bga gazeta tema


Skandal me tekstin zyrtar “Historia e Popullit Shqiptar”

Nga Dr. Teodor Kareco

Kam ndjekur me vëmendje e interes diskutimet në shtypin shqiptar lidhur me shkrimin, rishkrimin apo rishikimin e historisë. E shtyva shprehjen e opinionit për të qenë më konkret, pasi të lexoja kapitullin përkatës që lidhet me ekonominë në një tekst shkollor për historinë, jo vetëm sepse ekonomia është profesioni im, por sepse kam punuar në vite nëpër arkiva e kam shkruar pikërisht për ato probleme që trajtohen në atë liber.

Konkluzionet që arrita ishin surprizë. Ishte një skandal i vërtetë botimi ri i shitur si “original”, nuk ishte veçse kopje e botimit “Historia e Shqipërisë”, vëllimi III, e vitit 1984.

Në të konstatova vetëm ndonjë shkurtim të papërfillshëm. Për habinë time, më tronditi “guximi” i autorëve, që jo vetëm nuk kishin asnjë ndryshim në konkluzione, gjë që edhe mund të pritej, por, ruanin po ato tituj e nëntituj, po ato paragrafe e nënparagrafe.

Të paktën të kish ndonjë ndreqje të karakterit redaksional pas kaq vitesh.

Kemi të bëjmë me një mashtrim të hapur të një grupi “profesorësh” nën ombrellën e Akademisë së Shkencave, tashmë të plakur e të dalë jashtë loje.

Autori i kreut që po diskutoj është profesor Kristo Frashëri, me të cilin personalisht nuk kam ndonjë problem. Natyrisht ka ndonjë përjashtim. Së largu duke ndjekur median vizive apo të shkruar, nuk puqem me opinionet e papjekura, shumë herë absurde dhe jo me gjuhën e një historiani me tituj e grada që quhen shkencore, që jep zoti Frashëri.

Si njeri më vjen sinqerisht keq që denoncimin dhe mendimet po i jap në kulmin e vlerësimit të tij si “Nder i Kombit”.

Unë kam një shqetësim: a duhet që Presidenti i Republikës të japë me dorë të lëshuar këto tituj “nderi” për ish- komunistët apo apologjetët e komunizmit, pa bërë më parë gjykimin serioz e zyrtar të krimeve monstruoze qe komunizmi i solli popullit dhe vendit tim?

Nderi që kam për popullin, vendin tim, Shqipërinë, ku u linda, u rrita, u inkriminova dhe me vullnet u ç’inkriminova, më obligon të bëj këtë denoncim pa as më të voglën ndrojtje. Në librin e paraqitur ka vjedhje në mes të ditës, me miratimin e “kupolës” së asaj që ende nuk e kuptoj pse quhet Akademia e Shkencave.

Eshtë vjedhje sepse “guna e vjetër”, botimi vitit 1984, është paraqitur si “kostum i ri”, në librin që konsiderohet si origjinal i vitit 2007.

Krahas pasaktësive, manipulimeve, falsifikimeve, mungesës së seriozitetit, nivelit të ulët shkencor, mua si qytetar më shqetëson fakti se, të paktën në kreun që unë kam studiuar me vëmendje, ku kam kryer studime shumëvjeçare mbi bazën e dokumentave arkivore dhe që përputhet me profesionin tim, duket qartë metodologjia marksiste-leniniste e enveriste e trajtimit të historisë.

Në këtë libër, në qendër kuptohet është argumentimi “shkencor” që “profesorati” i bën luftës famëkeqe të klasave që i solli kaq fatkeqësi vendit, nëpërmjet krimeve që rodhën si lumë.

Mashtrimi i parë është se në botimin e vitit 2007 nuk është riprodhuar “Hyrja” e gjate e botimit të vitit 1984, ku citohej se në themel të studimit të historisë qëndron teoria marksiste-leniniste, pa harruar edhe Stalinin.

Në faqen 14 të këtij botimi, të njejtët autore krenohen se: “Gjatë përgatitjes së këtij vëllimi, për trajtimin marksist-leniniste te proceseve ekonomike-shoqërore autorët janë mbështetur në veprat e Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit e te veprat e shokut Enver Hoxha”.

Natyrisht boshti i studimit janë veprat e kriminelit Hoxha. Në faqen 14 të po atij libri të inkriminuar ata pohojnë se: “Historiografia nxjerr mësime të rëndësishme të karakterit metodologjik. Këto vepra janë model i trajtimit marksist-leninist të përvojës konkrete historike, shembull i zbatimit të materializmit dialektik e historik në shkencat shoqërore dhe në mënyrë të veçantë në shkencat historike.”

Duke hequr vetëm “Hyrjen” që jep çelësin magjik të interpretimit komunist të historisë, profesoret tanë heqin vetëm citatet e “klasikut” të tyre dhe lënë të ekspozuar gjithë trajtimin enverist të historisë së kësaj periudhe.

Jo vetem për nivelin aspak shkencor të këtij kreu, për pasaktësitë, mungesën e dokumentacionit arkivor, por në radhë të parë e kryesisht për trajtimin me metodologjinë komuniste-enveriste, ky libër duhet të hiqet nga qarkullimi.

Nuk kemi të drejtë që të lejojmë një grup njerëzish të inkriminuar, qoftë me tituj e grada shkencore të manipulojnë mendjen e brezit të ri me ideologjinë marksiste-enveriste.

Meqë botimi bëhet nga një institucion shtetëror sikundër është Akademia e Shkencave të Shqipërisë, ndërhyrja e parë për hedhjen në “koshin e plehrave” të librit, do të duhet të bëhet nga qeveria që emërtohet demokratike.

Më ka bërë përshtypje në një intervistë se zoti Frashëri iu përgjigj me siguri pyetjes se si arritët të mbijetonit, meqënëse ishit edhe nga të parët e përjashtuar duke nënkuptuar përjashtimin nga Partia Komuniste, duke theksuar: “Kam shpëtuar në saj të 250 lekëve... bleva një dry dhe ia vura gojës… Lashë politikën.”

E la politikën e hapur për të futur me mjeshtëri thelbin e asaj politike në histori, pasi kishte marrë garanci nga diktatori Hoxha. Ai në një takim i tha: “Ke hyrë tamam në fushën qe duhet, në histori” (Intervistë e K.Frashërit, botuar në gazetën “Koha Jonë”, 21 tetor, 2007).

I përmenda këto sepse natyrshëm rrjedh konkluzioni – me ndërgjegje, tani që nuk ka nevojë për “dryna”, profesori sërish përhap atë ideologji që mori mijëra jetë, la të lëngonte një popull në dekada.

Këtë “gunë” tërë arna, me mballoma që nuk i dihet origjina, pra këtë material, me ndonjë ndryshim, profesori e ka paraqitur rreth katër dekada më parë. Iu bënë shumë vërejtje, jo vetëm nga unë që isha në hapat e para të punës shkencore, por nga një pjesë jo e vogël e punonjësve mësimorë- shkencorë të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Nëpërmjet universitetit ato u përcollën zyrtarisht.

Isha i ri atëherë dhe më çudiste fakti sesi një njeri nuk përfillte asnjë mendim shkencor të një institucioni. Natyrisht, vërejtjet, opinionet, sugjerimet ishin të karakterit shkencor, pra, jo ideologjik. Në ato vite, të gjithe ne përdornim të njejtën metodologji dhe ideologji. Vërejtjet ishin konkrete dhe bëheshin nga njerëz që kishin punuar nëpër arkiva për problemin që shqyrtojmë.

E kam të vështirë nga t’ia nis këtij labirinthi apo lëmshi interpretimi ideologjik të gabuar me dashje, pasaktësive deri ordinere, kësaj paraqitje keqdashëse e jo profesionale të historisë së popullit tim.

Natyrisht diku do të nis, shqetësimi im është mos merzis lexuesin me argumenta shkencore, me shifra, dokumenta arkivore. Pra, më falni për zgjatjen, kur bëhen denoncime, gjithmonë duhen dhe prova, argumenta, gjykime shkencore.

Gjithë meraku i historiografisë komuniste, pra, edhe i autorëve është paraqitja me ngjyra sa më të nxira, sa më frikësuese i “gogolit” “çifligar”. Këtu qëndron një ndër boshtet thelbësore të mashtrimit, që do të çojë dora- dorës në justifikimin e luftës së klasave, luftës civile, justifikimin e grabitjes së pronës në mes të ditës.

Autori, si pa dashje sa nuk kritikon qeverinë e pare pas pavarësisë, të kryesuar nga Ismail Qemali, pse nuk ishte “komuniste”. Ai thekson se: “Shteti i ri shqiptar nuk e preku pronësinë çifligare (jo vetem çifligjet private, por as çifligjet vakufe e shtetërore)” (faqe 112 e librit që denoncojmë).

Të arrish në këtë konkluzion për atë periudhë kur shtroheshin probleme të tjera për zgjidhje është jo vetëm jashtë realitetit historik, por edhe një marrëzi e radhës. Si mund të shtrohej pa le të veprohej për cënimin e pronës që është gjëja më e shenjtë. A mund të pretendohej të bëhej “reformë” në ato vite që luftohej në shumë drejtime për konsolidimin e shtetit të parë shqiptar, dhe që, në fund të fundit për shumë e shumë vjet nuk u arrit.

Shkaqet ju i dini më mirë se unë. Madje një bashkëautor i këtij libri shprehet qartë kur bën analogjinë me shtetet fqinjë pas çlirimit nga sundimi osman. Në faqen 195, profesor Muin Cami nënvizon se: “Në Shqipëri pronarët e tokave ishin vendas, prandaj Shpallja a Pavarësisë nuk mund të sillte shpronësimin e tyre”.

Edhe pas katër dekadash nuk ke ndrequr të paktën konceptet shkencore për klasifikimin e tokës.

Na thua që pronësia çifligare në vitin 1912 kapte një sipërfaqe prej 210.000 hektarë, rreth 55 për qind të tokës së punueshme. Unë nuk besoj pothuaj në asnjë shifër që jepni në libër, për faktin e thjeshtë se nuk ke përdorur dokumentat arkivore dhe duke përtuar ta bësh këtë, ke injoruar botimet që janë bërë me dokumentat arkivore, dhe që pothuaj t’i japin “llokum” faktet dhe numrat më të shumta që të duhen për këtë qëllim.

Më vjen rëndë të të pyes por ç’kupton me tokë të punueshme? Statistika zyrtare, edhe ajo që quhej komuniste e klasifikonin sipërfaqen e tokës së përgjithshme në: 1-tokë bujqësore që përfshin a-tokën nën kulturë, b-livadhet, c-kullotat; 2-pyje dhe 3-tokë e pafrytshme. Po të jetë se toka që e quan “çifligare” zinte mbi gjysmën e tokës së punueshme apo nën kulturë, atëherë je gabim dhe mashtron për qëllime të caktuara. Ende në vitin 1929 toka nën kulturë mezi i arrinte 155.000 ha. Pra është absurditet. Por edhe si pjesë e tokës bujqësore që në ato vite ka qenë mbi 1.1 milionë hektarë nuk mund të zërë rreth gjysmën, sepse po të pranojmë për një çast numrat e sajuara që jepni, prona çifligare duhej të ishte mbi 500.000 ha. Edhe kur përpiqeni të gënjeni, bëjeni disi me marifet. Por, dihet postulati juaj: qëllimi justifikon mjetin.

Nuk e kuptoj më atë që thoni po aty se shteti shqiptar “nuk preku as marrëdhëniet agrare që trashëgoi nga sundimi osman”? Me kaq sa kam njohuri, shteti i pavarur ishte një shtet demokratik, ai nuk mund të diktonte. Le që nuk pati as kohë. Marrëdhëniet agrare feudale, apo çifligare siç iu pëlqen t’i quani, ishin përmbysur që në Perandorinë Osmane aty nga viti 1840. Mbeturina natyrisht ka patur. Kjo ndodh kur kalohet nga një rend apo situatë në tjetrin. Marrëdhëniet përsosen në rrugë evolucionare, ato i dikton ekonomia e tregut, shoqëria kapitaliste ku Shqipëria kishte hyrë pa kthim. Ato janë marrëdhënie që nuk bëhen me sforcime, me revolucione klasore. Natyrisht ka raste kur edhe shteti nëpërmjet levave të tërthorta mund të ndikojë në drejtime të caktuara. Por, t’ia kërkosh këtë qeverisë së drejtuar nga Ismail Qemal Beu, është utopi.

Me marifet, shumë marifet doni t’i tregoni botës dhe brezave që vijnë se, megjithëse ai që ju u quani “Revolucion i Qershorit 1924” u shtyp, në fund të fundit solli një “fitore” të madhe, pushteti fitoi tipare borgjeze.

Ju deklaroni se: “Me këtë zhvillim pushteti shtetëror deri atëherë cifligaro-borgjez, filloi dalëngadalë të përvetësonte në fund të viteve ’20 tipare kryesisht borgjeze”.

Këtu kemi të bëjmë me një varg problemesh e mashtrimesh. Në radhë të parë këmbëngulni që vetëm me ndikimin e këtij “revolucioni” u mënjanua klasa çifligare nga jeta politike. Njëherësh doni të argumentoni se ishin pikërisht marrëdhëniet midis çifligarëve dhe fshatarësisë së varfër që çuan në revolucion. Nuk e di, koha do të tregojë nëse mund të quhet revolucion. Bindja ime është se jo. Megjithatë nuk është ky objekt i denoncimit tim.

Mua më shqetëson përmendja e tog-fjalëshit “çifligaro-borgjeze”. Dihet se në kohën kur komunistët ishin në pushtet rendin e para luftës e quanim “çifligaro-borgjez”. Ishte pjellë e diktatorit, nuk kishte guxim njeri ta kundërshtonte, veçanërisht me shkrim e në publik. Dihen mirëfilli sistemet apo rendet ekonomike. Komunistët shtuan dhe “rendin komunist” që ishte utopi. Koha e tregoi. Por ta konsiderosh një rend as mish e as peshk, dmth as çifligar, megjithëse renditet i pari dhe, as borgjez, dmth çifligaro- borgjez është një absurditet.

Doni nuk doni ju profesor, rendi ekonomik në Shqipëri ishte futur në rrugën e marrëdhënieve kapitaliste, të ekonomisë së tregut si në industri, bujqësi dhe në degët e tjera të ekonomisë kombëtare. Natyrisht mbeturina të marrëdhënieve ekonomike të rendit feudal ka patur, më shumë në vitet ‘10- ‘20-të dhe, më pak në vitet ‘30-të.

Kjo nuk do të thotë që pushteti shtetëror nga çifligaro-borgjez u kthye nën ndikimin e revolucionit të tetorit 1917, ndjesë, të qershorit 1924 në pushtet kryesisht borgjez. Jo “kryesisht” por tërësisht pushteti përfaqësonte bazën ekonomike, marrëdhëniet kapitaliste, pra ishte pushtet i borgjezisë. Fakti që më shumë në fillim dhe më pak në fazën e fundit që shqyrtojmë në qeverisjen e vendit morën pjesë edhe ata që i quani “çifligarë” nuk e ndryshon thelbin e problemit. Ata ishin pjesë e rëndësishme e popullit shqiptar, e kishin drejtuar atë në shekuj në luftëra e përpjekje, madje ishin faktor i rëndësishëm i Shpalljes së Pavarësisë dhe i gjithë ngjarjeve që rrodhën më vonë. Duhet të jesh shumë naiv apo tej mase i inkriminuar që të mendosh të kundërtën. Natyrisht vetë koha do të ndikonte në kah pozitiv në zëvendësimin e pushtetit që shumë herë ishte anakronik, me elementë më të përparuar. Dhe, historia e vërtetoi këtë.

Po bej një analogji. Me vetëpërmbysjen e rendit që për katër dekada e quajtëm “socialist si fazë e parë e rendit komunist” dhe me rivendosjen e ekonomisë së tregut, qeverisjen e vendit kryesisht e bënë ish- komunistët. Madje si President u caktua nga parlamenti i dominuar nga komunistët, diktatori i fundit komunist Alia. Por, asnjërit nuk i shkon ndër mendje ta quajë pushtetin e viteve ’90-të apo më pas “komunisto-borgjez”. Komunistët në pushtet, megjithë prapësitë që kanë bërë e po bëjnë veprojnë në kornizën e ekonomise së tregut. Me forcimin e elementëve të mirëfilltë kapitalistë në Shqipëri, me shndërrimin edhe të komunistëve në pronarë, do të zhduken vetvetiu brenda të njejtit rend komunistët që i quajmë fondamentalistë.

Jeni shumë kontradiktor zoti profesor! Ndërsa nënvizoni se: “Prona çifligare, edhe pse gëzoi mbrojtjen e shtetit, nuk u rrit”, (faqe 113), disa reshta me pas thoni të kundërtën: “Copëtimi e pakësimi i pronës tokësore çifligare përbënin një nga karakteristikat kryesore të zhvillimit agrar të Shqipërisë gjatë viteve ’20 dhe ’30”.

Gërmoni në arkiva, lexoni materialet e botuara, qoftë dhe statistikën komuniste dhe si historian, bëhuni një herë i sinqertë dhe tregoni hapur se prona çifligare u tkurr kaq shumë, sa në fund të Luftës së Dytë Botërore thuajse ishte inekzistente. Vetë “Anuari Statistikor i Republikës Popullore të Shqipërisë, 1961”, në faqen 123, me përjashtim të mashtrimit të radhës për të ashtuquajturit “latifondistë”, që do ta analizojmë më poshtë, natyrisht dhe “çifligjeve” të shtetit, nuk përmend ndonjë pronë “çifligare” por, vetëm pronarë të pasur, të mesëm, të vegjël e fshatarë pa tokë.

Për të të ardhur në ndihmë, që të mos “mundohesh” lexo dokumentin e Arkivit Qëndror Shtetëror, Fondi 895, viti 1945, dosja 15, botuar në librin me autor Iljaz Fishta e Theodhor Kareco “Prona private në Shqipëri, 1924-1944 (përmes burimeve arkivore e bibliografike)” në faqet 641-650. Për më tepër edhe në këtë dokument të përpunuar në vitet kur pushtetin e patën uzurpuar komunistët, nuk përmendet në klasifikim prona “çifligare”, qoftë termi i shpikur për qëllime politike “latifondiste”. Klasifikimi është i qartë – “Sipërfaqja e fermave ndamun sipas pronësisë”. Në këtë dokument del se në Shqipëri, sipas dokumentave të nxjerra nga kadastrat dhe evidencat e tjera shtetërore kishte vetëm 60 pronarë që zotëronin 100.01-200 hektarë dhe 43 pronarë që zotëronin mbi 200.01 hektarë. Kategoria e parë zotëronte 7 446 hektarë, ndërsa e dyta 13 859 hektarë. Shifrat janë kokëforta. Në përfundim shohim se ato që i quajmë ekonomi të mëdha, me terminologjinë e “profesorit” çifligje, nuk zinin veçse 0.07 për qind të numrit të ekonomive bujqësore dhe 5.42 për qind të sipërfaqes së tokës në pronësi.

Por, historiografia komuniste nuk mund të shmanget nga terminologji të tilla që përbëjnë thelbin e luftës klasore dhe luftës për pushtet si “latifondiste”, “çifligarë” e të tjera dokrra të kësaj natyre.

Dihet që në Kongresin e I-rë famëkeq të komunistëve, që u quajt “historik”, me vendimet monstruoze në shkatërrimin e demokracisë e të rendit kapitalist kryediktatori Hoxha theksoi se në Shqipëri kishte 7 latifondistë të medhenj që zotëronin 14.554 hektarë tokë. Ky ishte mashtrimi i radhës. Meqë e tha diktatori, duhej pasqyruar edhe në dokumentat zyrtare të kohës, ndryshe pritej “koka”. Është kjo arsye që këto shifra i shohim edhe në Vjetarin Statistikor që cituam.

Si qëndron e vërteta. Shifra që jepet nga Hoxha është marrë diku nga një dokument që pasqyron diçka tjetër, pra është gënjeshtër me “bisht”.

Në librin me bashkëautor profesor Fishtën, në faqet 651-652 kemi botuar dokumentin e AQSH, Fondi 894, Dosja 764, që pasqyron të dhëna nga statistikat e Reformes Agrare të para luftës. Aty në kategorine e pronarëve që zotëronin pronën mbi 1 mijë hektarë përfshiheshin Veli Juba, Sami Vrioni, Vllazen Gurgaj, E.I.A.A., Vakëfi Mysliman, Ahmet Resuli e të tjerë, Pasuria e Vezirit në Shkodër. Të gjithë këta pronarë zotëronin së bashku 14,554 hektarë, shifër e njëjtë me atë që jepet për 7 “latifondistët”. Këtu nuk përfshihen emra që përmend Hoxha si Shefqet Verlaci, familja Biçakçi e ndonjë tjetër. Madje po ta shikosh me kujdes e të mbledhësh sipërfaqen e tokës në pronësi që jep për “latifondistët” e veçantë diktatori del se sipërfaqja e tokës që ata zotëronin ishte 16.607 hektarë. Nuk çuditem me këtë mungesë konsekuence të një ish- krimineli, kur vinte ato shifra ai mendonte se kush kish radhën për “satër” apo “plumb”.

Natyrshëm më lind pyetja, a i falet një njeriu që e quan veten “historian”, që e ka mbushur gjoksin me të gjitha titujt e gradat shkencore e joshkencore që pas mbi 60 vjetësh të përdorë të njëjtat shifra e konkluzione për “latifondistët” (shih faqen 113 të librit të historisë). Kaq besim e besnikëri njëherësh është për t’u patur zili. Kjo tregon ndër të tjera se zoti Kristo nuk ka marrë asnjëherë mundimin të konsultohet me arkivat, dokumentacionin, botimet.

Po a ka patur pronarë të mëdhenj të tokave në periudhën që shqyrtojmë? Natyrisht që po. Por ata duhen parë e analizuar në kontekstin kohor e historik. Sikundër pranon aty- këtu edhe autori, prona e madhe e shumë e madhe çifligare pati evolucionin dhe shpërbërjen më të madhe. U mënjanuan pronarët e mëdhenj të tokave që para Shpalljes së Pavarësisë zotëronin secili 10.000-15.000 hektarë tokë apo edhe më shumë. Zhvillimi i proceseve që diktonte ekonomia e tregut sollën ndryshime thelbësore, pikërisht në radhë të parë në këtë kategori të pronarëve. Toka shitej e blihej lirisht, proceset e trashëgimisë vepruan më me forcë, ashtu edhe shpërbërja e familjes së madhe, fisit e të tjera të kësaj natyre.

Ende në vitin 1929 (sipas Fondit 279, viti 1929, të AQSH) kishte 7 pronarë (apo familje) që zotëronin mesatarisht secila 5.500 hektarë, 9 pronarë që zotëronin mesatarisht 3.100 hektarë dhe 9 pronarë të tjerë që zotëronin rreth 1.150 hektarë secili. Megjithatë, ndryshimet strukturore në pronësinë e tokes ishin shumë të thella, ecnin në rrugën normale që sillte ekonomia e tregut.

Prona e madhe e tokës, nën emërtimin “çiflig”, megjithë depërtimin çdo ditë e më shumë të mekanizmave të ekonomisë së tregut, ende nuk e kishte marrë tiparin e fermës së mirëfilltë kapitaliste. Ishte “pronë e madhe” në kuptimin e zotërimit të tokës, në praktikë, në shumicën e rasteve ajo drejtohej në formën e ekonomisë së vogël bujqësore duke e dhënë tokën me qera në mijëra përdorues.

Faktori ekonomik u bë determinues në zvogëlimin e dukshëm të pronës së madhe mbi tokën. Pronarët e mëdhenj, sidomos në kushtet kur burimet e thesarizuara të të ardhurave u zvogëluan, kur nëpunësit që sillnin të ardhura në shtet po zvogëloheshin, synonin që në rrugë ekonomike të mbijetonin. Në kushtet e periudhës që diskutojmë investimet në bujqësi ishin ndër më të paleverdisshmet.

Kështu, sipas të dhënave të përpunuara nga Fondi 279, për “Reformën Agrare” nga një studim i datuar 4 shtator 1929, del se në 20.100 hektarë tokë, që zotëronin 10 pronarë të mëdhenj tokash, në Elbasan duke përfshirë edhe “çifligarë” ishin investuar 11.243.500 franga ari dhe siguronin të ardhura vjetore gjithsej 331.600 fr. ari. Duke e konsideruar të gjithë të ardhurën neto, pra fitim, del se norma e fitimit nuk arrin as 3 për qind. Lind natyrshëm pyetja: a është i interesuar pronari i tokës të bëjë investime në bujqësi, kur norma mesatare e fitimit është shumë më e lartë në degë të tjera, veçanërisht në atë të tregtisë? Kur këtë normë fitimi që, natyrisht e marrim me rezerva e kishin pronarët e mëdhenj, atëherë çfarë ndodhte me pronarët e tjerë? Faktori ekonomik u bë promotori i ndryshimeve esenciale në pronësinë e madhe mbi tokën.




(Vijon në numrin e ardhshëm)