Superaksion në Vlorë, Fier, Kavajë e Tiranë. Shtatë në pranga


Shtatë persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim gjatë një operacioni të gjerë të organizuar nga Drejtoria e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me atë të Fierit, Kavajës dhe Tiranës, si dhe me ndihmën e forcave italiane të rojës bregdetare. Objektivi i operacionit me emrin e koduar "Qiriri i ndezur", ka qenë goditja e një grupi trafikantësh të lëndëve narkotike dhe armëve, por policia ka dështuar në kapjen e një motoskafi të fuqishëm, që dyshohet se përdorej për këtë trafik.

Për kapjen e grupit kriminal janë angazhuar rreth 150 forca policore, si dhe rreth 80 mjete motorike tokësore dhe 8 mjete lundrimi. Aksioni është zhvilluar në të njëjtën kohë nga deti dhe nga toka. Sipas policisë, u bënë të gjitha përpjekjet për të kapur superskafin që vinte nga brigjet italiane me destinacion grykëderdhjen e lumit Seman, por mjeti lundrues me rreth 500 kuaj fuqi ka arritur t‘i shpëtojë ndjekjes.

Sipas policisë së Vlorës, aksioni është mbështetur në investigimet dhe informacionet e mbledhura në tre muaj. Superaksioni ka filluar rreth orës 23:00 të së martës, si nga deti, ashtu edhe nga toka. Në afërsi të fshatit Ndërmënas të Rrethit Fier u kapën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike e paketuar në nëntë pako të mëdha me peshë 284 kg, të vendosura brenda një automjeti tip furgon "Ford" me ngjyrë të bardhë, me targë FR7493B, në pronësi të shtetasit Azem Cimili. Po kështu, brenda këtij automjeti janë kapur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pesë armë zjarri automatike, një pistoletë model 54, nëntë krehra automatiku, një arkë me fishekë model 56, 20 granata luftarake ofensive me ndezës, një gjerdan me fishekë gjuetie, 27 fishekë pistolete, 2 pako me nga 100 ndezës detonatorë, të cilat do të trafikoheshin në drejtim të Italisë.

Po kështu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një automjet tip fuoristradë "Mitsubishi", dy vetura "Mercedes Benz", një veturë "Fiat", si dhe një furgon.

Nga verifikimet dhe hetimet e kryera, mjeti lundrues supergomone me 500 k/f vinte nga Italia në drejtim të bregdetit shqiptar, për të ngarkuar sasinë e lëndës narkotike dhe të armëve tashmë të sekuestruara. Në ndjekje të superskafit janë vënë për tri orë e gjysmë mjetet lundruese të policisë shqiptare, si dhe të "Guardia di Finanzzia"-s, por mjeti ka arritur të zhduket më pas drejt brigjeve italiane.


© Gazeta Shqip