Flet ekskluzivisht për gazetën “Shqip” politikani i njohur, Arbën Xhaferri: Marrëveshja Thaçi-Gruevski për 6 kërkesat e shqiptarëve
Politikani i njohur, Arbën Xhaferri, ka shpjeguar arsyet e marrëveshjes Thaçi-Gruevski për gjashtë kërkesat shqiptare, por ka analizuar edhe mundësinë e një vetoje greke dhe pozita e Maqedonisë në raport me Samitin e Bukureshtit. Gjatë një interviste eksluzive për “Shqip”, Xhaferri ka treguar edhe raportet e tij me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Maqedonia sapo kaloi një sprovë të vështirë, negociatat Thaçi-Gruevski prodhuan marrëveshjen për implementimin e gjashtë kërkesave të PDSH-së. Megjithatë, ende ka luhatje në opinion, kërkesat ishin në funksion të rritjes së kredibilitetit politik, apo si një e drejtë historike që e ka një kufi? Dhe pyetja në vijim:
Mendoni se Maqedonia i la prapa telashet dhe tashmë është pranë ftesës, pavarësisht nga kërcënimi grek me veto?
Ç’është e vërteta, Maqedonia ka telashe me vetveten prej kohësh: me konceptin, të cilin synon ta mbarështrojë. Ky koncept bie në kundërshtim me realitetin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Problemet e brendshme kanë të bëjnë me realitetin objektiv të popullit shqiptar, ndërkaq problemet e jashtme, siç janë të njohura kanë të bëjnë me kontestin lidhur më emrin me Greqinë. Këto dy çështje janë parashtruar në mënyrë të vazhdueshme, sidomos nga ana e PDSH-së, por edhe nga ana e faktorëve ndërkombëtarë, të cilët u japin vulën e tyre proceseve që zhvillohen në këtë shtet. Kërkesat e parashtruara nga PDSH-ja ishin absolutisht në përputhje me vërejtjet që kanë bërë përfaqësuesit e NATO-s, SHBA-ve dhe BE-së. Këta faktorë kanë kërkuar nga Maqedonia zgjidhjen e këtyre problemeve para hyrjes në NATO, madje mund të thuhet se kanë qenë pjesë e standardeve të obligueshme për anëtarësimin e saj në këtë organizëm. Interesin e saj Greqia e spikat përmes vetos, duke paralajmëruar pareshtur përdorimin e saj kundër hyrjes së Maqedonisë në NATO. Nga ana tjetër, PDSH-ja nuk e kishte forcën e vetos, por zotëronte kapacitetin demokratik, pra qëndrimin e saj apo daljen nga qeveria.
Ju në pyetjen tuaj ngërtheni një akuzë absurde që është përhapur në mediat shqiptare. Ju siguroj se realiteti është diametralisht i kundërt. Problemi nuk ishte te PDSH-ja, e cila sinjalizonte ose siç shprehej figurativisht z. Thaçi,ndizte semaforin në momentin kur mediat ishin maksimalisht të përqendruara në zhvillimet që ndodhin në Maqedoni. Kërkesat e PDSH-së ishin konform marrëveshjeve paraprake ndërmjet partnerëve të koalicionit, konform Marrëveshjes së Ohrit, si dhe me sugjerimet e faktorit ndërkombëtar.Kërkesat që i parashtronte kryetari aktual i PDSH-së ishin në funksion të zhbllokimit të proceseve dhe kurrsesi jo të ngecjes; kërkesat e PDSH-së ishin në përputhje me standardet që duhet të plotësojë Maqedonia për të hyrë në NATO. Ndërkohë që opozita, në vend që të solidarizohej dhe të mbështeste fuqimisht këto kërkesa, në fakt i rrënonte ato duke krijuar huti në opinion. Për të kuptuar këtë konstatim, këtë obstruksion duhet krahasuar monoliteti i qëndrimit grek me luhatshmërinë e qëndrimit shqiptar. Në vazhdë të përcaktimeve, tashmë ideologjike greke, mendoj se pala greke nuk do të bëjë kompromis, ndërkaq pala maqedonase shfaq luhatje dhe duket në prag të pranimit të kompromisit. Por edhe në këtë pikë do të shfaqen dilema lidhur me përkufizimin se ç’do të thotë kompromis. Grekët mohojnë çfarëdo mundësie që maqedonasit e sotëm të identifikohen drejtpërdrejt apo tërthorazi me ata antikë. Qëndrimi grek është i qartë: ata e ruajnë me xhelozi rrëfimin e tyre për antikën. Çdo luhatje në këtë plan do të krijonte
pasoja të rënda për famën e tyre. Mendoj se në këtë përplasje, maqedonasit duhet dhe do të bëjnë lëshime, sepse me qëndrimin e tyre refraktar do t’I hapin telashe vetes dhe nuk do të fitonin asgjë.
Pati opinione të ndryshme se impakti i gjashtë kërkesave të PDSH-së nuk përbën problem për anëtarësimin e Maqedonisë, por pjesë e problemit është pikërisht Greqia. Mendoni se duhej minimizuar sinjali i Thaçit në këtë situatë emergjence për Maqedoninë?
Shikuar objektivisht, kërkesat e shqiptarëve janë më të rëndësishme sesa pretendimi grek për përvetësimin e licencës për interpretim të histories antike. Problemi me Greqinë lidhur me emrin mund të zgjidhet për pesë minuta dhe njëherë e përgjithmonë, ndërkaq problemi me shqiptarët do të zgjasë përjetësisht në këtë shtet. Sipas meje ishin dy motive thelbësore që ndikuan në vendimin e PDSH-së:
-Samiti i NATO-s në Bukuresht, interesi global për zhvillimet në këtë conference dhe paralajmërimi krejtësisht demokratik se kërkesat e shqiptarëve nuk janë plotësuar përkundër sugjerimeve të faktorit ndërkombëtar, dhe:
-Marrëveshjet nën rrogoz, jo transparente ndërmjet Kryeministrit Gruevski dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Kjo marrëveshje inekzistente, e fshehtë dhe e paqartë, tipike për diplomacinë e fshehtë krijoi paqartësi, nervozizëm dhe hapësirë për manipulim demagogjik me opinionin. Me këtë marrëveshje, BDI-ja synonte t’i japë vetes edhe një meritë të sajuar. PDSH-ja nuk kishte rrugëdalje tjetër, përveçse të vepronte në atë mënyrë, ngaqë të gjitha apelet e saj për ta bërë transparente Marrëveshjen e Majit mes Gruevskit dhe Ahmetit përfundonin me një qesëndisje të mistershme. PDSH-ja, me atë akt demonstroi guxim dhe arriti t’ia heqë maskën një projekti manipulues të radhës. Por jo vetëm kaq. PDSH-ja I ofroi shansin BDI-së të hynte në qeveri dhe të realizonte pikat e marrëveshjes sekrete (për opinionin inekzistente)me VMRO-DPMNE-në. Por, ajo as që e analizoi këtë mundësi. Marrëveshja nuk ekzistonte, prandaj BDI-ja kërkonte zgjedhje, duke vlerësuar se ka arritur edhe një sukses “madhështor”. Mendoj se me këtë veprim PDSH-ja arriti disa qëllime: Të afirmojë me mjete demokratike çështjen shqiptare në Maqedoni në një moment vendimtar historik, të demaskojë marrëveshjet ilegale, të cilat janë në funksion të manipulimit me opinionin dhe të vendosë vijën e kuqe që manifeston rritjen e standardeve të subjektit politik shqiptar.
Megjithatë, këto ditë partia e Ahmetit është bërë më e zëshme duke kundërshtuar marrëveshjen e arritur mes Thaçit dhe Gruevskit, duke përmendur Marrëveshjen e Majit...
Në sistemet demokratike është legjitim edhe sensi i mohimit, por për këtë duhet të jepen argumente. Veprimi politik nxit një varg reagimesh. Ka të tillë që adhurojnë, të tjerë baltosin,por edhe nga ata që mbajnë qëndrime indiferente.Mirëpo, mohimi ose pohimi duhet të mbështeten në argumente. Kryeministri Gruevski nuk ka pranuar asnjëherë se ka marrëveshje me z. Ahmeti, ndërkaq pranoi edhe me shkrim se ka marrëveshje me z. Thaçi. BDI-ja, një kohë të gjatë trumpeton çështjen e Marrëveshjes së Majit, të cilën nuk e ka parë askush, duke harruar se në politikë nuk realizohen shpeshherë edhe marrëveshjet që janë shndërruar në nene kushtetuese, siç është Marrëveshja e Ohrit. Në politikë, marrëveshjet parimore shndërrohen me vështirësi në nene kushtetuese, si dhe shpeshherë ligjet nuk zbatohen. Shtrohet pyetja: Nga i lind e drejta BDI-së që hyjnizojë një marrëveshje triviale, gojore dhe aspak obliguese? Po të kishte qenë aq serioze kjo marrëveshje, siç paraqitej në opinion, atëherë përse nuk e shfrytëzoi rastin BDI-ja të hyjë në qeveri gjatë ditëve kur PDSH-ja u largua nga pushteti? Tërheqja e PDSH-së nga qeveria ishte shans që BDI-ja njëherë e përgjithmonë ta dëshmonte veten se flet dhe bën punë serioze.
Mendoni se kërkesat e PDSH-së do të rezultojnë të suksesshme në planin praktik?
Që nga fillimi, PDSH-ja u përcaktua për metoda demokratike për arritjen e objektivave programore. Vetëm në këtë mënyrë mundet që procesi i avancimit të të drejtave të kryhet në mënyrë të sigurt dhe hap pas hapi. Me metoda revolucionare, të drejtat mund të arrihen në mënyrë të rrufeshme, por edhe të humbin po në këtë mënyrë. Faktori ndërkombëtar parapëlqen dhe mbështet procesin, metodologjinë hap pas hapi dhe jo zigzaget revolucionare. Por diçka tjetër është më e pamoralshme në politikë: të nxitësh revolucionin dhe pastaj të përcaktohesh për procedura demokratike, për procesin hap pas hapi. PDSH-ja e ka pushtuar hapësirën e procedurës demokratike, ka arritur sukses
në këtë drejtim, ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe ka partnerë te faktori maqedonas. Prandaj politika e saj është realiste dhe e suksesshme. Në periudhën e deritanishme në qeverisjen aktuale u arritën një varg rezultatesh të pamohueshme: konsolidimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës që ishte kriminalizuar, hapja e Fakultetit të Mjekësisë, zyrtarizimi i një sërë fakultetesh të tjera, ngritja e cilësisë së arsimit përmes reformave bashkëkohore, themelimi i institutit për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve “Pjetër Bogdani”, themelimi dhe funksionimi i Teatrit Nacional në Tetovë, Galeria e Arteve, rritja e përqindjes të të punësuarve shqiptarë në administratën publike,heqja e vizave me Shqipërinë etj. Duke marrë shkas nga këto evenimente, duke u ndalur te qëndrimet e paluhatshme të PDSH-së dhe duke ardhur deri te një marrëveshje me firmë e vulë, gjykoj se nuk ka vend për pesimizëm. Përkundrazi, kam besim për suksese të vazhdueshme, ndërkaq ato spektakolare t’ia lëmë botës së përrallave.
Z.Xhaferri, sado që mund t’ju duket cinike kam një pyetje. Në këtë intervistë po flisni, si analist, politikan, intelektual, si filozof, pra keni qasje teorike dhe mungesë pragmatizmi, apo të gjitha nga pak?
Nuk e kuptoj ç’të keqe ka të qenit analist dhe filozof, ose përse këto dy kategori përcaktohen si përjashtuese. Nuk mund ta marr me mend politikanin pa analiza, apo pa vizione. Do t’ju sugjeroja, edhe z. Ahmeti ta shfletojë fjalorin anglez dhe të konstatojë dallimin ndërmjet fjalëve “polity” (politika që në vete ngërthen frymën e brendshme të një institucioni, apo qeverie), pastaj “politics” që nënkupton allishverishet ditore politike dhe “policy” që nënkupton një teori të formësuar politike në trajtë të doktrinës dhe ta gjejë veten se në cilin dimension bën pjesë. Ose një pyetje më konkrete: a isha unë analist dhe filozof kur bëja me të gjitha forcat e mia përurimin e tij në qarqet diplomatike, transformimin e tij prej rebeli në politikan, apo kur pengoja konfliktin brenda shqiptar? Natyrisht që kam edhe shumë pyetje, por mendoj se populli shqiptar ka telashe më të mëdha sesa të merret me pandehma të ndryshme. Por mund të them se raportet tona ishin të mira derisa ai ishte në pozitë të vështirë. Kur e siguroi veten në qeveri, disi nisën të përkeqësohen raportet. Një rrëfim aspak interesant dhe shumë banal.
Treguat sens sa ironik dhe diplomatik në përgjigje, megjithatë nuk mendoj se duhet heshtur akuza që ju bën z. Ahmeti, që sipas tij, në vitin 2003 u ashpërsuan marrëdhëniet meqë e keni quajtur luftën dhe drejtuesit e UÇK-së tradhtarë?
Këto janë formulimet e tij, që mbase vijnë në funksion të nevojës për gjumë të rehatshëm. Kritika ime kishte të bëjë me diskontuinitetin politik. Motivet me të cilat ai hyri në luftë dhe i mobilizoi energjitë kryengritëse, të akumuluara me dekada nga shqiptarët nuk ishin në përputhje me politikën integruese, që ai zbatonte gjatë qeverisjes. Akronimin “UÇK’ e kuptoj si një projekt për çlirim kombëtar dhe jo për integrim në një sistem të vlerave, që nuk është në përputhje me vlerat kombëtare. Unë vetëm konstatova këtë diskontuinitet. Nuk ma merr mendja të kem përdorur fjalën tradhti, por edhe nëse e kam përdor nuk e kam marre askend ne qafe....
Krijoni Kontakt