Grushte bashkëshortes dhe vjehrrës
Arrestohet Përparim Vrapi, lëndoi Elona dhe Violeta Paçon. Konflikti për kujdestarinë e vajzës
Një punonjës i sigurisë, pranë ambasadës amerikane në Tiranë, ka lënduar bashkëshorten dhe vjehrrën, duke i goditur me grushte për shkak të konfliktit mbi kujdestarinë e vajzës. Elona dhe Violeta Paço kanë përfunduar në Spitalin Ushtarak me dhjetëra dëmtime në trup, ndërsa autori i sherrit, Përparim Vrapi, është arrestuar disa çaste më vonë nga Policia e Tiranës. Kjo e fundit tha dje se është njoftuar nga disa banorë pranë parkut të autobuzave në Tiranë për një sherr në familjen Paço. Një grup i gatshëm mbërriti në vendngjarje, ku konstatoi se punonjësi i sigurisë pranë ambasadës amerikane, Përparim Vrapi, kishte dhunuar fizikisht bashkëshorten dhe vjehrrën. Ai u shoqërua në mjediset e Komisariatit të Policisë nr.2, ku dha shpjegime për ngjarjen. Konflikti për vajzën
Hetuesit e çështjes thanë dje se sherri në familjen Paço kishte lidhje me konfliktin për kujdestarinë e vajzës. Përparim Vrapi dhe Elona Paço, disa javë më parë ishin ndarë, dhe për pasojë kishin hapur një proces për kujdestarinë e vajzës. Burimet policore thanë se Gjykata e Tiranës ende nuk kishte vendosur për procesin civil. Dje paradite, Përparimi, pas disa refuzimeve të bashkëshortes Elona për të parë vajzën, ka shkuar pranë apartamentit ku banonin familjarët e saj. Në hyrje të pallatit ka hasur kundërshtimin e vjehrrës, e cila nuk e lejonte për të parë vajzën e mitur. I ndodhur në këto kushte, policia tha se punonjësi i shërbimit të sigurisë pranë ambasadës amerikane ka filluar të fyejë dy gratë që ndodheshin në shtëpi. Por përsëri ka hasur kundërshtimin. Pas kësaj ka filluar të përdorë forcën, duke i goditur ato me grushte. Si pasojë e sherrit, Elona dhe Violeta Paço, kanë përfunduar në spital. Sipas dëshmitarëve okularë sherri ka ndodhur në sytë e vajzës
Arrestimi i autorit
Dëshmitarët okularë kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur pak çaste më vonë në vendngjarje. Ata kanë mundur të vënë në pranga autorin Përparim Vrapi, i cili ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, pasi dy gratë e familjes Paço e kanë kundërshtuar për të parë vajzën, megjithëse gjykata nuk ishte shprehur për kujdestarinë. Në këto kushte, agjentët e policisë kanë ngritur për Vrapin akuzat për plagosje të lehtë me dashje dhe dhunim banese. Ata deklarojnë se çështja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për zbardhjen e plotë. Kjo e fundit, në orët e pasdites së djeshme, ka marrë në pyetje dy të dëmtuarat, Elona dhe Violeta Paço, të cilat kanë dalë nga Spitali Ushtarak me fraktura në trup. Ato kanë rrëfyer zanafillën e sherrit, duke deklaruar se janë goditur nga Përparimi me grushte. Sipas tyre, gjithçka ka nisur nga një debat për kujdestarinë e vajzës. Ato deklarojnë se në Gjykatën e Tiranës është hapur një proces civil për ndarjen e Elonës dhe Përparimit, si dhe për caktimin e kujdestarisë së vajzës. Sipas të dëmtuarave, punonjësi i sigurisë pranë ambasadës amerikane e ka dhunuar bashkëshorten edhe më parë.
Precedenti
Gjykata izoloi burrin nga gruaja
Gjykata e Tiranës ka dhënë disa ditë më parë një vendim të pazakontë ndaj një bashkëshorti të dhunshëm. Gjyqtarja e çështjes ka vendosur që burri të izolohet nga gruaja për një muaj. Ata do të vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi, por në dhoma të ndara dhe gjatë kësaj kohe ai nuk duhet t‘i afrohet bashkëshortes. Respektimi i vendimit do të mbikëqyret nga inspektori i policisë së rendit, që mbulon zonën e banimit të dy bashkëshortëve. Albana Deda, banuese në Mullet të Tiranës, ka bërë një kërkesë disa ditë më parë pranë Gjykatës së Tiranës për të izoluar burrin e saj, Kujtimin, i cili sipas padisë e kishte rrahur atë. Në seancën gjyqësore kanë q enë të pranishëm të dy bashkëshortët, të moshës 30-35 vjeç. Gruaja ka thënë se nuk donte të ndahej nga burri, por kërkonte nga gjykata që të merrte masë ndaj tij, sepse sipas saj, ai e kishte rrahur me shkop.
www.gazeta-shqip.com
Krijoni Kontakt