Servet Pëllumbi, i penduari i “Katovicës






Pohimi i Servet Pëllumbit të mërkurën në Top shoë, në Top Channel, se strategjia e njohur si “Katovica” për të bërë ndryshimin e sistemit komunist në politikë dhe ekonomi, nën kontrollin elitës komuniste, është një gjë e vërtetë, ka për politikën shqiptare të tranzicionit vlerën e pohimeve të Tomaso Bushetës, të penduarit të parë të madh të mafies. Deri më sot “Katovica”, siç quhet në zhargon teza për një platformë të përpunuar nga Gorbaçovi në 1987, në mbledhjen e partive komuniste të vendeve të Europës Lindore, në Katovicë të Polonisë, është qarkulluar nga gazetarë, nga ish-të persekutuar politikë dhe ish-pronarë, por ajo është shpërfillur si një teori konspiracioni e pabazuar. Me “Katovicën” ka ndodhur e njëjta gjë si me mafien, ekzistencën e së cilës e quanin një teori konspiracioni të pabazuar, derisa nuk doli Tomaso Busheta, i penduari i parë i madh i mafies që pohoi se mafia ekzistonte vërtet si një konspiracion kriminal. Ditën e mërkurë, në 7 shkurt 2008, një ditë e shënuar kjo për historinë e politikës shqiptare, Servet Pëllumbi pohoi se “Katovica” ka ekzistuar si një plan i zbatuar në Shqipëri nga Ramiz Alia që në drejtimin e partive të reja që do të krijoheshin të viheshin njerëzit tanë, siç u shpreh Pëllumbi për establishmentin komunist, dhe që njerëzit e këtij establishmenti të përfitonin në privatizimin e ekonomisë. Servet Pëllumbi u shpreh se kur e ka pyetur Ramiz Alinë se a i ka ardhur ndonjë material nga Gorbavovi në lidhje me këtë çështje, ai i kishte thënë se diçka kishte ardhur atëherë. Servet Pëllumbi, për ta përforcuar tezën e tij dha dhe informacionin shtesë që Ramiz Alia ka evituar ta përmendë në kujtimet dhe në intervistat e tij televizive, se Alia ka qenë në të njëtin kurs me Gorbaçovin kur shkoi të studionte në Moskë në vitet pesëdhjetë, pra njihej mirë me të.
Me këto pohime Servet Pëllumbi mund të quhet “Tomaso Busheta” i “Katovicës”, derisa ai ka qenë një politikan i lartë i së majtës, se është bërë nënkryetar i PS në 1991, kur PPSH ndrzshoi emrin, sipas platformës së Katovicës, dhe ka qenë në lidershipin e kësaj partie deri në vitin 2005, kohë kur mbante një nga tre postet krzesore në krye të shtetit, atë të Kryetarit të Kuvendit. Deklaratat e tashme të Servet Pëllumbit janë reflektime të një njohësi të thellë të politikës të kohës së komunizmit dhe të kohës së tranzicionit, duke qenë se Servet Pëllumbi ka qenë në kohën e komunizmit ekuivalenti i shkencëtarit të politikës. Servet Pëllumbi, duke reflektuar mbi ato që di, dhe që i thotë dhe nuk i thotë, dhe mbi analizën e asaj që ka ndodhur, konkludon se “Katovica” ka ekzistuar dhe është zbatuar. Pas pohimeve të fundit të professor Pëllumbit, duke konsideruar se kush është ai, ishte dashur që të ngrihej një stuhi e vërtetë në media dhe në politikë, dhe gazetarët të intervistonin Ramiz Alinë, Sali Berishën, Fatos Nanon Gramoz Ruçin, Sabri Godon, Skënder Gjinushin, Neritan Cekën etj., të cilët kanë qenë aktorë të drejtëpërdrejtë në zbatimin e “Katovicës”, por kjo nuk ndodhi. Një “dorë e fshehtë” që i kontrollon gjërat bën që deklarata e Servet Pëllumbit të kalojë pa jehonën që duhej të kishte. Kjo “dorë e fshehtë” është “dora e kuqe” katoviciane, që ende komandon politikën dhe shoqërinë shqiptare. Është shumë interesante që mediat e djathta, si gazetat dhe televizionet, nuk i bënë fare jehonë deklaratës së Pëllumbit, dhe kuptohet përse. Nëse ka ekzistuar “Katovica”, një nga njerëzit kryesorë të saj ka qenë dhe vazhdon ish kryeministri Fatos Nanon ndanë pushtetin e Ramiz Alisë. Vazhdim i skemës së “Katovicës” është fakti që edhe në vitin 2008, 17 vjet pasi PPSH u shndrrua në parti të majtë komuniste, në krye të saj është Edi Rama, pinjolli legalisht i familjeve të nomenklaturës komuniste, duke qenë se babai i tij Kristaq Rama ishte anëtar i Komitetit Qendror të PPSH dhe nëna e tij ishte mbesë e anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka. Sigurisht që dhe njerëzit si Edi Rama kanë të drejtë të jenë në politikë, por kur në krye të një partie ish-komuniste, që pretendon se është bërë e majtë perëndimore, është pinjolli i ish-nomenklaturës komuniste, është vështirë të mos besosh se këtu ka një plan konspirativ.
Me pohimin e tij profesor Pëllumbi e mbylli me një kredit të madh moral bilancin e karrierës së tij të gjatë si politikan dhe funksionar i ideologjisë i regjimit komunist. Servet Pëllumbi u ankua në emision se Berisha e ka akuzuar se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit që në shkollën e mesme. Me pohimet për Katovicën, Pëllumbi e ka shlyer edhe këtë faj para historisë dhe e futi veten në listën e atyre pak njerëzve në historinë e politikës shqiptare të të gjitha kohërave, që kanë bërë diçka që u jep kredit të madh moral. Derisa Servet Pëllumbi u bë “Tomaso Busheta” i politikës shqiptare katoviciane, Fatos Nano dhe Edi Rama mbeten “Toto Riina”-t e saj.