Miratohet projektligji për privatizimin e shpërndarjes së energjisë elektrike
Këshilli i Ministrave diskutoi dhe miratoi sot në mbledhjen e tij, projektligjin “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes”, të propozuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ky ligj, të cilin kryeministri Berisha e veçoi të një rëndësie të veçantë ka të bëjë me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes të KESH.
Duke theksuar se viti 2008 do të jetë viti i privatizimeve të mëdha, kryeministri Berisha informoi se procesi për privatizimin e shpërndarjes së energjisë elektrike është realizuar me angazhimin për një periudhë 18 mujore të Bankës Botërore.
Kryeministri vlerësoi punën voluminoze dhe intensive për hartimin e një programi të ngjeshur të etapave të këtij procesi dhe theksoi se hartimi i këtij ligji dhe transparenca e plotë e këtij procesi janë një domosdoshmëri.
Duke vlerësuar, ndër të tjera, edhe punën serioze të bërë nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, Kryeministri u shpreh se formula e privatizimit të shpërndarjes së energjisë elektrike që do të dërgohet në parlament për miratim është gjykuar më e përshtatshmja, edhe nga konsulentët ndërkombëtare, ndër variantet e paraqitura.
Kryeministria
Krijoni Kontakt