Presidenti Topi: Anetaresimi i Kosoves ne NATO dhe BE, proces logjik
Nen kujdesin e Presidentit Bamir Topi dhe me nisme te "Gazetes Shqiptare" dhe gjithe grupit mediatik EDISUD, u organizua sot ne Tirane konferenca mbarekombetare mbi sfidat e Kosoves pas shpalljes se Pavaresise.
Pavaresia e Kosoves, Topi: E mira per te gjitha rajonin
Kosova ka mundesine historike te ndertoje nje shtet model dhe demokratik per rajonin, ku shtetatit te ndjehen te barabarte pavaresisht etnise. Keshtu e ka nisur presidenti Bamir Topi fjalimin e tij ne forumin per “Sfidat e Kosoves pas shpalljes se pavaresise”. ”Pavaresia ndryshoi historine e Rajonit, Europes dhe Botes. Mundimi dhe sakrificat per pavaresine ishin te medha. Rruga perfundoi ne 17 shkurt, dhe sfida e veshtire por jo e pamundur filloi me 17 shkurt”, tha presidenti Topi duke pershendetur iniciativen e Gazeta Shqiptare qe me rastin e 15 vjetorit te krijimit te saj oirganizoi kete Forum te Hapur.
Kreu I shtetit shqiptar pershendeti serish ngjarjen, si dhe qendrimin e nderkombetare ne mbeshtetje dhe njohje te shtetit te ri te Kosoves, ndersa shtoi se “pavaresia eshte nje perpjekje, por dhe nje pikenisje ku kerkohet vullnet, vendosmeri, energji pozitive, ide ekonomi, vlera ekonomike dhe shpirt bashkejetese”.
Duke folur per sfidat e shtetit te ri, presidenti shqiptar u ndal fillimisht ne planin e brendshem. Ne kete aspekte sipas tij Kosova ka shprehur mbeshtetjen per realizimin e planit “Ahtiisari”, angazhim qe ajo duhet ta zbatoje. “Zbatimi do te ktheje Koosven ne nje vend me demokraci institucionale per te ndertuar nje shoqeri shumeetnike” tha Topi.
Duke u ndalur ne planin e marredhenieve te jashhte presidenti shqiptar theksoi se “njohja e shpejte e shtetit te Kosoves do te shkurtonte ndjeshem kohen e shtrirje se NATOS ne rajon dhe do te lejonte integrimin e vendeve te rajonit ne strukturat euro-atlantike”.
Presidenti Topi parashtroi me tej argumentet qe sipas tij duhet te bejne edhe thelbin e planit per njohjen e Kosoves :
-Permbyllja e procesit te njohjes se Kosoves eshte ne interes te Kosoves, Shqiperise, te gjithe rajonit dhe Europes, per kete Shqiperia do te vazhdoje angazhimin e saj diplomatik ne interes te njohjes globale te pavaresise
-Zgjidhja e ceshtjes se Kosoves eshte teresisht politike
- Argumentet historike
- Ne themel te se drejtes nderkombetare krijimi i shteteve te reja nuk mund te ndalohet, aq me teper kur bazohet ne rrethana te jashtezakonshme qe percaktohen nga vete kjo e drejte
-Kosova eshte rast “SUI GENERIS”
- Fakti se per te reduktuar autonomine e kOsoves duhej miratimi I Kuvendit te saj tregon me se miri se legjislativi ishte funksional.
Këto ditë ne përjetuam një ngjarje të madhe, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e cila sipas pikëpamjes sime, ka ndryshuar pozitivisht historinë e popullit shqiptar, historinë e rajonit tonë dhe historinë e Evropës moderne.
Gjej rastin të përshëndes edhe një herë, personalisht, këtë ngjarje, ashtu siç e përshëndeti e gjithë Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku ata ndodhen, ashtu siç e përshëndetën dhe e mbështetën menjëherë aktorët më të rëndësishëm të politikës globale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe, dhe mjaft shtete të tjera, numri i të cilëve shtohet çdo ditë.
Për të përmbushur ëndrrën e saj, Kosova kaloi përmes një kalvari të vështirë shekullor, mundimesh e sakrificash, gjaku e lotësh, përmes një historie përpjekjesh të kahmotshme të të gjithë shqiptarëve.
Rruga e mundimshme drejt të vërtetës historike përfundoi më 17 Shkurt të vitit 2008. Sfida e vështirë, por jo e pamundur drejt ndërtimit të shtetit më të ri në botë filloi po më 17 Shkurt 2008.
Kosova ka mundësinë historike të ndërtojë një shtet modern dhe shembull në rajonin tonë, ku shtetasit e saj, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, ta ndjejnë veten të barabartë, ku familjet të jenë të garantuara që të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijeve të tyre sipas kontributeve të barabarta ku shpresa për të ardhmen të jetë më e madhe se frika nga e kaluara.
Pavarësia është një mbërritje, por në të njëjtën kohë, është dhe një pikënisje. Në këtë pikënisje kërkohet me shumë se asnjëherë tjetër vullnet politik, vendosmëri, energji pozitive, vizion perëndimor, koncepte demokratike të së drejtës, ide ekonomike, vlera shoqërore dhe historike, shpirt bashkëjetese pa paragjykime ndëretnike dhe, mbi të gjitha, dëshirë të madhe dhe të sinqertë për të merituar denjësisht një vend në familjen euroatlantike.
Kam shumë besim që të gjithë udhëheqësit politikë në Kosovë do të vazhdojnë të ruajnë në të njëtin stad partneritetin dhe besueshmërinë reciproke ndaj të gjithë komunitetit ndërkombëtar, e sidomos ndaj Misionit shumë të rëndësishëm evropian EULEX.
Të nderuar të ftuar,
Unë mendoj se Kosova, ky shtet i ri, do të duhet të përballet me dhimbjet e domosdoshme të lindjes së një jete të re, duke filluar nga procesi i krijimit deri në formëzimin dhe funksionimin e plotë.
Në planin e brendshëm, Qeveria e Kosovës ka shprehur mbështetjen për “Planin e Presidentit Ahtisari” qysh gjatë procesit të vështirë të bisedimeve për statusin dhe i mbetet asaj ta zbatojë atë në praktikë. Zbatimi në mënyrë të suksesshme i këtij plani do ta kthejë Kosovën në një vend me një demokraci funksionale, me institucione politike e administrative të themeluara mbi parime pluraliste për të ndërtuar një shoqëri shumëetnike, e cila di ta administrojë lirinë dhe jo ta keqpërdorë atë.
Dëshiroj të përqendroj analizën time në planin e jashtëm, në atë të njohjes së pavarësisë së Kosovës, sepse gjykoj, që sa më shpejt të mbarojë ky proces, aq më e favorshme do të jetë hapësira për programe dypalëshe dhe shumëpalëshe me karakter politik, ekonomik, ushtarak, social dhe stimulues për të. Njohja e shpejtë dhe e plotë e Kosovës si shtet demokratik dhe i pavarur, do të shkurtonte ndjeshëm kohën e shtrirjes së hapësirës së sigurisë së NATO-s në rajon dhe do të lehtësonte përfshirjen e të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.
Fatkeqësisht, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili duhet të merrte përsipër procesin e njohjes së shtetit të ri, e humbi rëndësinë dhe funksionalitetin e tij që në çastin kur nuk arriti të miratonte “Planin Ahtisari”. I pamundur të procedonte me njohjen e përgjithshme konsensuale, në kushtet e krijuara, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të ndjekë rrugën e njohjes individuale.
Konstatoj se të gjitha mëdyshjet, argumentet dhe kundër argumentet, skeptikët dhe optimistët, të cilët e shoqëruan procesin e bisedimeve për statusin po ndjekin procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të deri në përfundimin e plotë të tij.
Përveç Serbisë dhe Rusisë, të cilat nuk shprehën as vullnet për t’u bërë pjesë e zgjidhjes, përkundrazi paragjykuan me qëndrim bllokues vendet e tjera skeptike ose të rezervuara, deri në refuzim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, në të përbashkën e tyre konvergojnë në argumentin se Kosova do të hapë Kutinë e Pandorës për të gjitha lëvizjet separatiste në botë, konfliktet e ngrira, tendencat për shkëputje apo për ndryshime kufijsh në mënyrë arbitrare, deri edhe në nxitje të kryengritjeve të armatosura.
Për këtë çështje nuk është e mjaftueshme të përsëriten formula të dëgjuara deri tani, duhet të argumentohet edhe përse-ja e tyre. Dëshiroj t’ju rikujtoj disa fakte ose të paraqes argumentet e mia mbi këtë çështje, argumente të cilat duhet të përbëjnë thelbin e strategjisë për procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Shqipëria është e bindur se përmbyllja e procesit të njohjes së shtetit të ri të Kosovës, është në interes të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë edhe të gjithë fqinjëve të Kosovës, të afërt ose më pak të afërt, të Evropës Juglindore dhe të gjithë Evropës, përfshi rajonin e Mesdheut. Logjikshëm, nisur jo vetëm nga interesi i saj, por edhe ai rajonal dhe global, Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj diplomatik, së bashku me Kosovën dhe me vendet e tjera partnere, në interes të njohjes globale të pavarësisë së Kosovës.
Bëhet fjalë edhe në këto çaste, ashtu si edhe gjatë gjithë procesit të statusit, për një përgjegjësi të madhe për sigurinë dhe paqen afatgjatë në rajon. Po e përsëris, kjo ngjarje përfundon procesin e gjatë dhe të dhimbshëm të shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe njëkohësisht përfundon rindërtimin e ri brenda rajonit tonë.
Zgjidhja e problemit të Kosovës, së pari, është tërësisht politike dhe, së dyti, i ka rrënjët e saj brenda Republikës Federative të Jugosllavisë të Josif Broz Titos, nga fillimi deri në shpërbërjen e saj.
Nuk dëshiroj të anashkaloj edhe argumentet historike ose ato të autoktonisë në këto troje, të shqiptarëve apo të sllavëve, duke rikujtuar se historia në Kosovë nuk fillon as në shekullin e VI apo të VII e as në shekullin e XIII, as vetëm në Fushë Kosovë. Këtë të gjithë e dinë e nuk vlen të ndalemi më gjatë, duke iu kthyer djepit apo legjendave për djepin.
Në themel të së drejtës ndërkombëtare krijimi i shteteve të reja nuk mund të përjashtohet. Dera mbetet pjesërisht e hapur për territoret që fuqimisht kërkojnë të pavarësohen, jo si rregull, por duke u bazuar në rrethana të jashtëzakonshme, të cilat duhet t’i përcaktojë po kjo e drejtë ndërkombëtare, nëse dëshiron të mbetet e besueshme për zgjidhje të konflikteve. Kosova është një çështje sui generis.
Në Kushtetutën e vitit 1974 të Jugosllavisë thuhej: “Jugosllavia është shtet federativ i bashkimit vullnetar të popujve e republikave të tyre, si dhe i krahinave autonome socialiste të Kosovës e Vojvodinës, të cilat janë në përbërje të Republikës Socialiste të Serbisë”. Kjo Kushtetutë përcakton qartë se në këto krahina autonome “qytetarët, kombet dhe kombësitë realizojnë vetë të drejtat e tyre sovrane”.
Pas vdekjes së Titos, një shqiptar i Kosovës madje, bazuar në të drejtën e rrotacionit e ka kryesuar Jugosllavinë Federative. Kosova kishte të drejtë në kushtetutën e saj, në zgjedhjen e përfaqësuesve të saj në Kuvendin Federativ, sipas të njëjtës bazë dhe me të njëjtat të drejta sikundër edhe republikat e tjera federative.
Së pari, në të gjitha aspektet, statusi i Kosovës ishte praktikisht i njëjtë me atë të republikave – Kosova u bë element përbërës i Jugosllavisë së decentralizuar, duke pasur edhe të drejtën e vetos në vendimet e Parlamentit Qendror dhe Federativ. Kjo, madje, në disa raste interpretohej sikur e bënte Kosovën më të fuqishme se vetë Serbia, pasi Serbia nuk mund të vinte veto në vendimet e Kuvendit të Kosovës.
Pra, brenda kësaj kornize, së dyti, veçohet fakti se republikat dhe krahinat ishin të lidhura në mënyrë vullnetare, e për pasojë, po në mënyrë vullnetare, mund të merrnin vendimin të largoheshin nga kjo lidhje.
Së treti, kombet, kombësitë apo krahinat në rastin e Kosovës kishin të drejtë në mënyrë sovrane të realizonin të drejtat e tyre.
Së katërti, në kronologji të ngjarjeve shpërbërëse të Jugosllavisë, edhe elementi përbërës ose konstituiv është zhdukur së bashku me Jugosllavinë. Megjithëse pretendohet se Serbia mbetet trashëgimtare e konstituimit, Kosova ka qenë pjesë e saj në kuadër të Jugosllavisë Federative. Elementi kushtetues i lidhjes së Kosovës me federatën është zhdukur. Për pasojë, nga pikëpamja e së drejtës nuk mund të ketë më lidhje imponuese dhe çdo njësi e zgjedh në mënyrë vullnetare ekzistencën e vet, që në rastin e Kosovës u tejzgjat, jo për faj të saj me pasoja dramatike për Kosovën, për Serbinë dhe për të gjithë rajonin dhe pse jo më gjerë.
Së fundi, fakti se, për të reduktuar autonominë e Kosovës kërkohej pëlqimi i Kuvendit të saj, tregon më së miri se ku qëndronte sovraniteti përfundimtar, në Prishtinë apo në Beograd.
Në mendimin tim, shpërbërja e ish-Jugosllavisë ka filluar me heqjen e dhunshme të autonomisë së Kosovës më 1989, shoqëruar me përpjekjet e Serbisë për të shndërruar shqiptarët në pakicë brenda Serbisë dhe mbaron me mëvetësinë e ligjshme të Kosovës. Fatkeqësisht, spastrimi etnik zuri vend gjatë periudhës së shpërbërjes së dhunshme të shtetit të përbashkët, Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë. Të mos harrojmë se, skenari i mohimit të së drejtës për të vetëvendosur u zbatua edhe për republikat ish-Jugosllave, të cilat e fituan shtetin e tyre me luftë dhe shumë gjakderdhje.
Asnjë rezolutë nuk e përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë; e vetmja që është në fuqi, ajo 1244, e njeh Kosovën si pjesë të Republikës Federale të Jugosllavisë. Si pjesë e mbetur e ish-Federatës, Republika Federale e Jugosllavisë, më pas Bashkimi Serbi-Mal i Zi, gjithashtu u shpërbë në vitin 2006, kur qytetarët e Malit të Zi votuan për pavarësi. Transformimi i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në Republikën Federale të Jugosllavisë, të panjohur ndërkombëtarisht dhe transformimi i mëvonshëm i kësaj të fundit në Bashkimin Serbi-Mal i Zi, ka zbehur dhe mjegulluar të gjitha lidhjet juridike ndërmjet Kosovës dhe pjesëve të mbetura të ish-Jugosllavisë.
Ndonëse Rezoluta 1244 e njeh sovranitetin nominal të Republikës Federale të Jugosllavisë mbi Kosovën, ajo të njëjtës i merr të gjitha veçoritë e shtetësisë mbi Kosovën. Për më tepër, Rezoluta e lë të hapur statusin, deri në zgjidhjen e statusit të ardhshëm. Aty ku përmendet sovraniteti i Republikës Federative të Jugosllavisë, atij i referohet “... në kontekst të periudhës kalimtare deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar dhe jo në pafundësi”.
Këmbëngulja e Serbisë në Rezolutën 1244 si garanci për sovranitetin e saj mbi Kosovë, është keqinterpretim që injoron faktin se e njëjta Rezolutë e shpall të hapur çështjen e statusit, duke vënë në pah kështu nevojën që të gjendet zgjidhja.
Gjatë njëzet vjetëve të fundit, Kosova është zhvilluar ndaras nga Serbia me strukturë të veçantë institucionale. Ajo ka sistem të pavarur të qeverisjes, sistemin e vet ligjor, është entitet i pavarur doganor, përdor monedhë tjetër, ka politikat e veta fiskale dhe tatimore dhe paraqet vlera, simbole dhe referenca të ndryshme historike.
Tashmë kemi një Kosovë, shtet të pavarur, i cili po provon se ka një vendosmëri dhe pjekuri politike për të zbatuar pikë për pikë programin politik, ekonomik, administrativ, kulturor, ndërtetnik dhe social të quajtur “Ahtisari”.
Në perspektivë, ky program do të ndërtojë institucione politike, qendrore e lokale dhe stuktura për zbatimin e plotë të përgjegjësive, që do të kalojnë nga UNMIKU drejt qeverisë së Kosovës, drejt shtetit të së drejtës.
Në këtë proces të brendshëm paqësimi dhe kohezioni social, e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja e Kosovës lidhen shumë ngushtë me ndërtimin dhe zbatimin e programeve ekonomike në planin e brendshëm dhe intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike me shtetet fqinje dhe me vendet e Bashkimit Evropian. Duke u bërë pjesë e rrjetit funksionues ekonomik dhe tregtar rajonal, duke u bërë pjesë e standardizimit cilësor të ekonomisë vendore, Kosova do të përmirësojë gjendjen ekonomike dhe sociale, në të cilat fillon jetën e tij të re shteti dhe do të përballet me dinjitet në provat konkuruese gjithnjë në rritje në ekonominë rajonale evropiane dhe globale.
Pavarësia e Kosovës, në këtë kontekst, nuk mund të konceptohet e ndarë nga procesi i përbashkët i integrimit euroatlantik dhe nga bashkëpunimi politik dhe ekonomik, duke kontribuar në stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe të Evropës. Kosova në NATO dhe në Bashkimin Evropian nuk është një ëndërr por, theksoj, një zhvillim logjik i vullnetit të brendshëm politik, një integrim i natyrshëm i saj në zhvillimet rajonale, një partneritet në rritje me të gjitha vendet fqinje dhe një domosdoshmëri për një rajon të qetë, të sigurtë dhe të begatë.
Ndihma e Shqipërisë në këtë drejtim, do të pasqyrojë konkretizimin e përpjekjeve të të gjitha forcave politike, të qeverisë, të biznesit dhe të gjithë popullit shqiptar që, Kosova, në të vërtetë të kthehet në një realitet të ri bashkëkohor, politiko-ekonomik.
Kosova e pavarur ka pasur dhe zotëron kapacitetin e plotë për shtetësi në kuadër të së drejtës ndërkombëtare.
Krahas qeverisjes demokratike, Kosova ka dëshmuar aftësi për të zhvilluar marrëdhënie ndërkombëtare, kriter i përmendur shpesh për shtetësi. Si krahinë e ish-Jugosllavisë, Kosova kishte të drejtë, sikundër edhe kapacitetet e duhura, për të ushtruar marrëdhënie ndërkombëtare. Brenda kornizës së ish-Jugosllavisë, Kuvendi Federativ përbënte qendrën e formulimit të interesave të përbashkëta në marrëdhëniet me jashtë. Kosova, gjithashtu, mund të zhvillonte bisedime me subjekte ndërkombëtare.
Nëse do t’i referohemi Konventës “Për të drejtat dhe detyrat e shteteve”, e njohur si “Konventa e Montevideos”, sipas së cilës “Shteti, si subjekt ndërkombëtar, duhet të ketë këto cilësi: (a) popullsi të përhershme; (b) territor të përkufizuar qartë; (c) qeveri; dhe (d) aftësi për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera” mund të thuhet se Kosova i plotëson të gjitha këto kritere në veçantinë e rastit të saj.
Paralajmërimet se Kosova mund të shkaktojë efektin domino, që vazhdojnë të dëgjohen dhe të perdoren si argumente për politikanët skeptikë, duhet të mos harrojnë se “fusha e dominove të ish-Jugosllavisë tanimë nuk ekziston më”, përderisa Kosova ishte paragrafi i fundit në spiralen e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
news24
Krijoni Kontakt