Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283

    Kosova, lëkundjet e diplomacisë deri te vendimi

    Kosova, lëkundjet e diplomacisë deri te vendimi
    Written by Esat Stavileci
    Sunday, 17 February 2008
    Korniza e temës për shqyrtim



    Qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes, për një kohë të gjatë, nuk arritën të ndërtojnë një “strategji për Kosovën” dhe, për mungesë të saj, nuk arritën të bëjnë një “projekt serioz për statusin politik” të saj, qoftë edhe pas aktit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, pjesë përbërëse e së cilës, formalisht, ishte dhe Kosova, ndonëse jo në cilësinë e republikës, por me shumë prerogativa të saj.

    Bashkësia ndërkombëtare, qysh atëherë, nuk pati një “qëndrim të drejtë” ndaj çështjes së Kosovës dhe “nuk i përmbylli fatet” e saj, me njohjen e vullnetin e deklaruar të popullit shumicë të Kosovës për të qenë “zot i vetvetës”.Për më shumë, me neglizhimet e saj, “i hapi udhë dhunës” dhe për, rrjedhojë, lejoi ofensiva ushtarako-policore serbe në Kosovë, për derisa popullata e saj u detyrua t’i braktisë “vatrat e veta”.

    Lëvizja e parë e rëndësishme e bashkësisë ndërkombëtare ndodhi me intervenimin e forcave të NATO-s dhe bombardimin, nga ana e tyre, e “caqeve serbe” dhe, si rezultat, Kosova “u vu nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar”, në bazë të një rezolute kontraverse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së(1999).

    Bashkësia ndërkombëtare “lëshoi rastin”tjetër që të deklarohet qartë për të ardhmen e Kosovës pas luftës , në të cilën u ravijëzua kërkesa për liri dhe pavarësi.

    Edhe pse, edhe vetë e vetëdijshme, se negociatat Kosovë-Serbi nuk do të mund të sillnin asnjë rezultat, ajo “uli palët konfrontuese”në bisedime të stërgjatura, në bazë të rekomandimit të ambasadorit K.Eide, dhe “i detyroi ato” që të luajnë lojën që “nuk e dëshironin” dhe “u nxori përpara” një dokument të kryenegociatorit Ahtisaari i cili “përçau” Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe, si pasojë, çështja e Kosovës “doli nga agjendat e tij” për “t’u bartur” në Bashkimin Evropian, pa garanci për “mbështetje formale” të vendimeve që mund “të prodhohen” prej tij.

    Bashkësia ndërkombëtare, edhe tash, kur po “bashkohet” rreth të ardhmes së Kosovës, po “lëshon prej dorësh” edhe një rast tjetër, që çështjen e Kosovës ta trajtojë si çështje të vetëvendosjes dhe që popullit të saj “t’i lë në duar”vendimin për ardhmerinë e tij, por , në përpjekjet për “t’u bashkuar me një zë” Kosovës po i ofron një “status kalimtar” që, në tërësi, nuk korrespondon me vullnetin e plotë të popullit, por që, për një kohë, “përmbyllë” një kapitull të tensioneve në Kosovë e Serbi, pa vra mendjen se “gjysëm-zgjidhjet”, sado të “formuluara qartë”, në fakt, më shumë se “t’i përmbyllin”, të kundërtën, i lënë të hapura shumë probleme, me kërcënimin serioz se vetë statusi do të përbëjë sfidën më të madhe në periudhën e passtatusit, veçanërisht zbatimi i tij.







    Hamendjet e qendrave të vendimmarjes



    Që në fillim të “marrjes më Kosovën”, bashkësia ndërkombëtare shfaqi dilema rreth të ardhmes së saj. Përsëriti shumë herë “shqetësimin” për gjendjen në Kosovë, në vitet që i paraprinë luftës, siguroi se “nuk do të lejojë që të përsëritet Bosnja në Kosovë”, ndërkohë që zhvillimet në terren flisnin qartë se në Kosovë Bosnja “veç sa po përgatitet”.Millosheviqi “kërkonte dialog” me Kosovën, ndërkohë që atje dërgonte forca shtesë, me dije të bashkësisë ndërkombëtare, e cila vazhdonte të kërkonte zgjidhje për çështjen e Kosovës “në udhë paqësore”. Grupi i Kontaktit formuloi disa qëndrime dhe bëri disa rekomandime të diskutueshme. Ekipeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit “u përcaktoi elementet themelore” të zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe, në këtë mënyrë, i kushtëzoi negociatat me një serë rekomandimesh ,duke menjanuar pavarësinë e Kosovës, si njërin nga variantet, pa thelluar mendjen se pavarësia paraqet vullnetin plebishitar të popullit shumicë në Kosovë dhe zgjidhjen e vetme , “të balancuar të kohës”, që do të mund të ndikonte në vendosjen e një ekuilibri të ri politik në rajon.Joparimësia e Grupit të Kontaktit ndaj çështjes së Kosovës u shpreh në rekomandimin e tij që fatet e Kosovës “të ndërlidhen” me krijimin e një sajese të re artificiale Serbi-Mali i Zi, me gjithë njoftimet që kishte se Kosova, me asnjë akt të vetin, nuk kishte marrë pjesë në krijimin e asaj sajese, por të kundërtën, me aktet e veta burimore(1990-91), kishte “shpallur sovranitetin dhe pavarësinë” e saj.Joparimësia e Grupit të Kontaktit shtrihej deri në atë masë sa që shqiptarët e Kosovës i trajtonte si “pakicë kombëtare”, me gjithë faktet e pamohueshme historike, politike dhe kushtetuese-juridike se ata, as nuk ishin dhe as nuk mund të trajtoheshin, si “pakicë kombëtare”,por që, në qenien e tyre pjesë përbërëse e Federatës së ish-Jugosllavisë, kishin territorin dhe kufijtë e vet, të përcaktuar dhe të garantuar me kushtetutën federative.Bashkësia ndërkombëtare fare nuk vrau mendjen se pretendimet e Serbisë që ta ruajnë juridiksionin e vet mbi Kosovën, nuk mund të qëndronin dhe të arsyetoheshin me të kaluarën serbe në Kosovë; se popullata shqiptare,në trojet e veta, në hapësirën e ish-Jugosllavisë, gjatë gjithë historisë, jetonte dhe funksiononte si një bashkësi etnike me pjesën tjetër të shqiptarëve të Ballkanit; se Kosova, historikisht dhe aktualisht, përbënte një tërësi të veçantë territoriale; se në Kosovë, edhe pas suprimimit të autonomisë politiko-territoriale të saj(1989), funksiononin disa trajta të shprehjes së pushtetit, ndonëse jo në mënyrë të plotë, në bazë të vetëpërcaktimit të popullit të Kosovës(1991); se fakti se shqiptarët qenë të shtrënguar që, në kuadër të pushtetit faktik serb, t’i përmbushnin nevojat e tyre elementare qytetare, nuk nënkuptonte, njëkohësisht, njohjen kushtetuese -juridike të tij dhe, përfundimisht, se përmasa kryesore dhe më e rëndësishme e çështjes së Kosovës nuk ishte ajo e “lirive dhe e të drejtave të njeriut” dhe as e “rrezikut nga kërcënimi i shpërthimit të luftës”, edhe pse ato përbënin elemente të kornizave të çështjes së Kosovës, por kryesore dhe më e rëndësishme ishte shprehja e mëvetësisë së Kosovës dhe e pozitës së saj, në bazë të karakterit etnik, historik, politik dhe ndërkombëtar, të artikuluar në aktet e “vetëpërcaktimit politik” të popullit shumicë të Kosovës.Prandaj, për bashkësinë ndërkombëtare duhej të ishte e qartë se esenca e synimit për realizimin e sovranitetit dhe pavarësinë e Kosovës nuk do të duhej të kundrohej, në rradhë të parë dhe kryesisht, si “kundërpozicion ndaj represionit të establishmentit serb”, por si përcaktim vetjak i Kosovës dhe i popullit të saj “për të jetuar me ligjet e veta në territoret e veta”. Sikur bashkësia ndërkombëtare të ishte vetëndërgjegjësuar më heret për këtë fakt, ngjarjet me Kosovën do të merrnin një rrjedhë tjetër dhe nuk do të vendoseshin gjatë në “sallat e pritjes”.









    Inkosekuencat e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me Kosovën



    Inkosekuencat e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë do të mund të përmblidheshin dhe të sistemoheshin në disa më kryesore:



    së pari, në reduktimin e çështjes së Kosovës në dimensionin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe preokupimin me të si “zonë shpërthimi”, pa e shtrirë interesimin e saj për ta kuptuar dhe për ta shtruar atë si çështje e vetëvendosjes së popullit të saj;



    së dyti, në përqëndrimin e vrojtimeve të veta në marrëdhëniet aktuale të shqiptarëve e serbëve, pa vra mendjen për çështjen e vjetërsisë dhe të përparësisë së shqiptarëve në këto troje;



    së treti, në kualifikimin e çështjes së Kosovës, si “çështje e brendshme e Serbisë”, pa marrë parasysh faktin e pakontestueshëm historik për aneksimin e saj nga ana e Serbisë;



    së katërti, në trajtimin e çështjes së Kosovës “në kuadër të temave për minoritetet”, pa u bazuar në faktin se shqiptarët jetonin në trojet e veta etnike dhe se,as përnga numri, dhe as përnga ndjenja e tyre, nuk ishin dhe nuk mund të trajtoheshin “pakicë kombëtare”;



    së pesti, në moskualifikimin e pozitës së Kosovës në ish-Jugosllavi, si njësi federale e saj, pa analizuar mirë e thellësisht zgjidhjet kushtetuese në aktin më të lartë të këtij vëndi të vitit 1974;



    së gjashti, në mospërfilljen e vullnetit të popullit shumicë të Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur, ndonëse të deklaruar në kushte dhe rrethana të veçanta, pa llogaritur se deklarimi i popullit përfaqëson faktorin suprem për përcaktimin e të ardhmes së një populli;



    së shtati, në mospërfilljen e aktit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe mosndërlidhjen e tij me çështjen e Kosovës, edhe pse, në të vërtetë, populli shqiptar, si popull josllav, nuk kishte asnjë arsye më shumë, madje se vetë popujt sllavë, që të qëndronte brenda një krijese artificiale shtetërore me të cilën nuk e lidhnin as e kaluara dhe as e tashmja;



    së teti, në mospërfilljen e së vërtetës se çështja e Kosovës paraqet vetëm një anë të çështjes së pazgjidhur shqiptare, pa u ndërgjegjësuar se as “pavarësia e Kosovës” nuk do ta zgjidhë çështjen shqiptare;



    së nënti,në mosnjohjen e realitetit nacional demografik dhe territorial të popullit dymilionësh shqiptarë në Kosovë, pa menduar se ai realitet as nuk mund të ndryshohet dhe as të nënçmohet dhe anashkalohet;



    së dhjeti, në mospranimin e individualitetit historik, gjeografik dhe nacional- strukturor e politik të Kosovës, pa vra ndërgjegjën se pikërisht ai individualitet është një ndër faktorët më përcaktues për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës.











    (Mos(vendosja e përgjegjësive për praninë ndërkombëtare në Kosovë



    Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999) pretendoi vendosjen e përgjegjësive kryesore të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, por që në fillim, pati neglizhim, luhatje dhe pavendosshmëri të bashkësisë ndërkombëtare që, për pasojë, lindi problemin e Mitrovicës(dhe pjesës veriore të Kosovës), përderisa ai kaloi përmasat lokale dhe u shndërrua në një problem ndërkombëtar, me shumë të panjohura për përballimin e tij.Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së solli paqartësi dhe dilema rreth vendosjes së administrimit ndërkombëtar në Kosovë.Ajo solli një kontradiktë të llojit të veçantë, në raport me dy rezoluta të mëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. C’është e vërteta, në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nr. 757/1991 dhe nr.777/1992, qe konfirmua ndërkombëtarisht “vdekja e ish-Jugosllavisë”, ndërsa Rezoluta 1244 “e ringjalli” atë, duke kërkuar mbrojtjen e “integritetit territorial të saj”.Madje, u kërkua zbatimi në Kosovë i legjislacionit, mbi bazën e të cilit u zbatua represioni e dhuna, deri në përmasa të gjenocidit, ndaj shqiptarëve. Rezoluta 1244 nuk e përkufizoi qartë as llojin e pranisë ndërkombëtare, sikur se që nga ajo, nuk u mësua as për qëllimin praktik, as për mandatin, dhe as për kohën e asaj pranie, fakt ky që Kosovën “e futi në një labirint”në të cilëin dihet vetëm se kur hyhet , e jo edhe se kur dilet prej tij.Në vend se të qartësohej, perspektiva e Kosovës zbehej.Rezoluta 1244 e vështroi Kosovën si një “mozaik nacional”, edhe pse përqindja e popullsisë me shumicë të theksuar shqiptare, nuk korrespondonte me këtë parim, kështu që u sajua “shoqëria multietnike” në emër të së cilës, pakicat, në mënyrë të veçantë ajo serbe, do të duhej të përfitonin më shumë të drejta dhe privilegje se sa u takonin. Përgjithësisht, u eksperimentua shumë gjatë me Kosovën, kështu që ajo “u vendos në një rreth”, nga i cili , edhe pas përcaktimtit të statusit, “nuk do të dalë plotësisht ”, e mbërthyer me disa zgjidhje që, në segmente të caktuara, “arsyetojnë posesivzmin serb mbi Kosovën”, edhe pse ai posesivizëm, mbi bazën e argumenteve dhe fakteve të pakontestueshme, nuk e ka bazën e duhur etnike.

    Bashkësia ndërkombëtare, për një kohë të gjatë, nuk u tregua një “historiane e mirë” që të mësonte të vërtetën për Kosovën, sado që edhe e tashmja mjafton të mësohet për të.Pra, bashkësisë ndërkombëtare iu desht, një periudhë e tërë, që pjesërisht të ndërgjegjësohej, për t’iu qasur problemit të Kosovës, në përputhje me realitetin e saj, por edhe në përputhje me përgjegjësitë që “ka marrë përsipër” për “t’a dërguar Kosovën në stacionin e duhur”, aty ku e ka vendin dhe ku i takon të qëndrojë.

    “Ndërhyrjet e Serbisë” në Kosovë





    Para “syve të bashkësisë ndërkombëtare”, por edhe me “miratimin e heshtur të saj” ndodhën shumë “ndërhyrje të Serbisë” në Kosovë. Ajo përherë u “arsyetua” me qenien “në fuqi” ende të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas së cilës Kosova u trajtua si “pjesë e Serbisë”. Veriu i Kosovës, faktikisht, “u menaxhua” nga Beogradi. Realiteti flet se në Mitrovicën e veriut dhe, përgjithësisht, në veriun e Kosovës, flitet një gjuhë tjetër, valon një flamur tjetër dhe jeta kontrollohet nga një qeveri tjetër, e cila ka edhe zyrat e veta ministrore. Aty u lejua certifikimi i partive politike, me seli në Serbi, për pjesëmarrje në “zgjedhjet në Kosovë”, por edhe certifikimi i partive, me seli në Kosovë, për pjesëmarrje në “zgjedhjet në Serbi”.

    Vështrimi dhe trajtimi i Kosovës si “nevojë e decentralizimit” me qëllim “të përballimit të konfliktit shqiptaro-serb” hapi rrugë për “ndërhyrje” tjera të Serbisë në Kosovë.Projekti serb i decentralizimit synoi “ndarjen e Kosovës”.Kërkesat e Serbisë për decentralizim u shtruan në kuadër të kërkesave për ta vështruar dhe shtruar çështjen e Kosovës në rrafshin e “rajonalizimit të saj”, për të mbajtur “lidhjet me Beogradin”, që përbënin përpjekje “për të dëshmuar” se jeta institucionale në Kosovë nuk mund të ndërtohet “pa lejën e tij”. Difektet e projektit të decentralizimit u vërten shumë herërt.U synua që decentralizimi të identifikohet me ndarjen territoriale; që decentralizimi të ofrojë territorializim etnik dhe që decentralizimi të shpërfaqet me komuna mbi baza etnike, në ç’mënyrë u vu në pyetje karakteri unik i Kosovës.Qeveria serbe mbështeti idenë për territorializimin e çështjes serbe në Kosovë, prandaj Kosova u ballafaqua me obstruksionin serb të veprimit të “organeve paralele” dhe të enklavave në baza etnike.

    Pa pritur gjykimin e kohës, mund të thuhet se UNMIK-u dhe OSBE-ja, lejuan procese të paligjshme të cilat nuk qenë në përputhje as me Rezolutën 1244 dhe as me Kornizën Kushtetuese, sado që të dyja këto dy dokumente, nuk janë akte të favorshme për Kosovën, për të qenë “pikë referimi” në “mbrojtje” të saj.

    Nën parolën e UNMIK-ut dhe të OSBE-së se “Ne as nuk përkrahim dhe as nuk i ndalojmë” veprimet serbe, kanë ndodhur shumë “ndërhyrje të Serbisë” në Kosovë dhe në “punët e brendshme të saj” dhe ky fakt nuk mund të injorohet.Ato veprime kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë pasoja politike për Kosovën dhe të ardhmen e saj.





    Cfarë u tha në Raportin e ambasadorit K.Eide ?



    Kai Eide, në raportin e tij për Kosovën(2005), me të cilin “u hapen bisedimet” Kosovë- Serbi, qe shprehur, ndër të tjera, se “çështja e Kosovës do të zgjidhet ndryshe nga ajo e ish – republikave të Jugosllavisë”, prandaj dhe ndodhi që Kosova të privohet nga e drejta që vetë ajo të vendosë për të ardhmen e vet, mbi parimin e vetëvendosjes, me gjithë faktin se kjo e drejtë u takon shqiptarëve të Kosovës,

    qoftë si e drejtë kombëtare, qoftë si e drejtë e një territori të individualizuar.

    Po në këtë raport, Kai Eide “sugjeroi” autonomi të zgjeruar për serbët e Kosovës, dhe i hapi rrugë “procesit të decentralizimit” i cili, më shumë se “integrimin”, synon “dezintegrimin” e Kosovës.



    Kundërthëniet e Planit të Ahtisaarit



    Kosova priti gjatë propozimin e ish-presidentit finlandez, M.Ahtisaari.Me arritjen e propozimit, arritën dhe dilemat rreth tij.Dokumenti la për “të kuptuar” zgjidhjen, por nuk e shprehi atë, në mënyrë krejtësisht të qartë, dhe vetvetiu, e bëri atë të interpretueshëm.Kështu, u shfaq droja se një dokument i interpretueshëm, mund “të prodhojë” një “zgjidhje të interpretueshme” në një rezolutë eventuale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.Plani i Ahtisaarit “hapi një portë” për krijimin e “një shteti” për të cilin nuk u shpreh, në mënyrë decidive.Në këtë mënyrë, u shfaq droja tjetër për shkallën e pavarësisë dhe të sovranitetit dhe për (pa)mundësinë e njohjes ndërkombëtare të tij.

    Pjesa tjetër e Planit të Ahtisaarit që “nuk iu referua statusit” qe shumë e qartë.Në të vërtetë, Plani i Ahtisaarit përmblodhi statusin e pakicave, veçanërisht atë të pakicës serbe dhe mbrojtjen e interesave të saj.

    Kosovës iu kërkua që të hyjë në negociata me Serbinë e hendikepuar, për shkak se territori i Kosovës nuk ishte ende i unifikuar; për shkak se Kosova mbahej me Rezolutën 1244 ende e përthekuar; për shkak se në institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës ende nuk ishin bartur autorizimet që ishin premtuar; sepse ato ende vazhdonin të vepronin, në masë të madhe, nga të huajt të kontrolluar.

    Kosovës, pothuaj se “iu imponua”, që të diskutojë dhe miratojë projektin e decentralizimit, planin për trashëgiminë serbe dhe kornizat e legjislacionit mbi të drejtat politike të pakicës serbe, në mënyrë të veçantë, si “çështje teknike”, edhe pse që të gjitha ato preknin në çështjet e statusit, madje dhe paragjykonin thelbin e tij, çështje këto që u detajizuan në Planin e Ahtisaarit.

    Plani i Ahtisaarit përmblodhi edhe parimet, por edhe detajet, e shtrirjes së pranisë ndërkombëtare në Kosovë që, vetvetiu, do të ndikojë në kufizimin e funksionalitetit të institucioneve të Kosovës, pas vendosjes së statusit të ri të saj dhe, për pasojë, pavarësinë dhe sovranitetin , edhe ashtu formal të Kosovës, do t’i bëjnë të lëndueshëm dhe të invalidueshëm.

    Arsyet për një prani, relativisht të theksuar, të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë flasin, në të vërtetë, për një shkallë, ende të ulët besimi, në kapacitetin vendor “për të administruar plotësisht vendin”,por krahas me këtë, përmenden edhe dy arsye të tjera, si ndjenja e mosbesimit të bashkësisë ndërkombëtare në raportet e shqiptarëve e serbëve, por edhe një marrëveshje e pashkruar, brenda bashkësisë ndërkombëtare, për kufizimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.









    “Abstenimi” i Këshillit të Sigurimit të OKB-së





    Me gjithë kundërthëniet e Planit të Ahtisaarit, Rusia arriti që ta bllokojë miratimin e tij nëpërmjet një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, edhe pse nga një numër shtetesh, anëtarë të rregullt të Këshillit të Sigurimit, pati angazhime që të ndodhë një miratim i tillë.Rusia iu kundërvu haptas “pavarësisë së mbikëqyrur”të Kosovës, për çfarë angazhohej plani i kryendërmjetësit të negociatave Kosovë- Serbi.Më pas ndodhi heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e Këshillit të Sigurimit dhe “bartja e përgjegjësive për Kosovën” në Bashkimin Evropian, fakt ky që shkaktoi dilema nëse çështja e Kosovës do të mund të zgjidhej pa një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit dhe zëvëndësimin e Rezolutës 1244.Bashkimi Evropian, nëpërmjet të ekspertëve të vet, doli me interpretimin se Rezoluta 1244 nuk paraqet pengesë për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës dhe as për shtetësinë e saj.Megjithate, një numër shtetesh, anëtare të Bashkimit Evropian, kundërshtuan ose, së paku, u rezervuan ndaj planit për “pavarësinë e mbikëqyrur” të Kosovës, kështu që, deri më sot, nuk u artikulua “një zë i vetëm” i Bashkimit Evropian në lidhje me të ardhmen e Kosovës.Nën “presionin e fuqishëm amerikan”, brendapërbrenda Bashkimit Evropian, “u përfitua” një numër shtetesh në mbështetje të “pavarësisë së mbikëqyrur” të Kosovës dhe të “njohjes ndërkombëtare të saj”.Një fjali e Z.Condoleezza Rice, e shprehur kohë më parë, sikur përmblodhi gjithë dilemat që janë shkaktuar me “shpalljen” ose jo të pavarësisë së Kosovës, nga ana e Kuvendit të Kosovës:”Në një moment ne duhet të marrim vendime të rënda dhe shtyrja e këtyre vendimeve nuk i bën këto më të lehta”. Sado që ajo të ketë menduar në “vendimet e rënda” për serbët, nuk e mendoj se i ka “jashtë ndërdijes” ato vendime edhe për shqiptarët të cilët, me pranimin e Planit të Ahtisaarit, kanë pranuar që “pavarësia” e tyre, qoftë edhe në përmasat e kufizuara, “të gjymtohet dukshëm” dhe që asaj t’i mungojë “shkëlqimi i duhur”.











    Shtyrjet dhe pritjet



    Nga ana e bashkësisë ndërkombëtare qe premtua se tërë procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës do të përmbyllet në vitin 2006.Më vonë, procesi hyri në një periudhë të re ngecjeje, në një periudhë të re pritjeje dhe në një periudhë të re paqartësie. Kosova tash është në pritje të asaj që dëshiron të vijë; në pritje të së ardhmes që prêt të vijë dhe në pritje të asaj që do të vijë.













    Vendim që nuk do ta rrumbullakojë statusin





    Statusi i Kosovës nuk do të mund të quhet i rrumbullakuar, nëse nuk shoqërohet me njohjen e subjektivitetit politik- juridik dhe ndërkombëtar të Kosovës.



    Statusi i Kosovës nuk mund të konsiderohet përfundimtar, përderisa në Kosovë do të ketë një prani, relativisht të theksuar, ushtarake dhe civile ndërkombëtare.



    Statusi i Kosovës nuk do të mund të kualifikohet i zgjidhur, përderisa në veriun e Mitrovicës dhe të Kosovës nuk do të ketë shtrirje të institucioneve legale dhe legjitime të Kosovës dhe përderisa atje do të funksionojnë organet paralele të qeverisë serbe.



    Statusi i Kosovës nuk do të mund të quhet i zgjidhur, përderisa në Kosovë, në gjithë territorin e saj, nuk do të vlejnë ligjet unike të Kosovës.



    Vlen të përmendet edhe një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, sado që ne shqiptarët sikur “turpërohemi” ta theksojmë, përse pavarësinë e Kosovës nuk duhet ta pranojmë si “zgjidhje finale”. Arsyja qëndrore është se statusi politik- kushtetues i Kosovës nuk përbën as tërësinë e statusit politik-kushtetues të shqiptarëve që kanë jetuar në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe as statusin politik – kushtetues të popullit shqiptar në tërësi, sado që statusi i Kosovës përbën thelbin e tij.Një gjë që duhet të theksojmë, edhe me këtë rast, është se, “sikur vetëdija evropiane dhe vetëdija e gjithë shteteve në to të ishte në nivelin më të lartë të pranimit të vullnetit të lirë të popujve që të ndjekin parimin e lirë etnik me konsekuencë të plotë, nëpërmjet rruëgs paqësore, pa sjellje politike me standarde të dyfishta, kishte për të qenë tejet i natyrshëm opsioni i bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe i trevave të tjera me shumicë etnike shqiptare si territore kontinuele në esencë me strukturë të njëjtë dominante kombëtare…”



    Sfidat e passtatusit





    Adresimi i statusit të ri politik, juridik – kushtetues dhe ndërkombëtar të Kosovës, shoqërohet me një numër shqetësimesh që mund të paraqiten në lidhje me jetësimin e tij.



    E para, është (pa)qartësia politike dhe legale e statusit.Historia e shteteve mëson se një vend ose është ose s’është shtet; ka ose nuk ka pavarësi; ka ose nuk ka sovranitet. Prandaj, adresimi i statusit të Kosovës nuk shoqërohet me një kontratualitet me OKB-në, BE-në dhe NATO-n, me ulëse në OKB, i barabartë me statusin e shteteve të tjera.


    E dyta, një prani shumë e theksuar e BE-së në Kosovë, me fuqi ekzekutive dhe me fuqi të interpretimtit të mandatit të vet, mund të krijojë një mentalitet të ri vartësie.


    E treta, vështërësimi, deri në shkallë pamundësie, i shtrirjes së institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të saj.Pavarësia e Kosovës do të mund të kishte kuptim vetëm nëse institucionet e Kosovës do të mund të vepronin dhe të ndikonin edhe në pjesën veriore të Kosovës, e cila mbahet e ndarë prej kohës së vendosjes së trupave ndërkombëtare që, nuk përjashton mundësinë, të ketë ndodhur edhe si pjesë e projektit të asaj vendosjeje të tyre në Kosovë.


    E katërta, mundësia e izolimit të territoreve të Kosovës ku jetojnë dhe ku do të jetojnë serbët, eventualisht të kthyer, në bazë të projektit territorial dhe etnik të decentralizimit dhe vartësia e tyre prej Beogradit.Pavarësia e Kosovës do të mund të kishte kuptim vetëm nëse edhe në ato territore do të zbatoheshin ligjet unike të Kosovës dhe nëse ato do të kontrolloheshin prej institucioneve të Kosovës.


    E pesta, mundësia e bllokimit të punës së institucioneve të Kosovës, veçanërisht e Kuvendit të Kosovës, me keqpërdorimin e të ashtuquajturit diskriminim pozitiv të minoriteteve , veçanërisht nga ana e pakicës serbe. Pavarësia do të mund të kishte kuptim vetëm nëse minoritetet faktikisht do të integroheshin në institucione dhe nëse do të pranonin realitetet e reja dhe do të jetonin me to.


    Disa vrojtime mbyllëse


    Nëse statusi i ri politik, kushtetues – juridik dhe ndërkombëtar i Kosovës do të ndiqte trajektorën e Marrvëshjes së Dayton-it në Bosnjë e Hercegovinë që, me të të vendoset “territorializimi etnik i Kosovës”, si parim themelor, do të kërcënojë rreziku që edhe më këtë status, të mos “përmbyllet kriza”, por të kundërtën, të hapet një kapitull i ri, ku “kriza e trashëguar nga 1990-ta thjeshtë të zhvendoset në premisa të reja dhe të marrë një dinamikë tjetër”, kështu që edhe konflikti Kosovë – Serbi nuk do të tejkalohet, por do të marrë premisa të reja dhe për pasojë, “do të rrisë dukshëm rolin politik të misionit të ri ndërkombëtar në Kosovë”.

    Nga ana tjetër, vendosja e Misionit të BE-së në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244, të pashfuqizuar nga ana e Këshillit të Sigurimit, e cila rezolutë, në fakt, komponentë nisësë ka “ruajtjen e integritetit territorial” të RFJ-së(Serbisë), krijon një konfuzion në raportet “pavarësia e mbikëqyrur” e Kosovës, Rezoluta 1244 dhe Misioni i BE-së. Me gjithë “shpalljen e pavarësisë”, paqartësitë juridike do ta shoqërojnë Kosovën edhe për një periudhë relativisht të gjatë, për derisa nuk do të rrumbullakohet, përfundimisht, statusi i saj politik- juridik e ndërkombëtar.


    Paraqet,Sabri Selmani
    Gjermani

  2. #2
    Pasioni për shkencën Maska e KILI MERTURI
    Anëtarësuar
    23-01-2008
    Vendndodhja
    evropë
    Postime
    1,838
    A ka par dikush ndonjë dokument që u është dorzuar institucionev të Kosoves nga shtetet që e kan pranuar Kosoven të Pavarur .

    Unë nuk e di a është botuar ndonjëri nga dokumentet e tilla?!

    Nëse dikush ka parë në ndonjë gazet apo web faqe , ju lutem më tregoni!

    Këtë për shkak se, mendoj këto far dokumente të pranimit , besoj se janë shumë të kufizuara dhe edhe më tepër të kushtëzuara. Kam dëshir ta kam gabim.

    Besoj se po të kemi të një dokument të tillë , do të vërtetohen shumë nga konkludimet e drejta të z.Sabriut të dhënë në shenimin e tijë .


    Kili

    SHQIPËRIA ËSHTË GJAKU IM QË NUK FALET!
    Në dreq të mallkuar të gjithë antishqiptarët dhe tradhtarët e kombit!

  3. #3
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    Si e han "Kosovën dreqi"?!


    Nga:Agim POPOCI

    Pas shpalljes së pavarësisë, askush në Kosovë nuk e ka menduar se gjithçka do të shkojë vaj, madje edhe optimistët më të mëdhenj e kanë menduar dhe mendojnë se gjithçka që bëjnë serbët është një proces normal. Dhuna mund të jetë e papranueshme, por është normale si reagim serb, Koshtunica mund të quhet anormal, por parë me gjykim të ftohtë ai futet në histori si Kryeministri i Serbisë që humbi Kosovën, por a rrezikohet realisht Kosova.

    Shko në Veri "dobro veçe"

    Protestat e serbëve në veri të Kosovës nga shpallja e pavarësisë e deri më sot nuk është se tregojnë ndonjë seriozitet, vetëm sa i përgjigjen politikës serbe të Beogradit. Në ditët e para të këtyre protestave kishim mijëra protestues dhe ky intensitet ra, me ardhjen e ca legjendave të futbollit kjo kurbë u ngrit, ndërsa këto ditë nuk bën punë as sikur Jezu Krishti të bëjë tifozllëk për Serbinë.

    Rojet e Urës nuk mendojnë se mund të prezantohen më si të tillë, sepse tani duhen ata të Veriut, mbështetje nuk mund të gjejnë nga serbët e lodhur nga politika e varfëria dhe lajmi që hyri apo nuk hyri treni në veri të Kosovës, nuk është më lajm për miletin serb. "Dobro veçe" mund të dëgjosh që nga Ura e Ibrit e deri në kufirin administrativ dhe ky është ekzaltim i tërë. Kulisat dhe kafenetë janë vërshuar me llafet se kush e pranoi dhe kush JO, shtetin më të ri në Evropë. Falë Zotit kanë Qipron dhe Rumaninë që japin deklarata për pobratimët e tyre ortodoksë, por jo që e kanë edhe me gjithë mend.

    Edhe Hekurudha e Serbisë, që gjithmonë ishte në krah të Millosheviçit, e që sot mbron Koshtunicën, mendonte se është duke folur me Izetbegoviçin e Tuxhmanin, kur iu drejtua UNMIK-ut. Por ja që këta janë ndërkombëtarë dhe ligjin nuk e kapin në dorë, por e lexojnë kur ai është në tavolinë. Edhe në këtë rast, si në rastin e pavarësisë, serbët i bënë një shërbim të madh Kosovës. Duke harruar që nuk janë në Knin, futën flamurin e Serbisë në stacionet e trenit, që janë në veri dhe menduan se këtu është fundi i botës. Por dale more serbë, se bota nuk ndërtohet mbi shina, ajo filloi mbi shina.

    Por një gjë të tillë nuk ia shpjegon dot një shkjau, por kujdes sepse ai thotë vetëm "Dobro veçe" dhe ulëret pa lidhje dhe kjo nuk është shenjë që të nxisë indet patriotike të reagosh. Ky popull, ose pakicë serbe në Kosovë, para vetes kishte shumë modele veprimi, duke filluar nga Knini e deri në Zveçan dhe në të gjitha rastet është vetëm në kërkim të teveqelit, gjë të cilën nuk duhet ta gjejë te Prishtina zyrtare.

    Në enklava edhe "pomoz bog"

    Edhe në enklavat serbe të Kosovës, aty ku pritet të zbatohet plani i Ahtisarit, gjithçka duket normale, traktorët punojnë, flamujt serbë valëviten, pensionet serbe shpërndahen, por institucionet e Kosovës nuk pranohen dhe policët serbë nuk marrin urdhra nga shqiptarët. Që institucionet e Kosovës nuk pranohen nuk është edhe ndonjë gjë e re, por që kopjohet modeli kosovar i fillimviteve ‘90 të vjen për të vjellë. Duke mos e kuptuar as renditjen e re botërore, serbët e Kosovës mendojnë se TEC-i i Obiliqit duhet të prodhojë edhe tanga, vetëm se Beogradi zyrtar e dëshiron një gjë të tillë. Kopja e shëmtuar e revoltës popullore kosovare me 30 mijë policë që dorëzojnë armë dhe madje kërkojnë edhe vërtetimin që kanë dorëzuar armët, përsëritet pas 20 vitesh. Jo që kishim të bënim me një veprim të mençur, por që serbët e ngatërrojnë veprimin e shqiptarëve me veprimin serb, pas dëbimit masiv të mbi një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.

    Serbët harrojnë se shqiptarët e Kosovës, gabimin më të madh e kishin bërë me dorëzimin e armëve, sepse, në të kundërtën, Beogradi duhej të luftonte me policët e tyre shqiptarë, ose me 30 mijë të pabindur, që në gjuhën ushtarake quhet FORCË E ARMATOSUR. Por ja, serbët janë që janë, e shqiptarët ishin që ishin dhe iu desh që me politikën e Rugovës të duronin, në mënyrë që shumë vjet më pas, pas shumë viktimave, të fillojnë të blejnë armët e dorëzuara në komisariatet e policisë ose në Shqipërinë e çarmatosur, në mënyrë që ta luftonin okupatorin serb.

    Modeli i Shërbimit Policor të Kosovës, si eksperiment i dështuar i multietnicitetit sot e dëshmon se policia nuk është për sfilata, por për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, ashtu siç një piktor nuk mund ta gëlqerosë një dhomë, edhe pse ngjyrat i di dhe i përzien mirë. Zanatin e bojaxhiut, ashtu si edhe të policit, do ta bëjë vetëm profesionisti, ai i cili uniformën e mban për identifikim, e jo për ta zhveshur sa herë i thotë partia, pa u djersitur fare. Edhe pse me Kushtetutën e Kosovës nuk do të kenë prioritet ata që vuajtën dhe u takon toka kosovare, degradimi i qytetarit të këtij vendi mund ta çojë Kosovën aty ku "mund ta hajë edhe dreqi"! Nëse do të ketë traktorë, do të ketë për të gjithë, nëse do të ketë liri të lëvizjes, do të ketë për të gjithë, nëse do të ketë SHPK, do të ketë për të gjithë, në të kundërtën kufijtë evropianë që ishin dje, do të vazhdojnë të jenë edhe sot, të hapur për të gjithë.

    Serbët në Jugosllavi nuk u zbutën se Titoja i favorizoi për të gjitha, që u lejoi të keqtrajtojnë, përdhunojnë dhe vrasin shqiptarë, por këtë e bëri e drejta e popujve të tjerë jugosllavë për vetëvendosje, që nuk pyetën fare, por as nuk dorëzuan armë. Qeveria e Kosovës, vetëm për të mirën e këtij vendi dhe askujt tjetër, duhet të mos favorizojë askënd, të ndihmojë të gjithë dhe të mos ia imponojë askujt jetesën në një vend për të cilin ai nuk ka lindur dhe nuk jeton.

    Në Kosovë mund të japësh ndihma sociale dhe të flasësh edhe gjuhën serbe, ama Rankoviç, Nikoliç dhe Artemije nuk bëhesh dot, ai është mall i skaduar i kësaj bote që nuk prodhohet më. Serbët që jetojnë në enklava, e janë shumë më shumë të rrezikshëm se ata në veri, Kryeministri mund t‘i përshëndesë edhe me "Pomoz bog...", por çetnik nuk bëhet dot, vetëm se ata e parapëlqejnë.

    Nëse këto nuk sqarohen, ata shqiptarë që vuajtën dhe sot po durojnë për etikë ndërkombëtare dhe politikë të ditës, do të pësojnë se pse ishin bashkëkohorë dhe pse këtë ua servirën pikërisht serbëve. Shqiptarët ishin në dijeni se qenit nuk i nxirret hallvë, por për të mos e vrarë.

  4. #4
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    Forca pa forcë

    Gent Caka

    Tashmë vëmendja politike
    kolektive është në fazën më të
    lartë të përqendrimit kah
    shpallja e pavarësisë. Kjo shpallje
    nënkupton edhe instalimin e një
    misioni tjetër ndërkombëtar që do të
    ketë për qëllim mbikëqyrjen e zbatimit
    të Planit të Ahtisaarit. Edhe pse
    detyra e dikurshme e lidershipit të
    tanishëm politik ishte bërja e pakusht
    e pavarësisë së Kosovës, megjithatë
    ajo sot është reduktuar vetëm në
    shpallje të pavarësisë. Pavarësia
    s'realizohet me shpallje: ajo veçse
    po shndërrohet në një ide futorologjike.
    Prapakthimi në histori është dëshmi
    e vlefshme dhe e domosdoshme për
    vlerën e njohjes së jashtme, nëse
    asaj nuk i paraprijnë elementet thelbësore
    të sovranitetit përbrenda.
    Palestina njihet si vend i pavarur nga
    Izraeli prej më se 100 shteteve, por
    megjithatë shkalla e funksionalitetit
    të saj brenda është krejtësisht e ditur
    - atje konflikti vazhdon ende.
    Ndërkaq, më 6 prill 1992, ShBA-të
    dhe Evropa e njohu Bosnjen si
    republikë me të drejtë shkëputje nga
    Jugosllavia, por vetëm 2 ditë më pas
    atje shpërtheu lufta me rrjedhoja
    fatale. Përkundër njohjes ndërkombëtare,
    brenda Bosnjes u krijuan
    entite të reja politko-administrative,
    për shkak se vendit i munguan
    mekanizmat e duhur politiko-ushtarak
    për ta kontrolluar në mënyrë
    efektive tërësinë territoriale në përputhje
    me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.
    Tek e fundit edhe Kosova më 2 korrik
    1990 hartoi deklaratën e shpalljes
    për Republikës së Kosovës së
    pavarur e sovrane, por megjithatë
    ajo vazhdoi të trajtohet si pjesë integrale
    e Jugosllavisë. Ndërkaq sot
    edhe pas 17 vitesh flitet për hartimin
    e deklaratave të pavarësisë, derisa
    realiteti praktik nuk është ai që përputhet
    me deklaratën e shpalljes.
    Përderisa Kosova në rrafshin ndërkombëtar
    legalisht do të vazhdojë të
    trajtohet si pjesë integrale e Serbisë
    (Rezoluta 1244), politikisht do të sundohet
    nga misioni i ardhshëm i BEsë
    me kompetenca supreme, kurse
    etnikisht do t'i shtohet ndarja përmes
    procesit të decentralizimit të paraparë
    në Aneksin III të Pakos së
    Ahtisaarit.
    Përderisa në anën tjetër mekanizmat
    ushtarak ndërkombëtar në
    Kosovë do të vazhdojnë misionin e
    tyre si rezultat të Marrëveshjes
    Tekniko-Ushtarake të Kumanovës,
    të firmosur më 9 qershor 1999, ndërmjet
    armatës jugosllave dhe autoriteteve
    të NATO-s. Kjo marrëveshje
    është plotësisht në harmoni me
    Rezolutën 1244, e cila Serbisë ia
    njeh sovranitetin mbi Kosovë. Me
    pranimin për çarmatosjen e UÇK-së
    në Marrëveshje të Rambujesë, pala
    kosovare u injorua deri në shkallën
    më të lartë të mundshme në
    Marrëveshjen e Kumanovës - duke
    mos u ftuar fare që të pytet për
    asgjë. Pra, pala shqiptare u vetëdefaktorizua.
    Sikur kjo shpallja e paraparë e
    pavarësisë ta bënte Kosovën shtet
    të pavarur e sovran në kuptimin thelbësor
    të fjalës, atëherë kjo marrëveshje
    menjëherë do të duhej të
    shfuqizohej. Mirëpo, bashkësia
    ndërkombëtare është e interesuar ta
    vazhdojë strategjinë e dykuptimësisë.
    Ajo e toleron shpalljen e
    pavarësisë në Kosovë por njëkohësisht
    nuk i shfuqizon marrëveshjet e
    saj me Beogradin. Kështu problematika
    e sovranitetit është dyanshmërisht
    e interpretueshme. Pra,
    KFOR-i do të vazhdojë ushtrimin e
    detyrës së tij në marrëveshje me
    Serbinë.
    FSK-ja për nga statusi nuk është në
    kundërshtim me Rezolutën 1244,
    sepse ka natyrën e xhandarmërisë.
    Askund në këtë dokument kjo forcë
    nuk definohet si ushtri, ashtu siç
    parapëlqejnë ta quajnë liderët politik.
    Në Nenin 5.2 të Aneksit XIII të
    kësaj pakete kufizohet numri i
    pjesëtarëve të kësaj force në gjithsej
    2.500 pjesëtarë aktiv dhe 800
    rezervistë me armë të lehta.
    Ndërkaq, krejt ky formacion në
    instancë të fundit do të jetë nën
    ombrellën e Pranisë Ushtarake
    Ndërkombëtare. Momentalisht ne e
    financojmë SHPK-në, por atë e kontrollon
    Richard Monk-u. Njëjtë janë
    të interesuar t'ia bëjnë me FSK-në -
    ne paratë, ata urdhërat. Ndërkaq,
    TMK-në do ta shpërbëjnë brenda
    një viti duke i lënë në pension shumicën
    e pjesëtarëve të saj. Ky
    reduktim i forcave është në përputhje
    me planifikimet e qarqeve të
    ndryshme politike që Kosovës t'ia
    imponojnë projektet e tyre.
    Fatkeqësisht bashkë me deklaratën
    e pavarësisë po instalohet realiteti i
    varësië, ngase kjo po bëhet në
    mungesë të dy atributeve substanciale
    të sovranitetit: ushtrisë dhe atij
    të kontrrollit efektiv mbi territorin.
    Shpallja pa referendum e lë të hapur
    mundësinë që edhe më thellë të
    zhytemi në procese me karakter
    imponues. Prandaj kuptimi i shpalljes
    nënkupton paraprirje nga referendumit.
    Tek e fundit, veç nëpërmjet
    referendumit një process i kësisojtë
    politik mund të ketë legjitimitet të
    mirëfilltë demokratik. Referendumi
    është bllokadë për çfarëdo projekti
    me karakter imponues. Atëherë kur
    bazamenti i procesve politke del prej
    referendumit, s'ka ku të kërkoj legjetimitet
    veçse prej aty ku e ka marrur.


    Paraqet,Sabri Selmani

Tema të Ngjashme

  1. Dardani apo Kosovë
    Nga Statovci në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 15-06-2018, 11:31
  2. Kombin shqiptar 7 milionësh në Ballkan e kanë mbuluar retë e zeza
    Nga Davius në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 01-08-2010, 13:18
  3. Kosova: unjust politics
    Nga bqato në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 06-10-2006, 08:07
  4. Platform For The Resolution Of The Albanian National Question
    Nga saimiri-uk në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-02-2003, 15:52
  5. ICG: - UNMIK-u ka lejuar ndarjen e Kosovës
    Nga kosovar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 10-06-2002, 06:51

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •