Shpallja e pavaresise dhe njohja e saj nga SHBA dhe pjesa derrmuese e shteteve evropiane perben nje moment historik ngadhenjyes per te gjithe shqiptaret ne bote. Por ky moment ne histori nuk duhet pare vetem si nje triumf i faktorit shqiptar ne rajon e ne bote, ky moment ne histori duhet perjetuar si nje shans historik per popullin shqiptar qe të dëshmojë me hapa konkrete se ndan të njëjtat principe demokratike dhe vlera si pjesa tjetër e botës së lirë. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga vende si SHBA, Gjermani, Japoni, Angli, France, është besimi që këto vende kanë se populli shqiptar meriton një shans për të provuar veten se është i denjë për një vend në tavolinën e familjes evropiane dhe botërore. Është detyra jonë si shqiptarë që të provojmë me vepra e jo me fjalë që ky besim dhe ky investim kolosal që po bëhet në Kosovë është në të mirën jo vetëm të shqiptarëve por edhe të investitorëve ndërkombëtarë.
Sfida #1: Materializimi i pavarësisë
Jo më kot para disa muajsh hapa një temë tek portali i forumit ku shtroja pyetjen: "Çfarë do të thotë të jesh shtet i pavarur?". Qëllimi i kësaj asaj teme ishte të provokonte mendimin shqiptar që të shihnin më tej nga emocionet e çastit, të fillonin të kuptonin se si pavarësia e Kosovës do të ndryshonte jetën e tyre, jetën e familjes së tyre, jetën e mbarë Kosovës. Nga ana tjetër tema kish për qëllim që te ftonte anëtarët e këtij forumi që të fillonin të ndërtonin një vizion të ri për Kosovën, një vizion i ndërtuar si produkt i lirisë dhe jo luftës.
Dy ditë pas shpalljes së pavarësisë në Kosovë, tani që festimet madhështore kanë përfunduar, tani që ata mijëra gazetarë të huaj po largohen nga Kosova, tani që atmosfera festive po zvenitet, dilema më e madhe në mendjen e cdo shqiptari do të jetë: "Si do të ndryshojë jeta ime tani që e shpallëm pavarësinë?" Aq të mëdha kanë qënë shpresat në popull për një jetë më të mirë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë saqë zhgënjimi i përkohshëm i popullit të Kosovës do të jetë i sigurt. Kjo në vetvete përbën edhe sfidën më të madhe për qeverinë e Kosovës: materializimi i pavarësisë dhe lirisë në jetën e cdo qytetari.
Të jetosh në një shoqëri demokratike e të lirë, do të thotë të jetosh në një shoqëri që është gjithmonë në ndryshim. Ndryshimi në Kosovë është tejet i mirëpritur nga populli i thjeshtë që ka gati 1 dekadë që pret një të ardhme më të mirë të premtuar. Është përgjegjësia e qeverisë së Kosovës që të vendosi në vend autoritetin e ligjit demokratik, ti japi fund grupeve kriminale që veprojnë në Kosovë, ti japi fund trafiqeve të ndryshme, ti japi fund korrupsionit në administratë, ti japi zgjidhjeve probleme kyce nga më i thjeshti: pajisja me një letërnjoftim të gjithë qytetarëve të saj që duke filluar nga 17 shkurti janë shtetas së Republikës së Kosovës, e deri tek problemi më i madh sic është ai i privatizimit të uzinave, fabrikave e minierave të Kosovës, apo njohja ligjore e prones private.
Kjo përbën në vetvete edhe sfidën më të madhe për të ardhmen e Kosovës pasi nëse nuk adresohet drejt dhe me shpejtësi, gjithë ky entuziazëm që pamë në rrugët e Kosovës në 17 shkurt do të kthehet në zhgënjim të madh. Dhe qeveria e Kosovës nuk ka një përgjegjësi historike vetëm përballë qytetarëve të Kosovës, ajo ka një përgjegjësi direkte edhe ndaj vendeve investitore në Kosovë që sponsorizuan pavarësinë e Kosovës: SHBA, BE, NATO. Nëse këto vende nuk shohin ndryshime rrënjësore pozitive në 2 vitet e ardhshme në Kosovë, ato do të jenë më pak të prirura për të investuar në Kosovë dhe kanë për të vënë në mëdyshje edhe vetë misionin e tyre në Kosovë. Kjo përbën një përgjegjësi të madhe historike për qeverinë dhe institucionet demokratike të Kosovës. Shpallja e pavarësisë ishte hapi i parë relativisht i lehtë, materializimi i një Kosove të pavarur e të lirë është sfida më e madhe historike për mbarë faktorin shqiptar në botë.
Sfida # 2: Integrimi i minoriteteve në jetën e vendit
Një tjetër sfidë e jashtëzakonshme është edhe integrimi i minoritetit serb në Kosovë në jetën e shtetit të ri kosovar. Ajo që ra në sy në 17 shkurt në Kosovë ishte kontrasti i thellë i qytetarëve shqiptarë të Kosovës që festonin në rrugë, dhe demonstrimet e serbëve në rrugët e Mitrovicës kundër shpalljes së pavarësisë dhe shtetit të ri kosovar. Kjo është një sfidë e madhe pasi si ata qytetarët shqiptarë edhe ata serbë duke filluar nga 17 shkurti janë shtetas së Republikës së Kosovës. Nëse serbët që jetojnë në Kosovë refuzojnë këtë shtetësi, rretë e zeza të ndarjes do të qëndrojnë në Kosovë.
Kjo sfidë duhet parë si një garë e qeverisë së Prishtinës dhe qeverisë së Beogradit për të fituar mendjet dhe zemrat e pakicës serbe në Kosovë. Qëndrimet e palëve janë të kuptueshme kur sjellim parasysh historinë midis dy popujve. Por kjo nuk do te thote se me shpalljen e pavarësisë, bashkëjetesa midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë mori fund. Përkundrazi, shtetet e huaja sponsorizuese të pavarësisë së Kosovës e njohën këtë pavarësi pasi mendojnë se mund të ndërtojnë në Kosovë një shtet demokratik të ri ku respektohen të drejtat e të gjitha minoriteteve. Dëmi më i madh që Kosova do të pësonte në opinionin publik botëror është një konfrontim i mundshëm etnik në Kosovë që do të krijonte valë refugjatësh serbë që largohen nga Kosova ose shpërthimin e një konflikti të mundshëm.
Qeveria e Kosovës duhet të jetë ajo që merr hapa konkrete në shumë drejtime, jo thjeshtë gjeste mediatike, që krijon mundësi për minoritetin serb që të integrohet në jetën e shtetit të ri të Kosovës. Ajo që do të diktojë për mirë më shumë se çdo tjetër këtë sfidë janë aplikimi me sukses i reformave demokratike në Kosovë që i japin hov ekonomisë së Kosovës, i hapin dritën jeshile investimeve të vendit e të huaja, dhe qytetarët e Kosovës, shqiptarë e serbë, kanë më shumë mundësi punësimi që do të cojnë në rritjen e mirëqënies. Kjo do të sensibilizojë e joshë më shumë se cdo gjë minoritetin serb në Kosovë që të bëhet palë në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, duke refuzuar mbështetjen e Beogradit në këtë drejtim.
Avantazhi tjetër që qeveria e Kosovës ka krahasimisht me qeverinë e Beogradit është mbështetja e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian do të luajë një rol kryesor në ndihmën llogjistike dhe ekonomike për shtetin e ri evropian, ashtu sic do ti ofroje Kosovës të njëjtën paketë që qeveria e Beogradit refuzoi para pak javësh: një marëveshje anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO. Benefitet që vijnë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, do të jetë një tjetër kartë joshëse për minoritetet serbe që të përqafojnë identitetin e shtetasit të Kosovës.
Pika e fundit dhe tepër e rëndësishme për të adresuar këtë sfidë është roli aktiv që duhet të luajnë burrat e shtetit të Kosovës. Takimet e shpeshta me minoritetin serb, perfaqesimi i minoritetit serb ne te gjitha instancat e shtetit te Kosoves, adresimi i problemeve te tyre me investime te qeverise se Kosoves, nxitja e bashkejeteses duke krijuar kushte konkrete ne sistemin e arsimit dhe ate mjekesor, bashkepunimi i ngushte me krerët e Kishës Orthodhokse serbe në Kosovë, kanë për të hapur me kohën dyert e mbyllura të mendjes dhe zemrës së minoritetit serb në Kosovë. Është e rëndësishme për gjithë shqiptarët të kuptojnë, që duke filluar nga 17 shkurti, është përgjegjësia e shumicës shqiptare në Kosovë që ti shtrijnë dorën e bashkëpunimit minoritetit serb. Dhe kjo nuk bëhet thjeshtë pasi "kështu na mësojnë evropianët", kjo bëhet pasi nga integrimi i minoritetit serb në jetën e vendit varet edhe e ardhmja e shtetit të Kosovës. Suksesi përballë kësaj sfide do të thotë një paqe të përhershme në Kosovë dhe dështimi do të thotë copëtim ose shkatërrim i gjithë asaj që kemi arritur të ndërtojmë në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq, por qëndrimi që qeveria e Prishtinës do të mbajë ndaj minoriteteve do të ndikojë më shumë se cdo gjë tjetër edhe në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb.
Sfida #3: Kriza e identitetit që vjen me pavarësinë
Kriza e identitetit tek shqiptaret ne Kosove manifestohet ne shume forma. Ne diten e shpalljes se pavaresise ajo u manifestua hapur ne kontrastin dhe pakenaqesite qe u vune ne re midis flamurit te shtetit te Kosoves te valevitur nga presidenti dhe kryeministri i Kosoves, dhe nga ata mijera flamujt kombetare te valevitur nga shqiptaret ne rruget e Kosoves dhe botes. Flamujt shteterore te Kosoves me ngjyrat e flamurit te bashkimit evropian nuk kane lidhje aspak me Kosoven dhe historine e saj, dhe shumekush me te drejte mund te formulonte bindjen se pavaresia qe shqiptaret shpallen nuk eshte as me pak e as me shume se nje protektorat evropian. Zhgenjimi me i madh per mua ne diten e shpalljes se pavaresise ishin flamuri dhe stema shteterore e Kosoves, jo vetem per permbajtjen e tyre, por edhe per faktin se ato nuk përbëjnë asnjë lidhje me historinë e Kosovës apo trashëgiminë e saj.
E dëgjoj shpesh justifikimin "keshtu na keshilluan nderkombetaret", por dita e pavaresise nuk i perkiste ndërkombetarëve, i perkiste mbarë popullit të Kosovës, ishte dita kur nderkombetaret e mbare bota heshtnin që të dëgjonin se si burrat e shtetit të Kosovës flisnin në emër të popullit të Kosovës dhe shpallnin pavarësinë. Dhe një tjetër formë e shfaqjes së krizës së identitetit është edhe anashkalimi i flamurit të desinjuar të Kosovës që presidenti i parë i Kosovës, Rugova, mbajti në presidencë dhe në takimet me ndërkombëtarët. Ndryshe nga presidenti Rugova që e kuptonte rëndësinë e rikthimit në identitet të një populli të birësuar për shekuj me rradhë, tre krerët aktualë të institucioneve të Kosovës, duke mos vlerësuar sa duhet këtë hap historik, zgjodhën rrugën e thjeshtë të përqafimit të "identitetit evropian". Dhe ajo cështja tjetër që u anashkalua kur flasim për simbolet shtetërore, është edhe emri i Republikës. Ish-presidenti Rugova, mbronte idenë e emërimit të Kosovës jo sipas emërtimit sllav Kosovë, por sipas emërimit të lashtë të asaj krahine, Dardani. Në pamje të parë duket si një ndryshim sipërfaqësor emrash i parëndësishëm, por akte të tilla nënkuptonin fundin e epokës së pushtimeve dhe asimilimeve në Kosovë dhe rikthimin në identitetin e të parëve, identitetin dardan.
Në euforinë e momentit kjo sfidë nuk është edhe aq aktuale por ajo ka premisat që të nxjerri në një rrugë pa krye një popull të tërë. Sot, një shqiptar i thjeshtë në Kosovë i duhet të paqëtojë në mendjen e tij tre identitete: a) identitetin kombëtar shqiptar b) identitetin shtetëror kosovar c) identitetin e qytetarit evropian. Në ditët dhe muajt që do të vinë, zhgënjimi i parë me pavarësinë e Kosovës do të vijë nga rradhët e "nacionalistëve" shqiptarë. Këta janë ata që nuk u pëlqen të flasin për një Kosovë të pavarur por për një Shqipëri Etnike. Zërit të tyre do tu shtohen edhe zërat e anarkistëve të rinj në rrugët e Prishtinës, që do të vazhdojnë refrenin anarkisto-revolucionar të "Vetëvendosjes" dhe pastrimi i Kosovës nga trupat e NATO apo administrata e huaj ndërkombëtare.
Janë krerët e institucioneve demokratike të Kosovës që duhet të japin zgjidhje edhe kësa sfide. Kjo krizë mund të ishte shmangur e minimizuar nëse krerët e institucioneve të Kosovës do të ishin paksa më të vetëdijshëm dhe më konseguntë në qëndrimet e institucioneve që drejtojnë. Në një farë mënyre ata janë shkaktarë të kesaj krize identiteti me qëndrimet e tyre. Megjithatë, nuk është tepër vonë për të adresuar këtë sfidë në kontekstin e formulimit të kushtetutës së Kosovës, ligjit themelor të shtetit. Hapi i parë që krerët e institucioneve duhet të ndërmarin është hapja e linjave të komunikimit me elektoratin e Kosovës dhe shpjegimi se përse pavarësia e Kosovës është rruga e vetme dhe më e sigurt që siguron të ardhmen e Kosovës. Duke i parëprirë këtij problemi minimizohet impakti i propagandës së nacionalistëve dhe anarkistëve në rrugët e Kosovës. Hapi i dytë është adresimi i problemit të flamurit dhe stemës shtetërore duke i shpallur simbolet aktuale të përkohshme deri në shpalljen dhe aprovimin me referendum të Kushtetutës së Kosovës. Kosova duhet të ketë një flamurin e saj, që është ndryshe nga ai i Republikës së Shqipërisë, por që huazon shumë nga konteksti historik i simboleve të tij. Modeli i ish-presidentit Rugova është modeli që duhet të ndiqet jo vetëm për flamurin dhe stemën por edhe për emërtimin e Republikës së re. Emëri aktual Kosovë, edhe pse është emri që të gjithë e njohim Kosovën, nuk është një emër shqiptar në origjinë. Të pagëzosh republikën e re me emrin Kosovë do të ishte njësoj sikur Ismail Bej Vlora ta kish pagëzuar shtetin e ri shqiptar në 28 nëntor 1912 me emrin Arnavudllëk!
Dhe forma më e pafajshme e krizës së identitetit në Kosovë shfaqet në identitetin e ri të fituar dhe si ky identitet do të ndryshojë marëdhëniet brenda vetë faktorit shqiptar: A i hap rrugë pavarësia e Kosovës lëvrimit të "identitetit kosovar" dhe a do të ndihmojë apo dëmtojë në njehsimin kulturor, politik, shoqëror midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit?! Kjo është dicka që do ta provojë koha dhe varet nga shumë faktorë. Kontributi i vetëm që ne mund të japim është rritja e kontakteve dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat: arsim, kulture, art, politike, filozi, fe, shkence, ekonomi, etj. Ajo që e bën këtë problem paksa më kompleks seç duhet është prezenca e konkurencës së shteteve fqinje për një dominim kulturor të Kosovës. Krahas Republikës së Serbisë, Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, Turqia ka investuar jo pak në këto 9 vjet në Kosovën e pasluftës për të penguar me çdo kusht një ecje të shtetit të Kosovës në hapat e shtetit 95 vjecar shqiptar.
Sfida #4 Marëdhëniet e Kosovës me Serbinë
Kërcënimi më i madh i sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të rajonit varet nga qëndrimi që Serbia do të mbajë ndaj Kosovës. Shume mire dikush mund ta etiketoje Serbine sot si faktor destabiliteti në rajon. Shpresa e komunitetit ndërkombëtar është se me kalimin e kohës, pala serbe do të reflektojë mbi qëndrimin e saj dhe do të njohi realitetin e ri të krijuar në Kosovë. Pozitiv është fakti që Beogradi nuk zgjodhi një reagim të dhunshëm në Kosovë, duke patur një konfrontim ushtarak me trupat e NATO në Kosovë. Pozitiv është gjithashtu fakti që Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë përpjekje destabilizimi të brendshëm të Kosovës. Nga ana tjetër, Beogradi ende nuk ka dhënë asnjë shenjë që është gati të heqi dorë nga përpjekja për të riatdhesuar Kosovën si pjesë të Serbisë. Në kushtet e tilla, qëndrimi i qeverisë së Kosovës së bashku me ndërmjetësimin ndërkombëtar, kanë një rol historik për të luajtur në javët e muajt në vazhdim, për të arritur në thyerrjen e shtetrrethimit serb mbi Kosovën.
Cfarë roli duhet të luajë qeveria e Kosovës? Së pari, e rëndësishme është që krerët e institucioneve të Kosovës të kërkojnë me insistim vendosjen e marëdhënieve diplomatike me Serbinë. Në kushtet aktuale, qëndrimi shqiptar duhet të jetë një qëndrim pragmatist i zhveshur nga triumfalizmat dhe konfidencat e tepruara. Rivendosja e mardhenieve me Serbine, ne raportet e reja midis dy shteteve sovrane, duhet te jete objektivi i qeverise shqiptare. Kjo do te neutralizojë kërcënimin dhe do ti japi një shans paqes së përhershme në rajon. Kuptohet që pala serbe do të refuzojë cdo lloj komunikimi, takimi me krerët e shtetit shqiptar, pasi nuk duan të njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë të drejtë apo të tërthortë. Kjo nuk duhet të dekurajojë palën shqiptare në kërkimin e vazhdueshëm të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Beogradi e gjen veten me shpatullat pas murit në Kosovë, por për serbët drama nuk përfundon me Kosovën. Kosova për ta është akti i fundit i një drame që po luhet për 2 dekada dhe e ka emrin drama e shpërbërjes së Jugosllavisë. Beogradi është i vetëdijshëm se nuk mund të provokojë një konflikt ushtarak me forcat e NATO në Kosovë, ashtu sic është i vetëdijshëm se nëse përpiqet të destabilizojë Kosovën nga brenda saj, do të jetë minoriteti serb në Kosovë ai që do të vuajë pasojat e një politike të tillë. Në kushtet e tilla, opsioni i vetëm i Beogradit është shtetrrethimi ushtarak dhe ekonomik i Kosovës si një investim për ta kthyer eksperimentin evropian në Kosovë në një eksperiment të dështuar. Nga ana tjetër, shpresa tjetër e vetme e Beogradit është dekurajimi i impenjimit ushtarak dhe ekonomik të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe largimi i tyre nga Kosova duke e lënë atë në mëshirën e fatit. Prandaj pala serbe do të vazhdojë të refuzojë cdo lloj kontakti e komunikimi me palen shqiptare në Kosovë.
Qeveria e Kosovës nga ana e saj duhet të fillojë ofensivën e vetë publike për të fituar mendjet dhe zemrat e minoritetit serb në Kosovë. Është më e lehtë për qeverinë shqiptare që të fitojë mendjen e zemrën e atyre serbëve që jetojnë në Kosovë se sa të burrave të shtetit në Beograd. Dhe qëndrimi që shteti dhe shumica shqiptare në Kosovë do të mbajë ndaj minoritetit serb në Kosovë, është edhe çelësi i zbërthimit të këtij shtetrrethimi. Nëse serbët e Kosovës ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre në Kosovë, nëse ata kanë mundësi shkollimi e punësimi, dhe nëse Kosova pranohet në NATO dhe Bashkimin Evropian, nuk do të jetë e largët dita që minoriteti serb do të zgjedhi pjesmarrjen dhe jo bojkotin në shoqërinë e re kosovare.
Qëndrimi i dytë i qeverisë së Kosovës që do të luajë një rol të madh në ndryshimin e opionit publik serb është qëndrimi dhe raportet që shteti shqiptar do të krijojë me Kishën Orthodhokse Serbe në Kosovë. Qeveria e Kosovës duhet të vërë në lëvizje gjithcka për të fituar besimin dhe linjat e komunikimit me klerin orthodhoks serb në Kosovë. Kjo ka një rëndësi imperative pasi populli serb dhe gjithë popujt sllavë janë shumë të ndjeshëm ndaj trashëgimisë orthodhokse në Kosovë. Nëse lajmet që do të vijnë nga Kosova janë ato të shtrëngimit të duarve të krerëve të shtetit shqiptar me klerin serb, kjo do të ndihmojë jashtë mase në uljen e gjakrave në Beograd e më gjerë dhe në ndërgjegjësimin e pavetëdijshëm se "shqiptarët nuk qenkan aq të këqinj sa mendonim". Por nëse lajmet nga Kosova do të jenë ato të marsit 2004, Kosova do të kthehet vetvetiu në Palestinën e Ballkanit pasi reagimi i popujve të krishterë do të ishte në unision.
Duke filluar nga 17 shkurti 2008, Prishtina e Beogradi janë në garë për të bërë për vete mendjet e zemrat e minoritetit serb në Kosovë. Kjo garë do të diktojë nëse Serbia do të njohi pavarësinë e Kosovës dhe sa shpjet do ta bëjë një gjë të tillë. Zgjidhja ideale do të ishte ndërgjegjësimi me kohën i palës serbe se një Kosovë e pavarur nuk do të thotë një Kosovë e humbur. Serbët mund të kenë humbur sovranitetin dhe kontrollin administrativ të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se ata kanë humbur mundësinë për të lëvizur lirshëm dhe për të festuar festat e tyre fetare në Kosovë. Prania dhe impenjimi ndërkombëtar do të ndihmojnë në ndërmjetësimin midis palëve dhe arritjen në këtë zgjidhje të pranueshme për të dy palët.
Sfida #5 Testi historik i lidershipit
...
Krijoni Kontakt