Të gjithë emigrantët shqiptarë që nuk kanë leje të rregullt qëndrimi në Itali por kanë plotësuar dokumentet për ta marrë atë, mund të vijnë në Shqipëri pa pasur nevojë për vizë hyrëse. Ata duhet të paraqesin vetëm kuponat e marrë në zyrat postare italiane dhe vetëm me të mund të kalojnë kufirin pa vizë. Por emigrantët duhet të plotësojnë edhe disa kushte të tjera si paraqitjen e pasaportës së rregullt, hyrjen dhe daljen nga e njëjta pikë kufitare si dhe mos kalimin në vende të tjera të Bashkimit Europian. Ndërkohë Ministria e Brendshme italiane ka vendosur edhe zgjatjen e lejeve për punësim ose bashkim familjar. Nga gjashtëmujore, që kanë qenë më parë, ato janë bërë njëvjeçare.
Me anë të një njoftimi për shtyp Ambasada Italiane në Tiranë ka njoftuar dje se tashmë lejohet ardhja dhe rikthimi në Itali i të gjithë emigrantëve shqiptarë që disponojnë dokumente të rregullta por jo leje qëndrimi. "Ambasada e Italisë njofton se qytetaret shqiptarë, ligjërisht rezidente në Itali, e që zotërojnë kuponat (ricevuta) e paraqitjes së kërkesës për rinovim të lejes së qëndrimit apo të kartës së qëndrimit, mund të vijnë në Shqipëri e të kthehen në Itali pa pasur nevojë të kërkojnë një vizë rihyrëse",- thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës. Sipas tij, emigrantët shqiptarë që u ka skaduar leja ose janë në proces për marrjen e një të tille mund të vijnë në vendin tonë gjatë pushimeve. Por ata duhet të plotësojnë disa kushte të vëna nga shteti italian. "Udhëtimet vajtje ardhje nuk duhet të parashikojnë tranzite në vendet e tjera Shengen; hyrja dhe dalja nga territori italian duhet të bëhen nëpërmjet të njëjtës pike kufitare; qytetarët shqiptarë duhet të paraqesin pasaportën, riçevutën e paraqitjes së kërkesës për rinovim të lejes së qëndrimit apo të kartës së qëndrimit, si dhe kopjen apo origjinalin e lejes (apo kartës) së qëndrimit të skaduar për të cilën është kërkuar rinovimi; personeli i caktuar për kontrollet në kufi duhet të këtë vënë vulën e daljes si në pasaportë ashtu edhe në kupon (riçevutë)",- thanë burimet zyrtare të ambasadës italiane. Ato saktësuan se kuponat (riçevuta) e paraqitjes së kërkesës për rinovim të lejes apo të kartës së qëndrimit, të lëshuara nga zyrat postare italiane të vëna në funksionim për këtë qellim, kanë të njëjtën vlere të atyre tradicionale, që më parë lëshoheshin nga Kuesturat. Ndërkohë, Ministria e Brendshme italiane ka vendosur zgjatjen e vlefshmërisë së autorizimeve (Nulla Osta) për "Punësim" dhe ato për "Bashkim Familjar". Deri më tani këto leje kanë pasur vlerë gjashtëmujore por urdhri i ri parashikon që ato të kenë një vlerë njëvjeçare nga data e lëshimit të tyre. Në përfundim të periudhës prej një viti nga lëshimi i tyre, këto autorizime do të shuhen automatikisht dhe është i domosdoshëm rinovimi.
KUSHTET
Udhëtimet vajtje- ardhje nuk duhet të parashikojnë tranzite në vendet e tjera Shengen
Hyrja dhe dalja nga territori italian duhet të bëhen nëpërmjet të njëjtës pike kufitare
Qytetarët shqiptarë duhet të paraqesin pasaportën, riçevutën e paraqitjes së kërkesës për rinovim të lejes së qëndrimit apo të kartës së qëndrimit, si dhe kopjen apo origjinalin e lejes (apo kartës) së qëndrimit të skaduar për të cilën është kërkuar rinovimi
Personeli i caktuar për kontrollet në kufi duhet të këtë vënë vulën e daljes si në pasaportë ashtu edhe në kupon (riçevutë)
Krijoni Kontakt