Sondazhi: Gjysma e shqiptarëve në Greqi nuk do të kthehen
ARDIT BIDO
Një në dy shqiptarë që jeton në Greqi ka vendosur që ta bëjë vendin fqinj atdheun e tij të ardhshëm. Ky është konkluzioni i një sondazhi të kryer nga Instituti Grek i Politikave të Emigracionit, që u publikua dy ditë më parë nga ministri grek i Brendshëm, Athanasios Nakos.
Sondazhi në fjalë është kryer ndër të gjithë emigrantët që jetojnë në vendin fqinj, gjysma e të cilëve janë shqiptarë. Sipas tij, 52 për qind e emigrantëve që jetojnë në Greqi do të vijojnë të jetojnë aty, ndërsa 30 për qind nuk e kanë vendosur ende se çfarë do të bëjnë. Sakaq, pjesa tjetër, është e vendosur që do të kthehet në vendin e origjinës.
Sondazhi
Në Greqi, gjysma e emigrantëve kanë që jetojnë aty mbi 8 vjet, ndërsa 70 për qind e tyre jetojnë të paktën për pesë vjet. Sakaq, emigrantët në popullsinë greke janë afërsisht 10 për qind, duke kaluar shifrën prej 1 milion e 300 mijë banorëve. Sipas të dhënave të paraqitura nga studimi, shumica e emigrantëve kanë një punë stabël me kohë të plotë, ndërsa vetëm 32 për qind kanë punë të përkohshme.
Ndër këta, shqiptarët janë shumica në Greqi në të gjitha aspektet. Si komuniteti më i vjetër i emigrantëve, ata janë më të stabilizuar dhe kanë më shumë vjet në punë, sipas drejtorit të institutit, Aleksandhros Zavos. “Qëllimi i shtetit grek është që vendi ynë të bëhet një vend i drejtë dhe i saktë për emigrantët, me përpjekje të vazhdueshme që të sigurojë që të drejtat e tyre do të mbrohen”, – tha ministri grek, Nakos.
Pasojat ekonomike
Por kjo shifër e lartë e emigrantëve që dëshirojnë të vijojnë jetën e tyre në Greqi përgjithnjë, duke krijuar breza të dytë e të tretë emigrantësh, do të sjellë veç të tjerave edhe pasoja ekonomike për vendin tonë, përveç uljes së burimeve njerëzore në tregun e punës. Sot, emigrantët shqiptarë ndihmojnë ekonomikisht vendin, duke përbërë thuajse një të katërtën e të ardhurave në total të Shqipërisë. Remitancat e tyre llogariten në disa miliarda dollarë çdo vit, duke e bërë në këtë mënyrë të varur ekonominë shqiptare nga dërgesat e tyre. Pjesën më të madhe të remitancave e dërgojnë emigrantët shqiptarë në Greqi, pasi ata janë edhe shumica e emigrantëve shqiptarë në krahasim me vendet e tjera.
Emigrantët shqiptarë
Emigrantët shqiptarë në Greqi janë komuniteti më i madh i emigrantëve dhe i pari që u formua në shtetin fqinj. Në vitin 1990 me rënien e bllokut komunist, shqiptarët ishin të parët që shkuan në Greqi, të pasuar më vonë nga bullgarët e kurdët, që nisën të krijojnë komunitetin e tyre migrues.
Porse, emigrantët shqiptarë janë edhe popullsia më e madhe. Ata numërojnë mbi 600 mijë banorë (që është numri zyrtar grek, pa përfshirë emigrantët ilegalë), duke u bërë kështu një faktor i rëndësishëm në tregun grek të punës, e si pasojë në ekonominë e shoqërinë greke në tërësi.
05/03/2008 gazeta standard
Krijoni Kontakt