Rama, pallat 20-katësh në oborrin e Muzeut Kombëtar
06 February 2008
Nga Kastriot Myftaraj
- Nëse nuk e besoni shikoni gazetën “Zëri i Popullit” të datës 5 shkurt 2008 (f, 8) ku paraqitet maketi i projektit të qendrës së Tiranës që do të fillojë të zbatohet me financimin e marrë nga Kuvajti, ku Edi Rama ishte këto ditë.Në maket duket qartë se në oborrin e brendshëm të Muzeut Kombëtar do të ndërtohet një pallat, që do të dalë mbi ndërtesën aktuale të muzeut. Duke llogaritur që ndërtesa e muzeut ka katër kate, si dhe duke shtuar 16 katet e pallatit që mund të numërohen mbi të në maket, del se pallati i ri do të ketë 20 kate. Madje me këtë rast edhe tarracat e ndërtesës së muzeut është parashikuar që të shfrytëzohen për kafene dhe restorante. Ndërtimi i pallatit pritet të justifikohet me atë që të ndërtesa e muzeut të modernizohet, dhe të kompletohet edhe me mjedise ku ofrohen shërbime të tjera për vizitorët. Për mundësinë e modernizimit të ndërtesës foli dhe miku i Ramës Artan Shkreli para pak kohësh në emisionin “Logos” në “Vizion plus”, por pa dhënë detaje. Por e vërteta është se nuk bëhet fjalë për modernizim të ndërtesës, as për krijimin e mjediseve ku ofrohen dhe shërbime të tjera, por bëhet fjalë për një projekt të pastër biznesi, pasi pallati do të jetë qendër biznesi dhe atje do të shiten ose jepen me qera apartamente dhe salla me çmim shumë të lartë. Madje atje pritet të sajohet dhe një pronar trualli nga miqtë e Edi Ramës edhe pse atje ka qenë tokë publike pasi ajo është shpronësuar me shpërblim në kohën e monarkisë, kur atje u ngrit ndërtesa e Bashkisë së Tiranës dhe lulishtja pas saj, ku dikur ka qenë monumenti i Vojo Kushit. Pallati që pritet të ndërtojë Edi Rama në oborrin e brendshëm të muzeut Kombëtar, do të jetë monument i lakmisë paranojake të Edi Ramës për të ngritur sa më shumë pallate dhe në vende nga më të paimagjinueshmet, për të nxjerrë fitime ai dhe miqtë e tij. Pallati në oborrin e brendshëm të Muzeut Kombëtar tregon se është shumë hipokrit preokupimi i Edi Ramës për mozaikun në ballë të ndërtesës së Muzeut Kombëtar. Se mbrojtësi i mozaikut, Edi Rama, kërkon të përçudnojë gjithë ndërtesën e muzeut Kombëtar. Tash mbetet të shohim nëse do të reagojnë veteranët që dolën në mbrojtje të mozaikut për përçudnimin që pritet t’ i bëhet ndërtesës së Muzeut Kombëtar. Se ata nuk mund të thonë se u dhimbet mozaiku më shumë se ndërtesa e Muzeut Kombëtar dhe se nuk u bëhet vonë që mbi kokën e partizanëve në mozaik të shtrihen figurat e femrave të reklamave, që do të vihen në verandën e pallatit që do tëndërtohet. Ndërtimi i pallatit në oborrin e brendshëm të Muzeut Kombëtar tregon qartë se ka një marrëveshje të fshehtë Rama-Berisha, se ky pallat skandaloz nuk mund të ndërtohet pa miratimin e Berishës, se duhet leje e Institutit të Monumenteve të Kulturës, pasi ndërtesa e Muzeut Kombëtar është monument kulture. Maketi i botuar në gazetën “Zëri i Popullit” me pallatin në oborrin e brendshëm të Muzeut Kombëtar, është kodi që zbërthen marrëveshjen e fshehtë Rama-Berisha. Berisha kënaq paranojën e Ramës për të ndërtuar pallate, ndërsa Rama kënaq paranojën e Berishës për të qëndruar në pushtet edhe për së paku 2-3 vjet pas vitit 2009, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Berisha në kushte normale nuk mund t’ i fitojë zgjedhjet e vitit 2009, por ama as nuk mund t’ i humbë derisa Edi Rama nuk do që t’ i fitojë.
gazeta Sot
..
tmerr.. kujt i ka rene tirana ne dore..
Krijoni Kontakt