Gjuetarët e thesareve vihen në kërkim të floririt të familjes Dosti
Ethet e arit kanë pushtuar "qytetin" e dikurshëm të Kardhiqit, në rrethin e Gjirokastrës, të shfarosur e rrënuar nga Ali Pashë Tepelena, ku aktualisht jetojnë vetëm 4 familje me rreth 15 frymë.
Ekspeditat e njerëzve të përfshirë në inkursione të kërkimit të thesareve të fshehura janë shfaqur fillimisht në fillim të viteve ‘90 pas ndryshimit të sistemit politik, u rishfaqën përsëri gjatë trazirave të vitit 1997 dhe janë rikthyer këto dy - tre muajt e fundit. Sipas vendasve, nga këto "ekspedita" vazhdojnë kërkimet për të ashtuquajturin thesar të familjes Dosti.
Banorët e pakët të Kardhiqit këmbëngulin se nën gërmadhat e mureve të kalasë, kërkuesit që vijnë këtu me aparate metalkërkuese, kanë mundur të gjejnë sasi të vogla monedhash floriri, por ata ende nuk kanë mundur të gjejnë "floririn e Dostit". Dyzetvjeçari nga Kardhiqi Latif Shehu, thotë se: "Vetë përfaqësuesit e familjes Dosti kanë ardhur me hartë në dorë në Kardhiq në vitet e para të demokracisë dhe kanë kërkuar floririn e Dostit, por nuk kanë mundur ta gjejnë. Kalaja jonë ka floririn të fshehur, ndaj vijnë dhe e kërkojnë me aparate të sofistikuara. Një herë gjetën disa kafka njerëzish. Thesarin e madh nuk e kanë gjetur dot".
Gjurmët e gërmimeve dallohen qartë në tri pika të kështjellës, në anë të mureve rrethuese në pjesën veriperëndimore të kalasë, përfund Kullës së Sahatit, në pjesën jugore të saj dhe në njërën prej galerive brenda mureve rrethuese.
Legjendat e banorëve të mbetur ende në Kardhiq flasin për një pasuri të madhe, që kishin akumuluar bejlerët e Kardhiqit në kohën e lulëzimit të plotë të qytetit të tyre dhe të zonës përreth. Kjo kishte ndodhur para hakmarrjes së tmerrshme të Ali Pashë Tepelenës dhe shfarosjes brenda një dite të rreth 600 burrave të Kardhiqit, si shpagim i turpërimit që i kishin bërë bejlerët e Kardhiqit nënës së tij, Hanko, dhe motrës së tij, Shanishasë.
"Në atë kohë, në kullën e Sahatit të Kardhiqit qëndronte një orë e madhe me 22 okë flori 24 karatësh. Kur binte "çaku" i saj, tingulli i kambanës së orës dëgjohej deri në Erind e Dhokasat të Lunxhërisë. Aq e fortë ishte dridhja dhe zhurma e kambanës saqë gratë shtatzëna kishin dështuar fëmijët në bark. Të shqetësuar nga dështimet e nuseve, pleqësia e Kardhiqit mori vendim që "çaku" dhe kambana të derdheshin 18 karat flori për të ulur dridhjet dhe zhurmat shurdhuese. Kur kambana u hoq dhe u dërgua në Janinë, atë e ngritën më shumë se 20 hamej të fuqishëm", rrëfen legjendën e floririt Latif Shehu, ky banor i vetmuar i Kardhiqit, tashmë të braktisur nga banorët, por jo nga personat e përfshirë nga ethet e floririt.
Një pjesë e legjendave më të reja të kardhiqjotëve lidhen me emrin e një prej themeluesve të "Ballit Kombëtar", ish-ministrin e Drejtësisë në periudhën e pushtimit fashist, Hasan Dosti. Ai ishte me orgjinë nga një familje e pasur dhe me emër e Kardhiqit. I cilësuar si njeriu i amerikanëve, sipas banorëve të Kardhiqit, ai dha dorëheqjen si ministër i Drejtësisë, pasi gjatë kohës që ishte në këtë post nuk pranoi të dënonte me vdekje e të firmoste për pushkatimin e komunistëve Nikolla Tupe, Ferit Xhajko e Hamdi Mëzezi.
Dosti vdiq në moshën 96-vjeçare, në fund të janarit të vitit 1991, në klinikën "Hobpkins", një nga më të dëgjuara të Los Anxhelosit. Vdekja e Hasan Dostit, si një nga personalitetet më të dëgjuara të emigracionit shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore në SHBA, u përcoll nëpërmjet gazetës "New York Times". Kardhiqotët e mbetur tani në Kardhiq thonë se Hasan Dosti u lind në vitin 1895 dhe arsimin fillor e ndoqi në Filipiadhë të Greqisë, në një shkollë greke dhe më pas vazhdoi studimet në gjimnazin izraelit "Zosimea" të Janinës dhe Medresenë e Gjirokastrës me mësues patriotin gjirokastrit, Hysni Babameto.
Trazirave që ndodhën në Shqipëri në vitet e Luftës së Parë Botërore, bënë që Kardhiqi të digjet për herë të dytë dhe shumë nga banorët e tij ikën si muhaxhirë. Edhe familja e pasur Dosti u shpërngul që andej për t‘u vendosur në fshatrat e Vlorës, ku më pas Hasani filloi aktivitetin e tij politik, bashkë me Avni Rustemin.
Për të mos humbur pasurinë e madhe të familjes, Dostët vendosën ta fshehin dhe caktuan një nga pjesëtarët e saj që të merrej me fshehjen në një vend të sigurt. Peripecitë e mëpasshme të Hasan Dostit nuk i dhanë atij mundësinë që të rimerrte thesarin e familjes. Pas dështimit të Konferencës së Mukjes, me krijimin pas luftës të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, që do funksiononte si një qeveri provizore, Hasan Dosti u emërua kryetar, me votim unanim si të delegacionit të komunistëve ashtu dhe të nacionalistëve. Por pas pak kohësh ai emigroi për në SHBA. Kështu që sipas "legjendëpërcjellësve", deri në vitin 1991 kur vdiq në SHBA, atij nuk iu krijua asnjëherë mundësia për të rigjetur thesarin e fshehur.
Legjendat dhe historitë e vjetra të Kardhiqit rizgjohen përsëri kur prej mesit të muajit janar 2008 në prani të Kryeministrit Berisha nisën punimet për ndërtimin e pjesës së parë 7,1 km të rrugës Kardhiq-Delvinë, me gjatësi 37 kilometra. Ky projekt do të shkurtojë rrugën nga Tirana për në qytetin bregdetar të Sarandës me rreth 30 kilometra. Kjo rrugë për të cilën është financuar nga shteti rreth 600 milionë lekë, parashikohet të përfundojë në pranverë të vitit 2009 dhe ndërtimi i saj nga Berisha vlerësohet i një rëndësie të veçantë, jo vetëm për banorët e fshatrave dhe të qyteteve përreth, por për të gjithë Shqipërinë. Aq strategjike vlerësohet, saqë Berisha kërkoi prej firmave ndërtuese shkurtimin e afateve të përfundimit të veprës dhe garantoi se qeveria do të japë bonuse për tri firmat ndërtuese.
Dragush Logli, kryetari i Komunës së Cepos që përfshin 16 fshatra të zonës së Kardhiqit është tepër optimist se rruga e re do të ndikojë në zhvillimin e gjithanshëm të krahinës saj.
Mirëpo, bashkë me metrat e parë të rrugës së re në Kardhiq janë rikthyer grupet e arkërkuesve, që sipas banorëve i kanë përqendruar kërkimet e tyre në kthinat dhe galeritë brenda mureve të kalasë së Kardhiqit.
Fundjavën e kaluar, tregon një nga nuset e dy familjeve Shehu që jetojnë ende në rrënojat e mureve të ish-qytetit mesjetar, një grup personash kishin ardhur me një hartë dhe ishin paraqitur si arkeologë. "Ata gërmuan poshtë rrënjëve të një fiku, por kur u afruan fëmijët e fshatit, ata i mblodhën shpejt e shpejt hartat dhe aparatet dhe u larguan drejt burimit, në fund të fshatit. Aty ndenjën pak për të pirë një pikë ujë dhe kur ikën harruan një dosje me harta. Hartat i gjeti një grua, por nuk proftasi që t‘i lexojë, se njëri nga ata që e quanin veten arkeologë u kthye me shpejtësi nga rruga dhe ia rrëmbeu letrat nga duart", tregon 79-vjeçarja Liri Shehu.
Banorët këmbëngulin se florinjtë ekzistojnë nën gërmadhat e Kardhiqit dhe se disa gjetje që janë bërë deri tani nga kërkuesit, nuk janë veçse "disa çikërrima" të thesareve.
© Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt