Kreu i PS-së, Edi Rama, në një intervistë dhënë per nje televizion shqiptar ka zbuluar ambicien e tij për t’u bërë Kryeministër i vendit në rast të fitores së PS-së në 2009.
Prej më shumë se dy vjetësh ndodheni në krye të PS-së. Çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre dy viteve, nga pikëpamja politike dhe njerëzore, brenda jush?
Është një eksperiencë sigurisht shumë e veçantë. Është një eksperiencë e cila nuk mundet dot që të parashikohet apo të paramendohet, të imagjinohet e plotë siç është kur ajo jetohet, më shumë se sa eksperiencat e tjera, pasi bëhet fjalë për një eksperiencë që lidhet me drejtimin e një organizate vullnetare, një bashkimi vullnetar njerëzish, e një hapësirë ku çdo njeri është i lirë të mendojë dhe të thotë atë që mendon, të veprojë atë që mendon, e ku nuk mund të thuash; je i pushuar. Sfida ime ishte ndërtimi i një bashkëjetese qytetare e demokratike, por edhe shoqërore dhe vëllazërore. Në fillim nuk ishte aspak e lehtë në Partinë Socialiste, të cilën e gjeta të dëshpëruar, të gjunjëzuar dhe të çoroditur. Mbi të gjitha, gjeta një fenomen të shëmtuar, atë të shkëputjes së të zgjedhurve nga zgjedhësit, i shkëputjes së përfaqësuesve, i atyre që zgjidhen nga ata që i zgjedhin. Kjo është një eksperiencë që e ka ndryshuar PS-në. Por shpresoj që të më ketë ndryshuar edhe mua pozitivisht, në aspektin e një akumulimi që ka të bëjë, shpresoj, me rritjen e parametrave të maturisë dhe të aftësive së të gjykuarit. Njëkohësisht, kjo më jep mundësinë për të krijuar kushte për të harmonizuar njerëz të ndryshëm, pikëpamje të ndryshme, pirje të ndryshme, dëshira dhe ambicie të ndryshme, në një drejtim që është drejtim i përbashkët.
Prandaj keni afruar këtë që ju e quani “politika e re”, zoti Rama?
“Politika e re” është një përqasje e re e njerëzve të politikës ndaj njerëzve dhe ndaj problemeve, dhe pa asnjë dyshim që këto elemente dhe të gjitha këto analiza dhe konkluzione të bëra mbi të këqijat e politikës së vjetër. Pasojat e saj kanë vlejtur për t’i dhënë jetë kësaj përpjekjeje për të ndërtuar një politikë të re, që fillon që nga një marrëdhënie e re mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve, nga një vetëdije e re ndaj të gjithë atyre që kanë një mandat, se mandati i tyre nuk është një kartë krediti për shpenzime dhe përfitime personale, nuk është as një tapi e trashëguar nga trungu familjar, dhe as si një e drejtë që e bën çdo të zgjedhur një njeri me një privilegj, apo me potencial privilegjesh të veçanta, por është një njeri më shumë. Është një mision që lidhet drejtpërdrejt me ata që na kanë zgjedhur, është elementi kryesor i “politikës së re”. Nëse ne nuk vendosim një kufi moral në atë që përfaqëson një i zgjedhur apo një e zgjedhur, dhe në të gjithë trajektoren e sjelljes dhe veprimit të një të zgjedhuri dhe një të zgjedhure, por e konsiderojmë një të drejtë dhe një liri të secilit dhe të secilës që të bëjë çfarë të dojë, dhe të shkojë deri në atë akt që ju e përmendet, siç ishte ai i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në atë formë, atëherë ne nuk kemi asnjë shans që të ndërtojmë një qeverisje të re, një përqasje dhe të kemi rezultate të reja në ndërtimin e një Shqipërie të re.
Ju thatë që qëllimi dhe ëndrra juaj është që në momentin që ju u bëtë kryetar i PS-së të ndryshoni Shqipërinë. Që të realizohet kjo, ju duhet të arrini të fitoni zgjedhjet dhe të jeni kryetar i maxhorancës qeverisëse, ose Kryeministër i vendit. A jeni i gatshëm? A ndiheni i plotësuar brenda vetes suaj për një moment të tillë?
Që do t’ju rrëfehesha në kushte kaq të papërshtatshme, sepse normalisht rrëfimi nuk bëhet me prozhektor dhe me kamera, unë do të thosha që ndiej kudo ku shkoj që një shpresë e re ka lindur në Shqipëri, një shpresë rritet përditë në zemrat dhe mendjet e qindra mijëra shqiptarëve dhe shqiptareve. E ndiej këtë gjë. Po të vini në takimet që unë bëj në të gjithë Shqipërinë, mund ta kuptoni këtë që unë po u them. Tani shpresa e re që po lind për mundësinë që ky vend të bëhet, sepse vërtet në Shqipëri është rrënjosur prej kohësh një pesimizëm që është lexueshëm për të ardhmen e këtij vendi. Siç ishte dikur nëpër kioskat e Tiranës lajtmotiv që ky qytet nuk bëhet më, është nëpër fshatrat e Shqipërisë lajtmotiv që ky vend nuk bëhet dot, dhe sikundër filloi të lindte mbi rrënojat e kioskave të Tiranës shpresa se ky qytet mund të bëhet, ka filluar të lind mbi rrënojat e politikës së vjetër shpresa se ky vend mund të bëhet. Dhe unë, këtu vjen pjesa e rrëfimit, kur e lexoj këtë shpresë në momente të caktuara, që shfaqet shumë fort në gjëra që thonë njerëz të cilët janë në kufijtë e mbijetesës, apo kur dëgjoj fjalime që janë të papërsëritshme, se janë shumë të thjeshta, por janë edhe shumë të bukura, të njerëzve nga më të papriturit. Për këtë shpresë unë e pyes veten, që a jam unë në gjendje që të jem në lartësinë e kësaj shprese.
Ju keni përvojë në punët publike si kryetar i Bashkisë së Tiranës, për gjelbërimin, për zgjerimin e rrugëve, për ndërtimin e ndonjë ure apo lulishteje. Por kritikët tuaj thonë që s’jeni gati të bëheni Kryeministër, apo të udhëhiqni maxhorancën qeverisëse. Ata shohin tek ju mangësi në njohjen e problemeve të tilla të rëndësishme, si çështjet e Kosovës, diplomacisë, të sigurisë kombëtare etj. Si do t’i përgjigjeni?
Besoj se ju jeni tek “dëshmitarët e vjetër”, sepse jeni akoma i ri, por jeni dëshmitar që ditën e parë të zhvillimeve të lira dhe demokratike në Shqipëri dhe si dëshmitar që i ka ndjekur të gjitha këto zhvillime. Mund të dëshmoni edhe që për asnjërën nga detyrat që unë kam marrë nuk kanë munguar kritikët zëlartë që kanë thënë se ky njeri është i gjatë, por nuk mund të kërcejë aq lart sa të kapë këto maja që ne parashohim për detyrën ku ai është ngarkuar. S’ka pasur asnjë detyrë të tillë, dhe kjo e bën të thjeshtë përgjigjen time, por unë nuk dua ta mbyll kaq thjeshtë. Unë dua të them që unë nuk di të bëj punë publike, që unë nuk di të bëj as parqe. Në kuptimin e thjeshtë të fjalës. Ajo që unë di të bëj, natyrisht të motivoj ata që dinë t’i bëjnë këto gjëra, që të hyjnë së bashku me mua në një aventurë që i kalon kufijtë e orarit zyrtar, që i kalon kufijtë e marrëdhënieve të zakonshme, që i kalon kufijtë e objektivave të zakonshme dhe së bashku me mua të bëjnë të mundura gjëra që duken të pamundura. Këtë unë di ta bëj dhe këtë kur di ta bësh si drejtor i një ndërmarrje, si kryetari i një bashkie, çfarëdoqoftë unë di ta bëj. Këtë unë di ta bëj. Kështu që, aq më tepër pastaj nuk më duket se në pikëpamjet politike të jashtme apo qëndrimet për Kosovës, për Ballkanin apo ku di unë se për ke, unë kam lënë ndonjë rast për të thënë se nuk di të bëj këtë apo atë. Pse? Jo sepse unë di t’i bëj të gjitha, por sepse unë pyes, dëgjoj dhe di të vlerësoj atë gjë që duhet dëgjuar dhe duhet thënë. Ju jeni në zyrën time, aty është një tryezë ku merren të gjitha vendimet, qëkurse kjo zyrë është ndërtuar dhe asnjëherë këto vendime nuk merren kur në ato karrige mungon qoftë edhe një njeri. Pra, janë karrige që ulen të gjithë drejtuesit kryesorë të bashkisë.
Pra, ju po thoni se dini të bëni edhe kryeministrin e Shqipërisë?
Unë mendoj që përgjegjësia për të drejtuar PS-në është një përgjegjësi e cila lidhet me përgjegjësinë për të bërë çdo detyrë që është pjesë e këtij misioni dhe është pjesë e kësaj ëndrre. Kështu që kjo detyrë që ju përmendni nuk është jashtë.
Pra, ju jeni gati të jeni Kryeministër i Shqipërisë?
Qëllimi im sot është i qartë, të ndërtojmë një program i cili të jetë një instrument që i hapi rrugën ndryshimit real, rrënjësor, solid, të punëve të vendit tonë.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt