Vendimmarrja për disa probleme nuk është e lehtë dhe do maturi, aq më shumë kur një gjë e tillë prek identitetin dhe ndjenjat e një kombi. Çdo shtet ka simbolet e tij - flamurin, stemën dhe himnin. Ato nuk janë vetëm simbole me të cilat shteti identifikohet në arenën ndërkombëtare por edhe simbole që shkaktojnë tek njerëzit emocione dhe e lidhin individin me vendin dhe me kombin e tij. Ato janë simbole që rrjedhin nga e kaluara e një populli dhe që janë zgjedhur nga vet ai për tu identifikuar me to.
Në opinionin shqiptar qarkullon ideja se ka dy lloj flamujsh - flamur kombëtar dhe flamur shtetëror. Ky botëkuptim është përhapur për shkak të specifikave historike të kombit shqiptar, ndarjes së tij në shtete të ndryshme, dhe mospranimit të shqiptarëve për t'u identifikuar me flamurin e shtetit ku jetojnë, por me atë të kombit që i përkasin. Historia tregon se shtetet moderne janë krijuar mbi bazën e kombeve dhe se flamujt e këtyre shteteve janë simbolet e kombeve përkatëse. Edhe termi ‘nationality’ në anglisht nënkupton shtetësinë dhe jo etninë, ndryshe nga shqipja ku nacionaliteti nënkupton etninë. Gjithashtu, është krijuar ideja e gabuar se dy shtete nuk mund t’a kenë flamurin me të njejtën pamje. E vërteta flet ndryshe dhe pretendimet se e drejta ndërkombëtare nuk e lejon këtë bien poshtë: Çadi dhe Rumania kanë të njejtin flamur ashtu si edhe Indonezia dhe Monako.
Plani i Ahtisarit parashikon një varg kushtesh për pamjen e flamurit të Kosovës. Sipas tij ai nuk duhet të ketë simbole të shteteve tjera dhe duhet të pasqyrojë multietnicitetin e Kosovës. Këto simbole që plotësojnë kushtet e Ahtisarit duhet të jenë vetëm simbole të përkohshme të Kosovës dhe si të tilla duhet të figurojë edhe në kushtetutë. Në të, flamuri dhe stema e Kosovës duhet të përcaktohen si flamuri i përkohshëm dhe stema e përkohshme e Kosovës. Simbolet e përhershme të shtetit të Kosovës do të përcaktoheshin në një fazë të dytë kur Kosova do të ishte shtet plotësisht sovran dhe populli i saj përmes një referendumi gjithëpopullor do të vendoste për simbolet e shtetit të tij. Republika Federale e Gjermanisë gjatë gjithë ekzistencës së saj, dokumentin e saj themelor juridik nuk e quajti kurrë kushtetutë, por ligj themelor, për shkak se ky dokument nuk ishte produkt i vullnetit të lirë të gjermanëve dhe Gjermanisë së ndarë.
Plani i Ahtisarit nuk është as Bibla e as Kurani dhe prandaj nuk është i pandryshueshëm. Pjesë të tij dihet që tani se nuk do zbatohen (p.sh. mbajtja e zgjedhjeve 9 muaj pas shpalljes së pavarësisë). Për më tepër, për shkak të kundërshtimit të Rusisë, ky plan nuk është pranuar as nga KS i OKB-së dhe është hedhur poshtë edhe nga Sërbia. Një plan i tillë, ashtu si edhe Marrëveshja e Rambujesë, e nënshkruar nga përfaqësuesit e Kosovës por e refuzuar nga pala tjetër, nuk është përjetësisht i detyrueshëm. Vet koha dhe ndryshimi i rrethanave bën anulimin e ligjeve apo klauzolave të ndryshme. Ka edhe raste tjera, kur klauzola apo marrëveshje të nënshkruara janë lënë qëllimisht të pazbatuara. Kështu, megjithëse Marrëveshja e Kumanovës parashikonte kthimin e një pjese të forcave policoro-ushtarake sërbe në Kosovë kjo nuk u zbatua ndonjëherë. Në një rast tjetër, kapitulacionet (detyrime dhe kushte poshtëruese për një shtet sovran, të vëna nga fuqitë e mëdha) të imponuara dhe të nënshkruara nga Turqia u hodhën poshtë njëanshëm nga Turqia, me ardhjen e Ataturkut në fuqi.
Mbi 90% e popullit të Kosovës janë shqiptarë dhe historia u ka mësuar atyre se janë pjesë e ndarë padrejtësisht dhe pa vullnetin e tyre nga pjesa tjetër e kombit. Flamuri që ata kanë përdorur që prej se ata janë identifikuar me një simbol të tillë është i njejtë me atë të të gjithë shqiptarëve të tjerë. Me këtë flamur ata kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, kanë mbajtur kuvendet, kanë festuar festat e tyre, lindjet dhe martesat, me të kanë zhvilluar të gjitha luftërat për liri dhe me të i kanë mbështjellë heronjtë e tyre të rënë në fushën e betejës. Ky flamur është larë me gjak dhe është rrënjosur thellë në ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve. Pos gjuhës dhe historisë së përbashkët, flamuri ka qenë dhe është simboli madhor që i ka bashkuar shqiptarët kudo që ata ndodhen. Një flamur tjetër, sado që duhet respektuar, do të jetë shumë i ftohtë për shqiptarët në Maqedoni, në luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, pa përjashtuar të njejtën ftohtësi edhe për vet shqiptarët e Kosovës.
Është interesant shembulli i flamujve të Rumanisë dhe Moldavisë - shtete fqinje të kombit rumun. Kjo e fundit ishte më parë republikë sovjetike dhe ka një pakicë etnike homogjene dhe numerike ruse. Megjithatë, flamuri i Moldavisë është në fakt flamuri i Rumanisë, me të vetmin ndryshim se ka një simbol të vendosur në mesin e këtij flamuri. Një zgjidhje e tillë, e ngjajshme, do të mund të zbatohej edhe për simbolet e Kosovës dhe Shqipërisë, pa patur frikë se do na akuzojnë për "Shqipërinë e Madhe". Nëse Kosova do të duhej që patjetër të kishte një flamur të ndryshëm nga ai i Shqipërisë zgjidhja më e mirë do të ishte që flamuri i Kosovës të kishte pamjen e stemës së Shqipërisë (flamuri shqiptar me përkrenaren e Skënderbeut mbi shqiponjë) dhe stema e Kosovës të kishte pamjen e flamurit të Shqipërisë. Kjo patjetër që do të shoqërohej me lirinë e përdorimit dhe respektimin e flamujve të pakicave kombëtare në zonat ku ato jetojnë, krahas simboleve shtetërore të Kosovës. Një gjë e tillë e vendosur me referendum, në një kohë të përshtatshme, do i vinte vulën kësaj çështjeje. Edhe flamujt e Gjermanisë Perendimore dhe Gjermanisë Lindore kanë patur si dallim vetëm një simbol në mes të flamurit, ndërsa flamujt e dy vendeve fqinje, Holandës dhe Luksemburgut, dallohen mes tyre vetëm për nga intensiteti i ngjyrës së kaltër në pjesën e poshtme të flamurit.
Historia ka treguar se tjetërsimi dhe përçudnimi i simboleve jashtë vullnetit të popullit është jetëshkurtër. Kjo gjë ndodhi me vendosjen e yllit komunist në flamujt e vendeve të Evropës Lindore apo me heqjen nga flamuri kroat të simbolit të tyre kuq e bardhë, me pamjen e fushës së shahut, me pretekstin se ishte simbol ustash. Vite më vonë Kroacia ktheu simbolin e saj kombëtar ndërsa vendet lindore hoqën simbolet komuniste.
Krijimi i simboleve artificiale kurrë nuk do të mund të fshijë kujtesën historike dhe flamurin e vërtetë të Kosovës. Simbolet e imponuara do të jetojnë aq sa do të jetojnë faktorët që i’a imponojnë këto simbole shumicës absolute të popullit të Kosovës dhe me përfundimin e imponimit do të marrin fund edhe simbolet në fjalë. Mbi 90% e banorëve të Kosovës janë pjesë e një kombi të lashtë dhe nuk kanë nevojë të krijojnë apo të trillojnë flamuj artificial, siç mund të ketë patur nevojë ta bëjë ndonjë shtet tjetër.
Krijoni Kontakt