Marrëveshja ekonomike, firmosin Berisha-Krasniqi
Qeveria shqiptare përgatit projektet për të ndihmuar shtetin më të ri, Kosovën. Kryeministri Sali Berisha i ka paraqitur dje kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, disa nga projektet me të cilat qeveria shqiptare synon që të ndihmojë Kosovën. "Shqipëria parashikon që të jetë një aksionere në Termocentralin e madh që do të ndërtohet në Kosovë", tha Berisha. Kryeministri bëri me dije se do të shqyrtohen të gjitha marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Kosovës për projektet e përbashkëta. "Do të përfundohen brenda afatit rrugët kryesore që lidhin Shqipërinë me Kosovën, si Durrës-Prishtinë, rruga e Arbrit, Koman-Fierzë", tha Berisha. Lidhur me një vizitë të afërt të tij në Kosovë, ai u përgjigj: "Çdo ditë jam në Kosovë, shpirtin e kam në Shqipëri, zemrën në Kosovë. Do të shkoj atje pasi të miratohet paketa ligjore dhe pasi liderët e Kosovës të vizitojnë më parë Tiranën". Krasniqi, në fjalën e tij, u shpreh se Kosova do të marrë përvojë nga Shqipëria. Kreu i Ekzekutivit, ka pritur dje në Kryeministri një delegacion të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i tij, Jakup Krasniqi. Duke u uruar parlamentarëve kosovarë mirëseardhjen, Kryeministri u shpreh se kjo vizitë kryhet vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një akt madhor në historinë e kombit shqiptar, ndoshta liria e vërtetë për kombin tonë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehu mirënjohje për Shqipërinë për gjithçka ajo ka bërë për Kosovën. "Kjo pavarësi e koordinuar erdhi edhe pas një ndihmese tejet të çmuar të Shqipërisë dhe politikës së saj dhe se së bashku me shqiptarët është realizuar pjesa më e madhe e rrugës së përbashkët drejt pavarësisë", tha ai. Gjithashtu Krasniqi u ndal në përpjekjet që Kuvendi i Kosovës po ndërmerr për të kaluar me procedura të përshpejtuara ligjet e paketës "Ahtisaari", si dhe shtoi se klasa politike kosovare është e gatshme që të marrë të gjitha përgjegjësitë si lidership dhe si institucione për të zhvilluar Kosovën dhe për ta integruar atë në familjen e madhe evropiane dhe euroatlantike. Gjithashtu, Krasniqi e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që qeveria e tij po jep në bashkëpunimin mes dy kabineteve qeveritare dhe sinkronizimin e shumë projekteve në ekonomi, në lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe me ecurinë me shpejtësi të ndërtimit të rrugëve jetike për zhvillimin e Kosovës dhe tërë rajonit si rruga Durrës-Morinë, ajo e Arbrit dhe rruga e luginës së Drinit, Fierzë-Koman. Në këtë takim, Kryeministri Berisha shprehu sërish mirënjohjen e thellë që ushqejnë të gjithë shqiptarët në Shqipëri, për qëndresën dhe përpjekjet e kosovarëve, për lirinë dhe pavarësinë e kombit.
© Shqip
Krijoni Kontakt