Islam Lauka, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë
Nga Armand Maho
Kryeministri Berisha bëri të ditur dje në një mbledhje jashtë radhe të Këshillit të Ministrave ngritjen e përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadori të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Duke e cilësuar këtë mbledhje si një nga me të shumëpriturat për shtatëmbëdhjetë vjet me radhë, kryeministri u shpreh se pas konsultimit dhe me Presidentin e Republikës është rënë dakord që zoti Islam Lauka të jetë ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë.
“Është diskutuar dhe me Presidentin e Republikës, si dhe është rënë dakord që ambasadori ynë në Prishtinë do të jetë një nga personalitetet më të shquara të Ministrisë së Punëve të Jashtme, një nga diplomatët me eksperiencë të kësaj ministrie, një diplomat që ka vepra të tëra kushtuar Kosovës dhe që e njeh mirë problemin. Ky është Zoti Islam Lauka”, - tha kryeministri Berisha.
Më tej, kryeministri bëri të ditur se i ngarkuari me punë në Zyrën e Shqipërisë në Kosovë, z.Arben Çeku, do të kalojë me një detyrë më të rëndësishme se ajo që mban aktualisht.
Kryeministri Berisha përshëndeti dje gjatë mbledhjes së qeverisë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për festën dhe mënyrën sesi ata festuan pavarësinë e vendit të tyre. “Shoqëria kosovare, - tha ai, - dëshmoi që është një shoqëri e përkushtuar në vlerat e mëdha evropiane.” Kryeministri Berisha përgëzoi autoritetet kosovare për përzgjedhjen e flamurit të tyre kombëtar, si dhe për monumentin e pavarësisë. “Ishte një flamur i bukur ai që ata përzgjodhën. Flamuri i Kosovës evropiane. Harta e Kosovës me kufijtë e saj ndërkombëtarë, me yje të bardhë ashtu si kemi plisin, si kemi zemrën. Nuk është e paktë bardhësia e plisit. Ne e kemi atë. E bardha përfaqëson të gjitha minoritetet. Është një flamur që të bën menjëherë për vete. Një meritë e jashtëzakonshme për atë përzgjedhje aq të bukur, aq të mençur dhe evropiane. Flamuri më i ri në Evropë, një nga flamujt kombëtarë më evropian të saj”, - u shpreh kryeministri Berisha. Duke folur për Monumentin e Pavarësisë kryeministri tha se po pret me padurim të shkojë edhe të lërë nënshkrimin e tij mbi atë monument.
Tema
Krijoni Kontakt