Kush janë këngëtaret nën moshën 18 vjeçare që kanë pushtuar ekranet e Shqipërisë

Ermira Isufaj

Nuk i kanë mbushur ende të 18-at për t’u quajtur vajza mazhorene dhe sërish kanë guxuar të marrin pjesë nëpër festivale të rëndësishme, që edhe një këngëtar i rritur do të mendohej gjatë përpara se të vinte këmbët në skenë. Kjo ndodhi edhe me Olta Bokën, vajzën që sapo ka mbushur 16 vjeçe e që në festivalin e fundvitit në RTSH la pas edhe profesionistët e muzikës. Hera e parë rezultoi edhe si një ogur i mirë për vajzën e vogël që kishte provuar të këndonte vetëm në festivale për fëmijë. “Kam marrë pjesë shpesh nëpër aktivitete fëmijërore dhe dalja në këtë festival mund të them se ishte një rastësi. Nuk e prisja çmimin e parë, duke e ditur që atje konkurronin edhe emra të tjerë të mëdhenj, ndaj dhe frika që kisha atë natë ishte e justifikueshme. Mendoj se nuk ishte vetëm talent, por edhe fat”, thotë Olta. Një vajzë ende e parritur si ajo ka gjithnjë nevojë për kujdesin prindëror. Ndaj dhe nuk mërzitet kurrë nga prania e vazhdueshme e tyre dhe e motrës më të madhe. “Mamaja ime ndikon shumë tek veshja që unë zgjedh për të dalë në skenë, sepse ajo kërkon që çdo detaj të jetë në përputhje me moshën dhe pa kurrfarë ekzagjerimi. Dhe unë jam e vetëdijshme për këtë, sepse nuk mund të shmang kurrë kujdesin e familjes sime për asnjë moment”, vijon ajo. Olta Bokën e pret përpara një sfidë shumë e madhe, si konkurrimi në “Eurovizion”, që këtë vit zhvillohet në Beograd. Ende nuk i ka dalë frika, ndonëse thotë se do të bëjë të pamundurën për ta përfaqësuar sa më denjësisht Shqipërinë tek “goja e ujkut”. Kjo nuk përjashton mundësinë që prindërit ta ndjekin edhe në këtë udhëtim disaditor në Serbi, sepse siç pohon dhe vetë 16-vjeçarja, prania e tyre është një domosdoshmëri.

Edhe për Samanta Karavellon nuk ka situatë që s’kalon paraprakisht në sitën familjare. 17-vjeçarja pohon se kanë qenë prindërit, shtysa kryesore që e kanë çuar atë drejt skenës dhe festivaleve të mëdha. Para dy vjetësh, ajo mundi që të prezantohej edhe tek “Top Fest”, edhe më tej, te “Kënga Magjike”, e së fundi tek festivali i RTSH-së. Nuk ka provuar deri më tani që të marrë pjesë në ndonjë eveniment për fëmijë, sepse përveç “Gjeniut të vogël”, që pranimet i ka të limituara nga 8 deri në 14 vjeç, mundësi tjetër nuk ka. Prandaj, Samanta priti dhe një vit për t’u shfaqur me diçka më cilësore. “E pranoj që jam ende adoleshente dhe duhet të punoj për të qenë një këngëtare e afirmuar. Ndonëse kam debutuar në disa festivale të mëdha, tani jam zhgënjyer, sepse mësova plot dallavere që bëhen në këto evenimente. E vetmja gjë që më jep sadisfaksion, është të kënduarit live, e këtë e shpalosa edhe në festivalin e fundvitit. Por këtu nuk vlerësohen këngëtarët e mirëfilltë dhe kam përshtypjen që për një periudhë kohe do tërhiqem”, shpjegon Samanta. Të qenit një këngëtare e kompletuar kërkon edhe një performancë të goditur skenike. E sa herë vjen puna tek veshja, aty 17-vjeçarja dorëzohet, sepse ky aspekt është për të në duart e sigurta të mamit e motrës. “Sot shumë këngëtare mundohen që të kompensojnë muzikën me zhveshjet skenike, për të zhvendosur vëmendjen e publikut. Kjo nuk ndodh me mua, jo vetëm se një zgjedhje e tillë nuk është në tipin tim, por edhe sikur unë të dua, e kam të pamundur që të vë në jetë këtë dëshirë. Mami e motra janë dy personat më të afërt tek unë, që ndikojnë tek çdo gjë që ka lidhje me mua”, shton Karavello.

Një tjetër emër i suksesshëm në muzikën shqiptare dhe atë norvegjeze është edhe ai i Doruntina Dishës. Por nëse në Shqipëri emri i saj nuk është ndër më të njohurit, vajza kosovare ka arritur të triumfojë në qytetin nordik të Oslos, pas pjesëmarrjes në një prej konkurseve më të mëdhenj muzikorë në kërkim të talenteve të reja, duke zënë vendin e parë. Gjithkund shoqërohet nga babai i saj dhe kjo ndodhi edhe në aktivitetin e fundit që erdhi si një bashkëpunim mes saj e Flaka Krelanit në këngën “Jeta kërkon dashuri”. “Që e vogël babai më ka ndjekur në gjithë evenimentet ku kam konkurruar dhe ai është kthyer në mikun e shoqëruesin tim më të mirë. Mosha e re nuk më lejon luksin që unë e vetme të përballem me skena të mëdha anekënd botës. Është familja ime që më ndihmon jo vetëm financiarisht, por edhe në aspektin e menaxhimit të karrierës sime. Nëse një ditë do të mendoj për ndarjen nga ata, kjo besoj se do vijë natyrshëm e në momentin që unë do të jem në një moshë më madhore”, shton ajo.

Subjektet e dashurisë nuk janë tabu as për këngëtaren tjetër kosovare Mirsa Kërcelli. Madje, gjithnjë ka provuar që të vijë me tekste e performanca provokuese. Kjo nuk përbën problem për këngëtaren 17-vjeçare, që i kushton më tepër rëndësi komercialitetit, sesa profesionizmit. “Sigurisht nuk dua ta ekzagjeroj në asgjë, sepse kam dy prindër tepër kërkues që nuk më lënë të bëj gabime. Të qenit ende një adoleshente për mua është privilegj, pasi përgjegjësinë e ndaj mes disa personave. Aktualisht më ka kapur frika, sepse edhe një vit mbush 18 vjeçe dhe atëherë duhet të mendoj që gjërat t’i marr përsipër vet”, është shprehur Kërcelli. Duke qenë ende vajza të reja, që kanë guxuar të interpretojnë edhe në skenat e mëdha, ashtu si Mirsa edhe Samanta, Olta apo Doruntina e dinë që, për sa kohë nuk e kanë mbushur moshën, famën dhe përgjegjësitë duhen t’i ndajnë me mamin, babin, ndonjëherë edhe me motrën e madhe.

/KORRIERI/