretendimeve për parregullsi në projektin më të madh të punëve publike në vend. Në shtator prokuroria arrestoi gjashtë punonjës qeveritarë të nivelit të lartë nën akuza për korrupsion, përfshi një zëvendësministër të Punëve Publike, drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve dhe drejtorin e Prokurimeve; të gjithë pretendohej se ishin përfshirë në një skemë ryshfetesh për tendera ndërtimesh. Deri në fund të vitit nuk ishte përcaktuar data për gjyq. Sipas "Associated Press", më 8 nëntor Ministria e Brendshme deklaroi arrestimin e datës 5 nëntor për dy zyrtarët e lartë qeveritarë, Spartak Gjini dhe Llambi Tarka, si dhe pronarin e kompanisë së ndërtimit "Siret", Fiqiri Pali, për korrupsion. Dy zyrtarët akuzoheshin se kishin akorduar një tender në mënyrë të paligjshme ndaj kompanisë, duke detyruar kompani të tjera të tërhiqeshin nga konkurrimi për rindërtimin e ndërtesës së ministrisë. Deri në gusht prokurorët kishin hapur 555 procedime penale për abuzim me detyrën qeveritare, veprime arbitrare dhe shtrembërim të barazisë në tendera prokurimi publikë. Nga këto, 36 ishin specifikisht për korrupsion dhe 28 nga këto arritën në hetime. Autoritetet ndoqën penalisht 17 zyrtarë. Gjatë vitit, Kryeministri thirri Task-Forcën Anti-Korrupsion, krijuar në vitin 2006, për të ulur krimin e organizuar e për të bashkërenduar veprimet kundër korrupsionit. Task-Forca është një organ bashkërendues, kryesuar nga Kryeministri, përfshi disa ministra, krerë agjencish të pavarura shtetërore, të tilla si kompania publike e energjisë, policia dhe organizata të zbulimit.
Ligji siguron që ministrat e qeverisë nuk mund të zotërojnë një kompani që lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësitë e tyre zyrtare dhe përfshin ndalimin e kompanive të zotëruara nga pjesëtarë të afërt të familjeve të zyrtarëve qeveritarë. Afro 6000 zyrtarë publikë dhe të afërm të afërt duhet të paraqesin deklarimin e pasurive. Ligji detyroi edhe 1500 zyrtarë të tjerë të administratës së mëparshme të paraqisnin deklarime të pasurive për vitin pas mbarimit të mandatit të tyre. Inspektorati i Deklarimit të Pasurive administron rregullat për konfliktin e interesit. Gjatë vitit, autoritetet gjobitën 100 zyrtarë për paraqitje me vonesë të deklarimeve të kërkuara të pasurisë. Ndërkohë që statistikat për vitin 2007 nuk ishin në dispozicion, në vitin 2006, 56 punonjës ose u dorëhoqën vullnetarisht nga postet e tyre, ose u shkarkuan kur u mor njoftim për konflikt të mundshëm interesi dhe 67 të tjerë hoqën dorë nga pasuritë kundravajtëse.
Nuk pati informacion në lidhje me përfundimin e pesë rasteve të profilit të lartë hetuar nga inspektorati, që sipas raportimeve iu përcollën prokurorisë për ndjekje penale në vitin 2006
Problemet
Raporti flet në mënyrë kritike edhe për viktimat e trafikimit
Qeveria nuk ndoqi penalisht trafikantët
Qeveria nuk ndoqi penalisht autort e trafikimit dhe nuk ndërmori trajtim diskriminues kundër tyre. Ajo njohu të drejtat e viktimave dhe ndihmoi që të sigurojë aksesin e tyre ndaj drejtësisë në masën e mundshme në sistemin aktualisht të dobët të gjyqësorit. Qeveria ka një bashkërenduese kombëtare për trafikimin e personave, e cila kryen edhe detyrën e zëvendësministres së Brendshme. Shqipëria mbeti një vend burim për trafikimin e grave dhe fëmijëve për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar, edhe pse më pak se vitet e fundit. Greqia është vendi kryesor i destinacionit për gratë e trafikuara. Trafikantët përdorën gjerësisht rrugët tokësore apo dokumente të falsifikuara për të transportuar viktimat me rrugë ajrore apo tragete. Trafikimi i fëmijëve në Kosovë dhe Greqi për të lypur, apo për shfrytëzim seksual, vazhdoi të ishte problem, edhe pse numri i rasteve, sipas raportimeve, u ul. Policia dhe përfaqësues shoqrisë civile vazhduan të raportonin një tendencë të femrave që lëvizeshin nga fshatrat dhe qytetet e vogla për në qytetet më të mëdha për prostitucion të detyruar në hotele dhe shtëpi private. Disa prej këtyre vajzave dhe grave më pas u lëvizën jashtë Shqipërisë për shfrytëzim seksual në vende të tjera evropiane. Gjatë vitit, OJQ-të "Terre des Hommes" (TdH) dhe "Arsis" identifikuan 337 fëmijë shqiptarë në Selanik dhe Athinë të Greqisë, si viktima të trafikimit. Trafikantët trafikuan brenda vendit fëmijë nga të gjitha rajonet e vendit dhe në mënyrë tipike i trafikonin ose në Tiranë ose në Durrës. Sipas TdH, numri i fëmijëve të trafikuar brenda vendit, sidomos nga bashkësia rome dhe egjiptianët e Ballkanit, u rrit gjatë vitit.
GazetaShqip.
Krijoni Kontakt