• William Howard
Tërheqja e forcave Austro-Hungareze nga Shqipëria, si rezultat i operacioneve gjitharmëshe detare e tokësore të Shteteve të
Bashkuara, Britanisë, Francës dhe Italisë, shënon kohën për vënien menjëherë në jetë të parimit të presidentit Uillson mbi vetvendosjen e popujve të vegjël. E çliruar nga sundimi i Fuqive Qëndrore, aleanca ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Bullgarisë dhe Turqisë e cila i kundërvihej aleatëve të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria, e para nga kombet e pakta, është e gatshme për vetqeverisje.
Me aq sa di për Shqipërinë dhe nga njohja e afërt me shqiptarët e të gjitha shtresave, nga pashallarët e deri tek udhëtari me gomar, parashtroj sugjerimet e mëposhtme:
Ø Presidenti Uillson duke vepruar në përputhje me aleatët e Shteteve të Bashkuara, të shpallë Republikën e Shqipërisë.
Ø Shtetet e Bashkuara t’i japin Shqipërisë orientime, ndihma dhe mbrojtje në të njëjtën masë dhe të të njëjtit karakter qëu kanë dhënë Kubës dhe Filipineve.
Ø Të formohet një qeveri shqiptare me zyrtarë të zgjedhur, në se është e mundur, nga radhët e shqiptarëve që jetojnë tani në Shtetet e Bashkuara.
Ø Fondet e shpenzimeve shtetërore dhe kostoja për rindërtimin e Shqipërisë, deri në lulëzimin e saj, të sigurohen nëpërmjet letrave me vlerë të nxjerra nga qeveria shqiptare dhe të garantuara nga Shtetet e Bashkuara.
Ø Kontrolli dhe orientimet e Shteteve të Bashkuara ndaj qeverisë së Shqipërisë të kenë një angazhim për një periudhë kohe prej 25 vjetësh, ose derisa siç thotë Uillsoni, shqiptarët të jenë në gjendje të administrojnë vendin e t yre.
Ø Kufijtë e Shqipërisë të caktohen duke pasur për bazë deri ku shtrihet raca shqiptare pa e përfillur arbitraritetin e paraluftës.
Ø Të gjitha marrëveshjet e arritura nga Fuqitë Qëndrore, ose nga aleatët e Antantës, për të ardhmen e Shqipërisë, përcaktimi i trevave të saj dhe drejtimi i çështjeve të veta, të quhen të pavlefshme duke filluar nga muaji prill i vitit 1917. Shqipëria të trajtohet në përputhje me deklaratën e parimeve të presidentit Uillson e cila shënon hyrjen e Amerikës në luftë.
Në mbështetje të sa thuhet më sipër parashtroj si vijon: Shqipëria ka të drejtë të ketë pavarësi kombëtare për këto arsye:
Eshtë kombi më i vjetër në Europë. Ajo ka luftuar për pavarësi kundër sundimit turk afërsisht 500 vjet. Në prag të shpërthimit të kësaj lufte, ajo ekzistonte si komb dhe kishte një qeveri. Këto i kanë njohur dhe i kanë mbështetur të pesë fuqitë e Europës.
Në lufitën e saj për të dalë nga errësira dhe injoranca mesjetare, Shqipëria i ka drejtuar sytë vetëm ndaj popujve të lirë të demokracisë perëndimore për ndihmë dhe mësime. Së pari, sepse asnjë nga aleatët e Amerikës nuk është në gjendje, si nga ana financiare, ose anë të tjera, t’i hyjë një pune të tillë; së dyti, sepse vetëm Shtetet e Bashkuara, nga të gjitha kombet, hynë në luftë as për vetmbrojtje dhe as për të përmbushur ndonjë deytrim ndaj ndonjë marrëveshje, por thjesht për motive altruizmi. Shqipëria duhet të shpallet republikë sepse bota i ka hequr qafe njëherë e përgjithmonë monarkitë dhe nga ana tjetër sepse vetë shqiptarët dëshirojnë një formë qeverimi republikë sipas modelit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët e qeverisë së re shqiptare duhen zgjedhur nga radhët e të rinjve shqiptaro-amerikanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe kjo sepse këta të rinj janë më të përshtatur se çdo shqiptar tjetër në botë për të krijuar bërthamën e Shqipërisë së re. Ata kanë frymën e qytetërimit amerikan, kanë mësuar gjuhën tonë, kanë ndjekur shkollat tona, kanë kultivuar shprehitë e kursimit dhe të punës, janë mjeshtëruar në shumë fusha të prodhimit industrial, ata e kanë gjetur veten për t’u bërë individë të çmuar në qytetërimin amerikan, ata nga ana tjetër e kanë mbajtur gjallë në zemrat e tyre atë dashuri për mëmëdhenë e cila në kohën e duhur do t’i drejtojë ata për të shkuar përsëri në vendin e lindjes, ku entuziazmi i tyre, inteligjenca e zhvilluar dhe zelli i tyre amerikan do t’i japin Shqipërisë atë shtytje që do ta vendosë atë në barazi me kombet e Europës Perëndimore të cilave ajo u përket.
Shtetet e Bashkuara duhet të sigurojnë paratë për rindërtimin e Shqipërisë sepse asnjë vend tjetër nuk është në gjendje ta bëjë atë. Shqipëria do t’i paguajë më vonë ato rreth 20 milionë $ që kërkohen për rindërtimin e saj.
T’u dorëzohet drejtimi i Shqipërisë së re pashallarëve, bejlerëve, kaimekamëve dhe myftarinjëve të cilët mbahen akoma gjallë si dregëza të regjimit të vjetër turk, do të ishte një krim ndaj qytetërimit dhe mëkat ndaj Shqipërisë, të cilat nuk do të shnlyheshin as edhe për 100 vjet.
Në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë së re, do të dalin plot vështirësi nëse nuk i përmbahemi me këmbëngulje të paepur deklaratës së presidentit Uillson. Lakmitë e pafrenueshme të kombeve përreth Shqipërisë, mund të pretendojnë për pjesë territori të mëdha të populluara vetëm nga shqiptarë. Mirëpo në qoftë se kufijtë do të vendosen sipas shtrirjes racore, atëhere këto pretendime injorohen. Një ndarje e tillë e kufijve do të përfshinte brenda Shqipërisë: liqenin e Ohrit, qytetet e Strugës, Dibrës, Gjakovës, Prizrenit, Pejën dhe rrethe të tjera, të cilat i la jashtë Traktati i Londrës për vendosjen e paqes së fundit Ballkanike.
Populli shqiptar i përket racës perëndimore po aq sa edhe ne amerikanët. Shqiptarët nuk janë me prejardhje lindore, siç janë armenët dhe sirianët.
Kjo nuk është një punë e një politikani ose shtetari. Nuk është një punë për njeri që kënaqet me anën e jashtme. Kjo është një punë për dikë, i cili kërkon ta shfrytëzojë rastin për t’i nxjerrë nga errësira 2 milionë krijesa njerëzore dhe t’i çojë drejt dritës së qytetërimit perëndimor. Këtij burri do t’i duhet të punojë ditë e natë për ta përmbushur këtë detyrë.
Përveç sigurimit të ushqimit për të uriturit dhe punësimit të të aftëve për punë, parësore mbetet ndërtimi i rrugëve. Për këtë do të duhej një inxhinier ndërtimi autostradash i klasit të parë nga SHBA si dhe inxhinierë për ndërtime urash.
Për mëkëmbjen e bujqësisë do të duhej një shkencëtar i kalibrit të Profesor Çarls Barkit. Dhe kur me ftesë të Qeverisë së re Shqiptare, Profesor Barkit të nisej për në Shqipëri së bashku me ngarkesat e traktorëve, motorshirëseve etj dhe kur të arrinte atje e të ndeshte bujqit shqiptarë me mjete të kohës së piramidave të Egjiptit, do të doja të ndodhesha aty për t’i bërë një fotografi.
Si prodhime natyrore të Shqipërisë janë gjedhët e bagëtitë e imta, prandaj në këtë kuptim, mund të zhvillohet industria e lëkurëve e taninit. Më tej mund të nrgihet industria e këpucëve dhe e dorashkave me qëllim eksporti. Mijëra shqiptarë në SHBA punojnë në fabrikat e këpucëve dhe disa mijëra të tjerë në fabrikat e leshit. Këta njerëz mund të prodhojnë në Shqipëri këpucë dhe mallra leshi me të njëjtën cilësi dhe mjeshtëri që prodhohen në Shtetet e Bashkuara.
Lënda e parë mund të shndërrohet nga duart e tyre në mallra për eksport. Gjithshka që kërkohet është vetëm organizimi.
Energjia elektrike për fabrikat mund të sigurohet nga lumenjtë të cilët gjenden kudo në Shqipëri. Përgjatë Drinit mjaft energji e mundshme vete dëm. Këto fabrika nuk ka nevojë të përdorin qymyret pasi energjia e ujit është shumë më e mirë se qymyri. Mirëpo qymyri mund të nxirret vetëm për qëllime eksporti.
Nuk gjenden fjalë për të përshkruar gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojat për ndërhyrje të shpejtë nga ana e Shteteve të Bashkuara. Puna ime me Fondin e Ndihmav e në Shqipëri filloi në Tetor 1913, një vit para se të shpërthente lufta e parë. Nevojat për ndihma lindën nga shkatërrimi i 124 fshatrave shqiptarë nga ushtria serbe pa asnjë provokim nga ana e shqiptarëve. Gjatë gjysmës së parë të vitit 1914, grekët përparuan në veri nëpër Epir, në Shqipërinë e Jugut dhe rrafshuan 250 fshatra. Gjysëm milioni shqiptarë të pafajshëm dhe të pambrojtur mbetën pa strehë gjatë atyre dy vjetëve. 20 mijë u vranë dhe rreth çerek milioni vdiqën nga uria.
Sikur të mos mjaftonin këto tmerre, tre vite të këqija pasuan për bujqësinë, thatësira dhe përmbytjet nga shirat. Në dhjetor u dyndën hordhitë serbe të cilat tërhiqeshin nëpër Shqipëri nga ndjekjet e ushtrive Austro-Hungareze, gjermane e bullgare.
Austriakët pushtuan Durrësin në shkurt 1916 dhe më vonë u shtrinë deri në Vlorë. Nga kjo kohë e deri në tërheqjen e tyre, prodhimet e pakta të shqiptarëve u rekuizuan nga ushtria gjysëm e uritur austro-hungareze. Sot Shqipëria ka mbetur një vend i rrënuar dhe i uritur. Megjithë këto vuajtje të pafund, shqiptarët e kanë ruajtur të pashuar në zemrat e tyre zjarrin e patriotizmit dhe dashurinë për paqe, siguri dhe një qeveri të mirë. Krenaria për racën e tyre na çon në kohën e Aleksandrit të Madh e më tej në mjegullën e traditës. Asnjeri nuk mund të thotë se prej ç’periudhe shqiptarët nuk kanë ekzisutar në atë rrip të tokës së tyre që ndaj Maqedoninë nga Deti Adriatik. Ata ndodheshin atje shumë kohë para se helenët të themelonin Greqinë e lashtë. Në fillim të epokës së kristiaqnizmit, Apostul Pauli u ka predikuar shqiptarëve, duke hedhur kështu bazat e shndërrimit të tyre në të krishterë të cilët u quajtën Ilirë. Më vonë mbreti i tyre Skënderbej, ose, i njohur në histori si Kapiten i Jeniçerëve, e shpëtoi Europën nga rrafshimi i turqve. Ishte ushtria shqiptare e Skënderbeut ajo që frenoi përparimin e turqve në shekullin e 15 prandaj Europa i ka borxh akoma Shqipërisë një detyrim të papaguar mirënjohje.
Me përmbledhjen e mësipërme dua ta prezantoj rastin e Shqipërisë para popullit amerikan, dhe t’i kërkoj atij të japë të njëjtën ndihmë dhe të shprehë atë simpati që i kemi dhënë Kubës dhe Filipineve.
Ju që nëpërmjet shtypit na kini ndjekur deri këtu, a do të më shprehni pikëpamjet tuaja për të ardhmen e Shqipërisë. Ç’duhet të bëjmë ne për këta njerëz të mbetur në një varfëri të paimagjinueshme në mes të errësirës dhe injorancës mesjetare?
Shqipëroi: Akil Bubësi
http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=30734
Krijoni Kontakt