SHBA: Paratë e pista investohen në ndërtim
Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian dhe në NATO, vazhdon të përbëjë shtysë për qeverinë që të zbatojë reforma, por politika e përçarë dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë, e kanë penguar përparimin", thuhet raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Lëndët narkotike dhe paratë e pista, në faqet e të cilit flitet edhe për reformat që vendi ynë ka marrë në kuadër të këtyre planeve ndërkombëtare. Kështu, në këtë raport, thuhet se Shqipëria ka bërë përmirësime në luftën kundër transportit të lëndëve narkotike si dhe pastrimit të parave apo formave të tjera të krimit financiar. Por duhet thënë se përpjekjet e saj në këtë luftë, pengohen nga dukuri të tilla si korrupsioni, mangësitë në sistemin e rendit si edhe atë gjyqësor pasi nuk janë të reformuara siç duhet. Pa përjashtuar këtu edhe ekonominë informale, lulëzimi i së cilës bën që të realizohet në mënyrë më të lirshme qarkullimi i parave të pista, madje edhe transaksionet përmes tyre. Duke vijuar me faktin se qeveria ka ndërmarrë disa hapa konkrete kundër korrupsionit, siç është ai i miratimit të ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave". Gjithsesi, në raport përmendet fakti se korrupsioni mbetet një problem me rrënjë të thella në Shqipëri. Sipas ekspertëve të tij, pagat e ulëta, ryshfetet dhe rrjetet e lidhje të ngushta shoqërore, në Shqipëri e vështirësojnë luftën ndaj korrupsionit ne sektorët ku ai është më i përhapur, si polici, gjykata apo dogana. Gjithsesi, vlerësohet fakti që vendi ynë tashmë ka nënshkruar në kuadër të përpjekjeve anti-korrupsion, Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit. Si edhe fakti tjetër pozitiv, që gjatë vitit të kaluar, sistemi policor dhe ai gjyqësor, u bënë më aktive në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe përsonelit të rendit për korrupsion.
Administrata e politizuar
Një nga problemet e tjera që ka ngritur raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, është edhe ai i një administrate publike aspak të kualifikuar në nivelet që janë të nevojshme për të organizuar një luftës sa më efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në tërësi si dukuri që përfshin tërë hallkat. Duke shtuar këtu edhe faktin tepër të rëndësishëm se kjo administratë është edhe mjaft e politizuar. "Politizimi i lartë në të gjitha nivelet e qeverisjes sjell si rezultat mungesën e një administrate civile të fortë, kështu që shumë punonjës që i nënshtrohen kualifikimit, bëhen objekt largimi nga detyra gjatë tranzicioneve politike", përmendet në raport. Duke sqaruar më tej se ky problem ishte veçanërisht i mprehtë në policinë e shtetit pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007 në vendin tonë.
Paratë e pista
Në lidhje me çështjen e parave të pista që qarkullojnë në vendin tonë, theksohet se vendi ynë nuk është ndonjë qendër e rëndësishme financiare rajonale. "Megjithatë, duke qenë një vend tranzit për trafikimin e narkotikeve, armëve, kontrabandës dhe qënieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave. Të ardhurat që sigurohen me rrugë kriminale burojnë kryesisht nga trafiqet, korrupsioni zyrtar dhe mashtrimet", thuhet në raport. Duke shtuar se ende nuk dihet masa e saktë që këto aktivitete të paligjshme zënë tek të ardhurat totale të krimit dhe të pastrimit të parave. Duke përmendur edhe një fakt mjaft interesant për rastin e Shqipërisë, që kriminelet apo në tërësi njerëzit që kanë fituar shumë me anë të qarkullimit të arave të pista, i investojnë ato kryesisht në ndërtimin e banesave dhe në projektet e zhvillimit të bizneseve. "Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallrat kontrabandë për shkak të kontrollit të dobët në dogana. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë operacionesh për kryerjen e aktiviteteve kriminale në vende të tjera dhe shpesh i kthejnë fitimet e paligjshme në Shqipëri. Fitimet nga këto aktivitete pastrohen lehtësisht në Shqipëri falë ekonomisë që zhvillohet me para në dorë dhe kontrollit të dobët të qeverisë ndaj veprimtarive bankare", janë të dhëna të tjera tronditëse që jepen në këtë raport.
E Diele, 02 Mars 2008
Gazeta Agon
Krijoni Kontakt