Shoqata e enigmatëve "LABIRINTI" në Rahovec, është themeluar në vitin 1986, e njejta ushtron veprimtarinë e vet edhe sot e kësaj dite.
Shoqata në kuadër të vet, ka tri seksione: enigmatik, letrar dhe të artit figurativ. Që të tri seksione, mbrenda këtyre viteve jo të pakta, në mënyrën e vet, kanë dhënë një kontribut të lakmueshëm, kështu seksioni enigmatik, tri herë ka marrë pjesë në garat Federative të enigmatëve të ish Jugosllavisë, poashtu tri herë ka marrë pjesë në garat enigmatëve në nivel të Kosovës, anëtarët e këtij seksioni kanë bashkëpunuar me të gjitha revistat e kohës, boton dy revista enigmatiko-zbavitëse në nivel të kosovës, "Filizat" 55 dhe "Filizat" 1oo; seksioni letrar, poashtu ka korrur suksese jo të vogla - anëtarët e këtij seksioni, janë paraqitur në mënyrë të organizuar në të gjitha revistat letrare të kohës e nga viti 1087, ka botuar revistën letrare për fëmijë të pagëzuar me të njëjtin emër "Filizat", në kuadër të dhjetëvjetorit të veprimit të Shoqatës, ka botuar përmbledhjen me vjersha dhe tregime nga autorë që kanë qenë më të suksesshëm e për nderë të njëzetvjetorit të veprmit të Shoqatës, ka botuar përmbledhjen e dytë me vjersha e, tregime dhe disa drama njëaktëshe për fëmijë.
Unë do t'përpiqem di veçoj disa vjersha e tregime nga më të sukseshmit e me kënaqësi do t'u dhurojë lexuesve të vegjël të Forumit të nderuar shqiptar.
Së pari, do ta nis prezentimin me një letër të shkrimtarit tani më të afirmuar, kritikut letrar, poet... Miftar Kryeziut, dërguar redaksisë së "Filizave".
Miftar KRYEZIU
E nderuar redaksi!
Para se të futem në brendi të këtij shkrimi, dëshiroj të theksoj se nuk flas në cilësinë e ndonjë vlerësuesi profesional, por në atë të një lexuesi të rregullt. Doemosdo, do të përpiqem të jem sa më i shkurtë, pikërishtë do të pozicionohem në një mendim mjaft të qëlluar (të paktën për të Mr.se. Hasan Dula se: „Rahoveci është qytet i muzave“. Po kësaj shprehje „të palëvizëshme“, ai në revistën letrare „Filiza“ në numrin e Janarit 2003, sikur i dha një impuls, dhe nga pozita e lartpërmendur, e solli në një pozitë „të lëvizshme“, gjithsesi të këndshme: „Po zgjohen muzat rahoveciane“.
Cilët mund të jenë faktorët e transformimit të shprehjes së parë, në shprehjen e dytë?
Ndonëse shpjegimin më të plotë, pamëdyshje do ta thotë profesori im i nderuar z. H. Dula, në ndonjë shkrim më të kompletuar, duke e vështruar në mënyrë më poliedrike, nga pozicioni prizmor i tij, mirëpo unë si lexues i rëndomtë, duke kërkuar leje publike profesorit, do të orvatem të shpjegoj, vetëm njërin nga faktorët e transformimit të shprehjes së „palëvizshme“, në atë të „lëvizshme“.
Mendoj, dhe jam mëse i vetëdishëm, se për të bërë një transformim në dobi të një ardhmërie më të begatshme, dhe më bashkëkohore, posaçërishtë në sferën e kulturës, nuk ka mjaftuar, nuk mjafton, dhe nuk do të mjaftojë asnjëherë vetëm një faktor, por disa faktorë. Megjithatë, në familjen e këtyre faktorëve, është e domeosdoshme që njëri ta hapë shtegun, pas të cilit do të shtegëtojnë të tjerët. Po, cili është ky faktor që i dha, dhe vazhdon ende ti jep impulse këtij transformimi?
Këtu pa emocione, mendoj bindshëm se: Pikërishtë, është revista letrare ”Filizat”, që ka trokitur dhe po troket pandërprerë, në “muzat e fjetura rahoveciane”, derisa ato filluan të zgjohen. Dhe, kur muzat e fjetura zgjohen, atëherë ç’ndodhë?
Sigurisht, se atëherë lëkunden nga vendi “gurë e drurë”. Sigurisht se atëherë lëkunden nga vendi “vargje, ngjyra, melodi...”, që u vie një aromë e këndëshme ardhmërie.
Revista letrare “Filizat”, me këtë emër simbolik, në planin e receptimit të saj, asnjëherë nuk i ka munguar begatia, bujaria dhe mbi të gjitha guximi. Me një fjalë, “uni i saj”, kurrë nuk ka qëndruar anash vetes, por stoike në mes vetes, edhe atëherë kur fryente e ç’fryente “murlani”.
Kontributi i saj, sidomos në rrebeshet e viteve “90-ta, është i pakrahasueshëm me thëniet e mia vlerësuese, në kohën e sotme. Atëbotë në disa faqe të saj vlente formula:
“Kur trupi ndodhet në çeli,
Zemrën duhet ta ketë në letër”.
Pra, të burgosurve politikë, dhe të vrarëve, u thurte vargje krenarie – vargje që ata i kanë pasur brenda zemrës së tyre.
Këtë formulë, kjo revistë e vazhdon edhe në ditët e sotme, siç është rasti me Mr. Ukshin Hotin, të cilin përherë e mban të gjallë, dhe stoik në mesin tonë.
Në fund, pa hezitim, theksoj se shpirtin dhe jetën e kësaj reviste, me kontributin e tij sistematik, e ka mbajtur gjallë, padyshim kryeredaktori i saj z. Agim Metbala, të cilin e përshëndes publikisht, duke mos i lënë anësh dhe kontributin e denjë të anëtarëve të tjerë dhe bashkëpunëtorëve të revistës.
Fahrije PALLQA
MËSIM NGA EDUKATA
Mësim nga edukata,
Marrë në çdo çast;
Mami t’më këshilloj -
Nuk humb asnjë rast.
- Kur thërretë kush,
- Bija ime mos prito,
N’vend të fjalës ha -
Përgjigju me urdhëro!
Një gjest të vogël,
Pa hije t’bërë pëllumbeshë;
Të kërkosh falje -
Lehtësim shpirti do të kesh!
Dhuratat i ke në huj,
Do i merrje përditë;
Andaj duke buzëqeshur -
Do t’u thuash - falemnderit!
Rregulla ka shumë,
Por mami m’ka premtuar;
Do t’mi mësojë të gjitha -
Që unë t’jem e edukuar!
Irfan CANA
FËMIJËT NË SHKOLLA
Si ujë burimi i ftohtë n’bjeshkë
Natë e ditë që thurrë melodi…
Janë fëmijtë, faqepjeshkë-
Më e bukura e prindërve stoli!
Ata janë si rrënjtë e rrapit
Thellë që zgjaten mbrenda n’ dhe,
Të nxëjnë dije s’ e ndalin vrapin-
Qerrja e dijes përpara i ngreh!
Lart n’ bregore godina e bukur
Kështjellë e dijes e zbukuruar,
Këto ditë duket e lumtur-
Me margaritarë fytyrëgëzuar!
Si dallandyshet heret n’ pranverë,
Drejt foleve që fluturojnë,
Fëmijtë t’ gëzuar si kurrë ndonjëherë-
Ia mësyjnë shkollës të mësojnë!
Për fëmijtë përherë kanë thënë:
-Ata janë shpresë e ardhmërisë!
Pasuri për etër e nënë-
Gjerdan i florinjtë i lumturisë!
Agim METBALA
PROBLEMI I ARDIT
Babai shtypte me makinë një rrëfejzë.
E ëma përgatiste mëngjesin.
Ardi shkruante detyrat e shtëpisë.
- Babi, o babi!
- Urdhëro pëllumbi i babit!
- Ti babi patjetër duhet të vish në shkollë te mësuesja ime!
- Përse pëllumbi i babit, mos ke bërë sërish ndonjë problem?
- Jo babi jo, por...
- Çfarë por?...
- Mësuesja babi më ka ndëruar bankën dhe unë tani nuk rri me Therandën por me Artën!
- Ani pëllumb, çfarë të keqe ka nëse tani rri në bankë me Artën e jo me Therandën?
Ardi kroi një herë kokën dhe pastaj leht ia ktheu babait:
- Asi babi, banka ime dhe e Therandës ishte e pastër, ndërsa kjo tani që rri me Artën, është fare e zhlyer! Ja, për këtë e pata dhe jo për diç tjetër! – dhe u skuq në fytyrë
Pas pak, babai e muarr fletoren e Ardit. Në faqen e fundit të fletores, vërrejti se Ardi kishte vizatuar një zemër të madhe, atë e kishte ngjyrosur me ngjyrë të kuqe, ndërsa në mes kishte shkruar dy shkronja të mëdha “A” dhe “TH”.
Më pastaj babai i premtoi Ardit, se do të shkojë në shkollë, për të biseduar me mësuesen, në mënyrë që ai sërish të ulet në bankë me Therandën.
Në fytyrën e Ardit u duk hareja.
Ai vazhdoi t’i shkruaj detyrat e shtëpisë
Irfan CANA
FËMIJËT
N’çdo skutë të dheut me ngashërim,
Zëra t’ëmbëla si t’gurrës dëgjohen,
Në veri, lindje, jug dhe perëndim –
Lojërat e bukura anë e kënd shtrohen!
Si ajrin e pastër që frymojnë mushkëritë,
Dhe prore i ushqejnë damarët n’jetë,
Njashtu për botë janë gjithë fëmijtë –
Me përkushtim nënat q’i rrisin n’ djep!
Në të katër anët e rruzullit tokësorë,
Fytyra u buzëqeshë, mbushur plot shend;
T’i ruajmë, edukojmë... këta filiza bardhësorë –
Detyrë madhështore, le t’jetë për gjithëkend!
Për fëmijtë e njomë, gjyshërit kanë thënë:
- Janë shpresë e gjallë e ardhmërisë,
Pasuri me vlerë, për etër dhe nënë -
Gjerdan i florint i jetës dhe lumturisë!
Fitore METBALA
QENUSHI IM
Mbrëmje vjeshte.
Nata me mantelin e saj të errët tashmë e kishte mbuluar qytetin. Hëna bashkë me yjet e shumtë thuajse e stolisnin qytetin. Edhe dritat e tjera nëpër rrugë e shtëpi, qytetit tim ia jepnin një pamje të veçantë.
Askush nga anëtarët e familjes nuk e kishte dëgjuar lajmin e paralajmëruar se kush mbante qen në shtëpi, të kujdesej dhe t’i mbante ata lidhur, sepse do të fillonte aksioni për shfarosjen e qenëve endacakë.
Atë natë, për habinë tonë të madhe, nuk dëgjoheshin të lehurat e qenit tonë – Bubi, edhe pse të lehurat e tij në këtë kohë ishin të zakonshme. Meqë vazhdimisht kujdesesha për te, edhe atë natë e bëra një gjë të tillë, pastaj me vëllanë – Albionin, ramë në gjumë.
Në gjum të thellë, m’u shfaq një ëndërr e keqe. Nga frika u zgjova dhe për çudi dëgjova një krismë pushke, e cila sikur ma shpoi zemrën...
Të nesërmën, kur shkova për ta parë e për ta ushqyer qenin (atë e mbanim mbrapa shtëpisë) e gjeta medalonin e tij për vakcinim dhe gjurmët që më frikësonin. Më vonë, një njeri i panjohur na lajmëroi se qenushin tonë – Bubin, e kishin gjetur të vrarë diku te tregu i qytetit.
Gjurmët dhe medalonin e tij të gjetur atë ditë, i kam vizatuar në blokun e vizatimit, kurse ngjarjen e kam përshkruar edhe në ditarin tim dhe, sa herë që përmallem për të, me nostalgji e shfletoj ditarin tim, me dhembje të madhe e kujtoj – Bubin tonë të dashur.
Fahrie PALLQA
KUKULLËS
Kukulla ime s’mund të flasë,
Andaj n’këtë aspekt s’e ngas,
Kukulla ime s’ha dot –
Edhe këtë veprim s’e bëj kot.
Por kukullën time që e kam xhanë,
Shpesh ia rregulloj nga një fustan,
Sandalla dhe ç’i duhet për verë –
Frizurën bukur ia rregulloj përherë.
Për të, s’ka rroba n’dyqan,
Dimrit s’e lë t’mërdhihet n’fustan,
Kam angazhuar rrobaqepësen e mirë -
Ç’preferon, t’ia qepi me dëshirë.
Në sirtarët e saj mund t’gjesh,
Mes tjerash edhe vathë për vesh;
Për natën e mirë, e puthi n’ballë,
Shpesh ia rrëfej ndonjë përrallë.
Për shkollën, shoqet dhe ndonjë problem,
Ndonjë fshehtësi pa frikë ia them;
E kam motër, shoqe, e kam xhan –
Gjithmonë kam dëshirë ta kem pranë.
Krijoni Kontakt