Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, prej datës 5 deri më 8 shkurt, do të zhvillojë një vizitë në Japoni, gjatë së cilës do të pritet nga autoritetet më të larta të vendit, Madhëria e Tij Imperiale, Perandori Akihito, Kryeministri Fukuda, zyrtarë të tjerë të lartë si dhe përfaqësues të biznesit dhe botës akademike të këtij vendi.
Gjatë një deklarate për shtyp, drejtori i informacionit në Këshillin e Ministrave, Grid Rroji, bëri të ditur se "më datën 5 shkurt, kryeministri Berisha do të pritet në takim dhe do të zhvillojë bisedime me kryeministrin e Japonisë, Yasuo Fukuda, ndërkohë që në mbrëmjen e kësaj date, kryeministri Fukuda do të shtrojë një darkë për nder të kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëron".
Duke vijuar më tej me agjendën e kryeministrit Berisha në Japoni, Rroji vuri në dukje se "kryeministri do të zhvillojë takime me ministrin e Financave, Fukushiro Nakaga, me ministrin e Ekonomisë dhe Tregtisë, Amari, kryetarin e Parlamentit, Yohei Kono, anëtarë të Parlamentit dhe Senatit të Japonisë, si dhe presidenten e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit, Sadako Ogata".
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me kryetarin e Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme, Yasuo Hayashi, guvernatorin e Bankës Japoneze për Zhvillim, Koji Tanami, si dhe do të zhvillojë një seri takimesh me përfaqësues të biznesit dhe medias japoneze.
Kryeministri Berisha do të zhvillojë gjithashtu dhe një konferencë shtypi për median japoneze. Ndërsa, në datën 8 shkurt Berisha do të pritet në një audiencë të veçantë nga Madhëria e Tij Imperiale, Perandori Akihito, në rezidencën e tij perandorake.
Në këtë vizitë, kryeministri Berisha shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, si dhe zyrtarë të lartë të Kryeministrisë.
/telegrafi/
Krijoni Kontakt